Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/02/02

Nebih Bunjaku:Cikël poetik

Fotografia e profilit të Nebih Bunjaku

Nebih Bunjaku është nga Poliçka e dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë të Gjilanit. Në Gjilan kreu shkollën e mesme, ndersa studimet për Gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike, duke punuar fillimisht në Shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në Gjimnazin e Dardanës, në Shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore në Banullë- Gllogofc, në Gjimnazin e Lypjanit, në Shkollën teknike të Kastriotit.
Që nga viti 1993 punojë në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Prishtinës, ku ishte drejtor i kësaj shkolle.


Ka botuar këto vëllime me poezi: 

“Dalje nga balada” (1994),
”Gramatikë zemre”(2004),
“Terapia e dashurisë” (2005),
 “Një samimt për një simit”(2007), 
“Prushimë buzësh (2008),
 Zemra nuk ka dimër (2009), 
“Testamenti i lotit” (2012) ,
 “Kopshti i shpirtit” 

Etj.

Nebih Bunjaku bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista shqiptare, ku ka botuar edhe poezi të ndryshme.

 Disa poezi i janë shpërblyer me vendin e parë, të dytë dhe te tretë nëpër konkurset letrare. 

Cikle poezish i janë botuar edhe në turqisht, anglisht, polonisht.... 

Ky autor është i prezantuar edhe në disa libra të ndryshëm. Përpos poezi, Nebih Bunjaku ka botuar edhe shkrime publicistike për personalitete te ndryshme të shquara shqiptare: për Mulla Idriz Gjilanin, Lot Vakun etj.

Për krijimtarinë poetike të Nebih Bunjakut kanë shkruar disa nga penat e shquara të letërsisë: Rushit Ramabaja, dr. Faik Shkodra, Abdullah Konushevci, Spiro Xhavara, Zef Pergega, Shefik Shkodra, Xheladin Mjeku, Shefqet Dibrani, Pëllumb Gorica, Naim Kelmendi,Flori Bruqi, Spase Thanasi, Hasan Hasani, Shahbaze Vishaj, Vezir Ukaj, Reshat Sahitaj, Krishtaq Shabani, Selatin Novosella, Tefik Selimi,  Atdhe  Geci, Hysen Këqiku, Shaban Cakolli, Bilall Maliqi, Sinan Sadiku...etj.


Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Jeton në Prishtinë.




RRUGËS PA KTHIM

(Ali Podrimjes)

“Të jesh shqiptar
e vdekja të mos gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është”.
Ali Podrimja

N’Universin letrar perëndoi Ylli
Një javë ditë lotoi dhe Dielli

Fjala mbajti shtatë ditë zi
Vetëm për Ty Poet Ali

Dhembja e Lumit doli nga shtrati
U trondit Gjakova Çabrati

Ura e Shejt u përkul për Ty
S’rrodhi ujë por Lot Ali

Simorta e Mostarit s’t’harron dot
“Dallëndyshen” ktheu në lot

Nata e huaj për Ty sirenë
Shpejt misteri mori dhenë

As natës sonë s’i zihet besë
Është stërkequr të pret n’besë

Herët u nise rrugës pa kthim
T’u prehtë shpirti në amshim

Prishtinë, 26.72012


REÇAKU

Liria fshihet në një pikë gjaku
të një fëmije a të një plaku.1



Fundi i shekullit plot acar 
dyfish dimër në Reçak 
ditë e zezë pesëmbëdhjetë janar
Reçaku i trimave u la në gjak

ekraneve të shpirtit nëpër botë 
komunikon vetëm trishtimi 
zemrat tona grimë dhe copë 
veç nga ankthi e pikëllimi

n’gjuhën e dhimbjes njerëzore 
lajtmotiv kjo mizoria 
mbeti bota e nemitur 
vallë u kthyeka barbaria!

tok me engjëj Riza Beqiri 
ra dëshmor n’prag shtëpie 
mu pranë tij ra edhe i biri 
ku u fshihka ai gjak lirie?!

