2016-07-29

Nga Dr. Adem Harxhi : Kurimi i një biznesmeni. Këshilla për 50-vjeçarët




Në qoftë se mendja u shkon shpesh për të bërë seks, ju, (të lumtur!), duhet të dini, se kjo është, tamam, ajo që duhet të bëni. Kur u shkon mendja të bëni seks, ju indirekt mendoni për shëndetin tuaj dhe pa asnjë dyshim, është një gjë e mirë.

Edhe pse ju nuk e dini këtë, sepse nuk ua kanë thënë, seksi i mirë e kënaqshëm kërkon që shumë pjesë të trupit tuaj të funksionojnë mirë. Kur bie dëshira për seks, ose kur seksi nuk ju kënaq, kjo do të thotë se edhe shëndeti juaj nuk është shumë i mirë. Këtë që sapo u thashë, u lutem ta kuptoni edhe në këtë mënyrë: Organi ynë mashkullor është “termometri” që tregon për shëndetin tonë të përgjithshëm.

“Termometri” i Gjergjit (le ta quaj kështu një nga pacientët e mi), nuk “po bindej” më si më parë, kur Gjergji më takoi mua para katër vjetëve, në verë të vitit 2007. Ai ishte në atë kohë 56 vjeç. Gjergji ishte një biznesmen i suksesshëm. Ai e konsideronte veten perfeksionist. Deri para se t’i shfaqej kjo vështirësi (pamundësi për ereksion), ai mendonte se nuk i mungonte gjë, në jetën dhe shëndetin e tij.

Ja historia e Gjergjit.

“Ngrihem në mëngjes çdo ditë në orën gjashtë. Punoj 70-80 orë në javë, pa asnjë problem. Përjashto shqetësimet me forcimin e penisit, unë ndihem fare mirë”. Ai vazhdoi të më tregojë se impotenca po i bëhej gjithnjë e më e shpeshtë dhe më e rëndë. Ka qenë tek një doktor urolog, i cili i dha një PDE 5-inhibitor (Viagra), por ajo nuk e ndihmoi shumë. Doktori pastaj i dha mjekime të tjera, Levitra, Cialis, por rezultatet vazhdonin të ishin të paqëndrueshme.

“Jam vetëm 56 vjeç. Nuk dua të përdor barna për gjithë jetën time, edhe sikur të më bëjnë mirë”. Gjergji më shikonte direkt në sy. Frustrimi dhe turpi dukeshin qartë në sytë e tij. “Pse dreqin vuaj unë nga impotenca, doktor?”

Dhe vërtet, pse?

Fillova të shikoj numrat e Gjergjit: Ai ishte 1.76 m i gjatë dhe 120 kilogram i rëndë. Perimetri i barkut mbi 100 cm. Nuk bënte ushtrime të rregullta gjimnastikore, konsumonte alkool në sasi të konsiderueshme dhe tymoste çdo ditë një paketë e gjysmë me cigare. Analizat diagnostike treguan se Gjergji ishte një shembull perfekt, ashtu siç janë edhe shumë burra të tjerë, që vuajnë nga ajo që quhet çrregullimi metabolik, ose sindromi X.

Cholesteroli total ishte mbi normë 245. LDL e lartë 159 dhe HDL e ulët 29. Trigliceridet ishin shumë mbi shifrën e pranueshme 280. Tensioni i gjakut ishte në kufi 145/90 mm Hg. Glukoza në gjak esëll ishte normale, diabeti nuk ishte akoma shqetësim. Veç treguesve që tregonin për sindromin anormal metabolik, ai kishte pakësim të fluksit të gjakut në penis, që e zbuloi ekzaminimi me ultratinguj duplex Doppler. Pakësimi i fluksit të gjakut në penis dhe sindroma anormale metabolike nuk ishin koincidencë, nuk ishin rastësi. Që këtu buronte problemi i vërtetë i Gjergjit, jo vetëm, i organit të tij të fishkur.

Ju mund të çuditeni, por kjo është e thjeshtë. Sindroma, nga e cila vuante Gjergji është, tipikisht, e heshtur. Simptomat e tij duan vite që të shfaqen. Rënia e shëndetit është kaq e ngadalshme dhe çdo shtresë dhjamore që shtohet është aq e hollë, saqë shumë nga ne që janë aq shumë të i zënë me jetën e tyre perfekte, siç ishte Gjergji, nuk e dallojnë dot.

