Që nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri më shumë se dy dekada më parë dhe lindjes së medias së pavarur që i hapi rrugë një epoke të re në gazetari, marrëdhënia mes gazetarëve dhe politikanëve në Shqipëri ka qenë gjithmonë e mbushur me tensione.
Në këtë marrëdhënie armiqësore, elita politike vendase ka treguar shumë pak tolerancë ndaj gazetarisë së pavarur dhe kompanive të medias dhe ka bërë gjithçka që ka mundur për të kontrolluar raportimet. Në vitet 1990, presioni mbi median nga qeveria ishte e drejtpërdrejtë, ndërsa gazetarët sulmoheshin nga shërbimet sekrete e madje edhe burgoseshin. Gazeta e pavarur "Koha Jonë" u dogj në mars të 1997.
Gjithsesi, taktika të tilla të rënda i dhanë politikanëve vendorë një reputacion ndërkombëtar si armiq të shtypit dhe i detyruan ata të ndryshojnë modelin drejt metodave më të sofistikuara, të cilat synuan të ndikojnë median përmes korruptimit të pronarëve me kontrata qeveritare, tenderë privatizimi dhe leje fitimprurëse ndërtimi.
Të mirat e ofruara nga qeveria për oligarkët që investuan në media, krijuan një treg në lulëzim me dhjetëra media në shtyp dhe në televizion. Këto media shpesh shfaqën një anësi të fortë politike në raportimet e tyre, gjë që varet nga interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve. Për shkak se këto interesa janë vazhdimisht në ndryshim, gazetarët shtyhen drejt vetëcensurës.
Gazetarët që i rezistojnë presionit shpesh përballen me agresion të drejtpërdrejtë verbal dhe kërcënime që vijnë nga nivelet më të larta të pushtetit, të cilat synojnë të testojnë vendosmërinë e gazetarëve dhe të heqin vëmendjen e tyre ndaj raportimeve kritike.
Sipas raportit vjetor "Liria në Botë" publikuar nga organizata ndërkombëtare mbikëqyrëse me bazë në SHBA "Freedom House", ish-kryeministri i qendrës së djathtë Sali Berisha rregullisht 'denigroi' median dhe gazetarët kur ishte në pushtet. Berisha në një rast quajti gazetarët një tufë 'idiotësh ekonomikë' kur u pyet për gjendjen e vështirë të financave të vendit ndërsa rregullisht cilësoi gazetarët kritikë si anëtarë të një 'organizate kriminale'.
Në pushtet nga viti 2005 deri më 2013, Berisha përdori terma të tilla si "media e krimit", "hanxhari i krimit", apo "media e opozitës" dhe "mafia e betonit", shpesh në përgjigje të pyetjeve mbi skandalet e korrupsionit të qeverisë, të cilat mbërritën në rrethin e tij të ngushtë dhe familjar. Pas përleshjeve të dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë, ku katër mbështetës të opozitës u vranë nga Garda e Republikës, Berisha akuzoi katër gazetarë se ishin pjesë e një grushti shteti bashkë me presidentin dhe prokuroren e përgjithshme.
Në mënyrë të ngjashme me Berishën, kryeministri Edi Rama ka qenë po aq agresiv kundër gazetarëve kur është përballur me kritika. Kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës nga viti 2000 deri më 2011, ndërsa i përgjigjej një pyetjeje nga një gazetare që ai nuk e miratonte, udhëheqësi socialist në mënyrë famëkeqe sugjeroi se ajo mund të punonte më mirë si prostitutë.
Bota ideale për politikanët shqiptarë është ajo ku media duhet të ndjekë tekstin e prodhuar nga makineritë e tyre të propagandës, e cila prodhohet në video, tekst ose përmes medias sociale dhe i shpërndahet drejtpërsëdrejti publikut. Gjithsesi, jo gjithmonë gazetarët ndjekin tekstin e shtruar para tyre dhe politikanët shpesh i përgjigjen me sharje, të cilat i mbrojnë si opinione personale më shumë se sa si sulme kundër lirisë së medias.
Përballur me pyetje mbi lidhjet e dyshuara të ministrit të tij të brendshëm me një bandë të trafikut të drogës, Rama iu hakërrye gazetarëve në tetor 2017 gjatë një konference të sajuar për shtyp duke i quajtur ata 'injorantë', 'helm', 'thashethemexhinj', 'sharlatanë', dhe 'armiq publik'. Denigrimi i medias shpesh shfaqet në retorikën e Ramës përgjatë viteve të fundit, shoqëruar kjo me një rritje të komunikimit të tij përmes medias sociale për të shmangur pyetjet nga gazetarët.
Berisha dhe Rama nuk janë raste të veçuara në politikën shqiptare. Udhëheqës të tjerë politikë, si presidenti Ilir Meta apo udhëheqësi i opozitës Lulziim Basha kanë përdorur gjithashtu retorikë negative për t'iu përgjigjur raportimeve kritike. Duke iu përgjigjur një investigimi nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, e cila ekspozoi se si Lëvizja Socialiste për Integrim kishte paguar gati 300 mijë USD për lobim në SHBA dhe pati deklaruar vetëm një të tretën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ish-kryetari i kësaj partie dhe presidenti aktual Ilir Meta iu hakërrye BIRN duke e quajtur atë "Media e Sorosit". Mediat e pavarura, përfshirë publikimin në internet të BIRN Albania Reporter.al, janë përballur me sulme në rritje të teorive të komplotit anti-Semite të lidhura me filantropistin amerikan George Soros - themelues i Fondacionit për Shoqëri të Hapur. Zëdhënësi i Metës në një deklaratë për shtyp akuzoi gjithashtu BIRN si 'fake news' dhe 'propagandë Soroiste' pa iu përgjigjur gjetjeve të investigimit.
I zemëruar nga komentet kritike të shkrimtarit dhe komentatorit politik Fatos Lubonja gjatë një debati televizin në News 24, në shkurt 2018, kryetari i Partisë Demokratike iu hakërrye ish-të burgosurit politik si 'nihilist', 'gënjeshtar' dhe 'Marksist'.
Disa komentatorë kanë sugjeruar se pas gjuhës së pasur të përdorur kundër medias nga politikanët shqiptarë qëndron një 'strategji sharjesh', e cila synon të devijojë vëmendjen e publikut nga skandalet, duke ofruar një spektakël televiziv të gatshëm. Të tjerë e shohin atë si përpjekje për të deligjitimuar një grusht gjithnjë e më të vogël mediash dhe gazetarësh kritikë, të cilët nuk janë të kontrolluar drejtpërsëdrejti nga oligarkët dhe në mënyrë të tërthortë nga Rama, Meta, Berisha dhe klientët e tyre.
Megjithëse vëzhguesit vendas janë të ndarë mbi pyetjen nëse retorika antimedia është një strategji e mirëmenduar abuzimi dhe disinformimi apo është thjesht një reagim, çështja mbetet që politikanët ende duhet të mësojnë të respektojnë parimin e medias së lirë. Në çdo rast, përpjekja për të vendosur etiketën 'lajme false' mbi mediat e besueshme apo sharjet e gazetarëve si 'injorantë' dhe 'sharlatanë' mund të kenë një efekt negativ në rolin e medias në luftën kundër korrupsionit dhe në mbajtjen e vendimmarrësve përgjegjës.
Një kërkim akademik ka treguar se niveli i lartë i lirisë së medias është i ndërlidhur drejtpërsëdrejti me nivelet e ulëta të korrupsionit, dy fusha në të cilat Shqipëria ka nevojë të bëjë progres në mënyrë që të plotësojë shpresat për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian.