Nga Kosovare Krasniqi
Adem-DemaciAdem Demaçin për herë të parë e kam njohur përmes romanit të tij “Gjarpërinjtë e gjakut”. Sa mbaj mend, ishin vitet e ‘90-të, kur unë, shumë e re, lexova librin e tij të ribotuar, pas daljes së tij nga burgu; që nga ajo kohë emri i tij më ka mbetur në kujtesë, jo vetëm për faktin se nga leximi i këtij romani mbeta e impresionuar, por edhe nga fjalët e prindërve të mi, të cilët më shpjeguan historinë e bacës Adem dhe arsyen e burgosjes së tij.
Demaçi me fuqinë e fjalës dhe me qëndrimin e tij prej titani nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, për popullin shqiptarë u bë zë i guximit, zë i shpresës, zë i forcës, zë i besnikërisë; vetë emri dhe qenia e tij i reflektonin të gjitha këto; ai, duke u sakrifikuar, u kthye në simbol të udhërrëfyesit për popullin e tij.
Ky zë i fuqishëm kundër padrejtësive që po i bëheshin popullit shqiptarë, por edhe për bashkimin e trojeve shqiptare, u bë objekt frymëzimi edhe i shumë poetëve e poeteshave shqiptare, të cilët në vargjet e tyre nuk nguruan t’i shprehnin ndjenjat më sublime për të, vargje të cilat i mblodhi në një vëllim me një titull mjaft sinjifikues “Demaçi, aromë atdheu”, Selatin Novosella, i cili po ashtu ishte i burgosur politik, dhe që jo pak është marrë edhe biografinë e Adem Demaçit.
Vargjet për Bacën
Vëllimi “Demaçi, aromë atdheu” në vete ngërthen 80 poezi, të shkruara nga krijues të njohur, por edhe të panjohur, të moshave dhe të vendeve të ndryshme, por edhe nga krijues anonimë, të cilët me vargjet e tyre i ngritën një lapidar Adem Demaçit.
Përshtypja e parë që më bëri kur lexova vargjet e përmbledhura në këtë vëllim, ishte dashuria dhe afërsia që poetët shprehin për të, se sa i dashur është Adem Demaçi për ta dhe popullin shqiptar.
Titulli i librit “Demaçi, Aromë atdheu”është mjaft domethënës. Kur e lexojmë këtë titull, në mendje na vjen pyetja: te kush mund të ndihet aroma e atdheut më fort sesa tek Adem Demaçi, tek ai që për dekada me radhë ishte i privuar nga jeta e lirë, nga vendi që e lindi dhe e rriti, ku fjalën mëmë e atë i theksoi për herë të parë? Përgjigjja: Adem Demaçi dha aq shumë për atdheun e tij një jetë të ërë sa u bë edhe ikonë e atdheut, prandaj me shumë të drejtë autori i kësaj përmbledhjeje, Selatin Novosella, shprehet se një aromë e tillë do të ndihej vetëm nga “heroi kombëtar i yni, Adem Jashari”.
Në këtë vëllim janë të mbledhura poezi të shkruara përgjatë viteve të ndryshme, nga shumë autorë të ndryshëm, mirëpo çdo poet vjen këtu duke na “rrëfyer” nga një pjesëz të jetës së subjektit për të cilin flet, ndër të cilët mund të veçohen: Ali Podrimja, Abdullah Konushevci, Agim Spahiu, Selatin Novosella, Shaip Beqiri, Xhevë Ladrovci, Naxhije Doci, Mirvete Dreshaj-Baliu, e shumë e shumë poetë të tjerë. Poezitë e këtij vëllimi vërehet që janë të shkruara me ndjenjën e dashurisë, me shumë respekt, me modesti dhe sinqeritet.
Poezitë e këtij vëllimi sikur u ngjajnë copëzave të mozaikut sepse disa nga poezitë janë më të vogla e disa më të mëdha, nga të cilat krijohet një vëllim, në të cilën poetët shprehin botën e tyre subjektive, me një subjekt të përbashkët – Adem Demaçin; secili me historinë e tij, por muza e të gjithë poetëve të këtij vëllimi bëhet njeriu i pathyer karshi rrebesheve serbe.
Secili nga krijuesit “përshkruan” nga diçka prej portretit të Bacës, për të dhënë në fund tërësinë e këtij portreti sa kompleks aq edhe madhështor. Këtu përmendim vargjet e Shaip Beqirit, i cili figurën e Adem Demaçit e kthen në mit: mit të gjallë. Apo vargjet e Agim Spahiut, në të cilët shpërfaqet madhështia shpirtërore e Adem Demaçit. Pastaj në vargjet e Ali Podrimjes, Hydajet Hysenit etj. Edhe tek poezia më e thjeshtë në shikim të parë, del diçka që e plotëson figurën e Adem Demaçit.