Por Gjergji nuk mund ta injoronte atë që i thoshte termometri i tij.

Siç e dini, për të kryer një akt seksual, duhet të ndodhin shumë gjëra në një periudhë të shkurtër… Siç e kam theksuar, vazhdimisht, në shkrimet e mia të mëparshme në “Shekulli” dhe në emisionet e mia televizive, janë pesë faza fiziologjike komplekse, që duhet të vijnë njëra pas tjetrës, derisa të arrihet ereksioni i plotë i penisit. Këto faza janë: dëshira për seks, faza e eksitacionit, faza e platesë, faza e pikut ose acme dhe faza e rezolucionit. Unë, ashtu si edhe ju, e di mirë se burrat dhe gratë, zakonisht nuk dëshirojnë të mendojnë për këto “budallallëqe” klinike kur angazhohen në aktivitet seksual. Ne duam thjesht të arrijmë ereksion sa më të fortë dhe që të zgjasë sa më gjatë. Por, duhet të dini, se duhet të ndodhë diçka fiziologjikisht në trupin tuaj, që ju të angazhoheni në seks dhe të kënaqeni me të, më vonë.

Po qe se keni probleme me performancën seksuale, ju keni disa opsione midis të cilave duhet të zgjidhni: Ju mund ta injoroni problemin dhe të vuani konsekuenca më të rënda më vonë; ju mund ta zgjidhni problemin tani për tani dhe më vonë të keni probleme më të mëdha; ose ju do të dëshironi t’i shkoni problemit tek rrënja dhe ta rregulloni atë në mënyrë permanente.

Atëherë, çfarë bëra unë me problemin e Gjergjit?

I shpjegova se në rastin e tij, përfshihen më shumë gjëra se vetëm impotenca. Ai ishte një “bombë lëvizëse me sahat”, për atak në zemër ose në tru, padyshim, në të ardhmen. I thashë se po dëshiron të ketë përsëri ereksione të mira, ai duhet të bëjë gjithçka që ta rifitojë shëndetin. Dhe po qe se ai dëshiron që unë ta ndihmoj, e para afre, ai duhet të heqë dorë nga duhani përpara se të fillojmë. Ky ishte momenti për të thënë të vërtetat, të cilat unë ia thashë që në fillim.

Pas hezitimit për një minutë torturuese, ai e lëshoi paketën e cigareve në tavolinën time dhe më pyeti: “Po më pas?”

Gjergjit i dhashë një dietë të përshtatshme dhe një regjim ushtrimesh që të humbasë peshë dhe të përmirësonte funksionin e sistemit kardiovaskular. E kufizuam mjaft përdorimin e alkoolit në një gotë të vogël pije, ose një gotë verë jo më shumë se dy herë në javë. I thashë se nuk është e lehtë ta bësh këtë, por po qe se e lë duhanin dhe ndjek porositë e mia, me siguri, nuk do të kalojë shumë kohë dhe ai do të provojë rezultate pozitive.

Unë e pashë përsëri Gjergjin në verën e vitit 2008. Ai kishte humbur rreth 25 kilogram dhe e kishte ndryshuar kiminë e gjakut në mënyrë të dukshme. Në kohën e kontrollit në vjeshtë pesha trupore kishte rënë në rreth 100 kilogram dhe testet e gjakut ishin në nivel të pranueshëm, “Tani mundem të bëj seks gjysmën e herëve pa ndonjë mjekim nga goja, gjysmën e herëve me përdorim të suksesshëm të Cialis”, – më tha ai . Pra, në më pak se një vit, impotenca që e kish plagosur Gjergjin për 4 vjet, ishte në rrugën e riparimit të plotë. Gjergji e mori përgjigjen e pyetjes së tij se pse ai vuante nga impotenca. Ai kuptoi se zgjidhja nuk ishin ato pilulat e vogla që i kishin rekomanduar, por përkushtimi i tij i madh për shëndetin e tij të përgjithshëm.

Mosforcimi i penisit është shenja e parë kur shëndeti fillon të prishet. Për të arritur ereksionin e dëshiruar nuk mjafton një partnere seksi, duhen edhe disa “partnerë” të tjerë. Ata janë:

1. Tru i shëndetshëm

2. Nerva të forta

3. Zemër e shëndetshme

4. Arterie të pastra

5. Vena funksionale

6. Hormoni Testosteron

7. Acidi Nitric.

Këto të gjitha nuk do të mungojnë, kur trupi juaj do të jetë i shëndetshëm