2015-12-28

Gëzim SELACI EUROPIANIZIMI I TRILLUAR I KOSOVËS



Gëzim Selaci
Ka një dallim të qartë ndërmjet përmbushjes së standardeve europiane dhe europianizimit të trilluar të Kosovës. Për të parë dallimin, mjafton vetëm të krahasosh retorikën e “sukseseve drejt integrimit në BE” të politikanëve tanë me gjendjen faktike të një kosovari mesatar.
Përse ne kosovarët kemi udhëheqës politikë që na shërbejnë kaq për të keq? Duke iu falënderuar zhdërvellësisë propaganduese të politikanëve tanë si dhe ndonjëherë liderëve të “shteteve mike” që për liderët tanë flasin në superlativ, në ligjërimin politik dhe mediatik në Kosovë, paralel me realitetin, po krijohet një narrativ që quhet “procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian” e që është krejt i rrejshëm. Kjo rrenë ka prodhuar një tablo kafkiane ku gjatë gjithë kohës pseudo-mediat e pseudo-intelektualët ua paraqesin qytetarëve një panoramë të thjeshtëzuar të ecjes sonë me nxitim drejt Europës.
Mirëpo, ky diskurs është shumë, shumë i largët nga realiteti në të cilin jetojmë ne, qytetarët e Kosovës. Në të vërtetë, realiteti është një narrativ më i komplikuar: vendi jonë po izolohet, ndërsa shoqëria jonë gjithnjë e më shumë po i ngjan shoqërive autoritare se sa atyre europiane dhe, përveç bazës ligjore të ndërtuar qysh nga koha e UNMIK-ut që ka pasur për qëllim të krijojë një sistem ligjor sipas standardeve europiane dhe harmonizimit të ligjit të Kosovës me ligjin e Bashkimit Europian (acquis communautaire), Kosova fare pak ka bërë drejt plotësimit të standardeve për anëtarësim në BE.
Europianizimi si retorikë
Vetportretizimi i Kosovës në media lokale dhe në retorikën qeveritare është tepër i idealizuar, ndërsa gjendja faktike është shumë ndryshe. Ndërsa qeveria shpalos të arriturat e saja ekonomike, banorët e Kosovës vazhdojnë të mbesin më të varfërit në rajon dhe në Europë ku rreth gjysma e popullësisë që do të kishin mundur me punu janë të papunë. Ndërsa i shpallet zero tolerancë korrupsionit, Kosova kryeson listën e vendeve më të korruptuara ku tenderët kontrollohen nga qeveria. Ndërsa udhëheqësit politikë gojën e kanë pot demokraci dhe sundim të ligjit, Kosova vazhdon të ketë zgjedhje problematike, sistem të patronazhit politik, shërbime publike në nivelin më të ulët si dhe sundim të të fortëve, në vend të sundimit të ligit. Ndërsa qeveritarët flasin për “partneritet me Bashkimin Europian”, pasaporta e Kosovës është e vetmja në rajon të cilës i duhet vizë për të hyrë në zonën e Shengenit. Ndërsa harxhohen para të majme për fushata artificiale “Young Europeans” (që më tepër shënjojnë qytetarët e vendit se sa të jashtëm), Kosova as që ka bërë hapin e parë formal drejt anëtarësimit në BE (nuk është përfshirë në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit, por për të, si shtet “sui generis”, është sajuar njëfarë dialogu po ashtu “sui generis” me BE-në, e që e kanë quajtur “Stabilisaton Tracking Mechanism”). Ndërsa modeli i arsimit të lartë në Kosovë na paraqitej si një që ia ka lakmi rajoni, universitetet tona vazhdojnë të japin diploma që zor se kanë ndonjë vlerë në vend, e aq më pak jashtë vendit. Sistemi arsimor, i ideologjizuar së tepërmi, riprodhon provincializëm të intelektualëve që për të qenë diku dhe dikushi janë të shtyrë të hyjnë në raporte klienteliste me patronë nga radhët e partive politike në vend duke humbur autonominë intelektuale dhe çimentuar kulturën konformiste.
