2015-12-31

ME TE MIRET E LETERSISE SHQIPE

Adil Olluri
Një studim mbi romanin postmodern shqiptar, ardhur nga një autor i Kosovës, nxjerr për herë të parë një listë emrash ku klasifikon autorët më të mirë, të gjallë, që ka letërsia artistike shqiptare. Autori i studimit është Adil Olluri, me librin “Romani postmodern shqiptar”, promovuar dje në mjediset e UET Press, botimet “Mapo”. Studiuesi arrin të japë për herë të parë një renditje me tre autorë postmodernë shqiptarë të përfshirë në trajtimin e tij: Rexhep Qosen, Ridvan Dibrën dhe Bashkim Shehun, të cilët janë ndër pesë prozatorët së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe. Kjo është nga çështjet letrare pak të diskutuar apo të cekur se çfarë ofron në këtë rast letërsia artistike shqipe, qoftë nga format, alternativat, të krijimit dhe të shkrimit artistik, por nisur nga një model. Olluri ka treguar që në hyrje të librit se takimin e parë me një sërë veprash artistike postmoderne në letërsinë shqipe e ka pasur me romanet e Rexhep Qoses. Leximi i tyre e bëri të kuptojë se letërsia shqipe ka një autor të formuar në frymën e modelit postmodern, i cili në shkrimin e tij ka përdorur shumicën e elementeve esenciale të këtij modeli. Ai na jep formatin e autorit, që i ka dhënë letërsisë sonë një kontribut të rëndësishëm, duke e integruar në sistemin e saj të vlerave edhe romanin postmodern. Pas leximit të romaneve të Rexhep Qoses, interesi i studiuesit rritet për t’u takuar edhe me romane të tjera të letërsisë dhe prozës bashkëkohorë shqiptare, të cilat kanë natyrë dhe elementë postmodernë në vetvete. Kështu, kërkimet mbi postmodernen e çuan në disa romane, si ata të Ridvan Dibrës “Triumfi i Gjergj Elez Alizë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, pastaj të Bashkim Shehut “Angelusnovus” dhe “Rrethi”; ata të Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, romani i Vath Koreshit “Ulku dhe Uilli”, ai i Bashkim Hoxhës “Heronjtë e viagrës”, si dhe romani i Kujtim Rrahmanit, “Secili citonte Biblën”. Këto paraqesin një model postmodern të shkrimit letrar, që për Ollurin evidentojnë praninë e këtij formacioni stilistik në prozën tonë bashkëkohore, që ishte nga nxitjet e autorit për t’iu afruar studimit edhe në disertacion masteri. Në secilin roman janë analizuar elementet postmoderne, duke ndjekur një mënyrë pune ku çdo romani i kushtohet një hapësirë e veçantë. Sipas studiuesit, me Qosen fillon inaugurimi i shkrimit letrar postmodern në letërsinë shqipe, pastaj vazhdon me romanet e Shehut, Dibrës, Koreshit, Blushit, Rrahmanit dhe Hoxhës. Pra, Olluri kontribuon në këtë punim me një projekt konkret me analizimin e elementëve postmodernë në romane shqiptare, duke tejkaluar çështje të vlerësimit me synimin e të qenit ilustrues me shembuj konkretë në romanet e cekura më lart. Nga ky korpus romanesh, sipas autorit ka një paradigmë, ku del se proza bashkëkohore shqiptare, sikurse bashkëmotrat e saj perëndimore, ka autorët dhe veprat e saj karakterizuese të postmodernizmit letrar, referuar si frymë dhe formacion stilistik. Nga ky mendim, është e rëndësishme të thuhet se koha nuk ka mbetur më prapa për kulturën letrare shqipe, ku Olluri e shpreh pa ngurrim se ka ndjekur modelet e letërsive të mëdha e të zhvilluara botërore. Detyrimisht, konkluzioni mbërrin në finalizimin e një çështjeje letrare pak të diskutuar, apo të cekur se çfarë ofron në këtë rast letërsia artistike shqipe, qoftë nga format, alternativat, të krijimit dhe të shkrimit artistik, por edhe nga ky model. Kështu Olluri mbërrin të rendisë tre autorë postmodernë shqiptarë, të përfshirë në këtë trajtim Rexhep Qosen, Ridvan Dibra dhe Bashkim Shehun të cilët janë ndër pesë prozatorët sipas të tij së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe.

