Aktualisht po bëhen përpjekje që të gjitha këto baza dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të komunikojnë dhe të integrojnë mes vetes për ta përcaktuar dhe krijuar saktësisht nocionin letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.
Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqiptare duhet vështruar në një kontekst dhe më të gjerë gjeografik, d.m.th dhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale. Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime dhe në diasporë.
Sa i takon zhvillimeve të saj në diasporë, letërsia shqiptare mund të shikohet gjeografikisht brenda dy vatrave: Vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj. Vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj. Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku sot e kësaj dite jetojnë rreth 90.000 arbëreshë, që vazhdojnë të flasin shqipen.
Në përgjithësi mund të thuhet se një “rilindje” e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve `50, kur dhe nisi të botohej revista “Shejzat” nga Ernest Koliqi në Romë e më pas revistat “Zgjimi”, “Katundi ynë”, “Zjarri”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Lidhja”, “Bota shqiptare” etj. Këto revista ndikuan në krijimin dhe publikimin e një brezi poetësh e shkrimtarësh që shkruan në arbërisht. Veç të tjerash, një pjesë e tyre funksionoi dhe funksionon dhe si shtëpi botuese, duke publikuar kolana të tëra me poezi dhe vepra të tjera letrare. Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj vatre duhen përmendur: Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë.
Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet prift, Solano kthehet në vendlindje. Aktiv në shumë fusha të letrave, ai është kryesisht poet, prozator dhe dramaturg. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: Burbuqe t`egra, 1946, Shkretëtira prej gurit, dramë, 1974, Tregimet e Lëmit, etj. Domenico Bellizzi (1931), prift nga Frasnita, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: Zgjimet e gjakut, Këngë arbëreshe, 1982, Hapma derën zonja mëmë, 1990 etj. Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar trilogjinë poetike: Shpirti i arbërit rron; Shpirti i arbërit rron.
Arbëreshi tregon; Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme. Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. I angazhuar edhe si drejtor i revistës “Bota shqiptare”, i shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik, ai është autor i rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t`arbreshë. Poemë gjysmëserioze arbëreshe, Orëmira, Për tokën fisnike të Horës etj. Padyshim që letërsia arbëreshe vazhdon jetën me të tjerë shkrimtarë, shumica syresh të rinj, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm jo vetëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian. Një tjetër vatër e rëndësishme historike, ku kanë lulëzuar shkrimet shqipe që në fundin e shekullit XIX dhe ku jeta kulturore e elementëve shqiptarë ka qenë e organizuar më së miri, është Rumania.
Një ndër personazhet më të rëndësishëm të letrave bashkëkohore shqiptare është Viktor Eftimiu (1889 -1972), autor i rreth njëqind vëllimeve letrare të shkruara në rumanisht. Mjaft prej veprave dramatike të tij janë ndërtuar mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në malet e vendlindjes. Po aq e rëndësishme sa dhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria, ku janë njohur organizime të hershme të komunitetit shqiptar.
Një figurë që vlen të merret në konsideratë nga njerëzit e letrave shqipe, është Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e libra me tregime. Në vatrat e reja të zhvillimít të letërsisë bashkëkohore shqiptare hyjnë ato vende në të cilat emigruan për motive kryesisht politike një pjesë e shkrimtarëve të talentuar shqiptarë, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe duke ndjerë etjen për liri, realizuan në periudha të ndryshme të regjimit komunist eksodet e sforcuara.
Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 – 1992). Vepra e tij hyn në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare Arshi Pipa (1920- 1997), një ndër punëtorët më të mëdhenj të letrave shqipe, intelektual i shquar, poet, përkthyes, studiues e polemist. Më 1944 ai dre`tori revistën “Kritika” dhe po këtë vit botoi librin e parë me poezi Lundërtarë. Në SHBA, ku emigroi në vitin 1958, punoi si profesor në disa universitete amerikane deri sa doli në pension. Si dëshmi e asaj që kishte përjetuar në kampet dhe burgjet komuniste ai botoi në Romë vëllimin me poezi Libri i burgut 1959, dhe më vonë dhe vepra të tjera.
Një ndihmesë të jashtëzakonshme Arshi Pipa do të japë dhe në studimet letrare, sociologjike e politike me vepra të dorës së parë, ku operon me metoda moderne studimi. Si përfundim, mund të themi, se aktualisht po bëhen përpjekje që të gjitha këto baza dhe këta krahë të shkëputur në kohë dhe në hapësirë të letërsisë shqiptare, të komunikojnë dhe të integrojnë mes vetes për ta përcaktuar dhe krijuar saktësisht nocionin letërsi kombëtare në gjuhën shqipe.
