2019-01-31

NJË LIBËR SI DORACAK PËR FUSHËN E EDUKIMIT KRITIK PËR MEDIA



Rezultate imazhesh për Lindita Aliu Tahiri
Lindita Aliu Tahiri, sjell librin e saj më të ri "Edukimi kritik për media", të cilin e ka botuar shtëpia botuese "Armagedoni", në Prishtinë.
Rezultate imazhesh për Lindita Aliu Tahiri

Lindita është gjuhëtare, kritike letrare, studiuese e medies, poete dhe përkthyese letrare. Gjatë vitit akademik 2010/11 ka bërë studime hulumtuese për media dhe edukimin mediatik në Universitetin Maryland në ShBA. Është mësimdhënëse në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron në Departamentin e Gazetarisë, në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe në programin për përkthim dhe interpretim në Fakultetin e Filologjisë.

Në parafjalën e saj, me të cilën edhe fillon libri "Edukimi kritik për media", autorja Lindita Aliu Tahiri, ka theksuar se punës për bërjen e këtij libri i ka hyrë me motivin dhe dëshirën që t'u shërbejë jo vetëm studentëve të Departamentit të Gazetarisë, por të gjithë atyre që mendojnë në mënyrë kritike për mesazhet që i marrim nga mediet.

Për ta përmbushur të drejtën elementare të njeriut për informim, sipas autores, shumë shoqëri e kanë paraparë lëndën e edukimit për medie në shkollimin formal, madje që në vitet e hershme në kopsht, gjë kjo e cila është menduar edhe nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë si pjesë e kurrikulës bërthamë për arsimin e mesëm të lartë, brenda fushës "Shoqëria dhe mjedisi", ku përfshihen edhe tema që ndërlidhen me edukimin për medie.

"Ky libër ka për qëllim që të na nxisë të mendojmë për përgjegjësinë tonë për të ushtruar të drejtën për informim të lirshëm dhe të saktë, që është parakusht për demokracinë. Si e kemi parë, demokracia dhe zgjedhjet e lira nuk sjellin me automatizëm qeveri të mirë. Nëse qytetarët nuk janë të lirë ta vlerësojnë informacionin në mënyrë kritike, ata nuk do t'i zgjedhin përfaqësuesit e vet më të mirë", vlerëson me të drejtë autorja e librit.

Sigurisht që ky libër do të duhej të ishte një doracak i mirë edhe për gazetarët aktivë dhe për ata që duan të merren me këtë profesion kaq të vështirë që krahasohet me profesionin e parashutistit. Prandaj autorja konstaton se për gazetarët e ardhshëm, edukimi kritik për medie është edhe më i rëndësishëm, meqenëse ata do të duhej të jenë të vetëdijshëm për konstruktimin e mesazheve që i ofron publikut, duke e ushtruar këtë detyrë dhe këtë privilegj me transparencë, etikë dhe vetëdije kritike, vë në dukje, ndër të tjera, Frang Bardhi.

Kështu libri "Edukimi kritik për media" i Lindita Aliut vjen tek ne në kohën kur, siç shprehet Albert Einstein: "Ia kam frikën ditës kur teknologjia do të kapërcejë komunikimin direkt të njerëzve me njëri-tjetrin; bota do të ketë një brez idiotësh". Pra ky libër bëhet kaq i nevojshëm, meqë vjen në kohën kur, mbështetur në logjikën e konsumit, i jemi nënshtruar informacioneve nga më të ndryshmet, duke humbur sensin për të vërtetën, ndërsa bota vlon nga lajme të rrejshme. Për më tepër, kur dihet fakti se ne jemi një shoqëri e mbyllur, ndikimi negativ i medieve bëhet edhe më i rrezikshëm. Prandaj i vetmi instrument kundër ndikimit negativ të medieve është të menduarit kritik, përkatësisht edukimi kritik dhe estetik mbi to. Kjo edhe për faktin, se siç do të thoshte Marquez, jetojmë në një botë ku njerëzit nuk e thonë atë që ndjejnë dhe nuk ndjejnë atë që thonë.