2016-07-30

Adem Harxhi: Martesa është si bisha

Intervistë| Adem Harxhi: Martesa është si bisha


Njerëzit janë qenie komplekse dhe të ndërlikuara. Ne të gjithë ndjehemi, mendojmë sillemi dhe kërkojmë ndryshimin, nga dita në ditë. Megjithatë, psikologët, doktorët e hulumtuesit kanë sjellëpërvoja, procese dhe eksperienca të ndryshme, duke trajtuar kështu çështje të ndryshme, në mënyrë që njerëzit të mësojnë e të mos harrojnë qëndrimet e tyre dhe të personalitetit të njeriut, dhe ajo çka i motivon në të përditshmen njerëzore.
Dr. Adem Harxhi pasi ka përfunduar karrierën e tij me sukses në fushën e okulistikës, “në muzgun e jetës”, pasi kishte dalë në pension, siç shprehet edhe vetë dr. Harxhi, filloi të merrej me subjektin e edukatës seksuale, kaq pak të njohur dhe të keqinterpretuar në shoqërinë tonë. Përpos shkrimeve e artikujve studimorë, leksioneve për edukatën seksuale e artin e dashurisë, ka botuar disa libra, siç janë “Seksualiteti dhe seksi”, “Fëmijët duan të dinë për seksin”, “HIV/AIDS dhe të rinjtë”, “ Në sinkron me natyrën”, duke treguar vlerat dhe etikën e shërbimit për njerëzimin dhe dashurinë njerëzore. Duke ndjerë një detyrim moral e shpirtëror për shoqërinë e sotme dhe familjen shqiptare, në veçanti, për edukatën seksuale dhe artin e dashurisë, bëra këtë bisedë, larg drojës me seksologun, dr. Adem Harxhin.

Pse dhe kur vendosët të ndërroni profil nga një mjek okulist prej shumë vitesh në një seksolog?

Shumë njerëz e miq ma kanë bërë këtë pyetje. Por duhet të dini, se arsyet që më cytën mua, “Doktorin e syve”, që në muzgun e jetës, pasi të kisha dalë në pension, të merrem me këtë subjekt kaq pak të njohur dhe në të njëjtën kohë kaq shumë të keqinterpretuar në shoqërinë tonë, janë të shumta. Kush më mirë se unë, mjeku që i kisha plotësuar kërkesat e profesionit për afër dyzet vjet dhe që me punën time e kisha fituar të drejtën të kapërceja kufijtë e një zakoni shtypës, mund ta bënte më mirë këtë punë?. U ndjeva i lirë të them atë që besoj se është e drejtë dhe e domosdoshme. Ndjeva se duhet të flisja e të shkruaja për ç’ka më dukej e vërtetë.

Për shumë vite kisha dhënë leksionet e fiziologjisë dhe anatomisë në Universitet. Asnjë fjalë nuk u thashë studentëve të mi të Universitetit E. Çabej, për fiziologjinë e aktit seksual dhe për mësimet në këtë fushë. Puna ime ishte një kthim borxhi i vonuar, për ata mijra studentë.

Kisha moshën dhe eksperiencën e përshtatshme, për ta kryer këtë detyrë. Kam punuar dhe studiuar në teorinë dhe praktikën e mjekësisë për shumë vite. Me eksperiencën që kisha fituar dhe ndihmën që u kisha ofruar, isha bërë i besuari i shumë të rinjve, burrave dhe grave. Besimi i tyre më frymëzoi që t’ia hyj kësaj pune.

Jam bashkëshorti që ka provuar kënaqësitë e jetës martesore. Jam një burrë mbi shtatëdhjetë e pesë vjeç, që e kam soditur jetën, ashtu siç ajo ka qenë dhe ashtu siç është sot. Një burrë, qe i ka lënë me kohë prapa “marrëzitë e rinisë”, por, që akoma, nuk i ka humbur të gjitha dëshirat.

I mblodha të gjitha këto entitete, për të dhënë kontributin tim në këtë punë. Jam i bindur se këshillat dhe sugjerimet që jap në librat, shkrimet dhe emisionet televizive, i jap me ndjenjën e përgjegjësisë etike dhe shpirtërore. Shpresoj që shumë burra dhe gra edhe nëse nuk do të guxojnë t’i shprehin me zë të lartë falënderimet për këtë punë, ata do ta bëjnë këtë me frymëmarrjen e shpeshtuar në intimitetin e shtratit martesor. Puna ime do ta ketë arritur qëllimin, atëherë, kur për seksin dhe problemet e tij, të mos pëshpëritet, por të flitet hapur.