Atdheu i mohuar i letrave shqipe, nga Jozef Radi dhe Rezart Palluqi
Leka Ndoja, vjen së fundi me një nga studimet më serioze dhe më objektive mbi letërsinë shqipe, atë të letërsisë shqipe të diasporës 1944-1990, me të cilën mbrojti edhe tezën e Doktoraturës.
Por, që në hyrje do të ndaleshim, mbasi mendojmë se titulli më i plotë i këtij studim kaq serioz do të ishte: “Arti shqiptar i diasporës”, mbasi aty jepen të plota vepra, personazhet, shtypi, jeta dhe veprimtaritë kulturore të diasporës, jo vetëm si letërsi por krejt si kulturë shqiptare, dhe bëhet edhe ai ballafaqimi i domosdoshëm midis letërsisë së ideologjizuar së epokës komunisto-hoxhiste dhe letërsisë se pa-ideologjizuar të diasporës shqiptare. Dhe ky ballafaqim përmes këtij studimi vjen në një mënyrë krejt të natyrshme, pa asnjë tendencë politike apo qëllime dashakeqase ndaj mjaft prej shkrimtarëve të njohur shqiptarë, gjë që i bën nder jo vetëm autorit Leka Ndoja, me kët studim voluminoz prej 406 faqesh, por edhe krejt atyre që do të merren në të ardhmen me problemet e mëdha të letrave shqipe.
Në studim theksi vihet kryesisht mbi përballjet e letërsisë së diasporës me dy qendrat letrare, Tiranën dhe Prishtinën, por edhe mbi ndikimin që pati letërsia perëndimore ndaj letërsisë së diasporës shqiptare, gjë që letërsia brenda-shqiptare (Tirana dhe Prishtina) nuk e njohën mirë ose më mirë mund të thuhet se e shmangën sa qe e mundur këtë ndikim. Mund të thuhet pa frikë, se letërsia e diasporës jo vetëm arriti të ruajë identitetin e gjuhës dhe mendësisë shqipe jashte realitetit shqiptar, por mundi të përthithë edhe pse me vështirësi gjithë elementët modernizues të letërsisë se pa-ideologjizuar perëndimore të shekullit të njëzetë.
Studimi pasurohet edhe me kronologjinë e detajuar të jetës dhe veprës së shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, studiuesve dhe albanologëve shqiptarë. Në këtë libër nuk përmenden vetëm emrat e shkrimtarëve botërisht të njohur, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, Bilal Xhaferri, Arshi Pipa, at Zef Valentini, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mustafa Merlika, Tahir Kolgjini, Jusuf Luzaj, Karl Gurakuqi, Nermin Vlora -Falaschi, etjer., por edhe shumë emra shkrimtarësh, piktorësh e studiuesish të tjerë, pak ose aspak të njohur për lexuesin shqiptar. Ky hulumtim skrupoloz dhe i gjithanshëm, e shndërron këtë libër në nji vepër ndër më seriozet, ose i jep atij, vlera universale për të tërë botën kulturore shqiptare, mbasi duhet të bindemi të gjithë se askush nuk mund të përjashtohet nga vlerat letrare, e askush nuk ngrihet më lart ose të ulet më poshtë jashtë koncepteve dhe rrjedhave letrare. Ka ardhë koha, (edhe pse me pak vonesë) ku secili autor shqiptar duhet të gjejë vendin e tij të merituar në Panteonin ende të shkapërderdhur të letrave dhe kulturës shqipe…
Studiuesi dhe kritiku Leka Ndoja, falë hulumtimeve shumëvjeçare e ka sjellë të gjallë frymën e kësaj periudhe, me krejt aktivitetet letrare të diasporës dhe vështirësitë e ndërkomunikimeve mes personazheve dhe veprave letrare, të detyruar tashmë të punonin dhe të krijoheshin jashtë trungut të Atdheut, kryesisht në ato të diasporës në Itali dhe Amerikë, e më vonë edhe asaj në Gjermani të ngritur prej Martin Camajt. Aty shihen qartë edhe raportet ekonomike, politike dhe organizative, por edhe problemet me të cilat u përballën shkrimtarët shqiptarë të diasporës (ezilit) në harkun e nji gjysëm shekulli diktaturë në vendin e tyre, ku themelimi dhe mbajtja gjallë e revistave letrare, si Shejzat, Koha e Jonë, Krahu i Shqiponjës, apo Vatra, të cilat mbetën monumente të kësaj mbijetese të vështirë letrare dhe kulturore. Aty ndjehen qartë sakrificat e bëra nga shkrimtarët, kritikët dhe dashamirët e letërsisë po