Leter e At Pjetër Meshkalles (s.j). drejtuar Kryetarit të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu Tiranë

At Pjeter Meshkalla-1

At Pjeter Meshkalla-1

Shkëlqesë,

 Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli. Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën. Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet. Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit. Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. Krytarit të Kësh. të Ministrave Mehmet Shehu në Kryeministri – Tiranë 5 Prill 1967.

Me nderime Pjetër Meshkalla Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)