2015-12-20

Mehmet Shehu, komedia pas lajmit të vetëvrasjes





Leonard Veizi

Askush nuk e di me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981. Nata ishte e errën pis, si në film pa ngjyra, bënte ftohtë dhe krismën e mbytur të revolverit nuk e dëgjoi kush. Pak orë më parë, Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike, e cila kishte përcjellë jo pak tension tek ai. Fejesa e djalit, Bashkimit me volejbollisten Silva ishte zhbërë. Por, kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar më kaq.

Rastësi, dobësi për fëmijët, apo prapavija e një pune armiqësore? Djali i kryeministrit komunist me vajzën e Turdinjve të deklasuar? Pikëpyetje vinin njëra pas tjetrës. Shefi i ashpër i qeverisë, i pacënuar deri në atë kohë, kishte zbritur shkallët e Komitetit Qendror i tendosur e plotë nerv, ndërsa në mendje bluante gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë, fundin. Pasi eci pak metra në krah të Enver Hoxhës dhe mori këshillat e rastit, ishte ndarë si hije në terrin që thyhej vetëm nga ca drita neoni të zbehta ndanë rrugës. 

Hyri i pavëmendshëm në vilën nr. 30, të blinduar nga rojat e armatosura e civilët, që nuk i ndaheshin në asnjë hap dhe u ngujua në dhomën e tij të gjumit të ngrohur nga kaldaja. Por ambienti sërish ishte i ftohtë. Në veshë i ushtonin zërat kërcënues të atyre që deri në atë çast ai i kishte konsideruar si shokë ideali, apo i kishte nënvlerësuar me përbuzje. Por zhgënjimi nga ajo mbledhje e gjatë ishte edhe më i madh, kur drejt tij hidheshin akuza, të cilat nuk i ishin bërë të ditura asnjëherë gjatë udhëheqjes së tij 27 vjeçare në krye të kabinetit. Akumulimi i gjatë kishte shpërthyer.

Orteku i kritikave në Byronë Politike qe i ashpër edhe pse propozimi në fund  nuk ishte dhe aq për t’u marrë parasysh.  “Vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit”, nuk ishte fundi i botës, por fati i Mehmet Shehut ishte vendosur që pikërisht këtu, pa e marrë vërejtjen e propozuar, bilanci i tij me jetën të ndërpritej. 

Komenti mediatik 

Kreu i qeverisë komuniste kishte pak orë që kishte ndërruar jetë dhe në dijeni ishin vetëm Byroja Politike e përbërë nga 13 anëtarë. Megjithatë, dukej se problemi nuk ishte shumë tek kuadrot kryesorë, por si do ta prisnin vdekjen e kryeministrit, masat e thjeshtë. Për këtë arsye, dy mjetet kryesore të komunikimit masiv, Televizioni Shqiptar dhe gazeta “Zëri i Popullit”, morën udhëzimet përkatëse. 

Ora 18.00. Në lajmet e para të mbrëmjes folësi i “Tiranës”, Kiço Fotjadhi shfaqet me fytyrë më serioze se netët e tjera. Kronikën kryesore padyshim e zinte vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu, duke dhënë edhe shkaqet. Teksa lexoi komunikatën, Kiço Fotjadhi theksoi “vetëvrasje”, duke vijuar pastaj motivin “pas një krizë nervore”. E gjithë kronika nuk ka zgjatur më shumë se një lajm i zakonshëm ndoshta vetëm 40 sekonda, i cili është pasur menjëherë nga një varg  kronikash që ishin në kuadër të diskutimeve dhe vendimeve të Byrosë Politike që ishin marrë gjatë punimeve të Kongresit të 8-të. 

