2015-12-31

SI DUHET RISHKRUAR HISTORIA E LETERSISE

Rishkrimi i historisë së letërsisë është një çështje e hapur tash e 25 vjet. Një proces që ka kaluar mes debatesh, jo rrallëherë shterpe, pa arritur në një përfundim të kënaqshëm. 45 vitet e diktaturës krijuan një sistem të çoroditur vlerash, çka duket se ende nuk po arrin të gjejë veten edhe pas ndërrimit të sistemeve.

Rinjohja e autorëve të ndaluar nga regjimi, të anatemuar, të censuruar, rënia e kufijve në krijimtari, sillte patjetër një rishikim të piramidës së vlerave në letërsinë apo letrat shqipe (ka një diskutim edhe për këto dy terma), çka duhej të reflektohej me një histori të re letërsie. Por që të hartosh një histori letërsie që të jetë e pranuar nga të gjithë, duket se nuk është edhe aq e thjeshtë.

Një mori problematikash që kanë shoqëruar këtë proces, ende në diskutim, si edhe zgjidhjet e mundshme, i ofron studiuesi prof. dr. Shaban Sinani në librin e tij më të fundit “Historia e letërsisë shqipe: Çështje të hapura”, botim i shtëpisë botuese “Naimi”. Në këtë vepër ai parashtron një varg çështjesh që lidhen me periodizimin, qarqet letrare, sistemet dhe nënsistemet, letërsinë si çështje shtetërore, letërsia shqipe si letërsi europiane etj. Por ajo çka qëndron në thelb të këtij libri është rishkrimi i historisë.

Teksa e konsideron një proces tërësisht të ligjshëm rishkrimin e saj, Sinani thotë se “gjatë dy dekadave të fundme brezi i ri i studiuesve ka arritur të shqiptojë refuzimin e historive tradicionale të letërsisë, të përkufizojë domosdoshmërinë e rishkrimit të saj, të penalizojë brezin e vjetër të studiuesve të letërsisë dhe shumë të tjera arritje, por ende pa e shprehur vullnetin e vet në një projekt ndryshe. Nëse është e mundshme një histori e re e letërsisë shqipe, që i tejkalon kufijtë e ngatërruar kohorë, politikë, metodologjikë dhe ideologjikë, si mund të hartohet ajo?”.

Sipas studiuesit, në këto debate të gjata është diskutuar për gjithfarëlloj çështjesh, deri tek institucioni që do të hartojë tekstin e letërsisë “por pa bërë dallime midis parimeve bazë dhe atyre dytësore”.

NJË PROCES I DURUESHËM
Gjatë 25 viteve të fundit, procesi i rishkrimit të historisë së letërsisë është shoqëruar me një lloj nguti për të hequr ca emra e për të futur ca të tjerë. Sipas studiuesit Shaban Sinani, rishkrimi duhet të jetë një proces i durueshëm e nuk ka nevojë për aksione të ndërmarra me shpejtësi.

“Ndërsa nevoja për një histori të re letërsie të bëhet gjithnjë e më e ngutshme, trysnitë e ndikimeve jashtëtekstore mbi ato shkencorë vazhdojnë të jenë shumëfarëshe dhe të vijueshme. Në mënyrë të veçantë, ndonëse jo drejtpërsëdrejti, përmes shtypit dhe përpunimit të opinioneve letrare është shfaqur presioni i breznive më të reja krijuese për të pasur një vend më të privilegjuar në një tekst të mundshëm, duke rrezikuar rënien në përfytyrime enciklopediste dhe duke e kthyer vetë projektin e hartuar në një lexicon pa pretendime. Historia e letërsisë, nga vetë thelbi i saj, duhet të jetë e durimshume dhe e prirur që të presë. Ndryshe, vetë historishkrimi letrar hakmerret. Për të gjithë është e njohur se ç’ndodhi pas viteve 1990 me përfaqësimin e përkëdhelur të një pjese të autorëve të periudhës së realizmit socialist, të cilët me të njëjtën shpejtësi u dëbuan nga tekstet shkollore dhe studimet letrare. Një formë presioni me ndikim shmangës prej vlerave të mirëfillta është edhe përzgjedhja e autorëve që meritojnë vend në një histori letërsie për shkak të një njohjeje ndërkombëtare jo gjithnjë të certifikuar”, shkruan Sinani.

Ç’DUHET BËRË ME REALIZMIN SOCIALIST
Një nga pikat më të nxehta dhe të “sikletshme”, sa herë që flitet për rishikimin e vlerave të letërsisë shqipe është periudha e realizimit socialist. Mendimet e studiuesve rreth kësaj periudhe, gjatë së cilës letërsia u kthye në një instrument në shërbim të ideologjisë dhe propagandës së kohës, janë nga më të ndryshmet: kush e fshin thuajse të gjithën, kush bën qëmtime…

Studiuesi Sinani i kushton një kapitull më vete kësaj periudhe, ku përshkruan absurditetin që solli imponimi i kanoneve të realizmit socialist, censurën, ndalimin e veprave, përjashtimet, por edhe gjykimin e tij se si duhet vlerësuar ajo. Sipas tij, kjo periudhë nuk duhet vlerësuar prej veprave dhe autorëve më të dobët, por prej më të mirëve. Ai do të veçonte shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli, por edhe autorë të tjerë, që e pësuan për shkak se devijuan nga normat e vendosura.

“Përpjekjet për të zhvlerësuar çdo kontribut të realizmit socialist në pasurimin e traditës së letërsisë dhe të arteve, që është vërejtur kohë pas kohe, është shprehje e një vullneti manifestativ për t’u ndarë sa më parë prej saj. Asnjë metodë krijuese nuk mund të gjykohet prej autorëve dhe veprave më të dobëta, përkundrazi, vlerat dhe mundësitë e një metode çmohen prej talenteve dhe personaliteteve që e kanë zhvilluar dhe paraprirë atë”, shkruan Sinani.

Alma Mile

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...