LUFTA PER T’U DUKUR


Është një pikë, mu në mes të Prishtinës (i cekur këtu si qytet shqiptar e jo si ndonjë ndarje ndërmjet shqiptarëve) me pasqyra gjigante. Ka mbi katër dekada që ato janë aty, dhe ende është turpi dhe çmenduria më e madhe që të shikohesh në to. Askush që kalon i gjallë aty nuk guxon të kthej shikimin përballë tyre.

Ka dhe një thënie tjetër, po ashtu e lidhur me pasqyrën, besoj është e njëjta edhe në Shqipëri, e në mos ka ardhur prej atje, ajo thotë: mos u shiko në pasqyrë se çmendesh. Dhe kjo fjali bëhet një prej kufijve më të thellë të mundshëm në psikën tonë qysh nga fëmijëria.

Pasqyra dhe çmenduria janë gjithherë në marrëdhënie brenda psikës sonë. Gjithnjë sipas këshillës dhe frikës së mbjellë në fëmijëri, ato janë zgjatim i njëra tjetrës dhe shtresëzojnë, gjë që edhe na frikëson, fiziken tonë në pafundësi pamjesh, ngjyrash dhe ndjesish. Tërësisht e pavarur nga mendimi ynë për ne, pasqyra rikrijon pamjen tonë varësisht prej kontekstit të jashtëm dhe të brendshëm tonë, dhe mu kjo fasinon (literalisht) sensin tonë duke na bartur në pafundësi trajtash tonat.

Atëherë sa do të ishte “interesante” pyetja, “ç’i duhet fashioni një shoqërie të këtillë? Kur frika për t’u shikuar në pasqyrë është popullore dhe “mjekësi” psikike, sa absurde është të merresh me fashion?

(Ka edhe më keq: të shkruash poezi, ese, etj. Vetëm krahaso baletin ku mund të shohësh një trup të bukur apo një palë gjinj të dëshirueshëm, me shfrenimin e mendjes përmes vargjeve. Vetëm paramendo poezinë në pasigurinë e të nesërmes, për vete, për familje dhe tërë ata që i njeh.)

Ka një logjikë këtu, megjithatë. Ka një logjikë në luftën për t’u dukur. Kosovarët që për një dekadë ishin të zhdukur, apo qytetarët e Shqipërisë që për pesë dekada ishin inekzistentë, e dinë pse duhet luftuar për t’u dukur. Në të vërtetë lufta për t’u dukur kurrë nuk do të ekzistonte pa mundësinë e të qenit i zhdukur. Dhe pa përvojën e të qenit i zhdukur.

Në këtë ankth gjithëshqiptar të të qenit i zhdukur, mendoj, kemi bërë një hap gjigant, atë të “selfie”-të, “belfie”-të etj. Është njëlloj ankthi për t’u dukur dhe për të përkufizuar veten tonë. “fotografia nuk rren”. etj. Dhe pikërisht para pak muajve, asociacioni i psikologëve dhe psikiatërve të SHBA-së e ka shpallur “selfien” si çorodi mendore dhe doemos të trajtueshme. Pavarësisht nëse kjo është edhe një burim kapitali për mjekët, burim i seancave të shtrenjta dhe medikamenteve të “zbuluara” mu për këtë qëllim (shih së fundmi skandalin e zbulimit se mbi 90 % e kryesisë së asociacionit në fjalë janë anëtarë të bordeve më të mëdha amerikane të medikamenteve), “selfie” është këtu për të qëndruar.

Por, a do të thotë “zbulimi” i “selfie” njëlloj shpërthimi tej kufirit të sjelljes globale. Një raport i ri me veten tonë, dhe një narcisizëm i aprovuar në përmasa globale? Narcisizëm për narcisizëm. E tëra ka të bëjë me të qenit i njohur qoftë edhe për të keq, pati konkluduar Umberto Eco para disa kohe. Eco vazhdonte duke trajtuar këtë sjellje me veprimet që deri para pak viteve konsideroheshin të trupshme, që tani bëhen me qëllim. Aq më shumë që e turpshmja është njëlloj mase suksesi, njëlloj vlere e re. Përkujto sex videot private, të domosdoshme sot për çdo femër të dukshme. Janë norma e “arritjes” së saj. Në të vërtetë e turpshmja dje, sot është norma. Dhe Eco vazhdon duke konkluduar se sot ankthi për t’u bërë i njohur ka bërë që njeriu të thyejë çfarëdo kufiri të vendosur paraprakisht me të vetmin qëllim të të qenit i njohur. Një shembull tjetër shumë i saktë është në filmin fitues të çmimit Oscar, The Birdman, kur personazhi kryesor tenton të vetëvritet dhe arrin famë mu me dështimin e tij, jo edhe me dhembjen e tij apo përpjekjen për ta shprehur atë.

