Takim me Z.Johanna Jutta Neumann që i dëshmoi botës se moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët Nga Elida Buçpapaj

2016-01-28_09-23-13


Kur hymë ne, takimi kishte nisur. Në sallë dëgjohej vetëm zëri i saj me një jehonë kumbuese.

Zëri i Johanna Jutta Neumannit, një zonje 84 vjeçare e cila i ka mbijetuar Holokaustit falë Besës të Shqiptarëve.

Ne e njihnim shumë mirë këtë zonjë që ka lindur në Hamburg, të cilën prindërit e sollën në Shqipëri për t’i shpëtuar çmendurisë të nazizmit.

Johanna Neumann jeton prej 1946 në SHBA dhe ajo nuk është ndalur kurrë së treguari për Kodin e Nderit të Shqiptarëve.

Dhe sot kur ne jemi duke përjetuar krizën e besimit dhe krizën e identitetit, duke pyetur njëri-tjetrin, jemi ne a s’jemi, të dëgjosh „live“ zonjën Neumann se si flet me entuziazëm për adn e shqiptarëve, është padyshim diçka e rrallë.

Ne si gazetarë e kemi ndjekur aktivitetin e kësaj gruaje të vogël nga shtati e cila arrin t’i paraqesë shqiptarët në SHBA dhe në botë më mirë se askush.

Prania e saj në Bazel, i dedikohet hapjes të ekspozitës me fotot e fotografit hebreo-amerikan Norman Gershman. Gershman një tjetër hero. Fotot e mbledhura në Shqipëri, Gershman i përdori në librin ku mbështet edhe filmi i tij “Besa, Muslimanët që shpëtuan Hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”. E ka fjalën për Shqiptarët. Si motiv të filmit Gershman e ka përgjigjen ndaj pyetjes së pamundur – nëse ka njerëz në rruzullin tonë që do ta jepnin jetën e tyre për një të huaj: „Po, ka, thotë Gershman, Shqiptarët do ta bënin“.

„Për Shqiptarët, nuk ka të huaj, ka vetëm Miq, dhe Miku është i shenjtë“. Këto janë fjalët që dëgjojnë vizitorët zviceranë nga goja e zonjës Johanna Jutta Neumann. T’i thuash ausländerit – Mik – është diçka e jashtëzakonshme. Shqiptarët i thonë. Të paktën i kanë thënë, në një kohë të pamundur. Sepse tani edhe kur është fjala për njeriun e afërt i venë pikpyetjen ka apo nuk ka leverdi!

Ekspozita për Besën – do të rrijë e hapur në Basel deri më 22 maj e pastaj do të qarkullojë në qytetet kryesore të Zvicrës, si Bernë, Zürich, Lausanne, Biel etj. Për një vit. Deri në marsin e vitit 2015.

Ndërsa prania e Johanna Jutta Neumann ishte një mrekulli e Zotit. Si ju tregova, kur hymë në sallë, zëri i saj kumbonte. Ajo është një grua 84 vjeçare, që nuk e tregon moshën, ose më mirë të themi, që e sfidon kohën. Të pranishmit dëgjonin të mahnitur bëmat e shqiptarëve, se si ata rrezikonin edhe jetën e tyre dhe të familjeve për t’i shpëtuar hebrenjtë. „Duhej humanizëm dhe kurajo“, u tha Johanna, kur e pyetën se si ishte e mundur. Dhe ajo vazhdon, vazhdon e nuk ndalet, duke buruar lumë fjalësh mirënjohje për kodin e nderit të shqiptarëve. „Në Europë, hebrenjtë i spiunonin pa të keq, për pak flori, apo për aspak, ndërsa tek shqiptarët, kurrë“.

