Nga Flori Bruqi
Kendonj birrë madh
Kendonj Birrë madh mbë Diellt' të lumit Atë,
Qi dergoj gjiut se vet për të shelbuem;
Veshunë ndë Mish,e gjak bam i begatë,
Ndë dy natyrë ngjeshun e fort shterguem,
Me pushtet të madhë,sa për mot të gjatë
Rreth shekullit të shelbon tui besuem,
Se ky i verteti Krisht Hyj,e Nieri
Ashtë,e si leu ndër ne Virgjinet Mri,
Xihariq me dhanë nji Pëllumb derguem,
Qiellsit kur vo bashkë ndë Iordant' të bardhë
Me të Shë Gjonë lum meu pagëzuem
Ashtu Sibila thotë,se ka për t'ardhë
Fajtërorët me grisem,e me shelbuem.
Posi vjollëxa ndë dimënë pa mardhë
Ndërshen: e si Njegullatë palë,palë,
Reza n'Dielli përzë,tue dhanë Malë,
Të Dërejtë jete,e udhë të pamashtri
Shekullit,qi shpie mbë Qiellt ka me mspuem
Gjyq t'amëshuem pa me kallëzuem.
Shelbues yt Rëshit kur plot memeni,
Ka me dalë ende Kryqa ndrykë nalxuem,
Lum,o Dru,e bukura,pa ndonji leqe,
Ku mplaki u çrish,e s'mbet as nonji e keqe.
(1685)
Sibila delfika
Vajtonj unë e mjera nji të madhe gjamë,
se Krishnë mbë Kryqt rrafun e keq shëmtuem,
shuplaka,grushta,helm'e uthull dhanë:
përgjegjun shtatnë plagësh e irënuem
Izraeli mbë dhe keq nuk la pa i banë;
patërshanë ende mbë Kryqt depëruem:
vdekun s"amësë mbë prehënë ia dhanë,
zemërën tu' i shituem anë a pr'anë.
(1685)
Sibila persika
Kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti,
zihariq me dhanë e udhë të drejtë
shekullit me çelë,e fajevet për mengji
pagëzimnë predikon,mbë këtë jetë
kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
ndë Parrisit vend të gjanje si do vetë,
tue trusun kryet e asaj bishë,
mirë t'u bamë e shpesh tu votë n'Kishë.
(1685)
Sibila samia
Sion se Peshtriku Mal Prisrend mai nalti
Falemi s nteje Ligja ka me dalë,
Kur Apostuitë Krisht' ambl'i përmjalti,
Me të dashunë Kungim,e Shenjtë fjalë.
Ende Vajza ngiat ty derguem se nalti,
Leu Djalinë Kërthi,qi neve na mpsoj:
Jevrejt' e marrë Hyjnë tand derguem,
Kryetë ja deperton Ferrash rethuem.
(1685)
Është autori i parë origjinal i letërsisë shqiptare, autor i Çetës së Profetëve (lat. Cuneus Prophetarum), 1685, e para vepër në prozë e shkruar në gjuhën shqipe.
Lindi në Gur të Hasit, afër Prizrenit, i biri i Tadé Bogdanit dhe i një bije Mazrekësh
Vendndodhja e fshatit nuk dihet, por Elsie ka propozuar fshatrat Gjonaj dhe Breg Drini në rrethinat e Prizrenit.
Sipas njoftimeve të lënga nga nipi i tij, Dom Gjon Bogdani merret vesh se ungji André e kishte zgjedhur Pjetrin qysh të vogël, si djalë të vitin që të shërbente në meshë, në kishën e Hasit.
Më pas qysh në moshë të njomë ungji e çoi nipin e tij te kolegji i françeskanëve në Çiprovec, sot në Bullgarinë veri-perëndimore. Dihet me siguri që më 1642 u përcoll nga ungji André në Romë.
Vijoi studimet e larta në kolegjin e Loretos, ku gjeti edhe bashkëkombas të tjerë si Martin Kryeziu, Gjurë Gallata, Kolë Vladanji e Marin Spica.
Më 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Pranverën e 1651 mori doktoratën në teologji me brohoritje të të gjithëve.
Pas një qëndrimi rreth nëntë vitesh në Itali, Bogdani u kthye në atdhe dhe pati si fushë veprimi misionin e Gashit në Ipeshkvinë e Pultit.
Më 1656 u emërua ipeshkëv i Shkodrës, ku shërbeu për njëzetenjë vite, u emërua gjithashtu administrator i Arqipshkvisë së Tivarit deri më 1671.
Gjatë viteve të trazuara të luftës Austro-Osmane, 1664-1669, u strehua në fshatrat e Rrjollit dhe Barbullushit në rrethinat e Shkodrës. Një shpellë në Rrjoll ku ka qëndruar, mban ende sot emrin e tij.
U zu nga osmanët dhe u burgos në kalanë e Shkodrës. Ipeshkvi i Durrësit, Shtjefën Gaspri, i raportoi më vonë Propagandës Fide që Bogdanin e shpëtuan vëllezërit Nikollë e Pepë Kastori.
Më 1677 pasoi të ungjin në drejtimin e Arqipshkvisë së Shkupit, ku emërtohet. Pas fërkimeve me autoritetet osmane, arratiset dhe strehohet në në Dubrovnik.
Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padova ku u prit prej Kardinalit Barbarigo, të cilit i kishte shërbyer në Romë.
Barbarigo ishte përgjegjës i kishës për çështjet lindore, kësodore tejet i interesuar për Lindjen dhe ndër të tjera Arbërinë. Kardinali kishte hapur gjithashtu një shtypshkronjë në Padova, Tipografia del Seminario, që vihej në shërbim të gjuhëve të lindjes dhe kishte kallëpet për hebraishten, armenishten e arabishten. Në këtë mënyrë kardinali ishte shumë vullnetmirë ndaj sipërmarrjeve të Bogdanit.
Pasi shestoi punët për botimin e Çetës së profetëve, Bogdani u kthye në Ballkan në mars të 1686 dhe kaloi vitet në vijim duke përhapur idenë e një qëndrese të armatosur kundrejt ushtrisë osmane, kjo sidomos në viset e Kosovës së sotme. Së bashku me vikar Toma Raspasani luajti rol kyç në lëvizjen pro-austriake në Kosovë përgjatë Luftës së Madhe Turke.
Kontribuoi në mobilizimin e një force 6,000 vetëshe që iu bashkangjitën trupave austriake kur hynë në Prishtinë dhe i shoqëruan në marrjen e Prizrenit.
Këtu, Bogdani me ushtrinë e tij u hasën me një tjetër armik, murtajën. Ktheu në Prishtinë, por ndërroi jetë prej sëmundjes në fillim të dhjetorit 1689 në Prishtinë.
Nipi i tij Gjon Bogdani, njoftonte se menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit i çvarrosën eshtrat e tij dhe ia hodhën qenve në shesh.
Vepra
Ballina e librit Çeta e profetëve, botim i Rilindjes, Prishtinë, 1989
Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë letrare shqiptare.
Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës.
Aty gjejmë që nga tematika fetare, historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi.
Kjo larmishmëri temash çon edhe në larmishmëri stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotme shqipe.
Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639.
Mendimet e njohuritë e Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave në viset e ipeshkvive që drejtoi.
Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Shqipërinë e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkëatdhetarët e tij dhe urrejtje të thellë për pushtuesin osman.
Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit.
Vepra ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të Llukë Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.
Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.
Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano Petrotta, Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques, Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputti, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj.
Në vitin 1982, studiuesi e kritiku i njohur Ibrahim Rugova botoi te Rililindja e Prishtinës librin Vepra e Bogdanit 1675–1685, që konsiderohet një nga studimet më të mira të veprës së Pjetër Bogdanit.
Në vitin 2006, studiuesja Anila Omari botoi një studim të plotë të "Çeta e profetëve" të Pjetër Bogdanit. Ka sjellë të parin studim filologjik të veprës së Bogdanit, duke tentuar edhe një publik pak më të gjerë se ai me përgatitje shkencore. Sipas Omarit, "Çeta e Profetëve" përfshin riprodhim anastatik të tekstit origjinal dhe në faqen përbri, një transkriptim fonetik shoqëruar me aparatin kritik, ku sqarohen fjalë të rralla apo shndërrime morfologjike të gjuhës së Bogdanit. Seit Mancaku, shef i departamentit të Historisë së Gjuhës, është shprehur se "ky botim përbën të parin studim filologjik për veprën e Bogdanit, duke u vënë në përdorim të një publiku më të gjerë. Një nga punët më të vështira që ka bërë Omari, është transkriptimi i tekstit".
Për sa i përket alfabetit, në përgjithësi Bogdani ka përdorur alfabetin latin, por meqë shqipja ka disa tinguj që nuk gjenden në këtë alfabet, Bogdani ka përdorur disa shenja të veçanta. Këto shenja i kanë përdorur edhe autorë të tjerë paraardhës të tij. P.sh për grafikën e Y-së e ka marrë nga një shenjë e glagolitishtes, një shkrimi të vjetër sllav - boshnjak, ndërsa fonema të tjera të shqipes Bogdani i mori nga greqishtja.
Tituj të veprave
Çeta e profetëve (Cuneus prophetarum)
Jeta e Jezu Krishtit, shëlbuesit të botës (De vita Iesu Christi, salvatoris mundi)
Këngët e Sibilave
Literatura:
^ Marlekaj, Jak (2008). Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij. Shkodër: Botime Françeskane. f. 9. 978-99943-863-7-6. ... dikush thotë të ketë lé ndërmjet 1618-s e 1626-s; dikush tjetër, me arsyetime mâ të vlefshme, e saktëson vjetin, tue e mbajtë për të sigurtë 1625-n; tjetërkush, mâ në fund, beson të ketë lé më 1630, por pa sjellë në mprojtje të tezës së vet argumenta bindës. Ndër të gjitha këto data, ajo mâ e besueshmja mbahej, para disa vjetësh, ajo e 1625-n, sepse ishte e përforcueme prej nji dishmie të vetë Bogdanit, simbas së cilës ai, më 1655, na e paska pasë moshën te të tridhetat.
^ Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 146 - 147
^ Marlekaj 2008, p. 11.
^ Marlekaj 2008, pp. 16-17.
^ Marlekaj 2008, pp. 24-30.
^ Shkurtaj Gj. & Hysa E., Gjuha Shqipe - Për të huaj dhe shqiptarët jashtë atdheut, Tiranë: Toena, 2001. ISBN 99927-1-454-9
No comments:
Post a Comment