Bedri HALIMI
(Kumtesë e lexuar më datën 29 janar 2019 në tribunën "Shkrimtari dhe mediat", organizuar ng Lidhja e Shkrimtareve e Kosoves)
Por, gjithashtu është e ditur se roli i mediave në orientimin, frymëzimin, provokimin pozitiv ndaj publikut do të duhej të bëhej ashtu siç kjo gjë ndodh në shumë vende të botës.
Natyrisht se edhe në media ka gazetarë të mirë që kanë njohuri kulturore, siç ka dhe redaktorë të fushës përkatëse. Ashtu siç ka edhe gazetarë, që bëjnë kursin fillestar për të kaluar në sferën e raportimit të ngjarjeve politike.
Kultura përgjithësisht ka të bëj me dijet që duhet të kenë jo vetëm gazetarët e redaktorët por edhe bërësit e politikës redaktuese të medias së caktuar.
Vetë jeta dinamike dhe intensiteti i punëve kanë ndikuar që njeriu të ketë më pak kohë për tu marrë me libra.
Por është më se e nevojshme që ngjarjet kulturore dhe veçmas emisionet e karakterit të kulturës letrare të prezantohen pak më thellë e më gjerë.
Ashtu siç u tha për gazetar, e njëjta gjë vlen edhe për krijues, ku në mesin e tyre kanë hyrë e hyjnë edhe krijues të tillë, për të mos thënë pseudokrijues, të cilët në botën kulturore letrare paraqiten me vlera të cekta, madje antivlera, të cilave do të duhej fshikulluar me ton kritik përmes mediave.
Çdo shkrimtar kur shkruan, duhet të ketë parasysh lexuesin të cilit i drejtohet. Kujt po i drejtohet dhe si po i drejtohet, me krijimin e tij, me librin e tij.
Rrethanat në këtë drejtim, kanë arritur deri në stadin kur krijuesit, librin duhet t’ua dhurojnë njeri tjetrit në të shumtën e rasteve, miqve e shokëve dhe dashamirëve.
Për vlerat e librave, nga mediat dhe gazetarët, nuk thuhet asnjë fjalë. Kurse në promovime të librave, ku zakonisht ftohen miq, shokë, dashamirë e të afërm, aty flitet në superlativ për librin dhe autorin e tij.
Nganjëherë flitet edhe nga njerëz kompetent, e në veçanti nga diletant të letërsisë.
Sot mund të hasësh libra e libra, ku redaktor apo recensentë të një romani, bëhet njeriu që nuk ka shkruar asnjë varg proze, e madje as poezie.
E njëjta gjë ndodh edhe me botimin e disa librave letrar edhe në gjini të tjera letrare.
Dhe tani jemi në momentin kur për të gjithë librat shkruhet mirë, për të gjitha krijimet shkruhet mirë, duke mos patur mundësi kështu që të bëhet një selektim i vlerës nga pseudovlera.
Padyshim se këto vlera, vetë koha do t’i seleksionojë, ku autorët e disa librave me vlera të dyshimta do të kenë fatin të përjetojnë vdekjen e librave të tyre derisa ata janë gjallë vetë.
Ndërkaq te librat me vlerë ndodh e kundërta, ku libri jeton edhe pas vdekjes fizike të autorit.
Por, në këtë drejtim orientimi i shijes së opinionit lexues siç u tha duhet të bëhet nga mediat.
Mjerisht mediat sot në përgjithësi, kush më shumë e kush më pak, i kushtojnë rëndësi shumë të kufizuar për të mos thënë kurrfarë çështjes së librave letrar.
E në anën tjetër opinioni lexues provokohet me ngjarje ditore të veçanta si vrasje, vdekje aksidentale rrugore, përdhunime etj.
U tha se nuk mungojnë redaktorët e mirë dhe gazetarët e mirë, por ata duhet përkrahur e duhet lënë hapësirë, që ta kryejnë punën e tyre.
Pra çështja është te politika redaktuese e mediave përkatëse. Këto media mund të shndërrohen në shkolla duke ofruar prezantimin e kulturës serioze, e që kjo gjë mjerisht në shumicën e mediave nuk po ndodh.
