Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri,Ph.D
“Akademiku rus Aleksandër Rusakov deklaron se Rusia duhet ta njohë patjetër Kosovën. I ardhur në Tiranë me ftesë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës në një konferencë shkencore për shkrimtarin Ismail Kadare, Rusakovi dha një intervistë të gjatë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”.
Një njohës shumë i mirë i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe, Rusakovi deklaroi për gazetarin Qafoku se nuk ka asnjë arsye që Rusia të vazhdojë të mos e njohë shtetin e Kosovës. “Kjo duhet të bëhet patjetër dhe nuk mund të ketë më hezitime”, tha Rusakovi që një pjesë të studimeve të tij për gjuhën dhe kulturën shqipe i ka bërë në Kosovë” (Citohet sipas: “Akademiku rus: Rusia të njohë Kosovën”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2016).
Mendoj se çdo shqiptar të ndershëm, për të cilin çështja kombëtare është yll karvani në jetën e tij, duhet ta ketë gëzuar një deklaratë e tillë, e cila del nga goja e një përfaqësuesi të botës akademike ruse. Do të dëshironim që të ishin të shumtë intelektualët rusë që kanë sadopak informacion për kombin shqiptar dhe për trojet e tij etnike. Mirë do të ishte që profesorati i degës së gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, i cili me siguri që është në një mendje me profesorin Aleksandër Rusakov, në mjetet e informimit masiv rus, të dilte me një kërkesë publike, drejtuar Presidentit Putin, Kryeministrit Mevedjev dhe Ministrit të jashtëm Llavrov, për njohen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Ky do të ishte një kontribut me të vërtetë mjaft i ndjeshëm i profesoratit të degës së gjuhës shqipe në universitetin e lartpërmendur, me qëllim sensibilizimin e mjeteve ruse të informimit masiv për emancipimin e politikës zyrtare ruse në qëndrimin ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe në qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës në veçanti. Kjo për arsye se politika ruse, tradicionalisht, që prej kohës së carizmit rus të shek. XIX dhe deri në fundin e shekullit XX, ka mbajtur një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar. Profesorati i degës së gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, me siguri që e ka informacionin e duhur se ishte pikërisht diplomacia ruse ajo që luajti rolin vendimtar për fillimin e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, së pari, në Kongresin famëkeq të Berlinit të vitit 1878.
Para nënshkrimit të Traktatit të Berlinit në atë kongres, sipas dispozitave të një projekti franko-austriak, përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë, i rekomanduan Portës së Lartë që krejt trevat etnike shqiptare t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, çka krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por agjenti diplomatik rus Hitrovo interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (Citohet sipas: Arben Puto.“Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”. Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll.I (1867-1912). Tiranë, 1984, f.34).
Së dyti, kur të katër vilajetet shqiptare ishin në prag të shpalljes së pavarësisë dhe kur vendeve fqinje nuk u ishin ndezur ende epshet shoviniste për copëtimin e tyre, pikërisht diplomacia Rusia ishte ajo që kishte marrë në dorë hanxharin për një copëtim të tillë dhe për zhdukjen e tyre nga harta e Evropës. Kështu, më 27 tetor (9 nëntor) 1912, në një telegram sekret që i dërguari rus në Beograd, N.G. Hartvig, i dërgonte Ministrisë së Jashtme Ruse në Sankt Peterburg, thuhej:
“Për shkak të zgjerimit të ardhshëm të territoreve të të katër aleatëve, një Shqipëri autonome do të dukej si një anomali, si një vatër e përhershme trazirash, të cilat do të ngjallnin shqetësime për paqen në Ballkan… Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë” (Citohet sipas librit: “Allbanskij faktor v razvitii krizisa na teritorii bëjvshej Jugosllavii. Dokumentëj. Tom pjervëj (1878-1997)”. Izdatjelstvo “INDRIK”. Moskva 2006, f. 57).
Së treti, menjëherë pas këtij njoftimi, vjen edhe reagimi i ministrit të jashtëm të Rusisë Sergej Sazonov. Në kujtimet e veta, ky ministër, si armik i betuar i kombit shqiptar, shkruan:
“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Vospominanjija”. Izdatjelstvo “Harvest”. Minsk 2002, f.77).
Së katërti, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Rusia që mbante në dorë hanxharin për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës, kishte vendosur të kënaqte përfundimisht epshet shoviniste grekosllave.
Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta përmend një audiencë që ka pasur asokohe në Carskoje Sjello më 21 nëntor 1914, me kërkesë të carit rus Nikollaj II. Ai shkruan:
“Perandori më pret me mirësjelljen e tij karakteristike, me përzemërsi dhe paksa me druajtje… Mandej, pasi shpalosi hartën e Gadishullit të Ballkanit, ai, në vija të përgjithshme, më parashtron këndvështrimin e vet se cilat duhet të jenë ndryshimet territoriale, të cilat ne, sipas vlerësimeve të tij, duhet t’i dëshirojmë: Serbisë t’i aneksohen Bosnja, Hercegovina, Dalmacia dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, përveç Vlorës, e cila do t’i lihet Italisë” (Citohet sipas: Moris Paleologu. “Carskaja Rossija v hodje mirovoj vojnëj”. Izdatjelstvo “Mezhdunarodnëje otnoshenjija. Moskva 1991, f. 129).
Së pesti, sipas vendimit që mori Konferenca famëkeqe e Londrës më 30 maj 1913, u njoh pavarësia e Shqipërisë së sotme, jashtë së cilës, me këmbënguljen e jashtëzakonshme të diplomacisë ruse, mbetën ¾ e trojeve tona etnike.