Shumica e njerëzve janë ndoshta të njohur me termat “terapist” dhe “konsulent” që lidhen me seksin dhe marrëdhëniet seksuale, por ata mund të mos dinë rolin e një “seksologu”. Ç’mund të na thoni rreth këtij roli?

Pavarësisht termave dhe përkufizimeve të mërzitshme, unë zgjodha të bëj punën e edukatorit për problemet seksuale. Zgjodha ta bëj këtë për të gjitha moshat dhe kategoritë. Unë nuk punoj në klinikë ku vinë njerëzit me probleme. Unë shkruaj dhe flas për qindra e mijëra njerëz. Ata që duan më dëgjojnë. Jam i lumtur që numri i tyre është shtuar dhe i kanë ndjerë frytet e kësaj pune. Edukimi masiv është me shumë rëndësi në fushën e seksit. Ajo është më produktive nga puna në një klinikë mjeku, ku janë përballë i sëmuri dhe terapisti i tij.

Në seksualitetin human çfarë ngashënjen apo ngjall më shumë interes?

Nuk ka një aktivitet tjetër njerëzor që të jetë më i kërkuar, më i kënaqshëm më emocional dhe më i shëndetshëm se seksi. Marrëdhënia seksuale është aktiviteti ku kombinohen në nivelin më të lartë kënaqësia fizike me ndijimet psiko-emocionale. Kënaqësia e madhe fizike dhe emocionet e pakrahasueshme pozitive, janë ato që e bëjnë seksin aktivitet të pazëvendësueshëm, për të cilin “vdesin” të gjithë. Në dallim nga kafshët që bëjnë seks vetëm për riprodhim, njerëzit bëjnë seks për riprodhim, për kënaqësi dhe për të forcuar miqësinë dhe dashurinë midis tyre.

Kur fillon tek njerëzit ndjeshmëria seksuale? A është kjo ndjeshmëri biologjike, dëshirë, pasion, kuriozitet, e vetëdijshme, e pavetëdijshme dhe çfarë pasoja pozitive dhe negative ka?

Njerëzit ashtu si dhe gjitarët e tjerë lindin me tre instikte a-instikti i ushqyerjes b- instikti i shumëzimit (seksual) dhe c-instikti i mbrojtjes. Mbi këto tre instikte bazë, ndërtohet dhe zhvillohet i gjithë aktiviteti mendor, ose veprimtaria reflektore e kondicionuar.

Le të jem më i drejtpërdrejtë. Fëmijët lindin me ndjeshmëri seksuale. Të gjitha nënat e kanë vënë re kënaqësinë që ndjejnë bebet kur ato u prekin organet gjenitale. Mjekët Obstetër dhe mamitë kanë parë që disa djem lindin me penis të erektuar. Shumë nëna janë shqetësuara sepse fëmijët e tyre 2-3 vjeçarë të kënaqur fërkojnë gjenitalet duke bërë lëvizje sikur bëjnë seks mbi tapet, ose në anët e kolltukut. Shumë nga këto nëna, të shqetësuara, më kanë thënë se përpiqen t’i largojnë fëmijët nga këto sjellje, por ata nuk shkëputen. Ata nuk duan të largohen nga kënaqësia që marrin nga trupin i tyre. Fëmijët bëjnë mirë, gabim veprojnë prindërit që duan t’i pengojnë. Kjo nuk ka asnjë pasojë të rrezikshme, kjo është krejt fiziologjike dhe si e tillë ndihmon në zhvillimin psiko-emocional të fëmijës. Fëmijët e moshës së pubertet kënaqen seksualisht duke masturbuar, madje ka prej tyre që masturbojnë disa herë në ditë. Masturbacioni është aktivitet i shëndetshëm dhe ai nuk ka asnjë të keqe, kur kryhet në kushte të mira higjienike si tek vajzat dhe tek djemtë.

