2015-12-31

KUSH ESHTE SHKRIMTARI SHQIPTAR?


Letrat shqipe hynë në erën moderne duke trashëguar atë mendësi që shoqëria europiane e kishte tejkaluar: të vështruarit të shkrimtarit, sidomos poetit, si një profet. Kjo sjellje e ka bazën e vet të mbështetjes logjike në faktin se shqiptarët kanë në themel të formimit të tyre shpirtëror dhe kulturor librin dhe jo edhe muzikën apo pikturën, siç e kanë disa popuj e kultura të tjera europiane. Formimi shpirtëror i shqiptarëve ka qenë formim letrar. Sa herë që i është kërkuar, shkrimtari shqiptar është shfaqur pro çështjeve me dobi publike, që nga një “tribun liberator” e deri te krijues abetaresh, hartues tekstesh mësimore, shpikës alfabetesh, nënshkrues kërkesash e peticionesh me natyrë politike, nënshkrues aktesh shtetformuese, pjesë e institucioneve me natyrë politike apo publike, shprehës sinoptikash socio-politike etj.

Kjo gjendje u përforcua sidomos gjatë periudhës së romantizmit letrar, gjatë Rilindjes shpirtërore dhe politike, por që vazhdoi edhe gjatë komunizmit. Shfaqje të tilla ndikuan në krijimin e mitit të shkrimtarit si një deux të cilit i adresohemi sa herë që interesat tona kërcënohen apo vihen në rrezik, sindromë të cilën e ndeshim të pashëruar, madje dendur edhe sot. Pikërisht kjo trashëgimi romantiko-totalitare ndikon edhe sot që shkrimtarët të mos krijojnë marrëdhënie të vërtetë me veten, me shoqërinë e tyre, me vendin e tyre në shoqëri (si bashkësi) dhe me bashkësinë letrare, por të jenë sërish të censuruar, të ricensurohen, duke shkruar shpesh atë që duhet dhe jo atë që duan.

Nuk mund të thuhet se në Shqipëri nuk ka shkrimtarë të talentuar. Mund të themi se ka shkrimtarë të pasinqertë, shkrimtarë “angelofonë”, zëëmbël, që vetëcensurohen, por dhe që provojnë shpërfilljen e lexuesit. Nga ana tjetër, edhe shoqëria nuk është ende e gatshme, e përgatitur për t’i merituar shkrimtarët e vet të mirë.

Profili social i shkrimtarit shqiptar është i lidhur ngushtë jo me dëshirën, por me nevojën, jo me estetikën si kërkesë e brendshme, por me etikën si detyrim dhe kontribut publik. Paradoksalisht dëmin më të madh në këtë profilizim e ka pasur vetë shkrimtari, i cili ka mbetur një krijesë kushtore, që shfaqet kur duhet, që flet kur e thërrasin dhe që më shumë sesa talentin ka zhvilluar prirjen e të qenit inteligjent, dhe jo intelektual e ca më pak, thjesht shkrimtar në zeje a në mjeshtëri të tij. Kjo pritshmëri e shoqërisë ndaj shkrimtarëve u ka dhënë vërtet atyre një status publik, një dukje prej Atlasi që mban botën mbi shpatulla, por nga ana tjetër ka cenuar gjendjen e tij natyrale.

Shkrimtarët shqiptarë sot janë të shikuar, por jo edhe të lexuar. Pesha reale që ata kanë në publik është imagjinare, e hamendësuar, e krijuar me ndihmën e jashtëletrares politike apo mediatike. Nganjëherë më duket se shkrimtarët tanë jetojnë jo në gjendje historike, por brenda së njëjtës mitologji me prejardhje romantiko-totalitare, pas së cilës mbahen me thonj. Disa madje as që e kuptojnë se ka ndryshuar sistemi dhe pandehin se shoqëria dhe shteti u ka ndonjë borxh. Pa dashur të jem mohues dhe as tejet i ashpër, mendoj se shkrimtari shqiptar e ka humbur rëndësinë përballë shoqërisë së vet. Prej këtu ka filluar ndoshta forma më e rëndë e censurës ndaj tij – mospërfillja, mosleximi. Flas për rregullin, jo për disa përjashtime të rralla. Veç prirjes globale, mendoj se kjo humbje rëndësie lidhet me konsumimin letrar, estetik, por sidomos me shpërdorimin etik, që shkrimtarët shqiptarë i kanë bërë vetes në këto 25 vjet. Nëse mes palëve, lexuesit dhe shkrimtarëve, nuk ka më pëlqim, moslexim, censurë, pafajësia nuk është me të parët.

