Blerina GOCE
VAZHDOJNË KUJTIMET E FIRMËTARIT TË PAVARËSISË, HAJREDIN CAKRANI. PËRSE RA QEVERIA E VLORËS!
Drejtori i thesarit Bektash Cakrani: “Ismail bej, kjo që po bën nuk është aventurë, por tradhti!”
Problemet e kufijve të Shqipërisë në 1913, përpjekjet për të njohur jo vetëm shtetin shqiptar, por edhe qeverinë e Vlorës, si dhe “përplasjet” mes figurave historike të njohura të kohës “serviren” në këtë pjesë të kujtimeve të firmëtarit të Pavarësisë, Hajredin Cakrani. Problemet ekonomike me të cilat u duhej të përballeshin atdhetarët, shpalosin mes të tjerave edhe anë të personalitetit të figurave të njohura të atyre viteve. Në shënimet e mëposhtme të Cakranit, zbulohen me të gjithë dritë-hijet personazhet më të mëdhenj që kemi kujtuar. Kjo pjesë e kujtimeve, ashtu si dhe parardhëset, e mundësuar nga nipi i Hajredin Cakranit, Kujtim Cakrani, prezantohet realisht si një shërbim i stërmadh ndaj historisë. Mes tyre hidhet më shumë dritë mbi figurën e Ismail Qemalit, duke e zbuluar atë në tjetër kënd, por lexuesit kanë mundësinë të njohin edhe figurat dhe shërbimin e vëllezërve Cakrani e atdhetarëve të tjerë, një pjesë e të cilëve mbase janë lënë “në hije”, ashtu si nuk e meritonin.
Kufijtë e vitit 1913. Problemi i Korçës; brenda apo jashtë Shqipërisë. Protesta e tyre.
Punët po venin keq e më keq dhe im vëlla Bektashi më të tjerë atdhetarë, u përpoqnë për hyrjen e të gjithë kazave nën guvernën a qeverinë e Vlorës. Unë isha i zënë me luftën kondra grekërve në Skrapar, po puna e sinuarëve (kufijve), n’a digj për ditë e më shumë. Që në fund të 912, Ismail Beu (Qemali), jo që mbeti vetë nëpër mbretëri të Evropit, po kish vënë përfaqësonjësin t’onë, tek të Mëdhenjtë, Mehmet Beun (Konica), se të gjitha kanë an’ e udhë, po që mbretëritë Ballkanike, sërbtë thonin se, -dua gjer më Durrës se ç’kam ca qisha të mija, se këta janë nga Tyrqia të tërë, Mal’ i Zi duaj Shkodrënë, se këtu të tërë janë me mua, s’a vranë me Esat Pashnë dhe komandantin turk që mbron tok me të Shkodrënë, Hasan Pashanë, grekërit tjatër punë, thonin që të krishtërët në Vjosë e poshtë më jug, ishnë të tërë grëkër dhe duhej të virin sinuarë (kufirin) me Gjirokastrë e Korçë brënda. Se ç’do mbetej brenda. ata s’bëneshin merak, po dhe planë t’onë të sinuarëve, o e shihin të fundit o e kishën futur me një sirtar, që s’e hapën kurrë. Si do që Mehmet Beu ish njeri e dhiplomat, e që ne n’a dukej sikur kishte lerë andej, kur i vajti në zyrë chef de la Conférence (kryetari i konferencës-frengj), që ambasadortë do vendosën sinuartë (kufijtë) e priti me shumë siklet nja çerek ore, jo më shumë. Mehmet Beu (Konica), më thanë se i kish thënë inglizit që vështëronte nga penxherja e që s’e begenisi, se ishte aty, se kishën gjetur një hazinè (thesar) të madhe, e duaj t’a ndajë këtë hall me inglizin. Ai kur dëgjoi