Kjo nuk po ndodh për faktin se shumë media janë shndërruar në megafone të partive politike.
Kështu nëse një krijues i spikatur nëse arrin të botojë një libër për lakmi në fushën e letërsisë apo shkencës, në të shumtën e rasteve mediat para se ta prezantojnë, për mënyrën e prezantimit së pari e analizojnë heshturazi orientimin politik të autorit, dhe varësisht nga kjo, i japin hapësirë.
Nëse nuk i konvenon opozitës autori, mediat opozitare e heshtin duke e margjinalizuar.
E njëjta gjë ndodhë edhe me pozitën dhe mediat që qëndrojnë afër saj.
Pra mungojnë debatet në mediume, mungojnë analizat, mungojnë opinionet, mungon kritika e cila fatkeqësisht është e pa zë në Kosovë.
Si rrjedhojë në mediet tona nuk kemi as ekranizime të krijimeve origjinale si të: tregimeve, drama vendore, duke u reduktuar në minimum emisionet letrare.
Në anën tjetër ndodhë që ndonjë biznesmen i suksesshëm, jo se ka afinitet letrar apo shkencorë, por ka para.
Dhe me para, kryen dy punë njëherësh, edhe arrin të botojë libër, e madje edhe të prezantojë “vlerat” e librit të tij në media të ndryshme.
Disa media padyshim e kanë në plan të parë marketingun sepse u duhet edhe për mbijetesë.
Kështu që kur kanë për të prezantuar reklama, faqet e para që duhet të sakrifikohen janë faqet e kulturës, duke e injoruar kështu faktin se kultura dhe prezantimi i ngjarjeve kulturore janë dritare shpirtërore të kulturës kombëtare.
Në disa raste, vetë autorët i bëjnë reklamë botimeve e veta, madje duke tentuar edhe të bëjnë përkthime, duke gjetur kështu përkthyes dosido, jo profesional për fushën përkatëse.
Prandaj mund të merret me mend, nëse përkthehet një libër me vlera modeste dhe i servohet opinionit të huaj lexues.
Mund të merret me mend edhe përkthimi i librit me vlera modeste letrare nga përkthyes modest, që nuk janë marrë dhe nuk merren me letërsi. Pra, mund të imagjinohet se si një libër i tillë do të pritet para lexuesit të huaj.
Thënë më së buti kjo është një vetëvrasje kulturore, një atentat kulturor. Dhe për këto fenomene mediat nuk thonë asnjë fjalë, nuk organizojnë asnjë debat.
U tha, se shumë media nuk çajnë kokën për kulturë, duke shikuar kështu vetëm interesin fitimprurës duke u lidhur me politikën, ku përmes lajmeve trajtojnë interesin publik.
Kështu shumë media shkruajnë kritika të qena e të pa qena për politikan të korruptuar; politikat mashtruese, institucione jofunksionale, moszbatim të ligjeve, madje edhe duke e luajtur ndonjëherë rolin e prokurorit e gjykatësit, por nuk merren me trajtimin e kulturës letrare të krijuar nga autorë të ndryshëm.
Në rrethanat e sotme, për t’u bërë i njohur një shkrimtar, e ka të vështirë edhe nëse e ka veprën e mirë.
Përderisa në fushat e tjera të kulturës si në film, në ekspozitë pikture, në muzikë etj., nëse dëshmohet së pari suksesi individual në arenën ndërkombëtare, atëherë edhe mediat vendore fillojnë e shkruajnë duke u servilosur me vonesë.
Por te libri kjo gjë është më e vështirë, sepse duhet dikush t’ia servojë lajmin opinionit lexues, për vlerat e mirëfillta të librit të caktuar, e tëk pastaj të senzibilizohej nevoja e përkthimit për të arritur sukses individual.
Por përderisa në shumicën e mediave, siç u tha kemi mbulim të dobët të ngjarjeve kulturore letrare, natyrshëm kemi edhe prezantim të dobët në fushën e kulturës, nga se po ndodh shpërfillja e mediave për aktivitetet e ndryshme kulturore letrare.
