2016-07-27

Poeti që fle me poezitë e tij(Libri me poezi"Jeshile" i Luan Xhulit)


Image result for perparim hysi


Nga Përparim Hysi


( ese)

Po e filloj, paksa, vallen nga bishti: po perifrazoj një poezi nga më ciësore të Luan Xhulit ku flet për poezitë e tij. Ndërmjet tjerash, thotë: "... fle me to; më pëlqen t'i përkëdhel çarçafit të letrës/ t'u mbaj erë vargjeve në strofa/ si të jenë borzilokë të çelur...". Dhe vazhdon: " fle me to/ mbulohem me ngrohtësinë e tyre/ zgjohem nga djersitja e një frymëzimi...

Po në fund të fundit, kush është ky poet që fle me poezitë? Pyetja ime është pak si e stisur dhe e kotë. Gjeografia e njohjes së Luan Xhulit e ka kapërcyer "hartën" e Shqipërisë dhe sot ai ka një vend nderi në Panteonin e Poezisë Ballkanase, po se po, por dhe më tej: në Evropë e në botë. Këto që po shkruaj për të, janë meritë vetiake e tij dhe, pa dyshim, të talentit të tij. Kur shoh biografinë e tij letrare, bindem që Luan Xhuli është nga ajo "rracë poetësh elitarë". Se, siç vë re, tek lexoj për të, më vjen mirë që qenka poet dygjuhësh me të shkruar dhe karizma e tij bëhet edhe më e bukur,
se lavdinë e merituar e ka arritur jo në gjuhën e nënës (gjuha shqipe), por në gjuhën greke. Kur ndesh me këtë fakt kaq domethënës, bashkohem me zërin e Poetes Irma Kurti që, me të drejtë, thotë: " Ministria e Kulturës mjaftohet me një buzëqeshje për të gjithë ata që shkruajnë jashtë Atdheut". Kjo thënie e Irma Kurtit (ndoshta nuk e kam sjell fjalë për fjalë ashtu siç e ka thënë ajo), ka nevojë dhe për pak "kripë": a nuk e vlerësuan të pavlerën "Vrima" sa e bënë shoshë? Por le t'i lëmë përqasjet dhe analogjitë dhe të vimë tek poeti Luan Xhuli.

* * *
Luan Xhuli ka emigruar në Athinë në vitin 1995. Është autor i disa librave me poezi dhe, veç poezive, ka shkruar dhe në prozë dhe deri për fëmijë përralla. Në vitin 2008, nga ana e klubit të shrkimtarëve "Drita" ka marrë çmimin poetik"Ali Asllani" si liriku më i mirë i vitit. Hopi në biografinë e tij letrare, ndodhi me librin poetik "Biografia e syve" të shkruar në gjuhën greke dhe ky libër u rreshtua në 38 vëllimetpoetike më të mira të vitit, duke u regjistruar në Antologjinë e Poezisë Greke. Vëllimi i fundit "Ëngjëll tradhtar" ( Agjios Prodhotis) u rreshtua në 10 vëllimet më cilësore të vitit 2014. Është anëtar i "Klubit të Poetëve Grekë" të Athinës. Ka marrë pjesë në katër Festivale Ndërkombëtare në gjininë e poezisë. Siç thekson, mes tjerash, Grigor Jovani: "... nuk kanë të mbaruar vlerësimet poetike për Luan Xhulin në Greqi,aq sa ata e konsiderojnë atë të"tyrin". Dhe ndodh kjo me një vend që ksenofobinë për shqiptarët e kanë pak përverse, por njerëzit e artit nuk kanë veshur "këmishën e forcës" si politikanët, ata janë të një prerje tjetër që ia dinë vlerat artit, kulturës dhe poezisë ku, siç dihet, veç tjerash: në poezi kanë dy nobelistë.