Lajmet pasqyruan gjithçka kishte të bënte me realizimin e detyrave të planit. Edhe pse në edicionin kryesor të lajmeve, atë të orës 20.00 u prit diçka më tepër për humbjen e kreut të qeverisë komuniste, deklarata zyrtare vazhdonte të ishte e njëjta. Madje, çuditërisht, kur teleshikuesit prisnin ndërprerjen e programeve, dhe futjen e muzikës funebër, në mbrëmje vonë u shfaq një komedi... “Ushtari i mirë Shvejk”. 

19 dhjetor 1981

Ashtu si TVSH-ja, gazeta partiake “Zëri i Popullit” e jep shumë të zbehtë lajmin mbi ndërrimin e jetës së kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Në këtë datë, duke iu referuar arkivit, gazeta jep një njoftim të Komitetit Qendror, të PPSHsë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave të RPSSH-së, në lidhje me “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut. 

Njoftimi zë pjesën e djathtë në faqen e gazetës “ZP”, ku shkruhet: “Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, njoftojnë se natën duke gdhirë data 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”. Në vazhdimësi të nekrologjisë, gazeta bën dhe një jetëshkrim të Mehmet Shehut. 

Asnjë lloj komenti, të asnjërit prej udhëheqësve apo shokëve të tij. Shkrimi nuk kishte autor, nuk kishte detaje për ceremoninë e organizimit dhe mbi të gjitha nuk ngushëllohej familja. Lajmit mbi vdekjen e kryeministrit Shehu i bashkëngjiteshin titujt e tjetër të faqes së parë, si: “Plotësojnë planin dhe përgatiten për fillimin e mbarë të vitit 1982”; “Sukseset kanë krijuar besim të plotë për realizimin e detyrave”; “Arritje dhe perspektiva optimiste”; “Kryejnë me shpejtësi kullimin e ngastrave”; “Ndërtuesit në pararojë”; “Ritme të mira në vjeljen e ullirit dhe mbjelljen e drufrutorëve”. 

Ndërsa në të njëjtën faqe me lajmin e “vetëvrasjes”, pra në faqen e dytë, figuronin këta tituj, që vijon me shkrimet përkatëse: “Masa të mira për dimërimin e bagëtive; Të ngremë ndërgjegjen e rolin e klasës punëtore në nivelin e detyrave të mëdha; Më shumë vezë për furnizimin e tregut; Për të rritur me përparësi rendimentet në zonën fushore...” etj, etj.  

Byroja, “gjyqi” pas vdekjes së Shehut 

Edhe pse Kongresi VIII kishte mbyllur punimet e mendohej se gjithçka kishte përfunduar, Enver Hoxha i kërkon Mehmet Shehut të bëjë autokritikë. “Kam tani një çështje tjetër.

Dëshiroj t`i rekomandoj Mehmetit që autokritikën për gabimin politik që ka bërë, t’a përgatisë sa më parë dhe t’a dorëzojë, që të njihen më të gjithë shokët e Byrosë Politike, të cilët janë vënë në dijeni se Mehmeti ka për të bërë autokritikë me shkrim. Përgatitja e autokritikës do të jetë e mirë për Mehmetin, se do ta shpëtojë nga një ankth që po e mundon... (“Për Partinë”, vëllimi III). 

Shehu përgatiti autokritikën dhe e paraqiti në formën e një projekti paraprak. Por kjo lloj përgjigjeje nuk i kënaqi shokët e Byrosë. Enver Hoxha i kërkoi atij në mbledhjen e jashtëzakonshme të Byrosë Politike, më 17 dhjetor 1981, që të bënte një autokritikë më të thellë e të ndjerë.

Ish- komandanti i Gardës: Mehmeti u vetëvra me “Makarovin” e Zhukovit

Xhafer Peçi, tashmë 88 vjeç, thotë se e kujton mirë se ç’ndodhi ditën kur mori vesh se kryeministri Mehmet Shehu ishte vetëvrarë. Natën e 17 dhjetorit 1981 shërbimet në Bllokun e udhëheqjes vazhdonin normalisht dhe asgjë s’kishte për t’u shqetësuar. Mbledhja e Byrosë Politike kishte përfunduar vonë, por se çfarë ishte diskutuar në të futej në cilësimin “top sekret”. Xhafer Peçi kujton: “Lajmin e vetëvrasjes e mora vesh mëngjesin e 18 dhjetorit. 

