2015-12-20

Kadriu qëlloi me dy plumba Mehmetin

Leonard Veizi

Nga Kanadaja përtej Atlantikut, ku rezidencën ka prej vitesh, mori rrugën sërish drejt Shqipërisë. Edhe pse mbi supe tanimë i rëndojnë 86 vite, udhëtimin shumorësh me avion e përballon pa problem. Malli e merr për shokët e vjetër e pa dyshim për vendlindjen, Çorrushin. Duro Shehu thotë se edhe pse në shtetin e begatë nuk i mungon gjë, do ta ndërronte jetën komode në apartamentin e bollshëm, me atë të shtëpisë së tij të vjetër në fshatin e Mallakastrës... 

...Ai reagon lidhur me intervistën e fundit të Ramiz Alisë për vetëvrasjen e Mehmetit në bisedë me Januz Januzajn, pasqyruar në librin ‘Shqipëria ime’. Thotë se: Me intervistën para vdekjes, Ramizi kërkon të mbulojë krimin e rëndë që s’mund të fshihet. Rideklarimi i Alisë se: ‘Mehmet Shehu u vetëvra pasi nuk duronte kritikat e shokëve, lidhur me fejesën e gabuar të djalit me një të deklasuar’, e ka nxitur vëllain e ish-kryeministrit të shprehë mllefin ndaj tij, që e cilëson ‘Kali i Trojës’. Ai ka qëmtuar gjatë mbi materialet “Top Secret” e tani ka krijuar një ide të qartë për atë që i ndodhi ish-kryeministrit, natën 17 dhjetorit 1981...

A është stabilizuar sot familja juaj?

Tanimë jemi stabilizuar. Vajza e madhe Elvira, me të cilën jetoj, ishte në vitin e parë të Fakultetit të Mjekësisë kur e arrestuan. Pas vitit 1990 ajo i rifilloi studimet dhe u diplomua. U martua dhe shkoi në Kanada. Ndërsa vajza tjetër është e martuar e trashëguar në Gjermani. 

Thatë se vajzën e arrestuan...?

Pas vdekjes së vëllait tim, kosa e hakmarrjes kaloi mbi gjithë familjen tonë. Unë isha i arrestuar, arrestuan dhe vajzën e madhe. Aksioni për të kapur një studente u bë në orën 02.00 të natës në konviktin e mjekësisë. U arrestua dhe vajza e vogël. Na shpërndanë të gjithëve, larg njëri-tjetrit. Më çuan në burgun e Burrelit. Vajza ime e madhe përfundoi në hapje kanalesh në Kosovë të Belshit. Vetëm pas vitit 1990 u ribashkuam.

Si mbijetuat në burgun famëkeq të Burrelit?

Shumë të dënuar lanë kockat aty. Ne ishim 28 persona të cilësuar “armiq të popullit”. Ishte bashkë me mua dhe Muhamet Prodani, Arif Hasko, Gjin Marku, Nesti Nase, Miallaq Ziçishti, Vaskë Gjino, etj. Kishte të dënuar që nuk mbijetuan më shumë se dy muaj. Por komandanti i këtij burgu, Ibrahimi më tha: Duro, në qoftë se do të jetosh bëhu kuzhinier i burgut. Dhe kështu u bëra kuzhinier.

Cili është versioni juaj mbi vdekjen e Mehmet Shehut?

Ai u helmua e pastaj u qëlluar me dy plumba. Në fillim çështja dukej e koklavitur, por kam bërë hetimet e kam pyetur shumë njerëz. Kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin është dhënë nga Enver Hoxha, këmbëzën e ka shkrepur “Jago”, Kadri Hazbiu. Por në marrjen e vendimit ka qenë dhe Ramiz Alia.

A ka dëshmitarë që mund ta vërtetojnë një gjë të tillë?

Dëshmitarë okularë ka pasur. Një pjesë e tyre sot kanë vdekur. Unë nuk dua të them emra konkretë, por alibinë time do ta ngre në bazë të fakteve. Duhet kuptuar një gjë. Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, kam bindjen po t’i pyesësh, mbi këtë çështje do thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dorë njeri pa lejen e Enver Hoxhës. Ky është thelbi i çështjes. 

Sipas jush ishte e pamundur të kishte segmente të tjera?