Jeta letrare në Shqipëri, për fat të keq është krijuar dhe po mbahet falë pushteteve anësore, jo falë shenjës dhe referencës letrare. Teksa i sheh se si jepen me zell pas jetës së re virtuale, kupton se shkrimtarët e sotëm shqiptarë jetojnë në zemrat e mediave, jo të publikut që lexon. Disa prej tyre madje kanë shkuar aq larg, sa prej kohësh banojnë në ca akuariume, që ne i quajmë ekrane, ndërkohë që ata vetë i përfytyrojnë si tribuna apo si bunkerë të sigurt ndaj harrimit.

Pse dhe kur ndodhi kjo? Të shtënë, siç jemi, pas heroizmit të gjithçkaje, nuk kemi filluar të shkruajmë ende historinë paralele – historinë e konformizmit. Duke u marrë gjatë me stilistikën, me mënyrat e thënies dhe jo me thelbin e asaj që themi (një herë për të qenë të kuptueshëm nga publiku brohoritës, ndonjëherë për të qenë të pëlqyer nga regjimi, dikur për t’u shpëtuar kthetrave të tij dhe sot të ndjellë nga komercializmi) shkrimtarët shqiptarë, në pjesën sunduese, i thanë dhe i thonë po konformizmit. Këtu kemi një nga rastet se përse publiku lexues vendos ndaj tyre censurën e mosleximit, gjë që pasqyrohet edhe në tirazhet tejet të ulëta të botimit.

Shpesh pranojmë se jemi një shoqëri e vonuar. Por kjo vonesë nuk erdhi ngaqë nuk përdorëm teknologji, teknika dhe mjete bashkëkohore. Në kohën e pyetjeve na mungoi përgjigja e duhur. Shkruam, heshtëm dhe u bindëm. Në të njëjtën kohë lexuesit europianë morën këshillë nga shkrimtarët e vet më të mirë, mbi të vërtetën e komunizmit në Lindje apo në Perëndim dhe artin të tij-realizmit socialist (Mendja e robëruar, C. Miłos, 1953; Blloku i Artë, D. Lessing, 1962), mbi shndërrimin e individit në një mjet teknologjik, mbi humbjen e identitetit në saje të zhvillimeve teknologjike (Më e mira e Botëve, A. Huxley, 1932), mbi diskriminimin dhe vështirësitë e të qenit grua në shoqëri, (Një dhomë më vete, V. Woolf, 1929; Seksi i dytë, S. de Beavouair, 1949), mbi humbjen e domethënieve, përjetimit dhe kuptimeve të jetës (Princi i vogël, Exupéry, 1943), mbi racizmin dhe lehtësinë e degradimit të njeriu si qenie humane (Nëse ky është njeriu, P. Levi, 1947), mbi vendosjen dhe të ardhmen e regjimeve totalitare (1984, G. Orwell, 1949), mbi marrëzinë dhe cinizmin e luftës (Lamtumirë armë, E. Hemingway, 1929).

Tek ne nuk ndodhën këto. E kemi shfajësimin .Diktatura. Totalitarizmi. Ndaj edhe medaljet e nderimet që kërkohen sot janë zhvleftësuar, po aq sa monedhat e gjumashëve të Efesit, që ndenjën të mbyllur në shpellën e tyre dhe u zgjuan pas 309 vjetësh. Edhe pse nuk është më një prirje europiane, shkrimtarët shqiptarë, sidomos ata të mes dy kohërave dhe dy krijimtarive, të metodës së realizmit socialist dhe të postdiktaturës, shpesh të thirrur, por më shumë të vetëofruar, që i japin vetes të drejtën të qortojnë gjithçka, përfshi këtu edhe pushtetin, duke qenë ndërkaq ata vetë pjesë e njërit nga pushteteve, politik apo mediatik.