Tërë kjo luftë ndërmjet kufijve paraprakë me “lirinë” dhe “pavarësinë” e trupit sot (megjithëse çdo gjë prej Foucault e deri më sot na tregon të kundërtën) ka dezintegruar masat psikike të njohura, dhe është hapur një zonë e panjohur që ka filluar të sjellë edhe degjenerimet e reja siç është konkludimi i asociacionit amerikan të psikiatërve mbi “selfie”-në. Ka njëlloj shumëfishimi të dukjes së njeriut për veten e tij. Njëlloj shumëfishimi të vetëve (edhe vetë post-modernizmi në përcaktimin e tij nënvizohet si skizofreni, pikërisht nëse modernizmi ka qenë vetëm paranojë).

Në këtë, fashion, fashion system dhe dizajni janë bërë njëlloj strehe. Njëlloj të përthekuarit të këtij dezintegrimi në një artikulim, qoftë ai revoltë, depresion post-industrial, apo edhe “afrikano-amerikanizim” i trupit (skllavërim me vetëdëshirë, apo si revoltë, të trupit etj).

Në dokumentarin e njohur të televizionit BBC mbi marrëdhënien e psikanalizës dhe marketingut, apo siç quhej atëherë “propagandën” (shprehje që ishte tërhequr nga përdorimi mu për shkak se konotonte me propagandën fashiste, gjë që ishte e njëjta gjë në fund të fundit), krijohet lidhja e pamohueshme ndërmjet “prodhuesve” të dëshirës dhe zgjedhësve/konsumatorëve të “pavarur”. Në të vërtetë, pavarësia kishte marrë emrin “individualitet” gjë që përkonte dhe ishte marrë kallëp pikërisht nga përpjekjet humane të Carl Gustav Jung për të fuqizuar individin shpirtërisht. Njeriu pikërisht në këtë dezintegrim dhe individualizim, dhe sidomos në globalizëm, ka gjetur strehën e tij në fashion system dhe në prodhuesit e zgjedhjes dhe kallëpeve të “pavarësisë” për individin bashkëkohor.

Fashion, megjithëse e hulumtuar dhe e studiuar për dekada nga Roland Barthes, asnjëherë për atë, dhe deri para pak kohe, nuk kishte arritur të jetë asgjë më shumë se një gjuhë e zbuluar për veten e saj. Megjithëse ai ka dekonstruktuar të gjitha ideologjitë në veprim dhe luftërat ndërmjet tyre për të kapërthyer individin, fashion megjithatë, sipas Barthes, ishte një sistem që funksiononte dhe ushqehej vetëm nga vetvetja. Por sot, fashion dhe fashion system janë një zonë tërësisht e domosdoshme për orientimin tonë. Jo vetëm të domosdoshme, por janë edhe artikulimi i filozofisë, besimit dhe qëndrimit tonë.

Të qenit i dukur sot është më e komplikuar se vetë të shkruarit e këtij punimi, apo edhe të temës së diplomës. Të qenit i dukur sot është kompleks që nga mosha e ditëve të para të jetës kur duhet zgjedhur vetëm të kaltrën për djemtë dhe vetëm rozën për vajzat. Për ata të kamurit edhe vdekja është komplekse, sepse duhet zgjedhur materialin e “qefinit”, etj.

Të qenit i dukur sot është më i rëndësishëm se të qenit i artikuluar. Në të vërtetë tërë artikulimi yt përmblidhet në një të prerë të flokëve apo në një çantë shkolle. Pikërisht nga çanta e shkollës së fëmijës të gjithë bashkëmoshatarët e deri tek drejtori i shkollës e dinë: sa di ai/ajo fëmijë, sa mëson, ku jeton, çfarë vendbanimi ka, çfarë mobilie ka, me çka merren prindërit, dhe në fund çka dhe sa do të arrijë po i njëjti fëmijë.

