Në ceremoninë e zbulimit të pllakës ishin të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, anëtarë të kabinetit qeveritar, krerë të bashkësive fetare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe znëtarë të familjeve shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Presidenti i Shqiupërisë, Ilir Meta, tha se shpallja “Shtëpi e Jetës” është mirënjohje për të gjithë shqiptarët që morën në mbrojtje qytetarë hebrenjë kur ishte në rrezik qenësia e tyre si komb.
“Dëshiroj të përgëzoj e të falënderoj Fondacionin Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’ për shpalljen e Shqipërisë ‘Shtëpi të Jetës’. Kjo ngjarje, jashtëzakonisht kuptimplote, nderon dhe respekton të gjithë shqiptarët. Në mënyrë të veçantë, ky akt nderon ata burra dhe gra shqiptare që, të udhëhequr nga kodi ynë shumëshekullor zakonor i mikpritjes dhe Besës, nën parimin se ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, strehuan bujarisht e pa u kursyer, vunë në rrezik jetën e tyre dhe të familjeve, duke shpëtuar nga përndjekja dhe shfarosja e sigurt, qindra e mijëra hebrenj gjatë Holokaustit, njërës prej periudhave më të errëta të njerëzimit”, u shpreh Meta.
“Fondacioni Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’, që mban emrin e një diplomati të jashtëzakonshëm e zemërmadh, njeh dhe vlerëson aktin e pashembullt humanist dhe fisnik të popullit shqiptar, duke e shpallur vendin tonë ‘Shtëpi të Jetës’, nëpërmjet vendosjes simbolike të pllakatës që po përurojmë sot në Tiranë. Nëpërmjet këtij akti solemn, ne jo vetëm i bëjmë sërish me dije gjithë njerëzimit historinë frymëzuese dhe unike të bashkatdhetarëve tanë, por edhe zotohemi që këtë trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore t’ua përçojmë e t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas. Fatkeqësisht ne u bëmë, vetëm dy dekada më parë, dëshmitarë të masakrave në Ruanda, në Bosnje e Hercegovinë, dhe për më tepër, të masakrave dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës”, theksoi Meta.
“Genocide dhe veprime të tilla çnjerëzore ndaj kujdo që i përket një feje, etnie apo kombësie të ndryshme, nuk mund të ndodhin dhe mbi të gjitha, nuk duhen lejuar të ndodhin kurrsesi në botën ku jetojmë të gjithë sot! Kurrë më!. Ky është apeli i të mbijetuarve të Holokaustit, disa prej të cilëve shpëtuan në këtë truall, pikërisht falë shpirtit altruist të shqiptarëve dhe ky është edhe mesazhi ynë sot, nga Tirana, kryeqendra e ‘Shtëpisë më të re botërore të Jetës!’”, u shpreh Presidenti Meta.
Zëvendëspresidenti i Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Wallenber”, Daniel Rainer, në fjalën e tij, tha se asnjë vendi tjetër nuk i është njohur ky vlerësim, por ka theksuar se “Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës”.
“Në Shqipëri nuk është dëgjuar të ketë pasur as edhe një rast të vetëm denoncimi. Mësuam se kjo përpjekje shpëtimi nuk ishte rastësi. Përkundrazi. Ky gjest fisnik është pjesë e kodit gjenetik shqiptar, të njohur si BESA, fjala e nderit që shpjegon mikpritjen njerëzore të shfaqur nga populli shqiptar ndaj të përndjekurve, pa pritur e pa kërkuar asgjë në këmbim dhe duke u përballur me rrezikun e madh për jetën e shpëtimtarëve si dhe familjet e tyre. Kjo është arsyeja pse Fondacioni ynë e shpall Shqipërinë, vendin dhe popullin e saj, si ‘Shtëpia të Jetës’. Asnjë vendi tjetër nuk i është njohur kurrë kjo njohje e vlerësim. Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës”, u shpreh Rainer, transmeton Balkanweb.
Shpallja e Shqipërisë “Shtëpi e Jetës” dhe vendosja e pllakës përkujtimore për viktimat e Holokaustit u bë me rastin e Ditës së Holokaustit.(http://illyriapress.com)