2015-12-31

PELEGRINI I MBRAME I GEGNISHTES

Nëntëdhjetëvjetori i lindjes së mjeshtrit të fjalës shqipe, është shkasi për të prekur magjinë letrare, e po kaq për të verifikuar marrëdhënien me këtë figurë, që bart mbi supe dritëhijet e njeriut shqiptar të shekullit të kaluar. Përmasave të veprës letrare të Camajt i shkon për shtat pohimi: Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve (2002, 63) i Cenet Clark në librin “Qytetërimi”.

Rreth moshës 18 vjeç iku prej Temalit dhe Prekalit, sepse pushteti monist ia kishte ndalur shkollimin. Iku në kërkim të dijes dhe lirisë së fjalës. Në Prishtinë boton vëllimet poetike: “Një fyll ndër Male”, “Kanga e Vërrinit”, duke përlindur poezinë asaj ane. Në Beograd mbron titullin Dr, me “Mesharin e Buzukut”, duke vendosur kontaktin me zanafillën e shkrimit të shqipes. Vendoset në Romë dhe bashkë me mjeshtrin e prozës Erenest Koliqi, për kaq mote, skalitin monumentin e fjalës shqipe në revistën “Shejzat”.

Po Camaj ishte nisur për udhë më të gjatë, se matanë detit. Ndalesa e fundit në Mynih, ku hapë degën e Albanologjisë në universitetin e qytetit, bën që Camaj të ngulet, në “atdheun” që e priti me bujari dhe respekt. Atë që pati humbur prej ikjes së detyruar, e gjeti, madje e krijoi, me tipin e vetë, të njeriut, dijetarit, shkrimtarit, duke mos e harruar asnjë moment atdheun që e lindi.

E deshi shumë, më shumë se gjithçka tjetër. Asnjëherë nuk e shau apo mallkoi, as më pëshpërima vetmitare, sepse ishte i bindur në lidhjen e pashkëputshme shpirtërore me fatin e tij. Ndiqte me vëmendje çdo zhvillim të jetës politike, të jetë kulturore dhe letrare, shpesh analizon humbellat ku pati rënë letërsia shqipe në kthetrat e realizmit socialist, por pa e harruar dashurinë për atdhe, madje është i pari, që kur ndeshi në veprat e Mitrush Kutelit, lëshon thirrjen profetike, Kuteli mik treditësh i rrymave letrare, që nxiti leximin dhe vlerësimin e mjeshtrit të prozës.

Në kuptimin metaforik, Camaj e mori me vete atdheun, me gjasë e përlindi atë në tekstet letrare dhe studimore, duke realizuar idenë e Hajdeger-it, se gjuha është shtëpia e qenies. Kjo vjen në dy forma në veprën e Camajt, në interesa studimore për gjuhën, që arrin kulmin me “Gramatika e shqipes”, ku vihen pranë gjithë vatrat e shqipes, pra edhe gjuha e njësuar, por më e rrokshme shqiptohet në krijimtarinë e gjerë letrare. Në gjuhë, padyshim, në variantin e gegnishtes, Camaj shkroi poezinë, që kulmohet me Nema, Bualli dhe Palimpsest. Me gegnishte shkroi dy dramat ekzistenciale, “Lojë mbasdreke” dhe “Kandilja e argjandit”.

Në gegnisht dhe arbërisht është shkruar proza e tij, romanet “Djella”, “Karpa”, dhe kryevepra e tij, “Drandja”. Në 85-vjetorin e lindjes së tij, rikthehet me botimin e veprës me veprën e përzgjedhur. Megjithatë rikthimi i Martin Camajt në atë vit erdhi e gjymtë dhe paragjykuese, kinse gjuha e Camajt nuk është e kuptueshme dhe e receptueshme. Kjo rrethanë absurde shfaqet në fjalët e përgatitësit për botim, Bardhyl Demiraj, në hyrjen shkurtimore të librit të parë të kolanës, kur thekson:

Si kriter bazë është marrë shkalla e vështirësisë, përkatësisht mënyra më e përshtatshme e përditësimit hap pas hapi të lexuesit me veprën e autorit, ku duket qartazi si tekst dhe nëntekst, si ngasje dhe shtysa, që më tepër ka gjasa të jemi në një shpikje krejt të panevojshme, në një përkthim të fshehur të autorit, pra në një ndalim për të ardhur me gjuhën e vetë unike. Martin Camaj, mërgimtar i përjetshëm në gjallje dhe në amshim, mërgimtari i përvëluar për atdhe, që e mori me vete atdheun, e përlindi si prani shpirtërore në zhguallin e shqipes, të lëvruar në tekstet letrare dhe shkencore, studimore dhe gjuhësore, i ngriti një kult gjuhës shqipe, ligjërimit letrar të gegnishtes dhe arbërishtes. Dija letrare në marrëdhënie me gjuhën e letërsisë, sugjeron: … detyra e poetit, si poet është vetëm e tërthortë për popullin e tij: detyra e drejtpërdrejtë është e lidhur për gjuhën e tij; së pari ta ruajë dhe së dyti ta zgjerojë dhe ta pasurojë. (1982: 61), te libri “Ese të zgjedhura”, siç pati nënvizuar më herët T. Elioti.

Behar Gjoka

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...