Për librin e Ben Blushit “Otello, Arapi i Vlorës”

Adil Olluri: Otelloja, homoseksual

Otello, heroi më tragjik i dashurisë në letërsinë botërore, në romanin e Blushit bën dashuri me dy meshkuj, ku bëhet një ironizim dhe parodi postmoderne me tragjedinë e Shekspirit, si dhe një përmbysje e plotë e variantit të parë. Ai për herë të parë bën seks me Hamitin, një turk, tregtar armësh, i burgosur dhe i tradhtuar nga Balsha II, ku ky i fundit mendonte dhe ishte i bindur se turku e kishte tradhtuar. Hamiti e shpëton Otellon (isapo burgosur nga Komita) nga turma e të burgosurve, të cilët e kishin kapur atë dhe donin ta dhunonin seksualisht. Otello i ri ishte si një viktimë e pafajshme përballë të burgosurve të vjetër shqiptare, të shndërruar në homoseksualë me përvojë andaj vetëm falë tregtarit turk shpëton nga ta. Burgu këtu përshkruhet si një çerdhe e homoseksualitetit, ku pothuajse të gjithë të burgosurit bëheshin të tillë. Andaj, edhe kjo shenjë është njëra nga ironitë më të mëdha për shqiptarët gjatë mesjetës, të cilët kishin mjaft vese orientale, në mesin e tyre edhe homoseksualizmin. Otelloja, sikurse që bëri Hamiti me të, në mënyrë të njëjtë shpëton nga homoseksualët shqiptarë të riun vlonjat, Andrean, me të cilin bie në shtrat pas një kohe. Andrea, që kishte hyrë në burg pasi kishte vrarë për ta mbrojtur moralin e së motrës, bie vetë në kthetrat e imoralitetit ekstrem, siç është marrëdhënia seksuale mes dy meshkujve. Pra, këtu kemi praninë e figurës së paradoksit, që së bashku me ironinë dhe parodinë e ndërtojnë korealin figurativ postmodern në këtë roman të Blushit.

Gilman Bakalli: Olluri, një shkencëtar në oborrin e kritikës letrare

Për kritikën letrare në Shqipëri mund të thuhet përgjithësisht se termi “letërsi” funksionon si barërat e këqija. Barërat e këqija mund t’i konsiderosh si një lloj të veçantë bime, të cilën, për një arsye apo për një tjetër, kopshtari nuk e do më në kopshtin e tij. Zakonisht kritikët letrarë sillen si kopshtarë tekanjozë dhe vendosin arbitrarisht se çfarë u pëlqen të mbajnë në kopshtin e tyre letrar dhe çfarë ta hedhin tutje si bimë parazitare. Kjo lloj kritike letrare gjallon me shumicë në kopshtijet tona të krijimit, prandaj është i pavend pohimi apokaliptik se kritika letrare në këtë vend ka vdekur. Ajo nuk vdes kurrë për aq kohë sa kemi kritikë, të cilët, para se të dëgjojnë se ç’ka për t’u thënë vepra, i kërkojnë veprës të dëgjojë se çfarë duan të thonë ato. Për këtë kategori kritikësh gjykimet mbi veprat letrare ezaurohen tek atributet morale si “e mirë”, “e keqe”, “e dobishme”, “e padobishme”, “e lexueshme”, “e palexueshme”. Kritiku letrar si kopshtar i është larguar ndjeshëm kuptimit tradicional të kritikës, i cili (edhe etimologjikisht) na dikton një tjetër lloj gjykimi: aftësinë për të diferencuar dhe për të shquar diferencimet brenda një lëmi të caktuar dijesh. Por kujdes: aftësi për të diferencuar jo thjesht mbi bazë shijesh subjektive, por mbi bazë kriteresh të qëndrueshme. Shkrimtari dhe studiuesi nga Prishtina, Adil Olluri vjen me një studim mbi romanin postmodern shqiptar, i cili ngrihet mbi nivelin aktual të kritikës letrare. Larg së gjykuari mbi baza subjektive moralizuese, duket se studimi i Ollurit udhëhiqet nga një lloj tjetër morali. Morali i Ollurit është objektiviteti i tij, procedura skrupuloze prej një shkencëtari të letërsisë. Larg paragjykimeve dhe gjykimeve thellësisht subjektive, studiuesi Olluri nuk hyn në kopshtin e krijimeve letrare si një kopshtar që pastron lulet nga barërat e këqija nisur nga preferenca personale. Ai është botanisti në kopshtin e krijimeve letrare, i cili, para se të diferencojë, përcakton me rigorozitet shkencor kriteret e pranimit në lëndinën e tij. Siç shkruan dhe vetë Olluri, objektivi i tij “nuk është vlerësues, por synon të jetë ilustrues”. A kemi në Shqipëri romane postmoderne? A rriten në “lëndinën tonë letrare” shkrimtarë postmodernë? Këto janë pyetjet e studiuesit Olluri, projekti i të cilit nuk është asgjë më shumë se sa “vendosje rendi” në kopshtijen e rrëmujshme të krijimeve të shumta letrare. Cilët nga romanet bashkëkohore shqiptare plotëson kriteret për t’u konsideruar pjesë e kanonit të romanit postmodern? Për këtë Olluri, figurativisht, na paraqet një lloj tabele të Mendelejevit, duke dokumentuar fillimisht cilësitë e postmodernes në letërsi dhe, më pas, duke kërkuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare romane, tek të cilët ai evidenton cilësitë në fjalë…