Përndjekja që u bën fashion system grupeve të rrezikuara, atyre të pavarura dhe të revoltuara nga globalizimi dhe kapitalizmi, siç janë prej të çmendurve, tek të pastrehët, dhe tek grupet e surfist-ëve dhe të skater-ëve, është njëlloj strukture minimaliste e tërë sistemit të fashion system. Që prej se është bërë domosdo dhe ankth të dukesh, këto grupe me revoltën e tyre, paqëndrueshmërinë, dhe paparashikueshmërinë e tyre janë modeli më i kërkuar në sistemin e fashion. Këto grupe dhe pjesëtarë të caktuar të shoqërisë njerëzore janë të vetmit të “pavarur” nga çfarëdo sistemi perëndimor (megjithëse më nuk mund të thuhet për surfistët dhe skaterët, vetëm shikoni maicat e të rinjve në Tiranë dhe Prishtinë me mbishkrimet “rythm of the waves” etj).

E tëra i ngjanë filmave apokaliptikë me murtaja, alienë e gjithfarë paranojash skizoide. Tërë ajo sëmundje në disa dekada më parë është aq e kthjelltë vetëm në shembullin e kësaj përndjekjeje. Tërë Perëndimi është i zaptuar nga sistemi fashion, i orientuar nga kompanitë më të fuqishme brenda këtij sistemi (dhe ndonjë shkarje të imtë kohë pas kohe si “dëshmi” e të kundërtës), dhe të vetmit që duket të jenë imun ndaj tij janë pikërisht të çmendurit dhe të pastrehët (shumica e të cilëve kanë probleme aq të mëdha materiale që i bën gjithashtu të paparashikueshëm dhe të pakuptueshëm në realitetin tonë).

Sot, qoftë në Shqipëri dhe në Kosovë, është krejtësisht i mishëruar depresioni si qëndrim. Çka do të ndodhte po të shtjellohej si bukuri e hirta një dekadë më herët? Çka do të mendohej për personin që një dekadë më herët do të kishte artikuluar filozofinë e tij/saj mbi jetën me të hirtën, apo me oker industrial? Kjo është “bota e re”.

Çka kërkojmë sot në realitet kur shikohemi në pasqyre? Pastërtinë? Rregullin? Mencurinë? Seksualitetin? Forcën fizike? Apo moralin?

Çka do të mund të ishte aq e frikshme në të shikuarit tanë në pasqyrë para kësaj “bote të re” (tanimë është edhe nofka e njohur si “millenials” dhe përpjekja për ta vënë brenda një sistemi të sjelljes, të menduarit dhe të aspiruarit dhe zgjedhjes, gjeneratën e të vetëdijesuarve pas ardhjes së mileniumit të ri). Çka do të mund të kishim parë në të shikuarit tanë në pasqyrë në atë kohë?

Ta krijojmë një zhvendosje në këtë pyetje: çka shohim sot në pasqyrat e rrugëve (jo në ato të shtëpive tona)?

Ajo çka shohim sot në pasqyrat tona është një i panjohur. Është një hije e mundshme e jona. Është një projektim (krejtësisht arkitekturor) i dukjes sonë. “Mortaja” është aq gjithëpërfshirëse dhe aq rrënjësore në ne dhe përballë nesh sa që femra në të pesëdhjetat e tyre enden rrugëve tona me mbishkrime “I’m too sexy for my t-shirt”; kasapë të regjur dhe të moshuar derisa mbajnë në duart e tyre kokë të prera qengji kanatë veshur mica me mbishkrime “f… me I’m famous”; etj. Qoftë edhe ata me probleme mendore janë të veshur në forma dhe linja tërësisht fashion e sigurisht nuk janë të vetëdijshëm për këtë.

Nuk është absurd të merresh me fashion sot. Është absurd ta mohosh. Çdonjëri prej nesh, tani këtë moment, kemi zgjedhur vetë rrobat që i kemi veshur.

Apo ndoshta jo, kanë qenë zgjedhje e prodhuar larg prej nesh, atje ku nuk na lejohet të shkojmë pa viza, për të na bindur se jemi të pavarur, individë të pavarur.

Fashion sot është një prej luftërave më të ashpra në fushëbetejat globale. Siç po ndodh rritja e numrit të butiqeve italiane në Tiranë, për çdo ditë e më shumë po shtohen rrugët me butikë veshjesh lindore dhe religjioze në Prishtinë. Në Japoni të rinjtë kanë filluar të ndryshojnë (për aq sa munden) edhe ngjyrën e lëkurës e të buzëve për t’u dukur sa më afrikano-amerikanë. Fashion është njëlloj zgjatimi i luftës globale, ndër të tjera, dhe është luftë që duhet luftuar për t’u dukur. Tanimë është një absurd i domosdoshëm.

Ballsor Hoxha

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit