Nga Patrick Cockburn
Ka qenë pothuajse e pashmangshme që ISIS-i do ta organizonte ose inspironte edhe një tjetër barbarizëm në Evropën Perëndimore, pas një sërë humbjesh që kishin kulmuar me humbjen e Falluxhës nga forcat qeveritare irakiane. ISIS-i gjithmonë i ka përdorur aktet e terrorizmit në masë, drejtuar civilëve, si një mënyrë për ta shfaqur fuqinë e vet dhe dominimin në agjendën e lajmeve. Kjo është pjesë e repertorit dhe taktikave të tyre, mirëpo ndodhin zakonisht kur grupi terrorist fillon të përjetojë humbje dhe kemi të bëjmë me një rritje të ndjeshme shpresash që ai jo vetëm se po zmbrapset, mirëpo është në rënie të pakthyeshme. ISIS-i veçse ka reaguar pas humbjes në Falluxha, duke dërguar një automjet të mbushur me eksploziv në distriktin e Karadës në Bagdad, ku ka eksploduar dhe ua ka marrë jetën 292 personave.
Kjo gjë kishte ndodhur në kohën kur Qeveria irakiane po e përgëzonte veten për marrjen e qytetit, për të cilin njerëzit në kryeqytetin irakian kanë besuar se ka qenë burim i shumë bombave, që i kanë masakruar për tre vjet me radhë. ISIS-i tani po pretendon që Mohammed Lahouaiej Bouhlel, i cili ka drejtuar kamionin e tij drejt një turme njerëzish në Nisë, ka qenë njëri nga "ushtarët" e tij. Ka shumë mundësi që ata nuk e kanë ditur se çka do të ndodhte, deri në momentin e përfundimit, mirëpo sulmi i ka të gjitha shenjat e një vrasjeje të kryer nga ISIS-i: Është realizuar në një vend shumë publik dhe tmerri i përjetuar në atë vend ka qenë aq ekstrem, saqë pashmangshëm ka instaluar frikë dhe përbën një lajm që do t'i dominojë mediet e huaja për ditë të tëra. E tëra që është nevojitur për kryerjen e këtij sulmi ka qenë një atentator i gatshëm të vetëvritej për ta dëshmuar besimin e vet.
Qeveritë irakiane dhe siriane kanë mungesë të trupave ushtarakë
Kjo ka qenë taktikë e 'Al-Kaidës', që është dëshmuar edhe në sulmet e 11 shtatorit, mirëpo ISIS-i e ka përdorur në shkallë më të madhe dhe, edhe në rastet kur është duke u zmbrapsur në Irak dhe Siri, mund t'i mobilizojë bombarduesit në mënyrë të shpejtë dhe efektive. Sulmet e ISIS-it në Aeroportin Ndërkombëtar të Stambollit 'Ataturk' janë kryer nga njerëz të armatosur dhe bombardues nga Azia Qendrore, të cilët nuk ishin identifikuar si kërcënim nga personat e angazhuar për ruajtjen e sigurisë, pasi që supozohej që ata ishin të përkushtuar për rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad dhe regjimit të tij në Siri. Ajo që e fuqizon shumë ISIS-in është një makineri shtetërore në formën e të ashtuquajturit kalifat, që mund të mobilizojë burra, pajisje, ekspertizë dhe para. ISIS-i është nën presion në pothuajse secilin front në Irak dhe Siri. Ai nuk mund t'i përballojë sulmet tokësore, të mbështetura nga bombardimet precize që kryhen nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja dhe e njëjta vlen edhe për ushtrinë siriane, të mbështetur nga bombarduesit rusë. Kjo gjë mund ta dobësojë ISIS-in, mirëpo nuk e nxjerrë përfundimisht nga loja, pasi që ata mund të kthehen në forca guerile dhe të presin deri sa armiqtë e tyre të shumtë të tërhiqen, gjë e cila do të ndodhë pashmangshëm. Qeveritë irakiane dhe siriane kanë mungesë të trupave ushtarakë dhe kanë pasur vështirësi për okupimin e territorit, të cilin veçse e kanë marrë.
ISIS-i është larg mposhtjes totale
Shpeshherë thuhet që nuk mund të arrihet paqe në Irak pa paqësimin e sauditëve, komuniteti nga i cili ISIS-i e merr fuqinë, mirëpo kjo nënvlerëson spastrimin sektar dhe etnik që po kryhet nga të gjitha anët në luftën që ka ngufatur Sirinë dhe Irakun. Një numër i madh i komuniteti të arabëve sunitë në të dyja shtetet - një e pesta e popullsisë në Irak dhe tri të pestat e popullsisë në Siri - po zhvendosen në mënyrë permanente dhe gjasat që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, ndonjëherë, janë minimale. Harta sektariane e kësaj pjese të Lindjes së Mesme po ripunohet, gjë që vetëm sa mund ta intensifikojë luftën. ISIS-i është larg mposhtjes totale, mirëpo është duke u mposhtur në qendrat e popullsisë dhe nuk ka bërë ndonjë kundërsulm të suksesshëm në më shumë se një vit. E tëra që ata po mundohen ta bëjnë është ta shpërndajnë rrjetin e tyre në shtetet e tjera dhe të sigurohen që zmbrapsja e tyre të maskohet nga barbarizma tjerë, si ai në Bagdad dhe Nisë.
Patrick Cockburn është gazetar irlandez, që ka punuar si korrespodent në Lindjen e Mesme për "Financial Times" dhe së fundmi për "The Independent".