Kishte norma e as që bëhej fjalë t’i shkelje. Nuk mund të vinte dorë njeri edhe mbi një sekretar byroje të një kooperative të thellë. Sepse nuk të linin normat. Ishin shumë të rrepta e mund të shkoje në plumb për atë punë. E jo të vije, t’i vije dorë Mehmet Shehut që ishte krahu i djathtë i Enver Hoxhës për 40 vjet me radhë. D.m.th, ai që dha urdhrin për ta vrarë ishte mbi të. Dhe ky ishte vetëm Enver Hoxha.

Cila ishte situata në të cilën u dha ky urdhër?

Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu. Urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët. Puna është që ajo filloi që në ‘48-ën. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. 

Cili ishte pozicioni moral e shoqëror i Mehmetit ndaj Enver Hoxhës?

Mehmeti ishte burrë i besës. Ai i kishte dhënë besën Enver Hoxhës se do të luftonte për Shqipërinë sa të kishte frymën gjallë. Tjetër punë është se si Enver Hoxha tradhtoi jo vetëm Mehmetin, por të gjithë shokët më të mirë dhe më atdhetarë të këtij vendi. Turpi i mbetet Enverit. 

Kur e keni takuar për herë të parë Enver Hoxhën?

Enver Hoxha që njihej me pseudonimin “usta Hasani” erdhi në shtëpinë tonë në Çorush. Ne dinim vetëm që ishte shok i Mehmetit. Po ato ditë Mehmeti u nis me një shërbim. Ne ishim shtëpi e madhe, 25 veta në një çati. Mehmeti na mblodhi të gjithëve e na paralajmëroi: “Unë po iki me shërbim. Usta Hasani do të qëndrojë këtu. Po i hyri gjemb në këmbë, dijeni se do t’u pushkatoj të gjithëve me dorën time”. 

Mendoni se ka pasur një plan për likuidimin e Mehmet Shehut?

Plani për likuidimin e tij ishte i vjetër. Enver Hoxha e kishte vënë në shënjestër që në vitin ‘42 kur Mehmeti u kthye nga lufta e Spanjës e filloi luftën në Shqipëri, qysh atë ditë që ia rekomandoi Nako Spiru. Në vitin 1946 ministër i Brendshëm Koçi Xoxe, me porosi të Enver Hoxhës kishte marrë në survejim të rreptë Mehmetin. Fill mbasi vranë Nako Spiron, dënuan edhe Mehmet Shehun, e përjashtuan nga KQ e shkarkuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, duke e izoluar në Çorrush.

Kishit kuptuar se rreth Mehmet Shehut po luhej diçka?

Ishte fundi kur unë mund të kisha ndonjë dyshim. Në tetor ‘81, më dërguan në Vjenë për mjekim, se isha i sëmurë. Në Rinas më përcollën disa ushtarakë të lartë. Po rrinim e bisedonim si shokë. Para se të nisesha se ç’desh të merrja në çantë, kur pashë se kisha harruar çelësin. Hidhet shefi i sigurimit të Aviacionit, që ishte aty: Shoku Duro, e hap unë çantën. E hapi menjëherë se çelësi qe i thjeshtë e çanta ishte si ato të diplomatëve. Të gjithë panë ç’kishte brenda. Po ku ta dija unë që ai erdhi me qëllim nga Sigurimi i Shtetit në Rinas e më hapi çantën. Këtë e kuptova kur më burgosën e hetuesi më pyeste: "Kur shkove në Vjenë, ç’kishe në çantën e diplomatit, ç’i bëre sekretet shtetërore që të dha Mehmeti për t’ia dhënë Brezhnjevit?" 

Si ju pritën nëpunësit e ambasadës tonë në Vjenë?

Situata m’u duk e tensionuar. Më mori në telefon Mehmeti e më pyeti si isha. Nga zëri qe i qetë. Nuk dyshova asgjë. Në ambasadë më flisnin ftohtë. Telefonatën e Mehmetit do ma përmendnin më pas hetuesit. Më 29 nëntor ‘81 ambasada organizoi një pritje me rastin e festave të nëntorit. Po rrija me familjet e ambasadës, kur erdhi një kosovar nja 40 vjeç me mustaqe, e më pyeti: "Si është kryeministri, shoku Mehmet Shehu me shëndet? Mos është sëmurë?" Për fat erdhi aty një nga shokët e ambasadës e biseda u ndërpre. U largova me marifet në dhomën ku flija. Gjumi s’më zinte e mendoja: Të ishte provokim ai takim me kosovarin që më pyeti për shëndetin e Mehmetit?