Më mori në telefon zv/ministri i Brendshëm, Xhule Çiraku, i cili përgjigjej për Gardën”. Xhafer Peçi thotë se, për sa kishte ndodhur, ai ishte tronditur shumë, sepse me Mehmetin ishin të njohur të vjetër, kishin luftuar së bashku dhe për më tepër kishte marrëdhënie shumë të mira me të. Me makinën e tij shkon urgjent përpara vilës së kryeministrit, ku fillimisht takohet me Kadri Hazbiun, Xhule Çirakun dhe Llambi Ziçishtin, që në atë kohë ishte ministër i Shëndetësisë. Fillimisht Kadriu me Xhulen e porositin që të mos njoftonte asgjë për ngjarjen derisa të sqarohej gjithçka. 

Kujton se gjatë kohës që po priste në oborrin e vilës, pyet shefin e grupit të shoqërimit të kryeministrit, Ali Çenon, se si kishte ndodhur ngjarja dhe nga ai merr këtë përgjigje: “Ne nuk kemi dëgjuar gjë, asnjë krismë, por po presim se çfarë do të na thonë dhe se si ka ndodhur puna”. Në orën 9:30 Ramiz Alia e Kadri Hazbiu u nisën në mbledhjen e Byrosë Politike, e cila kishte filluar që një ditë më parë. “Para ikjes, Kadriu na tha që të forconim shërbimet e të vazhdonte ekspertiza mjekësore-ligjore. Ai ishte shumë i tronditur. Në ato çaste pamë Enver Hoxhën që doli nga vila e tij dhe po shkonte për në mbledhjen e Byrosë Politike. Brenda në vilë, ku ishte kryeministri i vdekur, u futën Llambi Ziçishti me njerëzit e tij. Kur dolën prej andej, ata na thanë se, vetëvrasja kishte ndodhur rreth orës 03:00 të natës”, kujton Xhafer Peçi. Ai thotë gjithashtu se arma me të cilën u vetëvra Mehmeti, ishte një “Makarov”, regjistruar si dhuratë për kryeministrin nga mareshalli Zhukov, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.  

Varrimi 

Në kujtimet e tij, Xhafer Peçi thotë se, nën kujdesin e Kiço Kasapit, sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, u bë varrimi i Mehmet Shehut. Arkivolin me trupin e Kryeministrit e hipën në një “Zuk” të zi, ndërsa pjesëmarrës në ceremoninë e përmortshme ishin vetëm familjarët. Ish-komandanti i Gardës shton se ai vuri në dispozicion 10 nga ushtarët e Gardës. Mehmet Shehu, i cilësuar si “armik i popullit”, nuk kishte vend në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por në varrezat publike të Sharrës. 

 Muho Asllani: Si u kryqëzua Mehmeti në Byro  

Thotë se mbas kongresit 8-të nëntorit të vitit 1981, nga anëtar i KQ-së, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike. Ndërkohë që nga viti 1979 ishte emëruar si ministër shteti e ndihmës i kryesor i kryeministrit Shehu. Por ishte gjithashtu dhe Sekretar i Byrosë së Partisë së Kryeministrisë. 

Duke rikujtuar edhe një herë atë ditë të largët të 32 viteve më parë, Muho Asllani rrëfen: - “Një ditë Mehmeti më thirri, me tha “Muho, kërkoj që të bëhet mbledhja e organizatë së partisë sot pasdite. Dua të bëj autokritike”. Unë mblodha supet. “Ke dëgjuar që djali im është fejuar me një vajzë nga Turditë?”, më pyeti. I thashë nuk e kisha dëgjuar një gjë të tillë. Ai më shpjegoi se djali i tij ishte lidhur me Silva Turdiun, një vajzë me probleme në biografi dhe kërkoi mbledhjen e organizatës që të bënte autokritikë si prind e si komunist. Atëherë i them: “Shoku Mehmet ju jeni anëtar i Byrosë Politike dhe jo një komunist i thjeshtë. Do konsultohem me aparatin KQ, për këtë mbledhje jashtë radhe”. 