Profesorati i gjuhës shqipe i Universitetit të Shën Petrërburgut, le të marrë mundimin dhe të shfletojë Fjalorin enciklopedik rus, botim i Akademisë së Shkencave të Shën Peterburgut të vitit 1896, të ndalet në zërin “Albania” dhe të njihet me shtrirjen e territoreve etnike shqiptare prej Artës e Prevezës dhe deri në Tivar.
Së gjashti, në Traktatin e fshehtë të Londrës më 26 prill 1915, u vendos që edhe ajo ngastër Shqipërie që kishte mbetur pas copëtimit që Perëndimi evropian u bëri trojeve tona etnike në Konferencëne Londrës, të zhdukej tërësisht nga harta e Evropës. Në marrjen e atij vendimi kriminal, diplomacia ruse luajti violinën e parë.
Së shtati, në një bisedë që J.V. Stalini ka pasur në muajin shkurt të vitit 1948 me një delegacion të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, të përbërë nga M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, është zhvilluar një dialog. Me këtë rast, M. Gjilasi kujton deklaratën e Stalinit:
“- Në Shqipëri ne nuk kemi interesa të veçanta. Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë!
Dhe ai mblodhi gishtat e dorës së djathtë dhe i afroi te goja, sikur po kapërdihej. Mua më çuditi, pothuajse më turbulloi kjo mënyrë shprehjeje e Stalinit dhe gjesti i tij”. [Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 104).
Pra, Stalini e ka deklaruar shkoqur se Shqipëria nuk paraqiste kurrfarë interesi për Rusinë, prandaj ajo duhej gëlltitur prej Jugosllavisë.
Së teti, Ma fatet e Republikës së Shqipërisë, diplomacia ruse ka tentuar të luajë edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Profesor Beqir Meta shkruan:
Më 7 korrik 1948…përfaqësuesi sovjetik në Greqi (Çernjishev – E.Y.), kishte propozuar fillimin e bisedimeve midis qeverisë sovjetike dhe qeverisë greke për zgjidhjen e problemeve që kishin dalë… Ishte lënë të kuptohej se sovjetikët ishin përgatitur të diskutonin jo vetëm marrëdhëniet e përgjithshme të Greqisë me fqinjët veriorë, por gjithashtu edhe çështjen e Epirit të Veriut… Kjo ofertë e Bashkimit Sovjetik për qeverinë greke, nxjerr në pah si mungesën e sinqeritetit të qeverisë sovjetike në marrëdhëniet me Shqipërinë, ashtu edhe rëndësinë e papërfillshme që kishte Shqipëria në planet dhe në objektivat sovjetike…” (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 612- 613).
Së fundi, edhe pas vdekjes së Stalinit, diplomacia ruse i vazhdoi pazaret me shovinizmin grekomadh, në dëm të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Kështu, Venizellosi, më 5 qershor 1960, “i kërkoi Hrushovit ndërmjetësimin e tij që udhëheqja shqiptare të pranonte autonominë e “Epirit të Veriut”… Ai (Hrushovi – E.Y.) u angazhua se do t’ia transmetonte këto gjëra E. Hoxhës kur ta takonte në Bukuresht. Këtë bisedë me Hrushovin, Venizellos e bëri atëherë publike në shtypin grek dhe ajo nuk u përgënjeshtrua nga ndonjë burim sovjetik” (Prof.dr. Beqir Meta. “Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë”. Shtëpia Botuese “Koçi”. Tiranë 2004, f. 165).
Gjithsesi, qëndrimin më flagrant ndaj kombit shqiptar, diplomacia ruse dhe mbarë klasa drejtuese ruse (establishment rus) e mbajti gjatë luftës në Kosovë, kur u rreshtua totalisht përkrah shovinizmit gjakatar serbomadh millosheviçian dhe krejt mjetet ruse të informimit masiv villnin vrer kundër shqiptarëve dhe mbronin me zjarr kriminelin Millosheviç. Madje asokohe, në Moskë, në ministrinë e mbrojtjes, u regjistruan 70 mijë vullnetarë për t’u nisur për në Serbi dhe për t’u rreshtuar përkrah bandave kriminale të Arkanit dhe të Sheshelit për vrasjen e shqiptarëve.
Pra, diplomacia ruse, kombit shqiptar i ka një borxh të madh politik se ka mbajtur ndaj tij qëndrime kriminale, duke ndikuar fuqimisht për copëtimin e trojeve të tij etnike. Ajo duhet të gjejë forca në vetvete dhe të dalë me një pendesë publike para opinionit publik ndërkombëtar për këto krime të rënda, të cilat sollën si pasojë rrudhosjen tragjike të trojeve të tij deri në 28 mijë km², paçka se ato zinin faktikisht një sipërfaqe prej më shumë se 100 mijë km².
Këto të vërteta tragjike, me vërtetësi historike, që u renditën më lart për qëndrimin tradicionalisht armiqësor të diplomacisë ruse ndaj kombit shqiptar, do të ishte mirë që t’i bëheshin të njohura mbarë opinionit publik rus përmes mjeteve të informimit masiv. Por kjo është e pamundur, sepse ai që do të kuturiste ta bënte një gjë të tillë, ku ta dish, mund të pësonte edhe fatin e gazetares Politkovskaja ose të politikanit Boris Njemcov.
Si një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, Profesorit të nderuar të gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, zotërisë Aleksandër Jurjeviç Rusakov, dëshiroj t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time të thellë për deklaratën e tij, me të cilën, tërthorazi, i bën thirrje politikës ruse të njohë Republikën e Kosovës. Me rastin e festave të fundvitit, atij dhe profesoratit të gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut, u përcjell urimet më të mira: shëndet, mbarësi dhe suksese në veprimtarinë shkencore.