këtë u ul në muhabet, po Mehmet Beu këtë donte dhe j’a tha hallin e sinorëve, që të ndaheshin atje ku flisnin shqip e ku bëjnë pazarë shqipëtarët, të viret sinuari, po inglizi bëri sikur e dëgjoi. Kur s’u dëgjua Nemsja (Austria-turqisht), që e kish mëndjen më të saktë e n’a kishën thënë qëkur, të shpëtohet ç’të mundë më këtë kuvënt, këtë punë po e mirr lumi dhe gjithë lufta jonë më duket, se s’pati duk. Ismail Beu me Luigj Gurakuqnë po dhe me të tjerë, mbeti Evropit për të vajtur në mbëledhje të cakëtimit të sinuarëve, po me që Verinë i kishën zaptuar serbtë, muar me vete dhe atë malësorin e gjatë, që i flisën Isa Begu (Boletinin), të gjithë allafrënga e ai veshur malësorçe, me qylah e me kobure, sa e bënë gazetartë, si heronë e tyre, pesëqint a njëmijë vjetë përpara. Se përse e bëri këtë mish mash Ismail Beu, duhet një mëndje e hollë, se mirë që mezi duall nga vaportë e grekërve me gjemi të një duke a konti si punë bej i math, po ingliztë, që s’e vrasën fare mëndjen për hallet e dynjasë, vetëm të kenë të tyrej më udhë, jo vetëm që bënë sikur i dëgjuanë, po dhe u tallnë, se ishën më shtëpi të tyrej, jo hiq koburen, jo hiq këpucët te dera. Këjo punë u pá, po se ku do të virej sinori, shpyrti n’a i donte s’a më tutje, do Perëndia e ca habere që vinin se, do viret më Korçë, e ca të tjera do virej më Shkodër, si do që kazatë e veriut i kishëm qarë qëkur, se i kish dhënë Tyrqia më Shën Stefan kur humb me rustë. Aty nga behari ata më në fund e njohën Shqipërinë shtet a mbretëri më vehte, dhe im vëlla Bektashi, më tha se vlonjatët e kishën ndezur me dyfeqe e batarè më telegrafanë, sa që zbrinë fshatërat poshtë, se thanë mos hyrnë grekërit, pa e bënë duket nga mërzitja se nukë n’a kishën njohur guvernë a qeverinë. Po t’i shtosh dhe hallnë e sinuarëve, kohë më të ligë, nukë bënej. Korçarët ishën në fill të perit, se grekërit kërkoin sinuarë të vinej më lart, e Korça të mbetej grekërve dhe kjo ish e padëgjuar për ta. U mbëluath të gjithë e kartat varda guvernës, a qeverisë së Vlorës, i lini kolltukët e ministritë, po hajdeni me nè, të vdesëm tok, nè që i kemi lënë të tëra, kemi mbëledhur fuqitë e fundit e kemi dalë në mal. Po u bë të humbë ky qytet kaq fisnik, jo më që s’ka ilaç t’a shërojë Shqipërinë, se pa Korçën, Gjirokastrën e Çamërinë, më e mirë do që vdekja me nder, se s’a të rrojmë të turpëruar. Nuk mbeti korçarë pa u ngritur më këmbë, me Stavro Karolnë, që ish i parë kryetarë bashkie aty, me Misto Gërmenjë e me Idhome Kosturë, që bëri atë kartë e sa të tjera guvernës. Muntd të më vijë keq për shtëpi e katandi, per kasaba (qytet) e për kaza të tërë, por për korçarë më piku nga ky zeher (helm) haber, se dhe këtë gjë kishëm mangut.
Përplasja më Ismail Qemalin. Koncesioni pa sovran, pa kufij e nga një guvernë provizore nuk është aventurë, por tradhti.