Dhe përkundër vargut të gjatë të dështimeve afatshkurtëra, ne ende duam të besojmë në suksese  afatgjata kur të gjithë do të kemi punë të mirë, e jo vetëm politikanët, familjarët e militantët e tyre; ku të gjithëve do të na mbesin para në xhep edhe pasi të kemi paguar shërbimet komunale; ku do të kemi dinjitet qytetar, e jo të jemi vetëm letëra në kuti të votimit dhe do të jemi pjesë e bashkësisë së shteteve të Europës ku e ndjejmë se përkasim.
Europianizimi si vetëlegjitimim
Derisa raportet e progresit të BE-së viteve të fundit e kanë paraqitur Kosovën shtet më të varfër dhe më të korruptuar në Europë, ku tenderet dhe transmetuesi publik kontrollohet nga qeveria dhe askush nuk jep llogari për miliona të humbura nga buxheti i Kosovës, një raport i Departamentit amerikan pati raportur për elemente të korruptuar brenda qeverisë së Kosovës.[1] Raporte të shumta të agjencive të jashtme tregojnë se Kosova është bërë vend trafikimi i drogës dhe prostitucionit. Hiq më pak kritik nuk ka qenë as European Broadcasting Union që vazhdimisht konludon se në transmetuesin publik të Kosovës (RTK) ka përzierje serioze nga politika.[2] Tablo jo më pak skandaloze na japin edhe raportet e Human Rights Watch, Freedom House, Bankës Botërore, e kështu me radhë…
Pavarësisht rëndësisë që kanë këto raporte për Kosovën dhe popullësinë e saj, qeveritë e Kosovës nuk mund të qëndrojnë indiferent para këtyre raporteve dhe vlerësimieve. Është simptomatike se kur qytetarët e vendit ndeshen me skamjen e prapambeturinë, pasigurinë e korrupsionin në çdo hap e çast të jetës, pushtetarët tonë as që marrin mundin për të reaguar në ndonjë mënyrë, por kur konstatimi i gjendjes vjen nga raporte të agjencive ndërkombëtare, atëherë zyrtarët reagojnë në mënyrë që në rastin më të mirë mund të përshkruhen si qesharake (si për shembull “as pozitiv, as negativ, por real” për Raportin e fundit të progresit), patetike (kur qeveria vlerëson raportet në fjalë si asgjë më tepër se shumë e perceptimeve tendencioze të shoqërinë civile të vendit), e kështu me radhë.
Në të vërtetë, kjo pandjeshmëri ndaj gjendjes së popullsisë dhe opinionit publik në vend në njërën anë, dhe paniku ndaj asaj që thuhet në BE e në Perëndim është tregues i fortë se pushteti politik në Kosovë nuk synon të ndërtojë një marrëdhënie legjitimuese me popullin që kishte me kriju një raport përgjegjshmërie të qeverisë ndaj të qeverisurve. Kjo mungesë e marrëdhënies legjitimuese e pushtetit me popullin zëvendësohet me premtime për integrim në familjen e Bashkimit Europian dhe për ndërtim e forcim të miqësisë me ShBA-të dhe shtetet e Europës. Kështu, vënia dhe afirmimi i miqësisë me këto shtete dhe integrimi në BE janë e vetmja bazë vetlegjitimuese e pushtetit politik në vend.
Tashti, është një gjë tjetër se si të lexohet ndërtimi “i miqësisë”, por një gjë dihet me siguri: kjo klasë politike jo medoemos e ka marrë seriozisht detyrën e integrimit në BE. Ky, më tepër, është një premtim përrallor që si me magji do të çojë një shtet të brishtë e të skamur në bashkësinë e kamur e të prosperuar europiane. Ky premtim, natyrisht, nuk është i paqëllimtë: ajo është kartë që qeveritë të cilat vijnë e shkojnë e përdorin për t’u vetëlegjitmuar.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...