Kjo formë konformizmi, kjo mospërgjigje dhe moskëshillim le ta quajmë, ndikon sot që ndaj letërsisë shqiptare të mos ketë besim e për këtë të ketë atë lloj të fshehtë censure shfaqur si mosrespekt e moslexim. Kam një pyetje: Mos vallë u zbut apo mos u bë më e arsyeshme diktatura? Mos u trondit dhe u rrëzua më shpejt regjimi? Falë romaneve, tregimeve, novelave, vjershave, poemave dhe poezive apo teksteve të këngëve mos u bë më e durueshme vetmia dhe mos u thye izolimi? Autorët shqiptarë, përveçse e përshkruam bukur, i vunë edhe një diçiturë optimiste, kuptimplotë, parajsës socialiste. E kuptoj. Mund të vetëshfajësohen duke thënë se e bënë për ta bërë sa më karnavaleske, se nuk ka të vdekur pa kostum dhe pak pudër në fytyrë. Askush nuk kërkoi ndjesë për helmimin në masë me ideologji dhe prishjen e shijes. Publiku ka prirjen të mirëkuptojë deri diku heshtjen, pëshpëritjen nën zë, por jo bashkëpunimin. Me sa duket shkrimtarët shqiptarë presin që të zbresin nga skena me duartrokitje, gjë që, falë konformizmit dhe humbjes së lirisë së mendjes dhe të shpirtit, nuk është ndonjë çudi të ngjasë. Të gjitha këto kanë ndikuar që besueshmëria e lexuesit të jetë në nivele të ulëta dhe roli ndikues i shkrimtarit në shoqërinë tonë të jetë siç është: i zbehtë.

Profili i sotëm i shkrimtarit shqiptar nuk është shumë larg shkrimtarit të angazhuar. Sjellja e tyre, sidomos prirja e të qenit publik, është një formë naive e ngushëllimit për cenimin e në mos edhe humbjen e statusit të dikurshëm. Nga ana tjetër, shumëfishimi mediatik ka bërë që këta shkrimtarë të njohin një nga format më të çuditshme të censurave, atë formë që nuk është si censura e vendosur nga shteti totalitar, që nuk ngjan as me autocensurën si mungesë e guximit për t’u shprehur dhe përballur, por me censurën e lexuesit, që duke e parë shkrimtarin jashtë formatit letrar, ngurron ta lexojë, nga droja se edhe në letra do të gjejë po atë diletantin që e sheh duke u shprehur në ekrane mbi gjithçka.

Marrëdhënia e këtyre shkrimtarëve me lexuesin ka kohë që nuk është e drejtpërdrejtë. Shkrimtarët janë shndërruar në qenie më shumë vizive dhe auditive sesa shkruese. Gjithmonë e më shumë ata shfaqin nevojën për një “medium” midis, që t’i ndërmjetësojë, t’i ndihmojë, t’i katapultojë, t’i kuotojë në bursën e lartimit të emrit që sjell famë, por jo vepra.

Ky medium ndërmjetës, ky ashensor emrash është herë mediatik, herë politik, herë etnik dhe herë religjioz. Dhe si kompensim për humbjen e statusit letrar krijohet mistika e profesionit të shenjtë të shkrimtarit, mistifikimi i “njerëzve-ndërgjegje” dhe feja e re televizive, ritualet e së cilës, me dalje të përnatshme, shkrimtarët shqiptarë po i respektojnë më së miri, pa kuptuar se me këtë i shërbejnë më shumë zgjatjes së agonisë dhe krizës mes tij dhe lexuesit.

Është për t’u vërejtur me këtë rast edhe një dukuri, që nuk ka të bëjë me varfërinë ekonomike, por me varfërimin mendor dhe zvetënimin kulturor. Gjendja e shkrimtarit të shfaqur shqiptar është ajo e bashkëjetesës me pushtetet apo pranë pushteteve. Statusi i shkrimtarit “freelancer” edhe për shkrimtarët shqiptarë do të vazhdojë të mbetet një pamundësi, ndërkohë që gjendja shkrimtar “në bukë shteti” është ende shumë lart e për pasojë po shumë e lartë mbetet edhe shkalla e vetëcensurimit tek ata.

A është kjo një dëshmi e konfliktit moral të vetë shkrimtarëve, që kanë zgjedhur të bëjnë rolin, por vetëm rolin e qortuesit të pakënaqur me realitetin që, me gjithë vokacionin e tyre thirror, nuk ndryshon, apo pasojë e nostalgjisë për “ditët e mira” kur shteti i mbante nën sqetull, u shërbente, u ofronte lejë krijimtarie, botime e shitje të garantuara, të gjitha këto në këmbim të heshtjes dhe kompromisit?

A dëshmon kjo gjendje nivelin e ulët të pavarësimit, jo vetëm të shkrimtarëve, por të një qerthulli më të gjerë social? A është gjithashtu pazotësi e shoqërisë që nuk arrin të krijojë hapësira për shkrimtarët, prej të cilëve pret shërbime, por jo kryevepra letrare, por që ndërkaq nuk u krijon mundësi që ata të jetojnë jashtë vartësisë së shtetit, të censurës së vetes, të censurës së tregut, të letërsisë me porosi?