Nga Laura KONDA: Jugosllavia, një mozaik drejt shpërbërjes (viti 1991)

2011322
Për vite me radhë është folur për “krizën jugosllave” në aspektin etnik. Gjatë viteve të sundimit të Sllobodan Millosheviçit, mbrojtës i tezës “nacionaliste serbe”: “Një Serbi e fortë është një Jugosllavi e fortë”, kriza jugosllave filloi të marrë përmasa galopante, veçanërisht këta dy vitet e fundit, me krizën e sistemit socialist dhe me klimën e përgjithshme demokratike që ka përfshirë mbarë Europën, vendosjen e sistemit të pluralizmit politik në një varg vendesh ish-socialiste, përfshirë dhe Jugosllavinë.

Pluralizmi politik u lejua për herë të parë në Jugosllavi në janar të vitit 1990. Me këtë evenimet filluan t’i lëkunden pozitat në fushën politike nacionalistëve serb. Le t’i referohemi disa faktorëve historikë që gradualisht sollën momentet aktuale: Në zgjedhjet që u zhvilluan në muajt prill-maj të vitit 1990 në Slloveni dhe Kroaci, komunistët humbën dhe pushtetin e morën nacionalistët (në 2 korrik 1990). Sllovenia deklaroi të drejtën e saj për pavarësi. Ndërkohë deputetët shqiptarë të Kosovës adaptuan një deklaratë të pavarësisë nga Serbia, së cilës Serbia iu përgjigj me shpërndarje të parlamentit dhe qeverisë së Kosovës, si dhe me mbylljen e emisioneve në gjuhën shqipe. Më 28 shtator 1990 iu hoq autonomia e krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës, ndërkohë që Kuvendi i Kaçanikut shpalli Republikën e Kosovës që nuk u njoh nga Serbia…

Pas shumë përpjekjesh të popullit slloven dhe atij kroat, më 25 qershor 1991 u shpall pavarësia e këtyre dy republikave. Me këtë rast, presidenti kroat Franjo Tuxhman deklaroi: “Ne nuk mundemi më të jetojmë në një shtet ku shprehet një urrejtje patologjike kundër gjithçkaje që është autentike kroate, në një shtet ku ne konfrontohemi me kërcënimet e përsëritura për përdorimin e forcës dhe terrorizmit”. Gjithashtu, ai iu referua faktit se Serbia refuzoi zgjedhjen në krye të presidencës jugosllave të një kandidati kroat, akt ky që sipas tij shpreh dhe konfirmon edhe një herë atë që Kroacia ka qenë gjithmonë në një situatë inferiore dhe të pabarabartë në federatë.

Deklarata e Franjo Tuxhman është një pretencë e vërtetë kundër Jogosllavisë së djeshme dhe qeverisë së saj, qeveri e cila refuzon të shohë të vërtetën në sy, refuzon të shohë krizën jugosllave, jo vetëm si krizë që ka të bëjë jo vetëm me sistemin socialist, por para së gjithash një krizë e marrëdhënieve midis kombësive brenda republikave. Një kundërshtim me pikëpamjet e Perëndimit që shpërbërjen e Jugosllavisë e shohin si destabilitet të Europës. Tuxhman theksoi se “Jugosllavia nuk ka qenë asnjëherë faktor stabiliteti”. Për këtë të vërtetë dëshmon vetë historia e këtij shteti të krijuar, siç dihet artificialisht në vitin 1918 e që artificialisht ka mbijetuar gjatë këtyre 70 e ca viteve.

Le të rikthehemi tek ngjarja e ditës: shpallja e pavarësisë së dy republikave, asaj sllovene dhe asaj kroate. Pa arritur mirë të vlerësohet evenimenti nga diplomacia evropiane dhe amerikane, ngjarjet papritur morën drejtim tjetër: forcat ushtarake jugosllave të prirura nga idetë nacionaliste të serbomëdhenjve nuk mund të aprovonin kurrë këtë fakt: shpalljen e pavarësisë së dy republikave, prandaj hynë brutalisht në Slloveni ku shpërthyen konfliktin e armatosur që pati viktimat e tij në njerëz. Por ndërsa krimi kundër Sllovenisë dha sinjalet e para të luftës civile në vend, terrorin e vërtetë, me sa duket serbomëdhenjtë synojnë ta kryejnë në Kosovë, për të shtypur kështu kërkesat e drejta të shqiptarëve.

Padrejtësitë ndaj kroatëve të deklaruara nga Tuxhmani, s’janë shumë përpara politikës historikisht terroriste të ushtruar nga serbët e Kosovës, sidomos këta dhjetë vitet e fundit. Edhe në këtë situatë mjaft kritike për fatet e Federatës Jugosllave, përsëri serbët aspirojnë të derdhet gjak shqiptar për të flijuar përsëri ata më të flijuarit e atij bashkimi kombëtar për t’i dhënë mësim edhe të tjerëve e për t’i vënë kështu kapak konflikteve nacionale që siç shihet tashmë s’ka zot t’i qetësojë.

Serbia ndërmerr masa agresive ndaj Kosovës, siç ishte mbyllja e mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, duke e kërcënuar hapur atë dhe duke i bërë shantazh për të mos e lejuar të kërkojë të drejtat legjitime të popullsisë shqiptare në Kosovë, siç është njohja e Kosovës-Republikë. Por qoftë kërcënimet, qoftë masakrat nuk mund të pengojnë frymën e re të demokracisë e të lirisë që ka përfshirë Evropën, ndonëse Jugosllavia ishte e fundit në këtë drejtim. Në kushtet e një atentati të ri që rrezikohet t’i bëhet demokracisë evropiane, siç është rreziku i gjakderdhjes në Kosovë dhe fillimi i luftës civile në Jugosllavi, është së pari detyra e ne shqiptarëve dhe e shteteve evropiane që të mos e lejojnë të ndodhë një gjë e tillë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)