2016-07-18

Elida Elie Wiesel


Nga Elida Buçpapaj/


Askush nuk u kujtua ndër shqiptarët sa ti ishe në këtë botë, Elie Wiesel.

Politikanët shqiptarë vazhdojnë nëpër ahengje çingish.

Pseudoelita është duke u mbajtur dajret!

Gazetarët duke llogaritur paret që marrin si mercenarë.

Ndërsa populli rri në errësirë!….

Askush nuk ua ndriçon as mendjen dhe as shpirtin!

Politikanëve, pseudoelitës dhe gazetarëve populli u duhet sa më i çoroditur, që ata t’ia shplajnë sa më mirë në lavazh trurin ashtu si bëjnë lavazh makinat e tyre të markave të fundit.

Elie Wiesel, të përulem për atë që bëre për Kosovën!

Ishe njëri prej Zërave që the të vërtetën!

Që nuk u frikësove dhe as nuk u konformove me politikat e ditës apo koniunkturat e Perëndimit.

Ishe trim, Elie Wiesel.

Sepse të thuash të vërtetën duhet të jesh patjetër Elie Wiesel, një i Mbijetuar i Holokaustit, laureat i Nobelit të Paqes, autor librash dhe Vuajtës i madh!

Shpirti yt e ka mbajtur vuajtjen e 6 milionë hebrejve të shfarosur nga indiferenca e Perëndimit!

Se si e la Perëndimi Ana Frankun në kampet e shfarosjes!

Indiferenca, për Elie Wiesel, ishte mishërim i djallit dhe së keqes. Prandaj Elie Wiesel thosh se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca njerëzore, kur sytë të shohin dhe bën të verbërin, kur veshët të dëgjojnë dhe bën të shurdhin, kur goja të flet dhe bën memecin! Ose kur flet të kundërtën e asaj që të shohin sytë dhe të dëgjojnë veshët!

Koha jonë është e mbushur me shurdhanë, belbanë, verbanë, mjeranë, ndërsa Elie Wiesel bënte përjashtim! Ashtu si Bill Clinton, Tony Blair, Madeleine Albright e një grusht njerëzish që i bëri të fuqishëm kauza që mbronin dhe e shpëtuan Kosovën nga shfarosja dhe zhbërja!

Këtyre tanëve iu ka ikur kujtesa!

Historia e shpëtimit të Kosovës nga zhbërja nuk ka nodhur një mijë apo njëqind vjet të shkuara, por vetëm 17 vjet më parë!

Elie Wiesel kishte lindur në vitin 1928 në Rumani dhe gjithçka dukej normale deri kur nazistët hynë në 1944 në qytetin e tyre të vogël dhe për “fajin” se ishin hebrej, të gjithë familjen e deportuan në Auschwitz, duke e ndarë nga nëna dhe motra që nuk i pa më kurrë, ndërsa i jati nuk i mbijetoi dot dhimbjes dhe vdiq pak pas mbarimit të luftës.

“Mbaj mend majin e vitit 1944”, tregonte Elie Wiesel, “kur isha 15 vjeç e gjysëm dhe u gjenda i hedhur në një univers fantazmash, ku historia e aventurës njerëzore lëkundej në mënyrë të pakthyeshme midis tmerrit dhe mallkimit”.

Elie Wiesel iu shpëtoi kampeve të shfarosjes për të shpëtuar Kosovën nga shfarosja!

Elie Wiesel nga të paktat Figura ishte Ndërgjegjia e Njerëzimit!

Elie Wiesel ishte njëri nga ata Zëra të fuqishëm që i doli në krah Presidentit Clinton për të ndalur genocidin e makinerisë të Milosheviçit!

Elie Wiesel e quajti Milosheviçin kriminel dhe mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë! ”Kur e keqja e tregon fytyrën e saj, ju mos prisni, mos e lejoni të forcohet, por ju duhet të ndërhyni menjëherë. ” Ky ishte konkluzioni i Elie Wiesel si e vetmja mënyrë që fëmijët shqiptarë, me të cilët ai u takua kur vizitoi kampet e refugjatëve në Maqedoni, të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Unë nuk jam i lirë plotësisht, thosh Elie Wiesel, kur të tjerët nuk janë të lirë!”

Në 12 prillin e vitit 1999, gazeta JewishPost do të raportonte për dialogun midis Presidentit Clinton dhe Elie Wiesel me rastin e “Millennium Evening” – “Mbrëmja e Milenarit” organizuar nga Shtëpia e Bardhë me temën: “Rreziku prej indiferencës: Mësimet që duhen nxjerrë nga një shekull i dhunshëm”, kur “e gjithë bota ishte dëshmitare e krimeve kundër njerëzimit që ndodhën në Kosovë nga një genocid i kryer në kohën tonë.” Në atë dialog, Clinton kujtoi se kur e kishte pyetur Nobelin e Paqes se çfarë kishte bërë me jetën e tij, Elie Wiesel ishte përgjigjur se “gjithë jetën kishte ruajtur të gjallë kujtesën dhe ishte përpjekur të luftonte ndaj atyre që synonin të harronin.

