Të shkruaj nga Tirana. Siç e di, kam disa ditë që ndodhem këtu dhe çudirat janë pafund në vendin tonë të dashur. Do të të shkruaj për një çudi që ka lidhje me profesionin që unë i kushtova gjithë jetën dhe që ti sapo e ke filluar. Në Shqipëri ka diçka që nuk e gjen në asnjë vend të botës, këtu ka një “pazar” të madh doktorësh.
Jam i befasuar nga reklama e shfrenuar që u bëhet në radio, televizion, në gazeta, në internet, shumë kirurgëve të spitaleve të huaja që janë hapur në Shqipëri pa kursim. Nuk e di dhe nuk më intereson leverdia që kanë këto spitale në Shqipëri, ku popullata është e vogël dhe e varfër. Sigurisht, kjo është çështje e tyre, mua më intereson dhe më shqetëson ana mjekësore në këtë reklamë të shfrenuar. Kam parë e dëgjuar doktorë gjermanë, turq, italianë, shqiptarë që dalin e flasin se, unë bëj këtë dhe atë operacion me rezultate perfekte, për të gjitha rastet e operuara. Dëgjon e shikon reklama që thonë se filan doktor në spitalin gjerman bën këtë operacion në perfeksion, një doktor tjetër në spitalin amerikan bën një tjetër mrekulli , ndërsa, njëri në atë italianin të zbukuron dhe të ndryshon krejt lukun.
Jetoj në New York, dhe kam vizituar shumë vende të Amerikës dhe Botës, por reklamë të tillë nuk e kam parë gjëkundi. Në qoftë se këta kolegët tanë të huaj e kanë parë diku këtë “pazar” doktorësh si në Tiranë, ose në vendet nga vijnë, unë u lutem të më shkruajnë në këtë gazetë. Unë besoj se këtë reklamë që i nxjerr doktorët në pazar për t’u shitur, e bëjnë administratat e këtyre spitaleve dhe redaksitë e gazetave e televizioneve që fitojnë nga reklama në kurriz të mjekëve që i kanë nxjerrë në treg për shitje. Një mjek, veçanërisht, një kirurg i pjekur, këtë vetë reklamim nuk mund ta bëjë kurrë.
Si mjek dhe kolegu i tyre më i vjetër u them se, “perfeksioni që mundoheni të shisni, në mjekësi, është armiku i të mirës” . Pse? Sepse asgjë nga ato që bëhen në kirurgji nuk është perfekte. Çdo gjë në kirurgji është një kompromis. Shkencërisht pranohet, se po qe se arrin tetëdhjetë përqind të normales pas kirurgjisë, kjo konsiderohet e mirë. Si pacient, e them sinqerisht, se, edhe atëherë kur kam shpresuar për rezultat 100% (ashtu si shumë pacientë të tjerë) dhe prisja të restaurohesha në konditat që isha para sëmundjes, kjo në shumicën e rasteve nuk ka qenë e mundur. Një kirurg i pjekur, nuk parashikon një rezultat të caktuar për një pacient të caktuar, sepse rezultati nuk varet vetëm nga kirurgu, por edhe nga pacienti e shumë faktorë të tjerë.
Doktori duhet të jetë i çiltër, i ndershëm, i sinqertë dhe të mos vizatojë gjithnjë skenarë rozë. Që të veprojë kështu, doktori duhet të zotërojë një shkallë ndershmërie jo të zakonshme. Kjo është e jashtëzakonshme, pikërisht sepse kërkon një shfryrje të konsiderueshme të egos së doktorit, që tek këta doktorë që kanë dalë të shiten në pazar është me tepri.
Ekziston një kontrast i madh që duhet dalluar mirë, midis egos së shëndetshme dhe egos së pashëndetshme të doktorit.
Ego e shëndetshme, është e domosdoshme për të vënë thikën në mishin e një tjetri. Kjo rrit besimin në aftësitë e tua për të marrë vendime të drejta në sallën e operacionit dhe të lejon të punosh me shpejtësi për të kryer detyrën. Ego e pashëndetshme, është ajo që e imagjinon skalpelin (thika e kirurgut) si një shkop magjik, që rigjeneron në mënyrë perfekte pjesën e trupit që pritet, kështu siç pretendojnë doktorët në pazarin tonë. E di që ndershmëria, fatkeqësisht, nuk shpërblehet në shoqërinë e sotme shqiptare, ndaj pacientët dalin në “pazar” dhe kërkojnë të psonisin për doktorin.
Disa doktorë janë gati ta shesin veten sipas parimit: Shitesh më kollaj, kur e prezanton punën tënde si më të mirën. Kjo ngjan sikur shet një automobil luksi që navigon pa gabime në kthesat e forta dhe i ndërron marshet pa u vënë re. Por dora e dhimbsur e kirurgut, është një automobil i vjetër dhe vetëm kaq mund të vlejë në treg. Ajo kurrë nuk do të shitet si një Ferrari apo Lexus i ri.
Tani, natën e mirë.