Rruga e jetës nëpër të cilën ka kaluar Adem Demaçi ka qenë rrugë e vuajtjeve, rrugë e mundimeve, një jetë që siç thotë një fjalë e urtë popullore, e kaluar “si gjarpri nën gurë”, apo siç e thotë edhe Podrimja ynë i ndjerë, një jetë “brenda një katrori magjik”, por të cilën ai ka arritur ta kalojë me dinjitet:
Tani gjendesh
Brenda katrorit magjik
Dhe kërkon Kosovën
në hartën e vezullimeve
Ndërsa në poezinë e Agim Spahiut fuqishëm na shpërfaqet figura e Adem Demaçit, si mendimtar i së sotmes po edhe si vizionar i së ardhmes. Sa figurë reale, aq edhe madhështore është figura e Adem Demaçit në poezinë e këtij poeti:
Ishe djalë me fytyrë të paqtë e me këmishe të bardhë
Ishe djalë,
Dhe pe larg…. ky ishte faj?
Mirëpo, përderisa deshën ta shuanin emrin e tij, emri i tij vetëm sa mori jehonë tek populli shqiptar; ndërsa emrin e tij deshën ta kthenin në hi, ai nga hiri, si feniksi, rilindi.
Një poezi dhuratë në ditëlindjen e 70-të të Adem Demaçit ia kushtoi poeti Selatin Novosella, i cili edhe në jetë edhe në vepër është frymëzuar nga jeta dhe vepra e tij. Subjekti lirik i poezisë së Novoselles është njeri i cili mësoi gjërat më të rëndësishme në jetën e tij. Demaçi ishte njeriu i cili i mësoi alfabetin e atdhedashurisë, shenjat e rrugës për bashkimin kombëtar, njeri i cili edhe burgun e shndërroi në universitet, dhe i cili, edhe pse vetë i izoluar, të jepte shpresë ne atë kohe kur edhe jeta e vdekja bashkëjetonin:
Ty, që na forcove në çaste dobësie!
Ty, që u dogje për të mbajtur gjallë zjarrin e Lirisë!
Ty, që na jepje shpresë kur jeta dhe vdekja bashkëjetonin!
Në këtë vëllim poetik një vend të veçantë zënë poezitë e shkruara nga të burgosurit politikë, nga bashkëvuajtës të Bacës apo nga të burgosur në burgje të tjera, të cilët e njihnin apo vetëm kishin dëgjuar për të. Hydajet Hyseni ishte njëri prej atyre që i kushtoi poezi në burgun e Nishit, bashkudhëtarit të tij të vuajtjeve, sepse edhe ai ishte i burgosur politik, poezi që e ndan në tri pjesë. Në pjesën e parë poeti tregon për burgun se si është “me hekur e beton”, ku edhe guri zbehet, syri shteret, është vend që “Që gërryen e kafshon”. Në pjesën e dytë të poezisë jepet portreti i Demaçit: i pathyer përkundër të këqijave që i pëson. Poeti këtë pjesë e fillon me pyetjen “E Ai?”, duke shtuar: ”dhe kurrë nuk u zverdh, s’u thye, s’u shemb”. Ndërsa, në pjesën e tretë e tretë përshkruhet qelia e vogël e burgut që ka brenda një zemër shume të madhe.
Në vargjet e kësaj poezie, poeti vë përballë gurin e betonin me shpirtin dhe idealet e larta të tij, sepse idealet e mbanin atë të pathyeshëm, sepse ai, me gjithë torturat që i bënë serbët, qëndroi më i fortë se burgu dhe se guri.
Përfundim
Dhe, në fund, duke ju përshëndetur të gjithëve juve, pjesëmarrës të nderuar, do të doja të shtoja se Adem Demaçi është njeriu i cili ka dhënë gjithçka nga vetja e tij për lirinë e Kosovës, ndërsa poetët ia kanë shpërblyer atij me vargjet e tyre. Poezitë që kanë zënë vend në këtë vëllim sikur e plotësojnë njëra-tjetrën; këtu vijnë më të gjalla, më të këndshme e me frymëzuese se po të ishin të shpërndara në libra e revista të ndryshme; këtu të mbledhura bashkë sikur e ndiejnë veten më mirë, pa marrë parasysh që secila ka fytyrën e vet; disa më të bukura e disa më pak të bukura, por ajo që i lidh të gjitha është dashuria që kishin krijuesit për figurën e Adem Demaçit. Të tëra së bashku përbëjnë një autobiografi të Bacës Adem Në vargje. Pastaj çdo poezi e këtij vëllimi sikur përçon mesazh të qartë tek lexuesi, fortësinë dhe guximin e Adem Demaçit kur e dimë që çfarë ka vuajtur ai nëpër burgjet serbe, si kalon nëpër atë ferr të trishtueshëm, të cilin poeti Adem Zaplluzha e krahason me ferrin dantesk, ku thotë edhe ferri i Dantës ishte më pak i tmerrshëm krahasuar me vuajtjet e dhembjet që përjetoi Adem Demaçi në burgjet jugosllave.
Mirëpo, e mira e të mirave është se të gjitha këto poezi flasin për një fund të lumtur, pavarësisht dhembjeve të mëhershme, sepse fatmirësisht Bacën Adem Demaçi e kemi gjallë dhe jeton në mes nesh duke gëzuar shëndet të plotë dhe që lexuesi këto poezi do i lexojë e shijojë me një lloj kënaqësie.
No comments:
Post a Comment