Ishac Diwan
Të fajësosh kulturën lokale, të cilën shoqëritë e trashëgojnë, nuk është konstruktive. Ta pranosh se regjimet autokrate me qëllim neutralizojnë potencialin modernizues të arsimimit, për hir të mbijetesës së tyre, paraqet një rrugë përpara. Fatkeqësisht, për botën arabe rruga është shumë e ngushtë
Diskursi rreth arsimimit në botën arabe shumë rrallë është fokusuar tek roli i shkollimit në ndryshimin e zakoneve sociale dhe politike. Është kjo një fatkeqësi, pasi që qytetarët e arsimuar të shteteve arabe mesatarisht kanë prirje të jenë shumë më pak të emancipuar politikisht dhe në aspektin social, sesa njerëzit e tjerë, në pjesët e tjera të botës. Nëse shoqëritë arabe duan që të bëhen më të hapura dhe më dinamike në aspektin ekonomik, sistemet e tyre të arsimimit do të duhej të mbështesnin dhe të promovonin vlerat në pajtim me atë qëllim.
Ky hendek pasqyrohet në Sondazhin për Vlerat Botërore (WVS), një sondazh që bëhet në mbarë botën, i cili mundëson krahasimin e një game të gjerë vlerash në shtetet e ndryshme. Rishtazi, WVS ka bërë sondazh në 12 shtete arabe – Jordani, Egjipt, Palestinë, Liban, Irak, Marok, Algjeri, Tunizi, Katar, Jemen, Kuvajt dhe Libi – duke tërhequr paralele me 47 shtete joarabe. Rezultatet na mundësojnë që për herë të parë të krahasojmë banorët e një pjese të konsiderueshme të botës arabe me qytetarët e vendeve të tjera.
WVS mat katër vlera politike dhe sociale: mbështetja për demokracinë, gatishmëria për angazhim qytetar, dëgjueshmëria para autoritetit dhe përkrahja për vlerat patriarkale, që bazohen në diskriminimin ndaj grave. Derisa një shtet bëhet më i pasur, më i arsimuar dhe më i hapur politikisht, mbështetja për demokracinë dhe gatishmëria për angazhim qytetar rritet, teksa dëgjueshmëria ndaj autoritetit dhe përkrahja për vlerat patriarkale bien.
Të dhënat megjithatë zbulojnë se shtetet arabe qëndrojnë prapa shteteve me nivele të ngjashme të zhvillimit. Arabët kanë një preferencë më të ulët për demokracinë (me një hendek prej 11 për qind), janë më pak aktivë në qytetari (një hendek prej 8 për qind), respektojnë autoritetin më shumë (për 11 për qind) dhe mbështesin vlerat patriarkale më fuqimisht (për 30 për qind).
Dy karakteristika të botës arabe mund ta sqarojnë këtë gjë: popullsia me shumicë myslimane dhe qeveritë autokratike që kanë drejtuar pjesën më të madhe të rajonit gjatë 50 vjetëve të kaluar.
Sipas WVS-së, religjioziteti nuk e promovon në të vërtetë konservatizimin, si më shtetet arabe, ashtu edhe në pjesën tjetër të botës. Megjithatë, duke pasur parasysh se religjioziteti tek arabët është dyfish më i madh se të tjerët, ky faktor mund ta sqarojë pjesërisht konservatizimin e rajonit. Por, ajo që është më interesante është roli të cilin e luan arsimi – apo nuk e luan – në promovimin e hapjes sociale dhe politike në botën arabe.
Dallimet më të mëdha midis shteteve arabe dhe pjesës tjetër të botës mund të shihen tek të arsimuarit. Ta marrim parasysh preferencën për demokracinë. Në atë aspekt hendeku midis arabëve dhe joarabëve me diplomë universitare është 14 për qind, derisa hendeku midis atyre me shkollim të mesëm është vetëm pesë për qind. Po ashtu, rezultate të ngjashme mund të shihen tek tri vlerat tjera. Arsimimi duket se ka efekt më të dobët tek vlerat sociale në shtetet arabe sesa gjetkë – për një faktor prej rreth tre.
Rrjedhimisht, ata që synojnë të nxisin hapjen në botën arabe nuk duhet të përqendrohen tek impakti i islamit, por tek arsimimi i banorëve të rajonit. Në të vërtetë, një sqarim i mundshëm i hendekut të vërejtur tek vlerat sociale është se arsimimi po përdoret qëllimisht si mjet i indoktrinimit, me qëllim të konsolidimit të qeverive autokratike.
Në të vërtetë, me përhapjen e arsimimit në vitet gjashtëdhjetë, arsimimi në botën arabe u vu në shërbim të projekteve nacionaliste. Pastaj, në vitet shtatëdhjetë, pasi që shtytjet shtetërore për modernizim kishin dështuar dhe qeveritë kishin nisur të bëheshin gjithnjë e më represive, politikat e arsimimit u fuzionuan me vlera konservatore, fetare – fillimisht për të luftuar grupet opozitare majtiste e pastaj për t’iu bërë ballë grupeve islame në terrenin e tyre.
Një rishikim i literaturës pedagogjike të sistemeve arsimore të rajonit zbulon përmasat se sa janë dizajnuar ato për indoktrinim. Pjesa më e madhe e teksteve karakterizohen për mësim përmendësh, nuk stimulohen kapacitetet analitike, derisa ka fokus të ekzagjeruar mbi temat dhe vlerat fetare. Këto gjëra synojnë për promovimin e dëgjueshmërisë dhe nuk nxisin kontestimin e autoritetit.
Mund të duket paradoks se regjimet shekullare ishin përgjegjëse për arsimimin islamizues. Por, ka kuptim të quhet përpjekje për eksploatimin e karakteristikave lokale kulturore për përforcimin e përpjekjes së indoktrinimit (si ka ndodhur në Kinë).
Të fajësosh kulturën lokale, të cilën shoqëritë e trashëgojnë, nuk është konstruktive. Ta pranosh se regjimet autokrate me qëllim neutralizojnë potencialin modernizues të arsimimit, për hir të mbijetesës së tyre, paraqet një rrugë përpara.
Fatkeqësisht, për botën arabe rruga është shumë e ngushtë. Elitat nuk janë të gatshme që ta reformojnë arsimin nëse një gjë e tillë e rrezikon mbijetesën e tyre. Aktivistët e shoqërisë civile do të duhej të luftonin për të ndryshuar vlerat mbi të cilat bazohen sistemet e tyre të arsimit, duke inkurajuar angazhimin qytetar, duke theksuar parimet demokratike, duke mbështetur barazinë gjinore, si dhe duke promovuar diversitetin dhe pluralizmin. Vetëm kur këto vlera të zënë rrënjë në çdo shkollë, ato do të bëhen mjaft të fuqishme, sa për ta ndërruar kursin e shoqërive arabe.
(Autori është bashkëpunëtor në Nismën për Lindje të Mesme të Qendrës Belfer në Universitetin e Harvardit dhe “Chaire d’Excellence Monde Arabe” në “Paris Sciences et Lettres”. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”)