N’zemrën time u hap një shpellë 
plaga e shpirtit më kullon gjak 
midis dhimbjes një hon i thellë 
loti n’zemër për ty Reçak

a ka fashë që ma lidh dhembjen 
përveç Vokerit – Mikut Plak
a ilaç që shëron brengën 
krimit të hienës t’i vërë kapak


1) Martirin Riza Beqiri e njoha në Banjën e Kllokotit 
në fund të vitit 1998. Një javë banuam në të njëjtën 
dhomë. Për lotin tim ndaj masakrimeve barbare, 
Riza më qortoi me profecinë e tij që e shënova 
si moto të kësaj poezie. Vetëm dy javë më vonë, 
më 15 janar 1999, tok me të birin dhe me martirë 
të tjerë çetnikët i masakruan në Reçak!


SHTËPIA E LIDHJES


N’Prizren n’zemër Shqipërie
Besa dha Besën n’Kuvend
N’Sofër të madhe historie
Do të vdesim për këtë vend

Në Prizren u lidhën zemrat 
U mboll fara e Pavarësisë 
N’histori u gdhendën emrat 
Në ngjizje gjaku të lirisë

Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni 
Abdyl Frashëri e Mic Sokoli
Krenaria e mbarë këtij populli 
Në Kuvend me një gojë foli

Ligjërojnë fjalë Perëndie 
Ky Atdhe gjithmonë ka Zot
Besa e Beses u lidh nyje 
N’vend të bukës – hamë barot

Gurthemel u vu Besa 
Armaturë e ardhmërisë 
N’Shtëpi të Lidhjes u bë fejesa 
Midis vdekjes dhe Lirisë

Në Prizren perëndoi hëna 
Lindi Dielli në Prizren 
Në Prizren na bekoi Nëna 
Kurdoherë ta mbrojmë këtë vend


TE RRAPI I PRIZRENIT

Nën hijen e Rrapit të Prizrenit 
midis sheshit – shpirti im 
së pari herë kur u takuam 
bëmë një foto në përqafim

unë t’harroj por zemra jo 
ajo digjet flakë për ty 
për mjaltin e buzëve tua 
dhe për sytë e tu qershi

aty është Shtëpia e Lidhjes 
Besa e shenjtë për ardhmëri
midis meje – midis teje 
– kurorëzim për dashuri

sa madhështor Lumbardhi sot 
rrjedh i qetë me kaltërsi 
zemrat tona i bashkon 
me dashuri në përjetësi

dhe Kalaja sa madhështore 
– relikt shpirti në histori 
me gjithë zemër na buzëqesh
sa herë lidh një dashuri



KUVENDI I XHUNGLËS

Midis xhunglës midis fushës
janë tubuar bishat e malit
si në shpellën e arushës
hingëllin mushku – djali i kalit

ca arinj, ujq dhe derra
hiena të natës grabitqare
zhvatin djersën e këtij vendi
katran të zeza-zullumqare

shahen rrihen në kuvend
të tillë janë dhe në qeveri
veç për copën më të madhe
vriten priten nxjerrin sy

të verbuar nga drita e diellit
s’shohin para hundës së vet
gjakun e derdhur kanë harruar
vjedhin me shumë marifet

lehin qen lehin zagarë
për një asht e lënë jetën
janë marrosur nga lakmia
nuk mërzitën për t’vërtetën

me katër këmbë shkelin ligjin
që n’kuvend e nxorën vetë
honxhobonxhot para botës
strofkën e tyre e bënë shkret

aty pëllasin gomarë e pela
që punojnë veç për të tjerë
s’u dhemb shpina nga samari
seç u mori koka erë



PORT DASHURIE

Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla e në dete

për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
midis shpirti lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh

valët e zemrës m’i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes
mos ngrit flamurin e bardhë



PRITJA

Në pritjen tënde u plak udha
edhe pritja ç’mu thinjosh
shpresa ime mbushur rrudha
e durimi kurrë s’m’u sos

në kujtesë të portretizova
nga korniza nuk del dot
në ngjyra zemre të fiksova
pikturë ndjenjash jetë e mot

unë e di se ti do vish
zemra zemrën s’e tradhton
atë kupë fati do ta pish
se vetë zemra ta kërkon




