2019-08-15

Frang Bardhi ( 1606 - 1643 )


Parathënia e "Fjalorit" të Frangut të Bardhë ( 1606 - 1643 ) :

(Fragment)

Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2)copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa
maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike, e s'dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s'munë shërbenjë si duhetë paa të madh
error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë çeremoniatë e shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n'gjuhët cë lëtine mbë gjuhët t'arbëneshë një dicionar, qi tjetër s'ashtë veçëse nja librë, qi kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë shekulli(7)posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të malevet e të fushavet e të saa tjerakafshëve(8), qi gjindenë ndënë qiellt, ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet...

I silli librë më pëlqei e m'u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të pakë e të moritunë(9).

Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e ershë mb'Romë pr'urdhënit të Kuvendit Shint(10)e të ndriçmit nderueshimit zot upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr'emënë Gjeçi i Bardhë(11), fisit sinë e ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata qi xanë, me vonë mbasandaj ndër të paafeet me çtuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë,zunafijll tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish mujta; e mbassi e solla(13), m'u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), qi kanë zakon e banjënë t'Arbëneshëtë kuur, së largu oo s'të këtje(16), mb'udhë mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu qi ata qi të fëdigenë(19) e të duenë më xanë gjuhënë latine maa mirë e maaudob(20) t'u vinjë ...

... Prej Rome, dit ndë maaj 30, ndë vietëtë Krishti 1635. Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D.Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të Shintesë Fee.

Shënim :

"Parathënia ..." është nxjerrë nga origjinali, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa
te dhëna kryesore mbi jetën e Bardhit.



Sqarime :

( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend,menduar.
( 2) Qish, çfarë.
( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha.
( 4) Error, it. gabim,
( 5) Hesaapetë, tq. konceptet.
( 6) Mëndy, m'u duk.
( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë vend.
( 8) Kafshëve, sendeve.
( 9) Të moritunë, të pakë,të dobët.Lurij,(Loreto),qytet në Itali, ku ishte një kolegj, me emër "Kolegji Ilirian", që pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin,B. e filloi duke qenë akoma nxënës.
(10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e
ndryshme. Mbasi kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së Shenjtë ("Propaganda Fide").
(11) Gjeçi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket se ishte një familje priftërinjësh, që lojtën rol me rëndësi në
kishën katolike të vendit tonë, veçanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer në pjesën e parë të shekullit XVII.
Daja i Gjeçit, Nikolla, dhe Gjeçi vetë, patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë.
(12) Nsi, prej tij.
(13) E solla, s përktheva.
(14) Hina tue kujtuem, u vura të mendoj.
(15) Të falunazë, përdhëndetje.
(16) S'të këtje, së afërmi.
(17) Përgjat, pranë,përkrah.
(18) Ani, pastaj.
(19) Fëdigenë, lodhen,përpiqen.
(20) Udob, lehtë.



Frang Bardhi ose Frangu i Bardhë (lat. Franciscus Blanchus, it. Francesco Bianchi; Kallmet, 1606 - Romë, 1643) ka qenë prelat kishtar dhe shkrimtar shqiptar.

 Shquhet ndër autorët e hershëm të letërsisë shqipe, si hartuesi i të parit fjalor të shqipes (Dictionarum latino-epiroticum), botuar në Romë më 1635.

 Shërbeu si ipeshkëv i Sapës në vitet 1635-1644.


Bardhi vinte prej një familjeje që i kishte dhënë klerikë e ipeshkvinj Kishës Katolike si dhe ushtarë për Republikën e Venedikut. Studjoi në Kolegjin e Loretos dhe në Propagandën Fide në Romë. Pasi u doktorua në teologji u emërua ipeshkëv i Sapës, pa qenë më parë famullitar  në kohën e papatit të Urbanit VIII.

Më 1635 botoi në Romë fjalorin e parë të gjuhës shqipe, Dictionarum latino-epiroticum (Fjalor latinisht-epirotisht/shqip) me 5640 zëra. Në apendiksin e vet ka 113 proverba, shprehje dhe fjalë të urta, disa prej të cilave janë përkthyer prej gjuhëve të tjera në shqipe, por shumica e tyre janë vjelur nga folklori shqiptar.Më 1636 iu botua në Venedik një biografi për Gjergj Kastriot Skënderbeun, me titullin Apologjia e Skënderbeut. Vepra ishte një polemikë ndaj priftit katolik sllav Ivan Tomko Mrnavić që mëtonte se Kastrioti kishte prejardhje sllave.

Më 1636-37 vizitoi si misionar apostolik dioqezat shqiptaroveriore, ku në relacionet që i bënte Selisë Shenjte radhit të dhëna të shumta mbi historinë, gjeografinë dhe etnografinë e atyre viseve.
Relacionet me titullin Descrittione et informatione del stato del vescouato et chiese parochiali della Diocese Sappatense u përkthyen nga Injac Zamputti dhe u botuan më 1956 me titullin Relacioni i Frang Bardhi mbi Zadrimën, drejtue Kongregacionit të Propagandës në Romë në shek. XVII.

Vepra

Gjuhëtari Kolë Ashta thotë se ka 2544 fjalë si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Kjo e bënë që Bardhi të jetë leksikografi i parë i gjuhës shqipe dhe folkloristi e etnografi i parë shqiptar i njohur deri më tani.


Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...