Nuk ka letërsi të shkruar qoftë ajo e një vendi të madh, qoftë ajo e një vendi të vogël që, në një shkallë a një tjetër, ku me më shumë e ku me më pak sukses, të mos e ketë lëvruar zhanrin e noir-it. (Këtu lypset ndalur një grimë e të sqarojmë se termi noir i përdorur këtu përkufizon atë gjini letrare që rëndomthi te ne është quajtur letërsi e verdhë, me gjasë me një fije përçmimi, teksa gjetkë në botë mund ta hasni edhe me nofkën letërsi e krimit). Kësaj tradite letrare i përkasin edhe emrat e mëdhenj të letrave të përbotshme, A. C. Doyle, A. Christie, E. A. Poe. G. Simenon e mjaft të tjerë, të cilët ngjizën dhe sollën në jetë personazhe që sot e gjithë ditën, pas afro një shekulli, ngjajnë më të gjallë edhe se ato figura prej mishi e gjaku që frymëzuan shkrimtarët e realizmit socialist. As edhe një letërsi nuk mund të përfytyrohet pa noir-in e vet; tekefundit, përtej kënaqësisë estetike që merr e të ngjall një vepër letrare e arrirë, kjo gjë përfton edhe një dimension tjetër, atë të zhbirilimit të skutave më të errëta të shpirtit njerëzor, pra, të psikës jo thjesht e vetëm të një individi, por të krejt shoqërisë ku ai jeton.
Pasioni im për të ashtuquajturën letërsi të verdhë është i hershëm dhe shkon e zë fill qysh nga vitet e fëmijërisë, ku lidhet me bubërrimet e para në gjuhë të huaja dhe kërkimet e qëmtimet e veprave si “Kompania e Bretkosave” dhe autorëve si Alen Pinkertoni. Një aventurë më vete edhe kjo, duke qenë se shpesh bëheshim një dorë çunash e shkonim e mihnim për libra të vjetër te Fabrika e Kartonit, pas Kombinatit të Drurit “Misto Mame”. Dhe ky afsh që nuk do të shuhej, por do të gjëllonte brenda meje pa u mpakur e u reshtur, vite më pas do të më shpinte drejt Agatha Christie-t dhe sjelljes në shqip të romanit të saj “Vrasje në ekspresin e Orientit”, në vitin tanimë të largët 1989.
Si ka mundësi që në letrat shqipe, si të para luftës ashtu edhe të ditëve të sotme, nuk gjen gjurmë të zhanrit të noir-it? Nuk di të them nëse ndokush para meje e ka shtruar më parë këtë pyetje, por mund t’ju them se është një pyetje që ka gëluar tek unë prej kohësh, pyetje që erdh’e u shndërrua në obsesion kur vëzhgova e vura re që edhe në letrat e vendeve fqinje mund të gjeje prozë të gjatë ose të shkurtër që merrte e shtjellonte subjekte që ngërthenin krimin. Me këtë dua të them se noir-i (për voli do të vazhdoj të përdor termin e huazuar prej frëngjishtes, duke i mëshuar faktit që nuk kemi më të bëjmë me një dukuri letrare vetëm angloamerikane) nuk qe një klub ekskluziv anglosakson, ndonëse i themeluar prej tyre, por i hapur dhe mikpritës edhe për shkrimtarë të vendeve të tjera. Letrat shqipe janë relativisht të reja, për një periudhë të gjatë kohe kanë pasë qenë tejet të ideologjizuara – dhe këtu kam parasysh jo vetëm komunizmin, por edhe indin nacionalist të tyre – çka, për inerci, vijon edhe sot e kësaj dite, duke u orientuar më fort nga marrëdhëniet me të tjerët – miq e armiq – sesa të orientuara nga zhdrivillimet e botës shpirtërore të njeriut, veçmasi, të anëve të errëta të shpirtit njerëzor, por edhe pikëtakimet me instinktet prehistorike që gëlojnë tek gjithsecili prej nesh. E vërteta është që të ashtuquajturit serial killerlindin e kultivohen në shoqëritë industrialisht të zhvilluara, postmoderne, kësisoj nuk mund të mëtosh të hasësh të tillë në vende të prapambetura, fjala vjen si Afrika, ku arti rreh për kah temat e mëdha, duke dashur t’i frymëzojë njerëzit drejt veprave dhe akteve sublime, si liria, pavarësia, drejtësia sociale e më the e të thashë. Nda, nisur nga ky këndvështrim edhe mungesa e noir-it është një tregues; çka të jep të kuptosh se mungesa tregon një stad primitivizmi letrar, madje edhe qytetërimi, duke qenë se krimet tregojnë shkallën e qytetërimit të një populli sado paradoksale të tingëllojë kjo gjë. Ma do mendja që është mjaft kuptimplotë shembulli i vrasësit më në emër, ndoshta, të të gjitha kohërave, Jack the Butcher, mendja diabolike e të cilit ka bërë që misteri të vijojë edhe sot e kësaj dite, njeriut që ka frymëzuar dhe vijon të frymëzojë edhe sot e gjithë ditën shkrimtarë e regjisorë.
E megjithatë, pavarësisht se, duke u nisur nga përimtimet historike e sociale, jemi në gjendje e mund të përligjim mangësinë e veprave noir në letrat shqipe, ajo çka mbetet e pashpjegueshme është fakti që, me ndonjë përjashtim të vogël e të papërfillshëm, veprat dhe autorët e përbotshëm të kësaj gjinie nuk janë përkthyer ende te ne; fatkeqësisht, një Zot e di edhe për sa kohë.
Virgjil Muçi