2019-08-15

Letërsia e Rilindjes Kombëtare dhe Letërsia romantike shqiptare.




Nga Flori Bruqi 


Letërsia shqipe, për shkak të kushteve të vështira historike, ka lindur përgjithësisht me vonesë.

 Shkrimet e para në gjuhën shqipe, janë të shekullit të XV.



Dokumentet e para të shqipes së shkruar:

Formula e Pagëzimit (1462)

Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497) dhe

Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI)

Më i vjetri ndër këto tri dokumente është Formula e pagëzimit. Ajo i përket vitit 1462. Është një fjali e shkurtër: Un të pagëzonj pr`emen`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt. Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine.

Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit (Historia e Skënderbeut, 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht. Libri i parë shqip është Meshari (1555) i Gjon Buzukut. Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare, por që ishin shprehje e qëndresës kundër sundimit osman. Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba.



Në shek. XVIII-XIX lindi rryma e letërsisë shqipe me alfabet arab, e ndikuar nga i letërsia orientale, por në veprat e poetëve më të shquar kishte edhe tema fetare, shoqërore dhe didaktike (Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Çami - Kyçyku etj).


Jeronim de Rada

Vepra e parë madhore e kësaj periudhe do të jetë poema Këngët e Milosaos, e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar në vitin 1836. Gjithë veprat që do të botohen më pas deri në 1912, do ti takojnë një periudhe letrare që njihet nën emrin letërsia e Rilindjes. Kjo, është një letërsi kryesisht patriotike, me nota luftarake dhe frymëmarrje romantike. Kësaj letërsie, do ti prijë poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar.

Në kuadrin e letërsisë së Rilindjes do të krijojnë shkrimtarë si Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni, Filip Shiroka, Gavril Dara, Zef Serembe etj. Letërsia e kësaj periudhe ishte kryesisht letërsi poetike.

Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare. Po kështu dhe dramaturgjia do të japë veprat e para pioniere. Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për çlirimin nga sundimi I huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. 

Ajo pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin evropian. 

U lëvrua sidomos poezia. Kjo ishte një letërsi me frymë demokratike e popullore, tema themelore ishte dashuria për atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar e shoqëror. 

Te shqiptarët e Italisë (arbëreshët) u shquan Jeronim de Rada me poemën Këngët e Milosaos (1836) e një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën Kënga e Sprasme e Balës, Zef Skiroi me shumë poemë, si Flamuri i Arbërit (1885), Mili e Hajdhia (1890), Te dheu i huaj (1891), dhe poezi, këngë tradicionale dhe përmbledhje folklorike, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

Poeti i madh kombëtar i kësaj periudhe është Naim Frashëri, autor i poemës Bagëti e Bujqësi (1886), i Historisë së Skënderbeut në vargje dhe i shumë veprave të tjera patriotike, lirike e filozofike.

 Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Andon Zako Çajupi (Baba Tomorri, 1902), poetët Ndre Mjeda, Aleks Stavre Drenova (Asdreni), novelisti Mihal Grameno etj.

Letërsia pas Pavarsisë



Me çlirimin e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, letërsia do të hynte në një periudhë të re zhvillimi (1912-1939). 

Traditat e shquara në lëmin e poezisë do të lëvronin më tej nëpërmjet krijimtarisë së pasur të poetit të shquar Gjergj Fishta dhe të poetëve të tjerë si Ndre Mjeda, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Vinçens Prennushi etj.

Letërsia do të shënonte një etapë të re me lindjen e romanit shqiptar në dekadën e dytë të këtij shekulli me romanet e N. Nikajt, F. Postolit, Z. Arapit dhe më pas me ato të H. Stërmillit e S. Spasses.

Nga ana tjetër, në lëmin e prozës do të ndjehet një ngritje e nivelit të tregimit, e cila do të kualifikohet artistikisht nga Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi.

Gjatë periudhës së Pavarësisë, tema patriotike nuk do të jetë më në qendër të letërsisë. Problemet e mprehta shoqërore do të trajtohen nga brezi i letrarëve realistë, ku përmendim poetin dhe prozatorin e talentuar Migjeni, i cili la gjurmë të thella dhe ndikoi në rrjedhat e letërsisë moderne shqiptare.