Nganjëherë ne shqiptarët jemi një allasoj (i çuditshëm) mileti e bënemi së prapthi, kur duhet të tregonemi të mënçëm. Në Vlorë të them të vërtetën, ish bërë një rrëmujë, që me Ismail Benë, guvernën e ç’do gjë, dukej sikur kishën ardhur nga tjatër dynja e jo sikur njëndizë (pak kohë më parë), kishëm qënë nën Tyrqi e nashti u bëmë më vete. Ishte fukarallëk i math vërtet e muhaxhirë nga fshatërat që i djegën, e që mua më ishën vrarë sytë nga këjo gjë, vihin me boça në krah këtej më anët tona, po as që bënej llaf nga mileti (populli) të mbëlidhte ndonjë parát a të hollë, për qeverinë të paktën. Kjo e sëkëlldiste (trishtone) tim vëlla Bektashin, si do që gjithënjë, ai e ka zgjidhjen në xhep. Nuk ishte vakti për të bërë puntë rehat, se punë më të madhe se ish lufta dhe këtu unë isha më sinuar tim. Bektashi kishte qënë afër gjërave, dhe ku e shihje tani, s’e gjëje pastaj. Hamza Agai (Isai) me Imer Aganë (Radhima), vanë në krye të vendit në Vlorë, se më të përpjekur se ata, me Brahim Effendinë (Abdullau) e Elmas Effendinë (Kanina), nukë pushonin tutje-tëhu. Po “mali” i kish rënë tim vëllai, Bektashit, pa dhe mua pastaj, se duhej të venim më Llogora se po lëfton Beqir Agai (Velo) e duhej ndimuarë shpetj, fap Bektashin, se ty të dëgjojnë, se ti i mbëleth dyqint a katërqint shpyrt (vetë) e o burra se hataja po n’a vjen më derë, se nuk n’a dilinn këto xhephanetë që n’a bihin ç’do ditë në Vlorë, sa një ditë gjylet, ranë më avlli e tjatrën ditë dërguan Elmas Effendinë (Kanina), se jemi një shtet më vehte nashti, po dëgjonin grekërit?! Shtetin thashë e njohën, po guvernën jo. E poqa tim vëlla Bektashin e m’u duk shumë i lloisur (menduar). U fjalosa me të se, ishte hall jo vetëmi tij, po i të gjithëve. Mirë që nuk n’a e njohën guvernën, po Shqipërinë, si ç’ma ndjente do njohnin ato fshatëra që janë të lira, e ato ku bënej luftë, do i mirr i fituari u tha, e kështu që Ismail Beu, keq brënda e keq jashtë, me mbretëritë. Brenda dukej se po bënej punë e paqme, po nukë kish duk. Se Ismail Benë (Qemali), përditë e sahat e minut, i frynin në vesh llafe, që jo vetëm e çuditën, se ajo jetë që bën në Stamboll, ishte dhe ishte tjatër gjë, po më shumë më dukej se e bezdisnin, pa miqtë tanë në Vlorë, bënë s’a mundën, po aq fuqi kishën. Ne shqiptarët jemi të çuditshëm, po na fole për pará a të holla, e lëmë muhabenë fare, e bëhemi me kë të jetë, vetëm në pará mos n’a nga. Se këjo guvernë a qeveri duhej mbajtur, e se duhej të jepnin nonjë të hollë si punë takse, as që bëhej llaf. Po të bënte vaki të kërkonej si kur ishëm në dovlet (perandori), jam shumë i sigurtë, që do thoshën se ne, ndaj duallëm mënjanë, pa po të qè për të dhjetën e të tretën, ishëm mirë te baba dovleti. Ç’ishën të hollat e mërgimtarëve nga Bukureshti, e ato që jepin miqtë t’onë me gjithë shpyrt në Vlorë, kishën ikur si ujë. Bektashi ishte në merak të madh, jo se po i dhimbeshin paratë e çifligjeve t’onë, po këta vetëm të tunden e shkruajnë vetë, kaq ylefe (rrogë) ti, e kaq ai tjatri, se kush dovlet (perandori) do t’i bjerë këto para, as e vrit njeri mëndjen. E kish llafosur sa herë me Abdi Benë (Toptanin), që e kish si punë ministri të tij dè, po ai kish ca kartëra në dorë përmbys, e s’po i jepte xhevap (përgjigje). E po, -tha im vëlla Bektashi, hesapet