NË PORTËN E ZEMRËS

Në portë zemre kur trokita
në blerim prilli në pranverë
s’çave kokën për trokitjen
mbylle dritare mbylle derë

shpresën time e plagose
tani dergjem në spital
s’ka ilaç që ma shëron
shpirtin tim sentimental

kështjella jote prej çeliku
e mistershme krejt kallkan
si jeton në atë manastir
pa pikë dielli ti moj xhan

dil nga kështjella e Mesjetës
vetë buzëqeshjet do të çelin
në dashurinë tonë të zjarrtë
shpirtin n’shpirt do ta mbjellim

portën tënde me shtatë dryna
e ka ndryshkur koha vetë
gjysmën e shpirtit të burgosur
falja gjysmës së shpirtit të vet


KRYEFJALA

Në gramatikën e shpirtit
vetëm ti je kryefjala
nuk na duhet kallëzuesi
as në përqafime të rralla

emri më i dashur
në morfologjinë time
t’i dua buzëqeshjet
në rasa në zgjedhime

në sintaksën e syrit
periudhë në degëzime
në analiza zemre
ëndrra më intime


LULJA E SHPIRTIT

Lulja e shpirtit tim
rrënjët në zemrën time
pa ty nuk lind dielli
as nëpër vegime

lulëkuqja e prillit
çel vetëm n’blerim
lulëzo pa pushuar
fresku i vargut tim

zemra e kurorës
pengu i zemrës sime
vesa e mëngjesit
flladi i zemrës sime

t’i ujis petalet
veç me ledhatime
ti je vesë mëngjesi
flladi i zemrës sime

me ngjyra ylberi
ato gonxhet tua
nektar dashurie
që me dehin mua


PLAZHIT TË ZEMRËS

Plazhit të zemrës
shtrihu gjer e gjatë
çokollatë e thekur
hahesh ditë e natë

nëpër viset e tua
kur shtrihesh në plazh
notoj pa pushuar
nëpër çdo mesazh

sapo del nga uji
gjelb’ron n’syt’e mi
peng ëndrrat e tua
mbushur dashuri

shpirtin buzëqeshje
buzët plot magji
as më shfaqesh mike
thellë nëpër vetmi


MENY DASHURIE

Në shtëpinë artistike
në sofrën e shtruar
s’mungon asnjë gjellë
me zemër gatuar

në do bukë të bardhë
apo do bukë mrume
zgjidh e merr zemër
mos harro një brune

ka dhe bukë të zezë
si edhe bukë nore
disa me shumë tule
të tjerat veç me kore

një bionde e ëmbël
sipas kësaj menyje
shtruar tejendanë
në sofër dashurie

asnjë lule e vyshkur
s’ringjallet me ujë
kur shet dashuri
s’i takon askuj’


NË TAKIM TË PARË

Në takim të parë
lirshëm flet belbëzimi
fjalëve u dridhen buzët
buzëve vetë guximi

syve plot kureshtje
u dridh shikimi
nga buzëqeshja e parë
me lule gjelbërimi

duart e flakëruara
kudo hulumtojnë
gishtat ndezur flakë
ëmbël ledhatojnë

femrave buzëqeshjet
këmbëve u dridhen leqet
gjatë puthjeve të zjarrta
edhe burrave musteqet



DORDOLECI

Si roboti, bardh si bora,
hunda e tij e kuqe spec,
nuk e lëshon fshesën nga dora,
kot nuk quhet dordolec.

Një kapele ia vejmë në kokë,
sytë qymyr katran të zi,
n’vend vetullash - pendë korbi,
fëmijët e lagjes i kanë zili.

Në pikë t’ acari – lakuriq!
Për ngricë ai s’i jep pesë pare,
vetëm diellit ia ka drojën,
meqë vapë nuk duron fare.

Rroba dimri nuk vesh kurrë,
as të verës hiç se hiç,
serioz, gjithmonë si burrë,
fëmijët e botës i ka miq.

Nga lagështia bëhet akull,
trup e zemër krejt kristal,
vetëm një rreze e fortë dielli,
për një orë e shtron n’ spital!


Përgatiti:F.B.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...