2016-07-29

Adem Harxhi: Gratë kanë “më shumë tru” nga burrat?

Në 1986 kërkuesit zbuluan një ndryshim midis trurit të femrave dhe trurit të meshkujve. Tufa nervore që lidh hemisferën e djathtë me të majtën (Corpus callosum), është më i trashë dhe më i pasur me lidhje nervore tek femrat, nga sa është tek meshkujt. Femrat duket se janë më bilaterale në mendimet e tyre, përfitojnë më shumë nga “intuita” e hemisferës së djathtë dhe po ashtu nga “analitika” e hemisferës së majtë. Disa, këtë veçori anatomo-fiziologjike të trurit të grave, i kanë interpretuar dhe kuptuar si tru superior të grave, kur burrat e kanë trurin vetëm të specializuar për detyrat shkencore dhe teknologjike. Në këtë këndvështrim, gratë kanë më shumë tru nga burrat.

***

Që nga kohët më të vjetra, njerëzit, vazhdimisht, e kanë kuptuar se trupi i tyre është seksual, mashkull ose femër. Por, duke filluar që nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkencëtarët filluan të dyshojnë se edhe truri i njerëzve, gjithashtu, është seksual. Kjo do të thotë se shumë veçori që ne i konsiderojmë mashkullore dhe femërore, i kanë rrënjët e tyre biologjike në tru .

Sot, dihet mirë se truri i njeriut (dhe i gjitarëve të tjerë), është në çdo pjesë të tij seksual, ashtu siç është edhe trupi. Nga pikëpamja anatomike, burrat dhe gratë kanë cirkuite trunore të ndryshme. Pra, origjina e mashkullores dhe femërores, pa përjashtuar as homoseksualët, lidhet me ndërtimin e trurit. Të dhënat dhe faktet shkencore kanë ardhur duke u shtuar. Disa prej pyetjeve më të rëndësishme lidhur me këtë problem, shkenca, pjesërisht u ka dhënë përgjigje.

Në këtë shkrim, përmblodha disa nga faktet shkencore biologjike, të grumbulluara në vite, që tregojnë se meshkujt dhe femrat janë të ndryshëm jo vetëm fizikisht, por edhe psiqikisht. Në këtë artikull jam munduar t’i shmangem polemikës së gjatë e të lodhshme midis atyre që janë kundër ose pro pikëpamjeve seksiste. Faktet biologjike tregojnë: Nënë natyra është vetë seksiste, ne kot merremi me fëmijët e saj!

Le t’u japim që në fillim përgjigje tre pyetjeve:

1

Kur fillojnë të diferencohen cirkuitet seksuale trunore ?

Ky diferencim, kryesisht, fillon në stadin fetal të zhvillimit, pra në kohën kur fëmija është në barkun e nënës. Diferencimi vazhdon edhe në vitet e hershme të jetës dhe përfundon rreth moshës gjashtë vjeç. Kjo është periudha kur truri vazhdon të rritet dhe të krijojë lidhjet neurale.

2

Ku vendosen cirkuitet seksuale në tru?

Kryesisht në hypothalamus. Kjo është struktura trunore ku ndodhen qendrat primare të dëshirës për seks dhe të sjelljes kopulatore. Këto qendra vendosen edhe në amygdalia, zona e trurit që lidhet me agresionin dhe violencën. Më pak ato vendosen në korteksin cerebral, ose “në qendrën e të menduarit” në tru.

Burrat dhe gratë, dukshëm, mendojnë e sillen ndryshe jo vetëm për arsye të kushteve të tyre sociale (siç thonë përkrahësit e lëvizjeve feministe), që është padyshim i rëndësishëm, por edhe për arsye të ndryshimeve në ndërtimin dhe funksionimin e trurit. Këto ndryshime neurale, disa prej të cilave, në një farë shkalle, akoma nuk janë të kuptueshme, qëndrojnë prapa të ashtuquajturave “Mençuri Konvencionale”.

Është e njohur dhe e pranuar gjerësisht metafora e John Gray-it : “Truri i burrave është nga Marsi, truri i grave është nga Afërdita.” Le t’i shtojmë kësaj se, edhe truri i homoseksualëve e ka pikën nga e nis zhvillimin e tij.

3

Cilët faktorë ndikojnë për seksualizimin e trurit të fetusit?

Përveç kromozomeve X dhe Y, që fëmija i trashëgon nga nëna dhe babai, hormonet që influencojnë në seksualizmin e fëmijës, vijnë nga trupi i nënës dhe nga kimikatet në ambient. Kjo “supë kimike” e përmbyt fetusin dhe e detyron të zhvillohet në këtë banjë hormonale. Kjo i shton fëmijës “erëzat” dhe ndikon në lidhjet e shumta trunore që po formohen. Teoritë moderne, lidhur me gjininë bazohen në kërkimet shkencore që filluan në Gjermani që në vitin 1849 dhe që vazhdojnë akoma edhe sot. Shumë punime janë bërë me kohë tek kafshët, por kohët e fundit shkencëtarët po studiojnë cirkuitet seksuale të trurit të njeriut.

KURIOZITET

Gjelat e tredhur (kastruar), viti 1849

Lidhja e parë midis hormoneve seksuale dhe sjelljes, u tregua në Gjermani nga Arnold Bertholdi. Ai trodhi (kastroi) gjashtë gjela agresivë. Pas kësaj, ata nuk luftuan më me njëri-tjetrin. Ata humbën edhe interesin për pulat. Më vonë, Bertholdi transplantoi testikuj të gjelave të tjerë në kavitetin abdominal të gjelave të tredhur. Vuri re se gjelat përsëri filluan të luftojnë dhe përsëri filluan t’ua “kërcejnë” pulave.

Bertholdi konkludoi: Testikujt e transplantuar krijuan lidhje jo nëpërmjet sistemit nervor të gjelave, por nëpërmjet sistemit të tyre qarkullues. Ai supozoi se influenca erdhi nga një substancë në gjak, të cilën ai e identifikoi si një “hormon”, që ne sot e quajmë – testosteroni.