Për monografinë “Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor – Letërsi shqipe bashkëkohore” (2015), të studiuesit Arben Prendi, me të drejtë mund të thuhet se plotëson studimet e letërsisë shqipe, sepse analizon vepra që u përkasin periudhës 1990-2014, periudhë e cila pret vlerësimet dhe gjykimet e studimeve tona letrare. Në këtë studim janë trajtuar disa romancierë, si: Vath Koreshi, Fatos Kongoli, Mehmet Kraja, Ardian Kyçyku, Ridvan Dibra, Bashkim Shehu etj., një pjesë e tyre janë bërë të njohur vetëm pas viteve ’90. Më ka tërhequr metoda e analizës që autori ka ndjekur për secilin autor, duke përzgjedhur veprat kryesore e duke i analizuar në kontekstin në të cilin janë shkruar dhe më pas duke bërë analizën e tyre letrare.
Monografia është e ndarë në dy pjesë: a) Përpunimi i strukturave narrative në romanet e shkruara në periudhën e tranzicionit nga disa autorë me përvojë nga letërsia e gjysmës së dytë të shek. XX. Risitë dhe befasitë stilistike të romaneskes. Ndërthurja e elementeve realiste me ato moderne dhe postmoderne, b) Prirje të tjera eksperimentale dhe kërkimi i identitetit artistik në romanet e disa autorëve që afirmohen në fund të shek. XX dhe në fillim të shek XXI. Refuzimi i strukturave artistike të trashëguara nga romani realist dhe modern. Risitë në raport me narrativën pararendëse, përmbysje dhe modifikime.
Në pjesën e parë autori trajton gjashtë autorë, të cilët po i cek në elementet kryesore që studiuesi Arben Prendi ka analizuar te secili prej tyre.
Ismail Kadare, një autor shumë i studiuar sot në letërsinë tonë, por veprat të cilat janë bërë objekt këtu rrallë i gjejmë të analizuara nga studiues të tjerë. Në këto vepra pasqyrohet vazhdimësia stilistike e autorit, dhe tema e periudhës komuniste, përmendim romanet: “Piramida”, “Shkaba”, “Spiritus-roman me kaos, zblesë dhe çmërs”, “Lulet e ftohta të marsit”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” etj. Këtyre romaneve u është bërë analizë në strukturën narrative të tyre, analizohet përmbajtja në vija të përgjithshme, studiohet ligjërimi që përdor autori, bëhet analiza e personazheve si simbole të kohës së shqiptarit të diktaturës, studiohet rrafshi simbolik i elementeve të veprës etj. Temat e romaneve janë marrë nga jeta nën regjimin komunist, veçse nuk i përkasin vetëm rrafshit kombëtar por edhe atij universal.
Autori i dytë është Vath Koreshi dhe studiuesi thekson se me disa romane, si: “Ulku dhe Uilli” dhe një grua me të verdha”, ky autor sjell diçka të re në romanin tonë bashkëkohor. Edhe këtu studiuesi është marrë me narracionin, personazhet, strukturimin kompozicional të veprës etj., ku vihen re elemente dhe veçori të romanit post-modern si, p.sh. intertekstualiteti. Ky autor vërtet sjell me të vërtetë disa risi artistike në romanet e tij.
Tek Fatos Kongoli kemi shumë vepra të analizuara hollësisht, por autori ka veçuar motive, tipare, karaktere që dalin në shumë vepra të tij si, p.sh.: tipi i antiheroit, personazhit fatkeq, të vetmuar; dhuna, marrëdhënia e njeriut në krizë, loja me titujt, loja me emrat e personazheve etj.
Tek Zija Çela, studiuesi ynë vë re elemente të ngjashme si te shkrimtari Vath Koreshi, që paraqesin veçori të realmagjikes, modernes dhe postmoderne. Romanet e këtij autori paraqiten si tekste të hapura që është një element postmodern. Studiuesi, pas analizës së romaneve, ka trajtuar në mënyrë shumë origjinale dukuritë, si: intriga, enigma, ironia, parodia, intertekstualiteti etj.
Autori Mehmet Kraja paraqet veçori të procesit, nëpër të cilat kalon romani ynë shqiptar, veçanërisht në Kosovë. Analizën e këtij autori, studiuesi ynë e ka përmbyllur me elementet post-moderne që ky autor shfaq; shprehet koha narrative e romaneve që paraqitet universale; motivet e personazheve; personazhet që janë të ngjeshur nga njëri roman tek tjetri.