edhe nga mecenatë si Rosolin Petrotta dhe Isa Ndreu, për t’i mbajtur gjallë këto revista, në kushtet e nji presioni të egër, sa më gjatë e sa më cilësisht të qe e mundur. Aty ballafaqohesh me pengesat që haste diaspora letrare për botimin e prurjeve letrare, raportet e ndërsjellta midis autorëve, fakti që Prishtina një kohë shërbeu edhe si “kryeqytet letrar” i saj, apo dilemat e gjetjes së ndonji pike konvergimi me letërsinë dhe kulturën shqipe të mbyllur në vetvete, përgjat 45 viteve të diktaturës hoxhiste. Aty referohen të gjithë aktivitetet letrare të bëra nga shkrimtarët e diasporës deri në vitin 1991, pa anashkaluar edhe artet e tjera, si piktura, (piktorët Ibrahim Kodra e Lin Dedja), studimet kritike e albanologjike (si At Zef Valentini e Namik Ressuli), teatri, ngjarjet historike deri edhe problemet e rrymat fetare të shekullit të kaluar, si fjala vjen ateizmi hoxhist, përballja dhe ndikimi i tij në letërsi apo artet në diasporë, si dhe reagimet e shkrimtarëve të diasporës ndaj ateizmit shqiptar? Përmenden edhe albanologët e njohur si Zef Valentini dhe Namik Resuli, për kontributet e tyre në studimin, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe.
Nuk nënvlerësohet as jeta private e autorëve, ndikimi i mjedisit social, raportet ndërintelektuale apo humbjet e personaliteteve… e deri tek oborri, lulet, sokakët, apo arsimimi i autorëve, dialektet, faktorët soc-politikë para ardhjes së diktaturës hoxhiste. Studimi mbetet shumë i vlefshëm, jo vetëm për lexuesit apo kulturëdashësit shqiptarë, që dëshirojnë ta njohin këtë anë të pasme të letërsisë shqipe, asaj të syrgjynosur, por kryesisht për studentët, studiuesit, pedagogët dhe shkollat mbasi aty, shpjegohet shkencërisht dhe mënyrë sistematike se si ka funksionuar sistemi letrar kombëtar edhe në rrafshe më të gjera e më të ndërthurura me botën. Mjaft nga veprat e autorëve të njohur analizohen deri në detaje, duke u kaluar në sita të imëta stilistike, kritike, humaniste, gjuhësore, poetike dhe historike.
Autori flet mjaft edhe për sisteme e nënsisteme letrare. Sistemet letrare janë qendrat e mëdha të kulturës së një kombi, që kur futen nën kontrollin autoritar të diktaturave dhe mbështeten vetëm në ideologjitë politike, hasin vështirësi mbijetese, ndërkohë që nënsistemet e krijuara jashtë këtij kontrolli, siç ndodhi edhe me letërsinë e diasporës, arrijnë të shfaqen edhe si sisteme letrare… Kjo letërsi, dhe ky nënsistem edhe pse u mallkua apo u përbalt prej krejt mekanizmave propagandistikë hoxhiste, edhe pse në kushte tejet të vështira arriti t’i mbijetojnë falë përkushtimit dhe idealizmit të shumë prej kontribuesve letrarë dhe kulturorë të këtij nënsistemi letrar. Sa i përket nënsistemeve letrare, sipas autorit, shpesh janë letërsitë e përjashtuara për dy arsye: e para nga natyra disidente e letërsisë, si në rastin e letërsisë së diasporës, e cila vuri gjithmonë në vend të parë Humanitetin, dhe interesat kombëtare shqiptare; dhe e dyta Letërsitë komerciale, të cilat arrijnë të dominojnë edhe sistemet letrare duke u mbështetur kryesisht në përfitimet personale të shtëpive të mëdha botuese.
Ky studim, sipas gjithë gjasave do ta plotësojë e do ta pasurojë tablonë e letërsisë shqipe të shekullit të shkuar. Aty theksohet se nuk duhet të ketë më shkrimtarë të përjashtuar, shkrimtarë të mallkuar e të mohuar mbi bazën e ideologjive politike, apo rivaliteteve letrare! Mbetet që ky studim serioz të përfshihet edhe në programet e letërsisë shkollore, e në veçanti në ato të mesme dhe universitare si model i korrektesës kritike, skrupulozitetit shkencor, por edhe i thellësisë dhe paanshmërisë, me qëllim që studentët e së nesërmes të krijojnë ide dhe tablo sa më të qarta dhe sa më të plota rreth letërsisë shqipe, para dhe pasdiktatoriale…