Historinë e jetës që ajo e tregonte në gjermanisht, ne e kishim lexuar në librin e saj përkthyer në shqip „Në sajë të Shqipërisë, rrëfime për vete“. Unë e kujtoja në detaje fëmijërinë e saj të lumtur në Hamburg. Dhe pastaj gjithçka ishte kthyer përmbys. Ata kishin marrë ikën nga sytë këmbët të shpëtonin jetën. Shpëtimin e gjetën në Shqipëri ku qëndruan për shtatë vite. Kur ajo po tregonte se kur kishin mbërritur në SHBA, unë kisha parasysh se në fillim për në Amerikë u nis ajo vetëm me nënën e saj, ndërsa i jati i përlotur i shoqëronte me sy nga bregu pamundur që të udhëtonte bashkë me to. E për t’u bashkuar më në fund u deshën edhe muaj të tjerë.

„Im atë nuk mundi të kthehej kurrë më në Gjermani“. Sa e tmerrshme, për të mos mundur që të kthehesh më në vendin tënd. „ Ndërsa ne hebrejtë të dalë nga lufta botërore me plagë të pafundme, bëmë gjithçka për ta ndërtuar jetën tonë dhe lindëm fëmijë sa mundëm, e kështu arritëm të fitonim kundër Hitlerit.“ „Ndërsa Shqiptarët, ata i shpëtuan moralin Europës“.

Gjatë gjithë tregimit të saj, të pranishmit dëgjonin gjithë sy e veshë. U dukej diçka sureale, sikur t’i shpëtosh apokalipsit. Ndërsa ne që e njohnim trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve, krenoheshim me ato që ajo tregonte dhe na vinte të bërtisnim me të madhe „Hej, ne jemi shqiptarë“.

Kur ajo rreshti së treguari dhe po ashtu rreshtën edhe së pyeturi, unë u ngrita dhe i shpreha mirënjohjen, në emrin e të gjithëve shqiptarëve, pa bërë asnjë dallim. Pasi është gjëja më e lehtë t’i shash shqiptarët, t’i mbushësh gazetat për bëmat e tyre, si dealer droge, si kështu e ashtu. Por, le të dalë dikush në Europë, që t’u ketë hapur dyert e shtëpive dhe të zemrave hebrejve si shqiptarët. Askush, asnjë! Por duhet të jetë Norman Gershman dhe Johanna Neumann që ta tregojnë këtë!

Meqë m’u dha rasti, i thashë Zonjës Neumann se Kosova ka mbetur tani si një Lager i izoluar në mes të Europës dhe ajo pret të njihet si shtet. Dhe nëse do ta njohë Izraeli, kjo do të jetë diçka shumë e rëndësishme. Pastaj i shpreha rishtas mirënjohjen sepse edhe bota e civilizuar është në krizë morale, ndërsa ajo grua e vogël sfidon duke treguar të vërtetën.

Takimit tonë po i vinte fundi. Ne iu afruam dhe e përqafuam. Ashtu trupvogël dhe e brishtë nga vitet, por e fortë. Në librin e saj, me kërkesën tonë, na shkroi emrin e saj, me një kaligrafi, sikur të ishte nxënësja shembullore në Hamburg që posa e kishte nisur shkollën, por në një shekull të ri, të paqtë e të drejtë.

Ajo nesër do të marrë rrugën për në shtëpinë e saj në Washington D.C.. Me të ishte edhe njëra nga të bijat që jeton në Izrael. Ishte kënaqësi edhe takimi me të. Kur do të na duhej të ndaheshim, sa keq që njerzit jetojnë nëpër anë të ndryshme të botës, i thashë zonjës Neumanm se në jetën time isha takuar me tre njerëz që s’do t’i harroj kurrë. Ajo me buzën në gaz priti të tregoja se cilët ishin. Me Papa Gjon Palin e Dytë i thashë, me Nënë Terezën dhe me ju ! Asaj i ndritën sytë, të cilët i kishin mbetur si sy të pastër fëmije. Pastaj i uruam jetë të gjatë dhe një takim tjetër. Diku në tokë a qiell! Ajo e aprovoi!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)