Në këtë drejtim mund të përmendim letrarët e rinj si Petro Marko, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Gaspër Pali, Aleks Çaçi etj.

Në vitet e çlirimit kombëtar e shoqëror do të zhvillohet letërsia shqipe me tipare të reja, si një letërsi realiste. Edhe pse në kushtet e një shteti monist, letërsia shqipe gjatë afro pesë dekadave (1944-1990) njohu pjekurinë e saj, u konsolidua dhe u afirmua si një letërsi me vlera të nivelit evropian.

Një moment i rëndësishëm në letërsinë shqiptare në këto vite janë në fushën e romanit, ku mund të përmendim Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Sterjo Spasse, Ali Abdihoxha, Fatmir Gjata etj.

Përfaqësues i shquar i rrymës demokratike është Fan Noli, figurë politike por edhe poet, publicist e përkthyes. Lirik i njohur i kohës është Lasgush Poradeci. 

Nga ana tjetër një figurë qendrore e letërsisë dhe e publicistikës ishte At Gjergj Fishta. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli.

Kulmin e realizmit kritik, me pasqyrimin e gjendjes së masave më të varfër dhe me theks të fortë të revoltës shoqërore e shënojnë veprat poetike dhe prozaike të Migjenit (Vargjet e lira, 1935). Faik Konica ndërkohë ishte një kritik letrar me veprimtari shumë të zgjeruar publicistike që ndikoi jo pak në këtë letërsi...

Letërsia shqipe gjatë Komunizmit



Një etapë cilësisht e re në letërsinë shqiptare zë fill në vitet e Luftës ANÇ dhe mori zhvillim të plotë pas Çlirimit si letërsi e realizmit socialist. 

Në shtypin ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, u lëvrua një letërsi revolucionare, kryesisht poezia qytetare e patriotike. Poema satirike Epopeja e Ballit Kombëtar (1944) e Shefqet Musarajt është vepra më e shquar i kësaj kohe.

Pas Çlirimit pothuajse e tërë letërsia ishte e kontrolluar nga censura e shtetit. Hapësirat në cilat shtrihej letërsia e asaj kohe ishin të ngushta dhe plot rrezik për autorët.




 Shumë prej tyre si Kasëm Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Petro Marko, Sotir Andoni e të tjerë u dënuan nga Partia në fuqi. Shkrimtarë të tjerë si Ismail Kadare, Jakov Xoxa e plot të tjerë shkruanin të vërtetat e tyre të fshehura pas një sensi të dyzuar. 

Megjithatë edhe gjatë periudhës së Socializmit lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën censurë, u shkrua dhe u konfirmua. Në vitet e fundit të agonisë socialiste edhe letërsia filloi të shfaqej më hapur dhe të mbante një qëndrim kritik herë hapur e herë të nënkuptuar.

 Letërsia në Kosovë.

Jashtë Shqipërisë, shkrimtarët shqiptarë shkruan të lirë nga kufizimet e ngushta të realizmit socialist të cilat ngulfatën letërsinë në Shqipëri. Në Kosovë u shfaqën talentë të rinj si Rexhep Qosja, Musa Ramadani, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Mehmet Kraja etj.

Shkrimtarët kryesorë në Kosovë në tri dekadat e fundit të shekullit XX janë: Rexhep Qosja, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Mehmet Kraja, Teki Dervishi, Jusuf Buxhovi etj.


Letërsia pas diktaturës

Pas diktaturës letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi. 

Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së Pas Luftës. 

Shkrimtarë si Diana Çuli, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj,Sulejman Mato e plotë të tjerë vezulluan në këtë periudhë. Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti, Irma Kurti, Luljeta Lleshanaku dhe ndër më të rinjtë Ervin Hatibi.

Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta sidomos për sa i përket ribotimit të veprave që censura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. 

U botuan të plota veprat e rilindësve, e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit etj. U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Kasëm Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Visar Zhiti e shumë të tjerë.

Në prozë u shquan shkrimtarët si Ismail Kadare dhe shkrimtarë të rinj si Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Ridvan Dibra, Agron Tufa, Ben Blushi etj.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...