2016-07-27

“Jetimorja” me 16 fshatra

Në pjesën perëndimore të malit të Tomorrit ndodhet një krahinë e tërë. Sup më sup e krahë më krahë me njëri-tjetrin, në mijra vite kanë banuar 16 fshatra, që nga Kapinova e gjer në Qafë- Dardhë, me rreth 1600 familje dhe 6500 banorë. Ç’ka ndodhur e po ndodh në këto 25 vitet tona? Gjashtë prej fshatrave janë shuar. S’ka mbetur frymë njeriu përveç kafshëve të egra, të cilat janë bërë zotër në bodrumet ish-odave dy katëshe, me çati tashmë të shembura. Drejt vdekjes po ecin edhe mëhalla e fshatra të tjerë.
Untitled
Për t’u ngjitur e njohur në këtë krahinë s’është mundim i madh: Lë pas qytetin e Beratit, merr rrugën për të shkuar në Çorovodë, pas 10-12 km, kthen majtas në transhe gropa gropa, të hapura para viteve nëntëdhjetë, tash të lëna keq e më keq dhe gjendesh në dy Bogdanët, (Numër 1 dhe numër 2), në Rabijak e Karkanjos, në Lybesh e Kapinovë, në dy Tomorrët, (Tomorr i madh dhe Tomorr i vogël), në Memijas dhe Qatollar, ndërsa fshatrave Kostreni i madh e Perisnakës, Dardhës e Qaf- Dardhës, nuk u ka mbetur as nami, as nishani.

Çfarë lezete dhe dhurata të tjera i ka falur natyra apo Zoti kësaj zone, e besojnë vetëm ata që kanë punuar atje apo janë ngjitur për miqësi, por edhe për t’u shëruar. Po, edhe për t’u shëruar. Ajri i malit, bulmetrat dhe mishi, frutat dhe pemëtaria, me aromën e trëndelinës dhe barërave të tjerë, ujët e dëborës i kulluar nga rrënjët e pishave e të lajthive kanë bërë punët e veta.

Të sëmurët janë ngjitur me këmbët e botës dhe kanë zbritur me këmbët e veta. Banorët e këtyre fshatrave veçohen për punëdashës, dashamirës, mikpritës, korrektë me shtetin dhe ligjet e tij si askush tjetër. Njëqind për qind e banorëve kanë paguar energjinë elektrike, që kur u ndezën llambat e deri tani. Njëqind për qind e banorëve kanë paguar ujin e pijshëm, njëqind për qind janë paguar tatimet nga ata pak tregtarë por edhe prodhuesit e bujqësisë. S’ka patur dhe s’ka asnjë borxhli ndaj shtetit. Veçori për shumë e shumë krahina e qytete.

Po ç’kanë bërë qeveritë dhe partitë në këto 25 vjet? Zero investime, për rrugët trashe të hapura para viteve ‘90. (Duhet theksuar se rrugët që lidhin njërin fshat me tjetrin nuk janë më tepër se 3,4,5 kilometra). Këto rrugë do të shërbejnë jo vetëm për banorët vendas, por edhe për turistë nga qytete të tjerë pse jo edhe turistë ta huaj. Zero investime për ujitjen e tokave. Përkundrazi janë braktisur edhe ato të ndërtuara. Është turp dhe më keq se turp që në këto 25 vjet, qeveritarë e deputetë as nuk kanë folur, as nuk janë ngjitur të pinë një kafe në dy Tomorrët, por edhe gjetkë, krijohet përshtypja sikur këta banorë janë të internuar, apo kulakë (Përjashto Braçen, kur ishte deputet për ish-komunën Roshnik dhe fshatrat rreth tij). Është vështirë të ngjitesh në këtë krahinë? Aspak. Për Tomorrin ka folur me admirim 500 e ca vite më parë kronikani turk Evliha Çelebi. Ja çka thënë e ka lënë ky kronikan i dëgjuar:

“Djemtë dhe burrat e Tomorrit, janë me trup të gjatë dhe të pashëm, punëtorë, mikpritës dhe trima. Por Zot na ruaj po i zemërove ata”.

Ndërsa në kohët tona, para vitit ‘90, na vjen mirë, s’na vjen mirë, patën shkuar kryeministra, sa e sa ministra e qeveritarë të tjerë, ndërsa deputetët merrnin takim me zgjedhësit në çdo 6-8 muaj. Kushedi se çfarë nuk patën bërë. Por e themi s’e themi, rrugët e hapura pa asfaltuar mbaheshin nga shteti shumë më mirë se tani nga vetë banorët, (jo se nuk duan këta banorë, por s’kanë mjete dhe mundësi). Në ato vite u ndërtuan dy rezervuarë, u hapën kanale, u vendosën elektropompa për ujitjen e tokave, (tashmë edhe ato janë braktisur), merreshin më tepër edhe prodhime, paçka se avullonin e nuk dihej se ku shkonin. Kishte edhe qendra shëndetësore, infermierë e mami 24 në 24 orë. Në çdo fshat kishte vatra kulture plot me libra aq sa, zor se gjenden tani edhe në ndonjë qytet. Duke e lënë jetime këtë zone, duam s’duam krijojmë edhe nostalgji për të kaluarën.

Po përse ka mbetur jetime një krahinë e tërë në këto 25 vjet? Ka plot shkaqe. Këtu po theksojmë vetëm pak prej tyre, por të sakta: Partitë dhe qeveritë kanë gjykuar e vepruar kështu – Djathtarakët: Si të investojmë si të mos investojmë në këtë krahinë, deputetë, komunarët, kryepleq nuk do jenë tanët. Mëngjaroshët: – Si t’i hedhim sytë në këto fshatra, si të mos i hedhim, deputetët e kësaj zone i kemi në parlament, komunarët në komunë, kryepleqtë në fshatra.

Jo vetëm kaq por është krijuar përshtypja se njerëzit e mirë, që janë korrekt me shtetin dhe ligjet e tij, po konsiderohen naivë, të pazotë, po vlerësohen si të njerkës. Ndërsa të fortët, të përkëdhelurit, sherrxhinjtë, hajdutët, qeveritë u janë përgjigjur peqe-lepe. Kështu kanë gjykuar e vepruar, kështu ka ndodhur për shumë vite.

Por tash në këtë zonë jetime të harruar të rrëzës së Tomorrit me banorë të mirë po humbet durimi, po turbullohen edhe ujrat. Po dëgjohet dhe një këngë me plot qesëndira dhe mllefe: – Deputet o deputet,/ erdhë e shkuan sa e sa vjetë/ Ku të kemi e ku na ke,/ Këtu mbi tokë, apo…atje/ Na merr malli të shikojmë,/ Ca premtime t’i kujtojmë./ Eja, eja sa më parë,/ U ngroh moti, është behar/ Se fushata po afron / Zot na ruaj, ç’do të thonë./

A ka shpresa që edhe kjo zonë të trajtohet jo si jetime, pa nënë e baba? Pas investimeve dhe zbukurimeve në qytetin e Beratit (Se edhe ai kishte mbetur si mos më keq), ndoshta i vjen radha edhe zonës së rrëzës së malit të Tomorrit. Ndryshe s’po mban më ujë pilafi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...