2016-07-20

Shkolla jonë është laike dhe duhet ta ruajë karakterin e saj laik

Entela Binjaku
Entela Binjaku

Shkolla është institucioni kryesor që merret me edukimin e shoqërisë. Një shoqëri e edukuar ka më shumë ndërgjegje për vetveten, ka më shumë mundësi të ngrihet mbi “status-quo”-n dhe të kryejë ndryshime. Ideja e përfshirjes së fesë në shkollë te opinioni erdhi në një kohë kur, shkolla ka shumë probleme, kur, falë medies, opinioni mëson për mësues që dalin dobët në testime, kur nga BB mësoi për ekzistencën e 15-vjeçarëve analfabetë funksionalë, kur nga AKP mësojnë për 40% të nxënësve në fillore analfabetë.

Kjo ide vjen në kushtet kur shoqëria mëson se disa njerëz në emër të fesë rekrutojnë mendje të brishta për qëllime antinjerëzore, në kushtet kur BB pohon se mbi 45 % është në varfëri dhe si e tillë dogma depërton më thjeshtë dhe mundësia e manipulimit është më e madhe, e në këto kushte natyrisht që opinioni shqetësohet për idenë e përfshirjes së fesë në shkollë. Aq me tepër kjo ide vjen në kushtet kur programi i nxënësve nëpër shkollat tona është i ngarkuar, kur në mjaft raste njohuritë janë mjaft të shpërndara, hera-herës të thjeshtuara në një nivel që stimulojnë të menduarin e përciptë; kur nxënësit vetë ndihen të pa stabilizuar, me prindërit që nuk këshillohen ose flasin gjithmonë e më pak, në kushtet kur prindërit nuk kanë kohë, janë ose në punë ose nuk dinë as vetë, në kushtet kur shumica e mësuesve dhe prindërve janë po ashtu të brumosur në laicizëm dhe nuk i besojnë as vetë ato ide me të cilat duhet të bindin fëmijët. Pra në këtë atmosferë vjen kjo ide, e cila krijon pasiguri dhe duhet mirëkuptuar.

Shkolla jonë është laike dhe duhet ta ruajë karakterin e saj laik! Përfshirja e fesë në kurrikulën e shkollës sonë duhet të qëndrojë në nivelet e përcjelljes së njohurive mbi fetë, të historikut të besimeve, të cilat sidoqoftë janë përcjellë deri sot në një nivel të caktuar, nga tekstet e historisë. Aktualisht ne po shohim sesi shteti po u njeh pronat besimeve fetare, po flitet çdo e ditë më hapur për persekucionin e klerit, vizita e klerit më të lartë katolik në vend bëri që fotot e klerikëve të persekutuar t’i prezantoheshin gjerësisht opinionit, fëmijët shqiptarë duhet të njohin historikun e besimeve, si ka lindur, si ka qenë feja ne feudalizëm, në ish- “demokracitë popullore” etj.

Mendoj që shkollat duhet të kryejnë vizita të organizuara dhe të menduara në objektet e kultit, sepse ato vetë janë një pasuri e madhe për kulturën tonë kombëtare. Vetë objektet e kultit të frymëzojnë me artin e piktorëve të mëdhenj siç është Onufri për shembull apo të tjerë artistë të shquar. Feja nuk thotë vrisni, nuk thotë kryeni krime, është kundër martesave brenda të njëjtës gjini dhe këto përkojnë edhe me natyrën e qëndrimeve të psikologjisë sonë sociale. Natyrisht nuk jam për mësime feje në shkollë, as për predikime të natyrës fetare, në ciklin 9-vjeçar ajo duhet të përcillet nga mësuesit e historisë dhe në ciklin e mesëm nga mësuesit e sociologjisë.

Vetë rritja e kompleksitetit të jetës sonë shoqërore, kalimi nga një shoqëri e pazhvilluar në një shoqëri e ngritur mbi pronën private edhe pse shoqërohet me rritjen e kontrollit mbi mjetet, sërish është shoqëruar me shpërthimin e disa proceseve të pashpjegueshme dhe të pakontrollueshme që shpesh i kthehen kundër njerëzimit. Në këto raste feja lind si një reagim plotësues lidhur me këtë burim ankthi që shkakton ndryshimi. Fëmijët duhet të mësojnë funksionet sociale që kryen një besim: funksioni i njohjes, i uljes së burimit të ankthit, feja shpjegon zgjatimin e aftësisë së kufizuar të njeriut, kryen funksione plotësuese të shumë njohurive etj. Por shqetësimi tek ne lind edhe falë pasigurisë që kemi lidhur me nivelin e formimit të vetë mësuesve tanë, por në çdo rast ka mundësi zgjedhjeje të niveleve më të mira që kemi, dhe e gjitha kjo do të ndihmonte në një lloj qasjeje të kontrolluar të fëmijëve ndaj njohurive mbi fetë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...