Aureola e territ që rrethon aktin e krijimit dhe vështirësia që hasin edhe vetë mjeshtrit e metafizikës në përpjekjen për të bërë të ditur se ç’është ai, nuk ka dyshim se buron drejtpërsëdrejti nga themeli i vetë qenies njerëzore. Mund të themi se pyetja: “Ç’është akti i krijimit letrar?” është e barasvlershme me pyetjet: “Ç’është arti?”, “Ç‘është akti i krijimit?”, “Ç’është nevoja për komunikim?”, “Ç’është artisti?”. Mendoj se njeriu e ka të pamundur të zbresë apo të ngjitet në misterin e heshtur të krijimit, dhe jo vetëm të krijimit artistik në përgjithësi, letrar në rastin tonë, por të cilësdo forme të krijimit, të cilitdo niveli të krijimit. Nga një këndvështrim ezoterik njeriu është iluzion, jeta tokësore është iluzion, arti është iluzion, rrjedhimisht letërsia është iluzion. Kësisoj, të marrësh në shqyrtim se ç’është letërsia si akt krijimi, do të thotë të marrësh në shqyrtim iluzionin e iluzionit të iluzionit. Duket si lojë fjalësh, por është një lojë shumë serioze fjalësh.
Në rastin tonë pyetja është një, por përgjigje ka po aq sa ç’ka edhe letrashkrues. Personalisht po parashtroj thjesht një nga këndvështrimet e mundshme: akti i krijimit është një fenomen çnjerëzor, term ky që herë pas here duhet kuptuar edhe si mbinjerëzor, edhe si mizor. Akti i krijimit letrar, që shihet në trajtën e porosisë fillimore është i njëjtë për të gjithë, paçka se mandej kanalizohet nëpër cilësi të ndryshme talentesh, vetëdijesh e vullnetesh njerëzore. Me këtë rast hyjnë në lojë cilësitë e ndryshme të metabolizmave estetikë njerëzorë, të cilët do të duhet ta përtypin këtë porosi të çuditshme që quhet “krijim”.
Krijuesi, domethënë shkrimtari, poeti, ndien njëfarë neverie të përzier me dhimbsuri kur vëren sigurinë me të cilën filozofët, metafizikët, estetët, fenomenologët e përshkruajnë aktin e krijimit, duke mos e njohur në shumicën e rasteve atë fërgëllimën enigmatike që kaplon qenien, fërgëllimë që krejt papritmas i hap udhë krijimit letrar, duke e vendosur këtë lloj krijimi sa çilembyll sytë në majën e perceptimit vetjak të hierarkisë së vlerave njerëzore.
Ja, pikërisht në këtë rast krijimi letrar shfaqet si akt çnjerëzor në të dyja kuptimet që sipërpërmendëm: 1) çnjerëzor si mbinjerëzor, pra hyjnor; 2) çnjerëzor si mizor, kriminal, pra i ndërtuar mbi izolimin, ambicien, egoizmin dhe mbi anashkalimin e sa e sa vlerave të tjera, të cilat me gjasë përbëjnë kuptimin e njëmendtë të ekzistencës njerëzore. Tashmë kemi hyrë në një hulli mendimi tërësisht subjektive. Bëhet fjalë për një spekulim, por ama sipas kuptimit zanafillor që latinët i jepnin këtij termi.
Pra, akti i krijimit është hyjnor sepse ngjizet në një hapësirë, qoftë kjo edhe e brendshme, tërësisht të panjohur e të panjohshme. Krejt papritur rizgjohen imazhet e fjetura, shfletohen disa realitete që ndoshta as i kemi jetuar, as i kemi parë e as i kemi ndierë kurrë. Nuk besoj fare në idenë se shkrimtari është krijues apo qoftë edhe pjesëmarrës në krijim. Besoj thjesht te shkrimtari si instrument krijimi. Ja pse thënia “një për qind talent e nëntëdhjetë e nëntë për qind vullnet” tingëllon tallëse dhe fyese. Artisti nuk mund të jetë kurrsesi një punëtor krahu. Më thoni një njeri që nuk lindet jo me një për qind, por dhe me dhjetë, njëzet a tridhjetë për qind talent! Tashti, mjaft që ky njeri të ketë vullnet dhe mund të shndërrohet në Dante apo Shekspir?! Absolutisht jo.
Është e vërtetë se krimbi shndërrohet në flutur, por mos vallë çdo krimb? Në të vërtetë vullneti, që besoj të jetë korruptuar keqas si fjalë në raport me vlerën e tij fillimore, është një ushtar i talentit. Ai i brendashkruhet dhe i gjunjëzohet talentit në mënyrë organike dhe natyrale.
Gjendja e parakrijimit, pra ajo ideja flakëruese që na kujton fjalën që mëton të artikulohet apo të shndërrohet medoemos në shenja grafike, fjalë që në të vërtetë ende s’është shfaqur, rezulton gjendje vërtet e jashtëzakonshme për nga mënyra se si merr jetë, por njëkohësisht është edhe mjaft e zakonshme, sepse pulson në shumë individë, paçka se jo cilido mund ta shndërrojë në krijim. Nuk di nëse krahasimi vlen për të gjithë, por në kokën e shkrimtarit ekziston kaosi, kaosi që përgatit një formë krijimi që ende nuk ka kaluar në vetëdije, njëfarë Big-Bangu i madhërishëm, një nebulozë e zjarrtë, që të shtie dridhmat. Pra, gjendja e parakrijimit është e pranishme te mjaft njerëz, porse me përjashtime të rralla udhëton drejt ndërgjegjes, për t’u shndërruar mandej në një kumt artistik. Për shembull, nëse një grup turistësh vëzhgon një ujëvarë, një peizazh alpin apo një rivierë, nuk kam asnjë dyshim se çdonjëri nga pjesëtarët e grupit përshkënditet nga e ndjesia e së bukurës me një intensitet të plotë, për t’u transferuar sa çilembyll sytë në pragun e para krijimit. Në të njëjtën kohë nuk kam dyshim se asnjëri prej tyre, përveç artistit, nuk do të ketë fuqi ta kapërcejë këtë prag për t’i shpallur botës atë ndjesi sfilitëse të së bukurës.
