2019-08-17

Moderniteti i letërsisë në Shqipëri


Nga Flori Bruqi 


Është e pasur dhe e bukur është gjuha jonë shqipe, nga e cila ``Bijtë e Shqipes`` krijuan një kult të vërtetë; megjithëkëtë është fare pak e zhvilluar: rrethana historike krejt të posaçme dhe sidomos një sundim i huaj prej më shumë se katër shekujsh i vonuan për një kohë shumë të gjatë çdo farë rilindje kulturale popullit shqiptar të dashuruar për liri.

Do t`i lëmë mënjanë, edhe folklorin, i cili më vete do të mbushte një kapitull shumë interesant, edhe atë sërë të gjatë prodhimesh religjioze që pati filluar qysh në shekullin e XV-të, rëndësia e të cilëve është sidomos gjuhësore; e atëherë do të shohim se pjesa e dytë e shekullit të kaluar shënon shfaqjen e veprave të para letrare,që si me thënë mund të merren për themelet e letërsisë sonë moderne.
Të parët shkrimtarë shqiptarë, fuqitë e tyre intelektuale e morale i vunë në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë. Këta janë pikësëpari: Jeronim De Rada, Pashko Vaso Pasha,Naim Frashëri, Zef Skiroi e Gjergj Fishta, veprat e shkëlqyera të të cilëve kanë kontribuar në një masë të madhe për zgjimin e ndërgjegjes sonë kombëtare.

Pastaj vinë: Zef Serembe, A.Z.Çajupi, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Fan S.Noli; që të gjithë dhanë faqe poetike të shenjtëruara me një patriotizëm drithëronjës, disa për të flakur zgjedhën e robërisë së huaj , të tjerët për ta shpëtuar popullin nga fanatizmi fetar në të cilin kishte rënë. Të tjerë merrnin pjesë në krijimin e një jete të gjallë kulturore me anë përkthimesh të kryeveprave më të mira të letërsisë botërore.

Jeronim De Rada (1814-1903), patriark i përnderuar i kolonisë shqiptare të Italisë, botoi disa vepra romantike, si për shembull : ``Milosao`` dhe ``Skënderbeu``,dhe një numër të madh poezish, që të përkujtojnë ritmin e mrekullueshëm të këngëve tona të vjetra popullore. Në shpirtin e të shpërngulurve të varfër si ky, ai vetë, ka ditur të hedhë farën e një malli të dhimbshëm. Ngjalli nostalgjinë për vendin e lipsur, për ditët e lumtura të dikurshme pranë vatrës familjare në kohën e Shqipërisë fatbardhë. Si redaktor i një gazete, për shumë vjet rresht, i së famshmes ``Flamuri i Arbërit``, ai u bë mbrojtësi i guximshëm i të drejtave të paprekshme të popullit shqiptar përpara mbarë botës.
Merita dhe lavdia e mbajtjes , në një shkallë të lartë, të idealit kombëtar në mendjen e shqiptarëve të emigruar në Italinë e Jugut i takon bashkëatdhetarit të tij më të ri, Zef Skiroit (1865-1927).

Le të kufizohemi të zëmë në gojë një lirik të stërhollë ashtu si ka qenë Zef Serembeja. Për shkak të fatit të pashmangshëm që i ra mbi kokë; ai mund të krahasohet me poetin austriak Lenau…
Shpirt ëndërrimtar po si ky, udhëtar i përjetshëm, shkoi të vdesë në një azil,andej tutje, fort larg, në San Paolo të Brazilit.

Në krye të atyre që e kanë zgjuar më fort popullin nga letargjia e tij shekullore, do të ishte e udhës të vinim këtu Pashko Vaso Pashën (1827-1892), nga Shkodra. Si frymë luftëtare, që dashuronte lirinë, ai u angazhua qysh i ri , në ushtrinë e mbrojtësve të Venedikut të sulmuar prej Austrisë. Më vonë, kur atij iu ngarkua funksioni i lartë i shquar si Guvernar i Libanit, ai shkrojti në një elegji të thjeshtë, të hidhur dhe njëkohësisht të fuqishme , këto fjalë: ``O Shqipëri , e mjera Shqipëri… ``leximi i të cilave shkaktoi derdhjen e shumë lotëve.