Ashtu si e kemi harruar edhe ne Elie Wiesel, që na doli në krah në ato ditët e kjametit, kur po shuhej e po zhbëhej Kosova dhe kur duheshin Burra nga ata që Zoti i kish sjellë t’i shpëtonin fëmijët e Kosovës dhe t’u krijonin mundësi që të ktheheshin në shtëpi bashkë me prindërit e tyre, ashtu sikur nuk u kthye kurrë më Elie Wiesel!

“Duhet ta ruani kujtesën”, insistonte Elie Wiesel, sepse “ju duhet të jeni të ndershëm, ju duhet të jeni të vërtetë!”

Ne shqiptarët deri tash jemi pa kujtesë, pa kujtesë për diktaturën në Shqipëri, pa kujtesë për atë që ngjau në Kosovë!

Sepse, po të kishim kujtesë, nuk do të të harronim kurrë ty Elie Wiesel

-------------

Jakov from Israel says:

Mungesa e mirenjohjes eshte nje nga tiparet me te shemtuara te karakterit njerezor .Ashtu kane vepruar shqiptaret ne cdo kohe duke haruar edhe emra te famshem qe kane bere ate qe asnje nuk e beri .Mjaft te permend Z.Norbert Joklin -hebreun albanolog te shquar qe dha me 20 shkurt 1920 emisjonin e pare radiofonik ne gjuhen shqipe nga Vjena –ishte pikerisht ai qe shenoi ne historine e Shqiperise paresorin ne radiofonine shqiptare .Duke mos lene pa permendur aktin e madh qe patriotet shqiptare me Fishen e Koliqin dhe shume qeveritare qe derguan letren Hitlerit per shpatimin e tij,Shqiperia rralle ,teper rralle e ka permenduar emrin e tij duke mos i bere asnje nder tjeter -qofte emrin e nje rruge ne emer te tij sic kane bre me emra qe nuk kane asnje lloje lidhje me historine shqiptare –emra si Tajvani apo Komuna e Parisit e plot prockulla si keto .Te falenderoje Elida per sinqeritetin tend qe me permende njerin prej nesh –jehudiun e shquar ne ndihme te Shqiperise e Kosoves .Jam i sigurt je je nje prej familjes se Z.Muje Bucpapaj ,mikut tim te mire .Ti nuk mund te besh perjashtim ne miresine ,korrektesen e sinqeritetin e familjes suaj .Kam lexuaar edhe shkrime te tjera tuaja dhe do te interesohem me thelle per ju permess mikut tim Muje qe se fundi botoi librin tim te trete -Edhe ne shkretetire celin lule–Me shkruaj te lutem

I nderuar Jakov, ju flm që më shkruani. Megjithëse i kritikoj shqiptarët, prapë u dal në mbrojtje, sepse jemi i vetmi vend në Europë që u hapëm zemrën dhe shtëpitë tona hebrejve. Këtu në Zvicër ku jetojmë u takuam para dy vitesh me Zonjën Jutta Neumannit, një e Mbijetuar e Holokaustit. Po ju vendos linkun që ta lexoni vetë se çfarë thotë ajo për shqiptarët. https://www.voal.ch/takim-me-z-johanna-jutta-neumann-qe-i-deshmoi-botes-se-moralin-e-europes-e-shpetuan-shqiptaret-nga-elida-bucpapaj/
Unë kritikoj sepse pas diktaturës që ishte një tmerr, nuk e barazojnë kot nazizmin me stalinizmin dhe vendi ynë ishte nën një diktaturë staliniste, ne po humbim kohën tonë edhe çerek shekulli nga keqqeverisja, nga mungesa e shtetit të së drejtës dhe kemi mbetur në mes të rrugës, sepse kur nuk ka shtet, atëhre ka kaos dhe anarki, dhe prej kësaj anarkie ne bëhemi të pavemendshëm ndaj atyre që na dolën në krah në kohë të vështira dhe dramatike, si Elie Wiesel, ky NJeri i madh apo një tjetër Zonjë e madhe si Madeleine Albright. Sigurisht, që kjo periudhë është e përkohëshme, kjo rëndon në kohën tonë, por jam e sigurt se shqiptarët janë ata që kanë si mburojë të identitetit të tyre kombëtar Besën dhe vyrtyte që i dallojnë si komb human dhe vlerash. Muj Buçpapaj është kunati im, dmth vëllai i bashkëshortit tim Skënder Buçpapajt. Bashkë me Skënderin ju përshëndesim dhe ju dërgojmë të falat tona dhe urimet më të miar për librat! Me respekt, Elida

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...