Nga se ishte nisur ai për të bërë një pyetje të tillë?

Në fillim të Nëntorit në Tiranë ishte mbajtur Kongresi i Partisë dhe siç e kanë parë të gjithë në atë kohë, Mehmeti dukej shumë i mërzitur, pasi siç do të mësohej shumë shpejt, ishte vënë në darë të hekurt nga Enver Hoxha e banda e tij. Atë pamje në Kongres duhej ta kishte parë ai kosovari... 

Mehmeti ishte kundër politikave shoviniste serbe dhe këtë e kishte treguar disa herë. Ndërsa Enver Hoxha e lidhi Shqipërinë me fije të dukshme e të padukshme me Jugosllavinë. Enver Hoxha nuk bëri asgjë pa lejen e Miladin Popoviçit. Të gjitha direktivat vinin nga Beogradi, nga Titua. Të gjithë kuadrot e luftës tonë u vunë në survejim të plotë nga Dushan Mugosha e Popoviçi. 

Takimi me ministrin

“Partia nuk i varros armiqtë si Mehmeti”

“Sapo mora lajmin kërkova takim më Kadri Hazbiun por Veli Llakaj më tha të prisja sa të bisedonte me të. Nuk rrija dot në një vend. Dola në ballkon. Karshi shtëpisë së vjetër të oficerëve, pashë dy civilë jo më shumë se dhjetë metra nga hyrja jonë që qëndronin të ulur mbi një gur. Nuk ishte e zorshme të kuptoje gjithçka... Sigurimin e kisha tek dera. Mbas 40 minutash më merr në telefon Veli Llakaj e më thotë: "Duro, hajde. Shoku Kadri të pret në zyrë". Vajta, i ndjekur nga dy oficerë të sigurimit nja 10-15 hapa pas meje. U desh një orë që të takoja Kadri Hazbiun. Me sa dukej ai kishte biseduar me KQ për këtë takim. Fjala e para që më tha Kadri Hazbiu, pa më dhënë as dorën ishte: “Çfarë do Duro? Pse erdhe?” Më erdhi shumë keq nga ajo pritje e Kadriut, por s’kishja ç’të bëja... Pas pak, Kadriu më thotë tekstualisht: “Po ja, more Duro, Mehmeti (jo shoku Mehmet) vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”. “Më fal që të ndërpres, i thashë Kadri Hazbiut, por unë nuk di asgjë për atë vajzë...” Pasi më tha nja dy fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike, Kadriu më porositi që bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Arshiun dhe Nexhipin, bashkë me gratë të shkoja dhe ta përgjonim Mehmetin tërë natën dhe të nesërmen të shkonim ta varrosnim. “Atje është dhe Fiqreti me djemtë”, më tha... “Partia dhe qeveria nuk i varrosin armiqtë, se puna e Mehmetit mund të jetë armiqësore. Ky është urdhër nga lart”, më tha Kadriu. “Nga kryeministria në varrim do të vijë një mikrobuz me disa veta nga administrata. Kam kaq me ty. Ik tani!”. 

Hazbiu doli nga dhoma e kryeministrit

Kur hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi. Ajo nuk foli por vuri gishtat te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit dhe ai më thotë: "Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe gruaja, Bardha, nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam gjë". Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit. Ajo tha: “Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjez dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S'di ç'të them! Kryeministri u vra...”. E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan... Pyeta Ali Çenon, truprojen kryesore të Mehmetit dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë sipas grafikut të shërbimit isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë... Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë... Po ku ishte vonuar Kadriu? 

“Njerëzit e Sigurimit më larguan nga shtëpia e mortit”

“Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithësej 10 veta dhe 20 e ca oficerë të sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” Jo, më thotë. Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq. Po ta kisha parë plagën e Mehmetit, si ushtarak që isha, mund të kuptoja diçka më shumë, pavarësisht se nuk isha ekspert kriminalist. Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë: “Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde”. I them se unë kam ardhur me urdhër të shokut Kadri Hazbiu. Po, më thotë, por ti je oficer dhe e di se urdhri i dytë e anullon të parin. Ika. Ç’të bëja?! Gruan e lashë atje. Në darkë të asaj nate radioja dhe televizori dhanë lajmin e vetëvrasjes së Mehmetit. Ishte një deklaratë e shkurtër dhe e thatë dhe nuk u shpall ditë zije siç ishte bërë zakon kur vdisnin figura të rëndësishme të shtetit e partisë”.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...