Adil Olluri, shkrimtarët që sjellin modelin letrar postmodern

Takimi im i parë me një sërë veprash artistike postmoderne në letërsinë shqipe ishte me romanet e Rexhep Qosjes, siç janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe “Nata është dita jonë”. Leximi i tyre më bëri të kuptoj se letërsia shqipe ka një autor të formuar në frymën e modelit postmodern, i cili në shkrimin e tij ka përdorur shumicën e elementeve esenciale të këtij modeli. Ai na jep më së miri formatin e autorit, që i ka dhënë letërsisë sonë një kontribut të rëndësishëm, duke e integruar në sistemin e saj të vlerave edhe romanin postmodern. Zhvillimi i këtij romani te ne

do të lidhet përherë me emrin e këtij autori, ngase me të fillon ky model shkrimi ndër ne, ngase viti 1974, kur është botuar romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, është vit i fillimit të prozës postmoderne në letërsinë shqipe. Pas leximit të romaneve të Rexhep Qosja, pata një interesim të madh të “takohem” edhe me romane të tjera të letërsisë dhe prozës bashkëkohore shqiptare, të cilat kanë natyrë dhe elemente postmoderne në vetvete. Dhe gjatë këtij kërkimi hasa në një sërë romanësh, si ata të Ridvan Dibrës “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, pastaj të Bashkim Shehut “Angelusnovus” dhe “Rrethi”; ata të Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”, “Otello, arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, romani i Vath Koreshit “Ulku dhe Uilli”, ai i Bashkim Hoxhës “Heronjtë e viagrës”, si dhe romani i Kujtim Rrahmanit “Secili citonte Biblën”. Ky korpus i romaneve shqiptare, që i takojnë modelit postmodern të shkrimit letrar, e evidenton praninë e këtij formacioni stilistik në prozën tonë bashkëkohore, që ka qenë njëra nga nxitjet kryesore për t’iu qasur këtij objekti studimor në këtë disertacion masteri. Këtu i kemi evidentuar dhe analizuar elementet postmoderne në secilin roman veç e veç, duke ndjekur kështu një mënyrë pune ku çdo romanit të lartpërmendur i kushtohet një hapësirë e veçantë në kuadër të punimit, ku së pari do të fillojmë me romanet e Rexhep Qosjes, ngase me këtë autor, siç e thamë edhe më lart, edhe fillon inaugurimi i shkrimit letrar postmoderne te ne, pastaj vazhdojmë me romanet e Shehut, Dibrës, Koreshit, Blushit, Rrahmanit dhe Hoxhës. Me një fjalë, projekti ynë për analizimin e elementeve postmoderne në romane shqiptare, më shumë se sa vlerësues synon të jetë ilustrues me shembuj konkret nga romanet e cekura më lart. Andaj, kjo do të jetë rruga që do të ndiqet në këtë punim.