po bën, si ministër i financave që është, mor po të bëjë hesapet e tij, pa tek mua përpjekën kokën pastaj. Abdi Beu (Toptani) i këtheu praptas kartërat dhe Bektash beut i himpnë ato të tijat, se ai ishte hazineja (thesari) e të tjerë bëneshin zot. Bektash Beu nuk luajti këmbë, deri sa Abdi Beu qeshi nën mustaqe, e j’a tundi kartërat para hunde, që ishën ca vjersha të tij, se me që kish naftarët (çelsat) e kashtës e s’kish ç’bën, e varda bëj vjershëra. Të gjithë njerëz e miq që vijnë, llafnë e parë qysh ini, të dytnë me të holla qysh j’a shpini, ama Bektash Beut mo j’a kini meraknë, se bejlerëve të Cakranit s’ua ka ngrënë ndonjë herë qeni shkopin. E kish fjalosur dhe me Ismail Benë kaqë herë dhe e ai i thosh që ti e di Bektash Bej, për këtë ti je zot. Mirëpo po ikte behari me luftëra dhe s’po n’a njihinn qeverinë e sinuartë, se si dukej, duhet që mbretëritë Ballkanike, të soseshin më vatër,pastaj të virëshin. Frik’ e madhe ishte dhe më sinuar grek, se ata nuk ngopeshin dhe me mëndje të tyre duajn të dil më Vjosë. Nemsja e pafuqi, thoshte të shpëtoheshin shpejt dhe sa të jetë e mundur, nga veriu e nga jugu doemos, se kur ish puna unë ngrita më këmbë një milion ushtarë dhe ata e bënë që e bënë të tyren. Me gjithë që Esat Pashai nga dera e Toptanajve, që i kishën thënë që pa e bërë Shqipërinë, të vinte këtu në guvernë e të mos trubullonte ujtë, se po na vështronin me dylbi të Mëdhenjtë, e ai bëri sikur u fut në guvernë këtë behar, e ish përgjegjur më prapa, që i math jam vetë.Bëri ç’bëri dhe bëri një si guvernë a pleqësi, si nè, po në konak të tij në Durrës dhe e groposi këtë tonën e Vlorës. Më keq s’bënej dot më, se të Mëdhenjtë, si po venin punët, do n’a i bëhin dhe ne si grekerve qëkur, se nuk janë të zot për të bërë mbretëri, dha fap, j’a prunë një mbret gjermën, atë që i dërguan kartë im gjysh Veis beu më parinë e kazave, t’i ndihmojë. Kishëm shpresë se Ismail Beu, i regjur më punët e Stambollit e Bullgarisë e ku nuk kish qënë, të bënte një copë detyre për këtë vatanë ku kish lerë, pa ish rritur Stambollit. Po as ai nuk n’a kish njohur mirë, ose i mori për sejmenë (këtu-servilë) ata që e rrethonin dhe vonë e kupëtojë, po vakti kish ikur dhe hataja ish bërë. Ç’e zgjas, j’a e dinte Bektashi, se ç’punë e ç’fuqi kish këjo guvernë, j’a s’e dij njeri më këtë dynja. Se im vëlla, mua më ç’koqiti hallnë e thesarit. S’po druan aspak për paratë që duhen, dhe per ç’do gjë që kishën kërkuar po paratë iknë si ujtë, si do që ne nuk kishëm pasur a kishëm nonjë hall, e i vetmi hall ishte vatani, që me gjithë atë mundim, më duket po e humbnim. Ç’do gjë munt të bëjë vaki me tim vëlla, për punë vatani nukë flet dot me të, munt t’a çoshë të vdesë për të, po për i drejtë e t’ja hedhë ndonjë, jo. Këta i vendosin vetë ylefetë (rrogat), shkruajnë e vulos, e më vinë me ca copa kartëra e defterësh dhe vetëm para kërkojnë. Ismail Beut j’a kam thënë sa herë, po ai o më duket i pafuqi, o s’kish parë ç’bënej këtu, e as i njeh, e i vë nëpër ca vënde, (poste), që ai e di. Pa ndonjë gjë për shkollnë, a ndonjë gjë për udhnë, s’bënet llaf fare. Dhe po n’a mori lumi, ata vetëm të kapardisen dinë, po që të vejë në det, unë nukë kam vdekur akoma. Ç’të jetë nisur, të bitiset nga të mëdhenjtë, j’a të vidhiset j’a të ujdiset. Kemi