Ndonjë medium padyshim se edhe mund të dallohet me ndonjë shtojcë kulture apo edhe edicione brenda programeve kulturore televizive.
Raportimi për kulturë ka të bëjë me të kuptuarit e lidhjeve mes artit dhe shoqërisë.
Në praktikat e prezantimeve mediale në sferën letrare, duhet të jetë suksesi për t’u prezantuar mirëfilli dhe pastaj talenti për t’u motivuar.
Në këtë drejtim, duhet të potencohet se mungon kritika në të gjitha fushat e kulturës, si në produksionet e teatrit, muzikës, filmit, në artet pamore por edhe në letërsi.
Padyshim se edhe institucionet tona shtetërore duhet ta mendojnë më mirë, se cili duhet të jetë roli i tyre në drejtim të sanimit të kësaj gjendjeje, duke i motivuar e përkrahur mediat që tu japin hapësirë në programet e tyre edhe krijimeve letrare, botimeve letrare, dhe aktiviteteve të ndryshme letrare.
Kjo pa përjashtim ndodh në të gjitha shoqatat e ndryshme, ku më shumë e ku më pak.
Por në këtë rast duhet të potencojmë mungesën e prezencës së mjaftueshme të mediave për prezantimin e aktiviteteve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një emër ky që ka qenë sfidues dhe orientues edhe në kohërat më të vështira.
Prandaj është e nevojshme që edhe sektori i kulturës të jetë nën vëzhgim më të afërt me institucionet relevante kulturore, ngase nuk mund të konsiderohet kultura më pak e rëndësishme në proceset e shtetndërtimit të Kosovës, ashtu siç mediat nuk duhet të presin që të ndodh ndonjë skandal kulturor për ta prezantuar në hapësirat e tyre mediale.
E kuptojmë se kufizimet financiare dhe presionet e tregut ndikojnë në pozicionimin e kulturës si dhe në prioritetet redaktuese.
Por kjo praktikë është e nevojshme që të ndryshohet duke dhënë hapësira të veçanta qoftë në televizione të ndryshme si në RTK me emisione të veçanta, qoftë edhe në media të shkruara, që kjo praktikë të ndryshohet.
Në mungesë të kritikës së mirëfilltë, krijimi i hapësirës për prezantim të veprave të caktuara përmes gazetarëve me formim kulturor, do të vinte në spikamë sado pak edhe të metat e librave të caktuar letrarë apo monografi të veçanta, për të cilën gjë ka shumëçka të flitet rreth të metave qoftë në prezantimin e argumenteve që ofrojnë; në mënyrën e prezantimit të argumenteve; në tentimin për t’ia zbukuruar këto argumente duke i bërë kështu dëmtimin e tyre dhe si rrjedhojë duke i shndërruar argumentet në kundër argumente.
Pastaj rreth përdorimit të fjalëve e fjalive emocionale pa kontroll, brenda monografive të ndryshme sidomos ato që pasqyrojnë gjenocidin, me terma të caktuar, si: paramilitar, okupatori sllavo ortodoks etj., të cilat krijojnë neveri edhe para lexuesit vendor, e lëre më para atij të huaj.
Dhe sërish këtu dalim te redaktorët e recensentët, për të përfunduar kështu sërish në mungesën e kritikës në media të caktuara, në mënyrë që praktikat devijante të ndalen, për t’i prezantuar gjërat ku është e nevojshme me terma letrarë në veprat letrare, dhe me terma juridik në veprat shkencore.
Të shpresojmë se praktika e mos përcjelljes nga ana e mediave të aktiviteteve kulturore të Lidhjes së Shkrimtarëve do të ndryshojë për së mbari, bashkë me botimin e krijimeve të arrira nga anëtarësia e kësaj shoqate, dhe jo vetëm të saj.
(Autori është shkrimtar si dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës.Ka qenë Kryeredaktor i Agjencisë së lajmeve në "Kosovapress" si dhe redaktor përgjgjës në gazetën
"Infopress".)