Alfred Lela: Letërsia fiction vjen në siglën Mapo Editions

Mapo Libri nuk është vetëm një shtojcë. Mapo Libri është pjesë e një ylli me pesë cepa (Për të përdorur një fjalë të së shkuarës, larg qofshim!). Le ta quajmë ndryshe; nisma letrare MAPO. Besoj jeni në dijeni të Çmimit letrar Kadare, që bëhet për të stimuluar prozën shqipe. Përfitoj nga rasti t’ju them që për ndonjë mik apo miken tuaj që e ka një dorëshkrim gati në prozë, ne jemi të hapur deri në fund të muajit me pranimet. Zoti Bakalli është drejtuesi i qendrës letrare “Kadare”, pjesë e Departamentit të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës. Gjashtëmbëdhjetë faqet e gazetës së të shtunës do të kenë së shpejti një lloj riformatimi për ta larguar pjesën e dytë të “Mapo Libri & Ide” e për ta lënë vetëm “Mapo Libri”. Kjo do të jetë pjesë e kontributit të nismës letrare Mapo. Botimet e vazhdueshme të fiction-it do të mbulohen nën siglën Mapo Editions, ndërsa botimet akademike botohen nga “UET Press”. Kjo është ‘streha’ ku ne banojmë me nismat tona. Rëndësia e Çmimit Kadare, jo vetëm si nismë, por edhe si kulmim i projekteve tona, është e dorës së parë. Fundjavën e dytë të nëntorit ne do të shpallim fituesin. Pranimet vazhdojnë deri në datën 31 tetor.

Henri Çili: UET, së shpejti me një degë për Shkrimin Krijues

Janë dy elemente të rëndësishme të Nismës Letrare Mapo. Ne kemi lançuar para dy vjetësh krimin e një rrjeti të kritikës letrare shqip. Ai po funksionon relativisht mirë. Katër apo pesë kritikë letrarë të rinj ose me përvojë, ose studiues, kanë çdo javë në faqet e Mapos, recensa letrare për librin shqip dhe autorët shqiptarë. Elementi tjetër është ideja për të hapur duke filluar nga viti tjetër, një degë më vete për studimet letrare dhe për shkrimin krijues. Një lloj profili i letërsisë. Mjediset letrare shfaqen shumë sektare, të veçuara. Ne si UET, duke qenë neutralë ndaj mjediseve, jemi përpjekur të krijojmë një lloj strehe, qoftë tek Mapo Libri në fundjavë, qoftë nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Adili ishte studiues dhe tema e tij e masterit kishte qenë “Romani Postmodern Shqiptar”, ku kishte marrë në studim ndër të tjera dhe dy libra të Blushit. Vepra që më dha kur e takova në Prishtinë ishte pikërisht ky punim, në formatin e dokumentit. Vepra ishte vërtet interesante, një punim modern. Ishte një qasje shumë bashkëkohore për këtë fenomen. Mbi të gjitha, arsyeja pse më vlejti ky libër ishte që, duke qenë joprofesionist i letërsisë, ai më dha disa terma për ta përkufizuar ose për të folur rreth një autori, të cilin sapo e kishim botuar, Ben Blushit. Që aty i propozova idenë ta ribotonim këtë libër dhe sot, ja ku e kemi për publikun. Në Shqipëri duhet ndërhyrë në ato fusha, të cilat interesi i tregut dhe konjukturat nuk i mbajnë. Studimet letrare janë një prej tyre. Studimet albanologjike janë një prej tyre. Prandaj iniciativa jonë modeste shkon për të mbështetur kritikën letrare. Qeveria duhet t’i “lërë në mëshirën e tregut” ato degë studimi që tregu i financon vetë dhe t’i përqendrojë burimet në këto fusha, ku ka nevojë vërtet për subvencionim dhe mbështetje më të mirë dhe që nuk mund t’i bëjë askush tjetër. Në fund të fundit, letërsinë tonë shqipe nuk do ta bëjë dhe studiojë askush tjetër më mirë, përveçse ne.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...