vitëra që i kemi varur torbën punës t’onë, me çifligje e pasuri se o bënet sot, o u përmbysmë, e kur bënet fjala për vatanë, ti e di s’pyes për njeri në dynja. -Të ç’lironesh Bektash Bej dhe ti, se një bankë, si e kanë ata andej, do t’a bëjmë doemos. -Po me ç’para e kapitale do t’a ngrëmë Ismail Bej, se ti e di si po kripemi. Të gjithë duan ylefenë, pa nëpër kafe e bëjnë atë punë, që e ka ëmërin, pa po për para i’u qan syri. -E di Bektash Bej, po unë kam mejtuar, të mos e hapëm nè, po të j’a japëm Nemses (Austrisë) a Italisë, që kemi aty afër, se ti e di, që ne nukë i kemi takanë, t’i vënë ata hë për hë, pastaj do ujdisemi. Këjo ish si punë shakaje mu duk, njëqind vjet. Me që po bëjmë shaka, zotëria juaj kryeministër, a Ismail Bej, qysh të të flas, në më lejonet të bëj një pyetje? Mirë që do vënë paratë ata, po ne kë do lëmë penk Ismail Bej, sarajet e Xhemil Beut me gjithë avlli, se Syrja Beu i ka më vehte. Edhe s’më qeshej -tha im vëlla Bektashi, po dhe shakatë për nè ishën, se të thonë pastaj nursëz, (i vrazhdë) ndaj e vura buzën në gas. Këto Ismail Bej, pa e bërë hesapnë se mo i marrën, si ç’e kanë zënë grekërit, gjer në Vjosë vëndë dhe ikën dhe sarajet e çifliku im. -Unë jam ca si plak për romuzet e tua, Bektash Bej! Ismail Beu e kish me gjithë mënt dhe mua m’u err dynjaja, kaq m’u desh kur flit në kurris të vatanit,- tha Bektash Beu. -Po je dhe ca si i ri zotrote,Ismail Bej, që të pleksesh në pazar me vatanë, e t’a lësh në bixhos, i thonë kësaj. Pa ma çpjego vezir, se qysh do marrëm paratë e të lëmë penk vëndë, që kemi akoma varret e njomë të luftrëravë, që s’kanë të pushuar. S’e kuptuaç pa sinuartë (kufijtë), të bëjmë pazar me vatanë, kur ne nukë kemi as sovranë, e që të Mëdhenjtë na njohën si një copë guvernë kazaje, qysh do bëjmë shaka à faire des concessions (të japim me koncesion-frengj). Qysh do t’a shesëm, pa e marë akoma, pa për të gëzuar me këtë mëndje Mit’hat Pashë, duket dielli që kur len. -Unë nukë jam Mit’hat Pashë po Ismail Bej Vlora, po ty s’ti marr për të keq këto llafe, si do që janë plumb të rënda, se sa ty kam djemtë e mij dhe e di, që s’ja do të lignë vatanit. Gjithë dynjaja është ujdi, Bektash Bej e këjo, ësht’ ujdi që të n’a nxjerri nga halli math që na ka zënë. –Këjo,- i thashë, seule aventure ne peut pas être (vetëm aventurë nuk mund të jetë-frengj) dhe po qè, për tjatër ëmër, kaqë gjë munt t’a gjejë vetë Votre Excellence (Shkëlqesia Juaj). Pa po e do dhe t’a them, e ka emërin tradhëti! Vuri buznë në gas nga zori dhe se ç’doj të më thuaj, po nukë e tha. Kaq gur i math u lëçua e më zu nën vete -tha im vëlla Bektashi, pa atij fët i erth arabaja dhe e mori. Gjumi u mërgua. Munt të lëftoç sa të duash, a të fitosh, po kur vjen puna t’a mbaç, të duket tjatër gjë, që s’e ke pjekur kurrë. E paskej ndarë mëndjen, e nè nukë donim t’a besonim, po më shumë dukej si na një mëndje tjatër ,e futur më kokë të plakut. Pse kështu u bëka Pazar, si më ndonjë sokak të Stambollit dhe i vajçtiplakut prapë, më tha im vëlla. Ismail Beu, m’u duk si i lodhurë e më ç’koqiti ca gjëra, që nuk m’u dukën si hamëndje, po që e kishte ndarë mëndjen, s’bënej llaf fare. S’kemi ç’bëjmë Bektash Bej, e di merak tëndë, po n’a duhet de donner la concession (të japim me konçesion), se jemi në hall të math e kështu mbase dalëm nga këjo hata që na ka zënë. Sahat e minut i them Bektash Beut, se rrëmbehe, kur e shoh si të padrejtë, po këtë herë iu verdh maj’ e hundës nga inati. -E merrni vesh, më bërtit mua dhe Mit’hat Beut (Frashëri), që ish dhe ministër që atë ditë, si do që Mit’hat Beu, ish njeri më i kënduar (i ditur), sa s’bënet, flet javash e fjala i peshon flori, se soji do vejë në soj. -Shiko një çikë këtë punë, se mua më duket se ka të drejtë, si do që nuk munt të dalë krah tim vëllai, për një vepër që munt të jetë dhe e gabuar. E pashë që Mit’hat Beu (Frashëri) u fut në lloi (mendim) që atë çast. -Të gjitha këto që bënen, po bënen gabim, dihet që Bektash Beu ka kaq vitra që ra theror, po këjo s’duket si punë vatani. Nuk e zgjatën dhe u bënë nja dhjet a pesëmbëdhjetë vetë dhe dihet që të shumit ishën korçarë, që po përvëlohen në luftëra, e guverna i shih me sy, e s’bën dot gjë dhe e shkrojtën mémorandum (promemorjen), që të pakësoneshin këto çpenëzime për hiç mos gjë, të vështrohen paratë nga e qysh ikin si ujë dhe se s’është bërë asnjë gjë, që nga gurët e sokakut që mbyte në baltë, më keq se te nè, e gjer më shkollnë që ësht’ vatër e diturisë, pse pak ushtarakë kish aty, sa munt t’i kishën zili mbretëri dhe virën (vendosin-emërojnë), në xhandërmari ca allasëndëk (të dyshimtë, negativë-turq), që nga Myfyt Beu (Libohova),që ish ministër i brëndshëmë e që rrih me shkop bythëve gazetarnë nga Italia, me hynere që s’mirrej vesh ç’bënej, e me ca çeta që i mbanin për trima e kapedanë, e që ishën ca kusarë me nam më këtë anë, po dhe andej, gjer më Stamboll, të ruain vëndë, vunë ujkun bari, dhe domosdo, atë punën e bankës, pa pasur sovranë që të virej zot e të firmosë e pa sinuartë që s’dinim ku do venin, me këtë hata që n’a gjet me orthodhoksë, lart po dhe poshtë (këtu: veri-jug), ku guverna jonë, me gjithë fuqinë e ndihmën të gjithëve, e me atë që ne e ndihëm me të gjithë paratë e çifligjeve t’onë, pa bërë hesap emërin e përkohëshme, nukë kishte fuqi të dil nga kazatë e Vlorës, Beratit e Mallakastrës, me gjithë ne që lëftonim më Skrapar e korçartë që i zu ai hall i math dhe nukë u ndihën dot.
Promemorja që kundërshton qeverinë. Nga 15 në 67 atdhetarë, nënshkruajnë dhe ministra të qeverisë së Vlorës
Si molloiste (ketu:argumenton) im vëlla Bektashi, me ata qe e firmosnë, kaq hollë se i dhimsej, dihet s’donte kallauz (përkthyes), këjo punë, pa lè që m’u droth mishtë kur kisha aty Mit’hat Beun (Frashërin) dhe s’po gjëja tjatër ëmër, se ajo që e kish ujdisur aq mirë, Naim Beu (Frashëri), në ato vjershërat e tij. Tradhtor ishte për vjershërat e tij, pa kur i kemi pjekur (takuar) tradhtarët, u kemi dhënë kusurë, po kaq e madhe puna, rëndonte e s’ngrihej, po me që Ismail Beu kish qënë në Oborr (këtu: oborri i Perandorisë Osmanë) kaq vjet, ishën të shumë ata që ngulën këmbë, se këto ishën pazare të zakonëshme Stambolli, që kishën bërë vitra të tëra, po dhe nè, nukë vinim nga India. Edhe sot unë e them, se ajo ishte mëndje plaku, po jo mëndja e plakut. Bektash Beu nxinte e turfullonte nga inati, po jo me mua. Kur u poqën (takuan) me Fazil Pashën (Toptani) e Amit Benë (Toptani), unë nukë e lashë të fliste dhe i dhashë karar. O, doli bishti para sqeparit. Për ç’do gjë munt të të dëgjojmë, po jo të vësh kujën. Edhe të janë, ruajna Zot, pazare, ti shiko punën tënde. Nukë e qetësoja dot, se u duk që kish marrë të grisur puna. E dija dhe qeshë i sigurt se punëtë në Bullgari a gjetkë, nuk i kishën vajtur si duhet, Smail Beut (Qemali), po mua më trubullonte mejtimi, se që kurë kisha qënë në shkollnë ushtarake në Stamboll, fjalosesha me të birin e njërit, që ish plakur në Oborr dhe se Abdylhamitit i kishën thënë kaqë herë, se s’na pëlqen Mit’hat Pasha (1876 Kryeministër i Perandorisë). Nga ato që dëgjoja e që kishën ngjarë ata, më dridhej mishtë, po ja që Mit’hat Pasha ishte i parë në Oborr, Vezir i Math dhe kish aq dorë të lirë, sa i bënte që nga intrigat e gjer te komplotet, gjer më atë që i ngjau e vdiq Abdylhazizë. Më vonë dolli, që ish dhe hafije (spiun, këyu:punonte për) e inglizit, i kredhur nëpër ato llozhat e tyre të masonerëve, e të gjitha. Ai i njihte mirë çdo gjë e i bënte pa gabim të gjithë pazaret që i leverdisnin, atyre pas tij, se kish fuqi të madhe, deri sa Abdylhamiti e degdisi, a j’a preu koknë, se s’u dëgjua më për të. Kështu pazaret më të mëdha të gjithë dynjasë, bëneshin në Oborr të Stambollit, ndaj qëkur të Mëdhenjtë, nuk donin fare t’a ngisnin Perandorinë Osmanllije, pa le t’a lëftojnë atë, ca të mjerë. A, se mos harroj, Ismail Beu (Qemali) ishe sekretar i tij Chef de Cabinet (shef kabineti) e ç’do gjë, po puna me vatanë ësht’ tjatër gjë. Ai s’të kërkon as bukë, as ujë, as të vishet, kërkon vetëm t’i ngjallësh emërin e harruar. Fazil Pasha m’a këndoi mëndjen dhe tha se këjo vjen erë Mit’hat Pashë. Ai tundi kokënë dhe im vëlla i tha se -jo me mua ama, se vatani është një bè (betim), që po u bë, s’këmbehet me asnjë gjë në dynja. Amit Beu (Toptani) i erth’ në ndihmë atij dhe tha që -s’keni ku veni, tek ne të pushkës do e përpiqni kokën. Ai kish bërë, që në Durrës, ata erdhë e bënë Shqipërinë, se të mos kish dashur, kushedi se kur do Zoti ku do qe bërë, a fare sot. S’paguajmë hiçë gjë, si më dovlet (P.Osmane), as taksë e as gjë dhe pa u bërë akoma, t’ja kishëm këtij copë vëndi, me të hedhur, këjo ishte kujë e shkuar kujës. Amit Beu (Toptani) me Bektash Benë, e shih hatanë si lodër. U bëra paparunde (këtu: flakë i kuq), nga inati që s’kish çt’i thoshja asnjërit, se s’i jep dot mëndje njeriu, kur është më të drejtën. Inatin më shumë e kisha, me këtë fat të zi që na kish pllakosur në vatan, e që mua më ngjan se këjo hata e përzë prapa atë, që mijë vjet, e jo sot. Këjo ishte mangut ,që të flasë dhe Esat Pashnë, që të zgjith ministrinë që do, po ai nukë erdhi më dhe më vonë formoi një si punë pleqësi, më Durrës e kazatë rrotull, që i kish nën hyqëm, me sebepin se guvernën e Vlorës, nukë e duan të Mëdhenjtë, pse të mos bëj dhe një tjatër unë, la concurrence course (gara konkurrence-frëngj), e sido që ndodhi këjo, Ismail Beu (Qemali) e kish friknë te Esat Pasha, që kish fuqi të madhe më ato anë. Ismail Beu po korrte ato llafetë, para e pas kafesë, që i kemi bërë ç’do minutë, kondra njëri-tjetrit, po këtu nukë duronte dot më puna, se ai njeri që kish udhëhequr, sido në vëndet ku e kish çuar Tyrqia, të ngit (këtu:udhëheq) një vapor e tani po mbytej në një sanalle. Këto bëma, që ai i pranonte si zgjidhje, nga ata që i rrinë afër e i fryjnë në vesh, e çuan në qorrsokak, se shqipëtari nukë e mban fajin për vete kurrë, po e degdis gjetkë. Si do që të shumtën e kohës, isha në krah të Xhelal Skraparit e lëftoj me grekërit ,sa herë që vij e takoj tim vëlla Bektashin, mbi dy a tri herë e gjej Ismail Benë me tjatër mendje, po s’të lij dhe Bektashi, kur ta pjekësh 9takosh), duhet t’i thuaç, si e do protokolli, zotrote a kryeministër, po unë j’a preva me të qeshur,- se ai është kryeministri yt, jo imi ne pleqësia jemi më të mëdhenj si rang, e j’u japëm mëndje. U poqmë dhe i thashë, se po ikëm këjo punë në fill të perit ,e po ramë, na mori lumi, po ai ngul këmbë të vej të Evropi për sinuarët. -Ismail Bej, nè s’na pru njeri këtu, erdhëm vetë, se ti e di që i kemi të ngrehura të gjitha me kohë e me vakt, po ky vatani qënka njëmijë herë më i madh, se beja (betimi) që kemi bërë për të. Ky n’a ka bërë, të mirë a të ligj, a jemi bërë gjetiu, s’e di, se kështu mua më ngjan se po vidhiset, jo po ujdiset. Esat Pashai s’do, kurrë mos dashtë, ne duhet t’a zgjidhëm këtë punë dhe pa të. Toptanajt e tjerë, ti e di, i kemi me vethe, e dime dhe që s’munt të bënesh katërqint copë, edhe Evropit, edhe këtu, por po u’a lamë vatanin mbretërive, kush e di ç’udhë merr, pa i bie pastaj, të jemi të shuar, e s’bëjmë dot as një gjë. Bektash Bej ç’i thua ti Hajredin Beut, për këto?!- dhe nuk m’i ngriti sytë. -Po fjaloset me ty Ismail Bej, unë ylefenë (rrogën), j’a kam dhënë. Më këtë muhabet, e pashë që s’ndreqej gjë, dhe përgjegja me qesëndi e Bektash Beut, për nè, që në të vërtetë i lamë të tëra paratë e çifliqeve aty, më dëftoi, se punëtë kishën ikur shumë larg. Po u ndamë si zoqt’ e korbit, vjen qyqja e bën folè, pa me Esat Pashën nuk llafosesh dot, ju e dini, po këjo punë nashti është në dorë të Zotit. Esat Pashnë nukë e kam takuar se kur erdhi në Vlorë unë isha i zënë në jug por të them të vërtetën Ismail Benë dhe në bojë (pamje) dhe në tabijate (sjellje, zakone) ish për atë punë dhipllomat dhe njeri i mënçëm për mua. Ai se ç’kish në të parë si njeri allasoj (këtu:i veçantë) pa allaturk me mjekërr të bardhë kur ish me feste e me t’a hequr atë, dukej njëqind vjet tjatër njeri allafrënga se të gjithë si nën Tyrqi dhe këtej mbanin mustaqe, se edhe Evropi kështu ishtë, e të rrallë ishën ata alla romana të rruar ku herë-herë bëja pjesë dhe unë. Kartënë e memorandum e firmosën të partë nja dhjetë a pesëmbëdhejetë vetë me Mit’hat Benë (Frashëri) që ish dhe ministër i tij, e radhë korçarë, me Mihal Grameno e Misto Gërmenjë, me Idhomen Kosturë e Stavro Karolë që ish kryetar bashkie atje,me Ligor Çilikën që udhëhiq në Manastir më 908 shqipen e Izet e Mendu Zavalanë Seit Bej Qemalë nga Vlorë e të tërë, po asnjeri nuk leshoi pë. Ahere ata që e kundërshtuan Ismail Benë tek këjo aventure vanë nja gjashtëdhjet a shtatëdhjëtë shpyrt me Hasan Bej Prishtnën, Pandeli Çalën, Dervish Bej Himën Fazil Pashën (Toptani), Sotir Kolea, Amit Beun (Toptani), Hajredin Beu (Fratari), Ismail Bej Klosi, Myderiz Mehmeti, Sheh Hasani nga Berati e s’mbaronejshin emërat në memorandum, më të shumta se ne që bëmë dekllaratën e Pamvarësisë e që të gjithë njezes të ç’quar e atdhetarë sa më s’benej. Nukë mjaftonej këjo, po i vëllai i Mehmet Beut (Konica) që e kishëm lënë në Evropë për sinuartë (kufijtë) e të gjitha, Faik Beu (Konica) firmosi nga të parët.