Nga Jozef Radi dhe Rezart Palluqi
Leka Ndoja, vjen së fundi me një nga studimet më serioze dhe më objektive mbi letërsinë shqipe, atë të letërsisë shqipe të diasporës 1944-1990, me të cilën mbrojti edhe tezën e Doktoraturës.
Por, që në hyrje do të ndaleshim, mbasi mendojmë se titulli më i plotë i këtij studim kaq serioz do të ishte: “Arti shqiptar i diasporës”, mbasi aty jepen të plota vepra, personazhet, shtypi, jeta dhe veprimtaritë kulturore të diasporës, jo vetëm si letërsi por krejt si kulturë shqiptare, dhe bëhet edhe ai ballafaqimi i domosdoshëm midis letërsisë së ideologjizuar së epokës komunisto-hoxhiste dhe letërsisë se pa-ideologjizuar të diasporës shqiptare. Dhe ky ballafaqim përmes këtij studimi vjen në një mënyrë krejt të natyrshme, pa asnjë tendencë politike apo qëllime dashakeqase ndaj mjaft prej shkrimtarëve të njohur shqiptarë, gjë që i bën nder jo vetëm autorit Leka Ndoja, me kët studim voluminoz prej 406 faqesh, por edhe krejt atyre që do të merren në të ardhmen me problemet e mëdha të letrave shqipe.
Në studim theksi vihet kryesisht mbi përballjet e letërsisë së diasporës me dy qendrat letrare, Tiranën dhe Prishtinën, por edhe mbi ndikimin që pati letërsia perëndimore ndaj letërsisë së diasporës shqiptare, gjë që letërsia brenda-shqiptare (Tirana dhe Prishtina) nuk e njohën mirë ose më mirë mund të thuhet se e shmangën sa qe e mundur këtë ndikim. Mund të thuhet pa frikë, se letërsia e diasporës jo vetëm arriti të ruajë identitetin e gjuhës dhe mendësisë shqipe jashte realitetit shqiptar, por mundi të përthithë edhe pse me vështirësi gjithë elementët modernizues të letërsisë se pa-ideologjizuar perëndimore të shekullit të njëzetë.
Studimi pasurohet edhe me kronologjinë e detajuar të jetës dhe veprës së shkrimtarëve, poetëve, piktorëve, studiuesve dhe albanologëve shqiptarë. Në këtë libër nuk përmenden vetëm emrat e shkrimtarëve botërisht të njohur, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, Bilal Xhaferri, Arshi Pipa, at Zef Valentini, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mustafa Merlika, Tahir Kolgjini, Jusuf Luzaj, Karl Gurakuqi, Nermin Vlora -Falaschi, etjer., por edhe shumë emra shkrimtarësh, piktorësh e studiuesish të tjerë, pak ose aspak të njohur për lexuesin shqiptar. Ky hulumtim skrupoloz dhe i gjithanshëm, e shndërron këtë libër në nji vepër ndër më seriozet, ose i jep atij, vlera universale për të tërë botën kulturore shqiptare, mbasi duhet të bindemi të gjithë se askush nuk mund të përjashtohet nga vlerat letrare, e askush nuk ngrihet më lart ose të ulet më poshtë jashtë koncepteve dhe rrjedhave letrare. Ka ardhë koha, (edhe pse me pak vonesë) ku secili autor shqiptar duhet të gjejë vendin e tij të merituar në Panteonin ende të shkapërderdhur të letrave dhe kulturës shqipe…
Studiuesi dhe kritiku Leka Ndoja, falë hulumtimeve shumëvjeçare e ka sjellë të gjallë frymën e kësaj periudhe, me krejt aktivitetet letrare të diasporës dhe vështirësitë e ndërkomunikimeve mes personazheve dhe veprave letrare, të detyruar tashmë të punonin dhe të krijoheshin jashtë trungut të Atdheut, kryesisht në ato të diasporës në Itali dhe Amerikë, e më vonë edhe asaj në Gjermani të ngritur prej Martin Camajt. Aty shihen qartë edhe raportet ekonomike, politike dhe organizative, por edhe problemet me të cilat u përballën shkrimtarët shqiptarë të diasporës (ezilit) në harkun e nji gjysëm shekulli diktaturë në vendin e tyre, ku themelimi dhe mbajtja gjallë e revistave letrare, si Shejzat, Koha e Jonë, Krahu i Shqiponjës, apo Vatra, të cilat mbetën monumente të kësaj mbijetese të vështirë letrare dhe kulturore. Aty ndjehen qartë sakrificat e bëra nga shkrimtarët, kritikët dhe dashamirët e letërsisë po edhe nga mecenatë si Rosolin Petrotta dhe Isa Ndreu, për t’i mbajtur gjallë këto revista, në kushtet e nji presioni të egër, sa më gjatë e sa më cilësisht të qe e mundur. Aty ballafaqohesh me pengesat që haste diaspora letrare për botimin e prurjeve letrare, raportet e ndërsjellta midis autorëve, fakti që Prishtina një kohë shërbeu edhe si “kryeqytet letrar” i saj, apo dilemat e gjetjes së ndonji pike konvergimi me letërsinë dhe kulturën shqipe të mbyllur në vetvete, përgjat 45 viteve të diktaturës hoxhiste. Aty referohen të gjithë aktivitetet letrare të bëra nga shkrimtarët e diasporës deri në vitin 1991, pa anashkaluar edhe artet e tjera, si piktura, (piktorët Ibrahim Kodra e Lin Dedja), studimet kritike e albanologjike (si At Zef Valentini e Namik Ressuli), teatri, ngjarjet historike deri edhe problemet e rrymat fetare të shekullit të kaluar, si fjala vjen ateizmi hoxhist, përballja dhe ndikimi i tij në letërsi apo artet në diasporë, si dhe reagimet e shkrimtarëve të diasporës ndaj ateizmit shqiptar? Përmenden edhe albanologët e njohur si Zef Valentini dhe Namik Resuli, për kontributet e tyre në studimin, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe.
Nuk nënvlerësohet as jeta private e autorëve, ndikimi i mjedisit social, raportet ndërintelektuale apo humbjet e personaliteteve… e deri tek oborri, lulet, sokakët, apo arsimimi i autorëve, dialektet, faktorët soc-politikë para ardhjes së diktaturës hoxhiste. Studimi mbetet shumë i vlefshëm, jo vetëm për lexuesit apo kulturëdashësit shqiptarë, që dëshirojnë ta njohin këtë anë të pasme të letërsisë shqipe, asaj të syrgjynosur, por kryesisht për studentët, studiuesit, pedagogët dhe shkollat mbasi aty, shpjegohet shkencërisht dhe mënyrë sistematike se si ka funksionuar sistemi letrar kombëtar edhe në rrafshe më të gjera e më të ndërthurura me botën. Mjaft nga veprat e autorëve të njohur analizohen deri në detaje, duke u kaluar në sita të imëta stilistike, kritike, humaniste, gjuhësore, poetike dhe historike.
Autori flet mjaft edhe për sisteme e nënsisteme letrare. Sistemet letrare janë qendrat e mëdha të kulturës së një kombi, që kur futen nën kontrollin autoritar të diktaturave dhe mbështeten vetëm në ideologjitë politike, hasin vështirësi mbijetese, ndërkohë që nënsistemet e krijuara jashtë këtij kontrolli, siç ndodhi edhe me letërsinë e diasporës, arrijnë të shfaqen edhe si sisteme letrare… Kjo letërsi, dhe ky nënsistem edhe pse u mallkua apo u përbalt prej krejt mekanizmave propagandistikë hoxhiste, edhe pse në kushte tejet të vështira arriti t’i mbijetojnë falë përkushtimit dhe idealizmit të shumë prej kontribuesve letrarë dhe kulturorë të këtij nënsistemi letrar. Sa i përket nënsistemeve letrare, sipas autorit, shpesh janë letërsitë e përjashtuara për dy arsye: e para nga natyra disidente e letërsisë, si në rastin e letërsisë së diasporës, e cila vuri gjithmonë në vend të parë Humanitetin, dhe interesat kombëtare shqiptare; dhe e dyta Letërsitë komerciale, të cilat arrijnë të dominojnë edhe sistemet letrare duke u mbështetur kryesisht në përfitimet personale të shtëpive të mëdha botuese.
Ky studim, sipas gjithë gjasave do ta plotësojë e do ta pasurojë tablonë e letërsisë shqipe të shekullit të shkuar. Aty theksohet se nuk duhet të ketë më shkrimtarë të përjashtuar, shkrimtarë të mallkuar e të mohuar mbi bazën e ideologjive politike, apo rivaliteteve letrare! Mbetet që ky studim serioz të përfshihet edhe në programet e letërsisë shkollore, e në veçanti në ato të mesme dhe universitare si model i korrektesës kritike, skrupulozitetit shkencor, por edhe i thellësisë dhe paanshmërisë, me qëllim që studentët e së nesërmes të krijojnë ide dhe tablo sa më të qarta dhe sa më të plota rreth letërsisë shqipe, para dhe pasdiktatoriale…
Prishtinë,20.09. 2009(botuar në libër si dhe Floripress,
Twitter,Facebook )
No comments:
Post a Comment