* * *
Kur e mbarova librin me poezi "Jeshile" të Luan Xhulit aq u mbusha me mbresa (tërsisht "jeshile" e me kloroformë), sa më erdhën ndër mend fjalët e nobelistit grek, JORGOS SEFERIS, që thotë: " Për poezinë nuk ka vende të vogla e të mëdha. Trualli i poezisë është në zemrën e gjithë njerëzve". Natyrisht, tek i lexon poezitë një për një, sheh një Poet me botë të madhe shpirtërore. Mos kujtoni se është lehtë që t'i kalosh faqet ashtu sikur të ndjek dikush prapa me shkop. Jo. Është e pamundur. Se çdo poezi ka domethënien e vetë dhe tek çdonjëra prej tyre, rikthehesh sikur të vjen keq që po ndahesh. Keqardhja për këtë "ndarje" e rrit amplitudën e vetë dhe për një fakt të kondicionuar nga mosha që kam: nuk mbaj dot më vargje përmendësh. Ndaj rikthehem, dua të fiksoj ndonjë gjë, për ta treguar diku dhe mbetem i zhgënjyer: më tradhton kujtesa.
Por, sado që po më lë kujtesa mua, nuk kam se si mos u referohem ca poezive që do t'i kesh aty, poshtë jastëkut, që t'i përdorësh si "fresk" për kujtesën apo nga një dremitje moshe. Po sjell si emblematike (gjithmonë në gjykimin tim) poezinë" Dy lotë".
"Rrëshqitën vetëm dypika
Mbi tendën e mollzave të mia
.....................................................
Vetëm dy
Të ngarkuar si prindërit.
Të tjerët
Patën frikë rrëshqitjen".
Ose më gjeni të gjashëm me këto vargje:" nga përkëdhelja e dorës së nënës/ kaçurela i kisha flokët/ Nga çasti që mori rrugën e ikjes/ filluan të binin/ si vjeshtë që s'do kish fund/ Akoma vazhdojnë/ Flokët e mbetur/ Ëndërrojnë atë dorë të lodhur/. Poezi të tilla vërtet që të mbresojnë dhe të vjen keq që nuk je i zoti që të shprehesh si ai.
Nëse për poezinë thonë që është jetë që i shtohet jetës apo jetë në katror, unë them se këtë të vërtetë e gjen tek poezitë e Luan Xhulit. A kini parë poet që "t'u vesh sandale sytheve të luleve"; po të tillë që në janar të jetë "prill" apo siç thotë në një nga poezitë e tij: "unë aspiroj për behar". Ose dhe diku më tutje: "... jeshilen e gjethes e kam ngjyrën e shikimit".
* * *
Sa njerëzor është poeti Luan Xhuli, kur me vargjet e tij (ato vargje kullojnë dhimbje) qan për miq krijues që kanë ikur nga jeta. Vargjet për Riza Lahin apo të ndjerin Ziko Kapurani, tregojnë se si e përjeton këtë ijkje parakohe të miqëve të tij. Nga ana tjetër, poezitë kushtuar Anna Ahamatovës apo Silvia Plath janë shumë sinjifikative: për të parën thotë: " e kam gjitone të fjalës", kurse tek i referohet Silvia Palthit, ka një strofë shumë domethënëse:
"Po ju them një të fshehtë:
- Të vdekurit që dua/ i ringjall/ sa herë ndihem ngusht... A ka gjetje artistike më të bukur?
Dhe tek e mbyll librin dhe gjithë referencën time për të, po qëndroj tek poezia "Praktikë"
".... i ngjeva jeshile të gjitha:
Këmbët, hapat, pantollonat/erën, këmishën... "... jam bërë i çudtishëm: "shkova dhe porosita një arkivol jeshil...
nëpunësi i funeralit mori në telefon policinë/ po unë nënqesha me ironi/ siç buzëqeshin vetëm të vdekurit...
Po jeshil e gjelbërim e paçë jetën, o Poet i bukur!

Tiranë, 27 korrik 2016

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...