Gjithsesi, është vërtet e vështirë, në mos e pamundur, të zbulosh se ç’është akti i krijimit, pasi bëhet fjalë për një mister, që në vetëdije të ndryshme përthyhet në trajta të ndryshme, duke mos na dhënë kurrë mundësinë e një konkluzioni të palëvizshëm. Ndoshta më interesante, e sidomos më e besueshme, do të ishte të flisnim rreth atij segmenti të veçantë të realitetit që e nxit aktin e krijimit. Më përpara lypset ta kemi të qartë se realiteti material që ne njohim nuk mund të jetë kurrsesi motori i parë që vë në lëvizje aktin e krijimit, por thjesht një ingranazh shumë i rëndësishëm që na e krijon këtë iluzion.
Është e rëndësishme të theksohet cilësia e marrëdhënies që ekziston mes njeriut dhe shkrimtarit. Pra, kush duhet ta ketë zërin e parë në vendimmarrje, njeriu apo shkrimtari? Dikush thotë njeriu, dikush thotë shkrimtari. Sipas meje, s’është e drejtë që dikush të zgjohet nga gjumi e t’i thotë vetes:“Ti je shkrimtar dhe doemos duhet të shkruash letërsi”, por: “Ti je njeri dhe doemos duhet të jetosh”. Për rrjedhojë, në përpjekjet që ai bën për të jetuar sa më cilësisht, merret edhe me krijim letrar.
Pra, akti i krijimit nuk është qëllim i ekzistencës, porse ekzistenca është qëllim i aktit të krijimit. Nuk ka kuptim të thuash “unë do të krijoj” ose “unë do përpiqem të krijoj”, por “unë do të pres”ose“unë do të përpiqem të pres”. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme është të jetuarit, sepse pa këtë, asnjë lloj tjetër vlere njerëzore nuk do të kishte pikë kuptimi. Gjatë përpjekjeve për të jetuar na ndodhin plot përplasje e konflikte, të cilat bijojnë mandej në mënyrë krejt të vetvetishme atë që krenarisht na pëlqen ta quajmë “akt krijimi”. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për një akt që ndryshon thelbësisht nga aktet e tjera që njeriut i duhet të kryejë në mënyrë natyrale gjatë procesit të të ekzistuarit. Thjesht është fjala për një akt që ka mundësi të vetëlëvdohet nëpërmjet ca ekzekutuesve të pavetëdijshëm që quhen“artistë”. Ajo që unë kuptoj me “akt krijimi letrar” nuk ka të bëjë fare me atë kollajllëkun budalla që e nxit njeriun të ulet përpara një letre të bardhë thjesht i keqkuptuar ose i nxitur prej një realiteti apo një modeli tashmë ekzistues. Nëse firmosim një pakt të përhershëm me veten në lidhje me aktin e krijimit, nëse na ngjan se jemi prore të frymëzuar nga ky fenomen kinse i gjithnjëpranishëm, nëse jemi të fiksuar pas idesë se jemi të thirrur për të krijuar dhe për këtë duhet të shkruajmë e të shkruajmë pambarimisht libra, nëse mendojmë se krijimi është një realitet pa të cilin bota nuk ka kuptim – ndërkohë që ne si krijues kemi ardhur që ta kuptimësojmë atë, nëse sajojmë lidhje artificiale me krijimin dhe mashtrojmë veten me idenë se paskemi nevojë të domosdoshme për letërsinë, atëherë vërtet mund të thuhet se akti i krijimit nuk ka fare lidhje me ne. Artisti, në rastin tonë shkrimtari, them se e njeh mirë ç’është akti i krijimit, por fatkeqësisht apo fatmirësisht është i dënuar me paaftësinë e artikulimit të sekreteve. Për botën njerëzore kjo është e njohur: dimë një gjë, por nuk jemi e as do të jemi ndonjëherë të aftë t’ia shpjegojmë edhe ndokujt tjetër.
Të jesh shkrimtar është fatalitet, ndërsa të ndihesh krenar për mrekullinë e aktit të krijimit letrar është njëlloj sikur të ndihesh krenar për prangat, prej të cilave nuk mund të çlirohesh. Pra, krenari prej skllavi. Mazokizëm. Akti i krijimit është burgu, një burg që i takon shkrimtarit. Krijimi është liria dhe u takon lexuesve. Të ndërtosh realitete dhe botëra që nuk do t’i banosh përtej hapësirës së çastit të krijimit, kjo përbën një nga format e pashmangshme të dënimit. Kur shoh shkrimtarë entuziastë – dhe shoh shumë – më dhimbsen. Plaken dhe mbeten entuziastë. Më vjen keq për ta sepse ende nuk e kanë marrë vesh se ç’po ndodh apo ç’ka për të ndodhur me jetën e tyre. Thonë se kanë ideal, por druaj se ideal nuk do të thotë të krijosh, por thjesht të jetosh. Në të gjitha nivelet e tij krijimi është vlerë dhe vepër vetëm e Zotit. Shkrimtari mbetet instrument. Mbase një instrument i mirë, por gjithsesi instrument.
Shpetim Kelmendi