Në pubertet të rinjtë fillojnë marrëdhëniet seksuale me shokët ose shoqet. Këto marrëdhënie janë të shumëllojshme. Ato ngjajnë me një tren që ndalon në disa stacione. Fillojnë me daljet, puthjet, përkëdheljet, puthjet e thella, masturbacionin reciprok e deri në seksin penetrant vaginal. Të gjitha këto aktivitete janë seksuale. Ato janë të shëndetshme dhe ndikojnë pozitivisht. Por dy të rinj, përpara se të përfshihen në këto aktivitete, duhet të bien dakord se deri ku do të shkojnë. Në cilin stacion do të ndalojnë. Por një gjë duhet të jetë e qartë, të rinjtë nuk duhet të fillojnë aktivitetin seksual vaginal përpara moshës 18-19 vjeç. Pas kësaj moshe gjithkush vendos vetë, por gjithnjë me mirëkuptim të të dy partnerëve. Është e vërtetë që adoleshentët nga pikëpamja fizike, janë të pjekur seksualisht që kur u fillon puberteti, por psiko-emocionalisht ata nuk janë gati të fillojnë marrëdhëniet seksuale që në moshën 13-14-15 vjeç. Seksi vaginal ka disa pasoja që të rinjtë e kësaj moshe nuk mund t’i përballojnë. A e përballon dot një vajzë trembëdhjetë vjeçe të bëhet nënë, kur ajo vetë ka nevojë për nënën e saj që të rritet?. Po një djalë a mund të bëhet baba në moshën 14 vjeç? A i përballojnë dot këta të rinj sëmundjet seksualisht të transmetueshme, që shpesh janë me pasoja të rënda për shëndetin, pa folur për HIV/AIDS që merr jetën? Për të gjitha këto arsye, marrëdhënia seksuale vaginale duhet të fillojë pas moshës 18-19 vjeç. Ata kanë plot mënyra që të kënaqen seksualisht me njëri-tjetrin, madje deri në orgazmë, pa u rrezikuar.

Në blogun tuaj keni një audiencë virtuale me mbi 14 mijë lexues aktivë që ju pyesin pyetje të ndryshme. Si arrin Dr. Harxhi t’u adresohet njerëzve në mosha dhe me probleme të ndryshme, sepse dihet që “Bota rrotullohet rreth seksit”?

Është e vërtetë që në adresën e blogut www.seksologu.com , vinë çdo ditë rreth 20 pyetje. Është jashtë mundësive të mia t’u përgjigjem të gjithëve, por të gjithë marrin shpjegime për pyetjet e tyre. Në këto dy vjet që unë kam hapur blogun më janë drejtuar mijëra pyetje, të cilat më kanë dhënë mundësinë të njoh realisht problemet e jetës seksuale me të cilat përballen njerëzit e moshave dhe kategorive të ndryshme. Blogu, në këtë mënyrë, është bërë një burim i madh informimi për mua. Ne që e përditësojmë dhe ata që e frekuentojnë blogun, e kemi shndërruar atë në një institucion bamirësie. Njerëzit pyesin për problemet e tyre në çdo kohë, në çdo situatë, madje edhe kur sapo përballen me vështirësinë në shtratin martesor dhe marrin nga unë përgjigjen shpejt, lehtë dhe pa asnjë shpërblim. Unë e konsideroj blogun një vend ku unë jap kontributin tim. I vetmi motiv që më shtyn ta mbaj në mënyrën më të mirë të mundshme këtë blog, është dëshira për t’u shërbyer njerëzve, në një fushë të aktivitetit human që është intime, e fshehtë dhe e panjohur mirë.

A keni reagime të ndryshme nga audienca të ndryshme??

Përgjithësisht njerëzit komunikojnë mirë dhe hapur me mua. Ata janë mirënjohës për ndihmën që u jap. Aty këtu ka edhe ndonjë që provokon, ose dëshiron ta degradojë komunikimin, por këto tani janë fare të rralla, e të papërfillshme. Këto ngacmime i kaloj pa u dhënë rëndësi.

A influencon seksi për të mbajtur sa më gjatë një lidhje bashkëshortore?

Martesa është si bisha. Bisha nuk ngopet me mish, martesa nuk ngopet me seks. Studimet tregojnë se në tërësinë e marrëdhënieve martesore e familjare, siç janë fëmijët, puna, ekonomia, kushtet e banimit, karriera,shkollimi i fëmijëve e shumë të tjera, seksi zë rreth 13-15% të tyre. Duket sikur seksi zë një hapësirë të vogël në marrëdhëniet martesore. Por e vërteta është se marrëdhëniet seksuale janë esenciale për martesën dhe familjen. Pa seksin familja dhe martesa nuk qëndrojnë dot. Nuk bëjnë mirë ata që u refuzojnë partnerëve kërkesën për të bërë seks. Këtë sjellje, shumë gra e përdorin për t’u bërë presion burrave, por duhet ta dinë se nuk veprojnë mirë. Kur të shkojnë në dhomën e gjumit çiftet duhet t’i kenë lënë telashet dhe zënkat në dhomën e ndenjes.

Pse tradhtojnë burrat? Apo janë instiktivë? Ku anon më shumë procesi i instinktit te femra apo te mashkulli, dhe anasjelltas, kush është më i ndjeshëm e i vërtetë?

Burrat tradhtojnë për të njëjtat arsye që tradhtojnë edhe gratë. Sipas studimeve përqindja e burrave që tradhtojnë është përafërsisht e barabartë me përqindjen e grave që tradhtojnë. Instikt është seksi jo tradhtia. Tradhtia e burrave ose e grave nuk ka të bëjë me instinktin seksual, ajo ka të bëjë me sjelljen e çdo personi të veçantë dhe formimin e tij. Por në këto sjellje ka edhe diçka të lindur. Ja çfarë shkruan Frojdi për këtë: “Impulsi primitiv i burrave, i shtyn ata për seks me shumë gra të ndryshme e të reja. Ata duan gra të ndryshme, sepse vazhdimisht kanë nevojë për stimulime të reja. I duan të reja, sepse ato duhet të jenë nëna që t’i lindin e ushqejnë fëmijët për sa më shumë vjet.”

Frojdi thotë se “Civilizimi është ndërtuar.. … duke sakrifikuar kënaqësitë e impulseve primitive”. Por, pavarësisht këtyre sakrificave, impulset akoma ekzistojnë. Impulset në disa burra janë më të fuqishme se në disa të tjerë. Burrat më të civilizuar kanë impulse seksuale më të “zbutura” dhe e arrijnë kënaqësinë seksuale me një grua morale që e duan dhe me të cilën ndërtojnë marrëdhënie. Burra të tjerë me impulse primitive dhe me mungesë të vetëvlerësimit, e arrijnë kënaqësinë seksuale intensive vetëm me gra anonime, të cilat i shikojnë si inferiore. Edhe kur shoqëria nuk i stigmatizon prostitutat, këta burra i ndëshkojnë ato si inferiore.

Frojdi e vazhdon argumentin në këtë mënyrë: “Të gjithë burrat, në të vërtetë, kënaqen me seksin anonim me gra ‘të ndaluara’. Atyre u pëlqen një akt seksual i shpejtë. U pëlqen një orgazmë që nuk ka të bëjë me dashurinë, me paralojën e zgjatur seksuale dhe me shqetësimin për të kënaqur seksualisht partneren. U pëlqen një kopulim që është, vetëm, një akt i thjeshtë seksi.”

Për Frojdin, prostitutat “e këqija” ekzistojnë që gratë “e mira” dhe nënat, të shikohen si shtylla që mbajnë virtytin. Pa prostitutat, Madona nuk do të ishte aq e pastër dhe e dëshiruar sa ç’është.

Dr. Harxhi, kur dy njerëz duhen marrëzisht dhe e kanë idhull njëri-tjetrin, pse ndahen? A mos ndoshta ka diçka në marrëdhëniet e tyre seksuale që nuk shkon ….?

Personalisht jam kundër këtyre lloj dashurive romantike. Dashuria romantike sot është vërtetuar plotësisht se është një çrregullim obsesiv-kompulsiv, ose një xanxë, që duhet të mjekohet nga psikiatrit, sepse ndryshe ajo çon në depresione që rezultojnë në pasoja të dëmshme për shëndetin deri në vetë-vrasje. Partneri seksual nuk duhet bërë idhull as hyjni, as ta ngjitim si statujë në piedestal. Unë mendoj se piedestali nuk është pozicioni më i mirë për seks. Po e ngrite në piedestal do të mungojë seksi dhe martesa pa seks nuk mbahet dot. Unë kam takuar një djalë të ri i cili m’u ankua se nuk bënte dot seks të pistë, me gruan e tij të dlirë. A ja vlen kjo, kur bisha martesë kërkon “mish”?