Autori Kim Mehmeti, nga letërsia shqiptare në Maqedoni, njihet pak në studimet letrare, ndryshe nga romani i Mehmet Krajës. Ai dallon për shkathtësinë e koloritin e rrëfimit poetik që ndërthuret me jetën e autorit dhe të shqiptarëve që kanë jetuar periudhën e 2 Luftërave Botërore. Studiuesi pas trajtimit të subjekteve të romaneve,është ndalur në veçoritë e narracionit, metaforat, ligjërimin e përdorur etj. Autori ka meritën se ndoshta për herë të parë në këtë rrafsh sjell një studim të romaneve të këtij shkrimtari.
Në pjesën e dytë të veprës, studiuesi është marrë me një grup autorësh që afirmohen në fundin e shek. XX, pra në vitet 1990 e këtej, që paraqesin përmbysje të narrativës tradicionale shqiptare.
Autorët e kësaj pjese përshkohen kryesisht nga tipare post-moderniste. Këta autorë sjellin cilësi të reja në romanin tonë bashkëkohor dhe veçoria e tyre është përdorimi i mjeteve të reja shprehëse, që eksperimentojnë në të gjitha aspektet me romanin e tyre, dhe si përfundim romani i këtij grupi autorësh paraqitet ndryshe nga ajo që kemi parë para viteve ’90.
Kjo pjesë është hapur me shkrimtarin Ridvan Dibra, i cili në veprat e veta paraqet elemente postmodernë, si: ironia, pastishi, kolazhi, citati, enciklopedizmi, mitikja etj. Te romani “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”shfaqet si dukuri themelore intertekstualiteti me këngën legjendare “Gjergj Elez Alia”. Veprat janë trajtuar hollësisht me subjektin, idetë, mesazhet, personazhet etj.
Autor tjetër i bërë objekt studimi është dhe autori Bashkim Shehu, edhe ky një autor pak i bërë objekt studimi, gjatë kësaj periudhe, mësojmë se në romanet e tij shpaloset raporti i njeriut me sistemet totalitare, tjetërsimi i tij; intertekstualiteti me mitet e veprat letrare dhe intermedialiteti. Personazhet e këtij shkrimtari nxjerrin në pah dramat njerëzore të shoqërisë socialiste dhe të tranzicionit.
Edhe autori Agron Tufa është trajtuar me vëmendjen e duhur në këtë studim. Janë përfshirë në këtë analizë 4 romane të tij: “Dueli”, “Tenxherja”, “Fabula rasa”, “Mërkuna e bardhë”, “Mërkuna e Zezë”, ku reflektohen traumat e individit dhe shoqërisë shqiptare të kohës. Këtu ravijëzohet dhuna e regjimit totalitar, i cili deformon natyrën e personalitetit njerëzor.
Autori Ardian Kyçyku është pak i njohur tek ne, por studiuesi A. Prendi ka trajtuar gjashtë romane të tij. E veçanta e tyre është se ato paraqesin shenja të poetikës realmagjike, moderne, e post-moderne, kemi të pranishme edhe eksperimentimin vetjak me ligjërimin dhe shumëllojshmëri të teknikave narrative. Po veçoj romanin “Sy” ku autori përfshin kolazhin e episodeve, imazheve, retrospektivave etj., natyra simbolike e personazheve, kapërcimi i imazhit të reales, gjuha “e deformuar” etj.
Shkrimtari më i ri prozator, Ben Blushi është i fundit në këtë studim. Tek ky autor kemi ndërthurjen e të dhënave historike me fantazinë dhe trillimin. Studiuesi trajton triptikun e famshëm romanesk të tij: “Të jetosh në ishull” – Otello, Arapi i Vlorës”- “Shqipëria”. Po ashtu, ai shfaq edhe mjaft elemente postmoderne të veprës, si: rishikimi ironik i së kaluarës, natyra eseistike e veprës etj.
Ky studim i hollësishëm e shumë i vlefshëm për romanin tonë bashkëkohor duket se ka pasur për objekt përveç të tjerash të përvetojë veçoritë e ligjërimit artistik të këtyre autorëve, si dhe të tematikave bazë të këtyre veprave. Sipas studiuesit A. Prendi, në veprat e bëra objekt ndjehet prania e elementëve të romanit europian bashkëkohor; kemi ndërthur jetë alegorisë, simbolit, metaforës etj., intertekstualitetit e madje disa edhe ndërmjet intermedialitetit. Tematika e romaneve është e larmishme, por mbizotëron jeta e individit nën periudhën e diktaturës; kemi po ashtu fragmentarizimin dhe eksperimentimin me personazhet letrare.
Të gjitha këto që arritëm të vëmë në dukje e bëjnë veprën e dytë studimore të A. Prendit mjaft të vyer në kërkimet tona letrare.
Donatela Guri
Studente e Masterit Shkencor në Gjuhësi e Sotme