Komunikoj në telefon me Simon Stefanin, i cili në atë kohë ishte sekretar i KQ. Simoni tha: Për këtë çështje nesër do të    zhvillohet mbledhja e Byrosë Politike, dhe shpejt do të bëhet i njohur dhe rendi i ditën. Mbledhja filloi në orën 09:00 dhe si gjithmonë e hapi Enver Hoxha. Na bëri të ditur që në fillim se në këtë mbledhje Mehmeti do jepte shpjegimet për fejesën e djalit të tij me një vajzë nga një familje me probleme. Pas Enverit u ngrit Mehmeti, i cili ishte përgatitur me shkrim. Bëri një autokritikë sipas tij shumë të thellë, duke thënë kryesisht: “Nuk jam marrë sa duhet me edukimin e fëmijëve, për t’i përgatitur për jetën dhe që të mos bien në gabime, të mos njollosin figurën e tyre, por dhe timen e të Fiqretit. Por, me sa duket ky është defekt i punës time, pasi jam marrë shumë me punën”. 

U bënë disa pyetje pothuaj nga të gjithë anëtarët, si p.sh: Pse re në gabime? Pse nuk u thellove? Pse nuk kërkove ndihmën e partisë? Etj. Mbasi u dha përgjigje pyetjeve, i pari u ngrit për të diskutuar Simon Stefani. Ai e kritikoi Mehmet Shehun që nuk ka punuar mirë me edukimin e fëmijëve dhe propozoi t’i jepej një vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, sipas statutit të partisë. Mbledhja u shty për të nesërmen”.  

Testamenti i Mehmetit 

Të nesërmen Byroja Politike u mblodh sërish. Enver Hoxha bëri të ditur lajmin se Mehmet Shehu vrau veten e se kishte lënë dhe një letër me porosi që ta hapi vetëm shoku Enver dhe se këtë lajm ai vetë e kishte marrë nga Ramiz Alia. Muho Asllani thotë se Enveri letrën ia dha Ramizit për ta lexuar në Byro. “Pas kësaj tha: “Letrën jepua shokëve ta shikojnë të gjithë”. 

Të them të drejtën unë që kisha punuar dy vjet e gjysmë me Mehmet Shehun dhe çdo ditë kisha punë me shkresat e tij ia njihja mirë shkrimin. Ai ishte origjinal shkrimi i tij. Pasi e pamë letrën Enveri i dha fjalën Hekuran Isait duke i thënë: “Diskuto sipas përgatitjes që ke bërë dje, jo sot pas vdekjes”. Foli Hekurani dhe u shpreh se ishte dakord me propozimin e Simon Stefanit. Pastaj e mori fjalën Enver Hoxha i cili tha: “Do ta bëj diskutimin siç do ta bëja dje, pa e vrarë veten Mehmet Shehu”. Edhe Enveri ishte dakord me atë propozim”. Muho Asllani thotë se janë hedhur shumë hipoteza, hamendje e diskutime, nga shokët, bashkëluftëtarët e familjarë e Mehmet Shehut. “Duke u nisur nga këto rrethana bindja ime është se ai ka vrarë veten. Ishte njeri me kompleksitet të veçantë, njeri që shumë herë nuk kuptohej, sepse e kishte kalitur jeta e koha në shumë fusha. Në bazë të dokumenteve që na u servirën dhe që një pjesë ishin të shërbimeve të huaja, sekrete, për masat që u morën ndaj Mehmet Shehut, u vendos me unanimitet. Flas gjithmonë për ato dokumente që kam parë me sytë e mi në atë kohë”. 

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...