Sa për Naim Frashërin (1846-1900), ai është zoti i popullit të vet, luftëtar i pamëshirshëm kundër barbarizmit turk. Librat e tij të shkruara në Stamboll, në kohën kur, sipas shprehjes piktoreske të asaj kohe,``ai ish i mbyllur në kafazin prej floriri të Sulltan Hamitit``- u botuan , megjithëkëtë, në Bukuresht, prej nga u dërguan dhe u shpërndanë pastaj fshehurazi në të gjithë Shqipërinë. Librat e tij u bënë shumë shpejt ungjilli (Breviari) i gjithë shqiptarëve të vërtetë.
Gjithçka ishte Frashëri, mund të përmblidhet me fjalët: poet epik dhe poet lirik. Ai na ka dhënë dy epope kryesore që përbëjnë pjesën kryesore të veprës letrare të tij epike. E para e këtyre të dy epopeve mban titullin ``Qerbelaja``, e dobët mjerisht, për shkak të inspirimit fetar të saj. E dyta, përkundër, ``Historia e Skënderbeut``, e shkruar në vargjet tronditëse, përshkruan tregimin e luftërave legjendare të heroit tonë kombëtar kundër ushtarëve të Portës së Lartë. Po ai na ka dhënë edhe një poemë lirik: ``Lulet e pranverës``, në të cilën ndjejmë ndikim fare të qartë të një ideologjie orientale tek një autor, i cili megjithëkëtë, është pajisur me edukatë nga më klasiket. Le të përmendim po ashtu një poemë pastoral, ``Bagëti e Bujqësi``, që do të konsiderohet edhe për një kohë të gjatë, në letërsinë tonë, si një nga kryeveprat më të thjeshta të atij lloji, megjithëse nuk pasqyron saktësisht doket e zakonet e jetës sonë bujqësore.

At Fishta (1871) do të ndjekë rrugën e shënuar prej Naim Frashërit. Me gjithë këtë , disa vënë në dukje një ndryshim kryesor që ekziston midis tyre:
Kurse njëri prej tyre, Fishta,i zhvillon subjektet e tij me një frymë regjionalistë shumë të theksuar dhe, me një fjalë veriore, tjetri,Frashëri, e ka marrë përsipër në veprat e tij, të shprehë frymën e tërë popullit shqiptar, pa dallim krahine ose fisi, kështu që njëri humbet nga pikëpamja e shtrirjes atë që tjetri kishte fituar në thellësi. S`duhet të habitemi pra që kryevepra epike e Fishtës ``Lahuta e Malcis`` të mos ia ketë arritur ta zgjojë entuziazmin e përgjithshëm në një kohë kur popullsia e tërë pasionohej për pavarësinë e Kombit.

Vepra e Fishtës me titull ``Mrizi i zanavet`` do të shprehte personalitetin poetik të vërtetë të një njeriu që ka qenë tërhequr në rrugën fetare, dhe poezia e tij elegjiake me emër ``Një luleje pranvere`` do t`i lërë të shfryhen lirisht ankesat dhe ulërimat e dhimbshme të një zemre mirëdashëse, po të vrarë.
Ta përcaktosh këtu se cili nga të dy, Fishta ose Frashëri, është poeti epik më i madh na duket gjë mjaft e vështirë. Por, sidoqoftë, mund të pohojmë, pa frikë se mos gabohemi, se Fishta, poeti ynë satirik më i madh, do të ishte edhe poeti ynë lirik më i madhi sikur shprehja e ndjenjave të tij lirike të mos kishte qenë penguar mjerisht prej disiplinës së rëndë dhe të pamëshirshme të Bijve të Shën Françeskut.
Po të kalojmë tashti në letërsinë e kohëve më të afërta, dafinat e poezisë do t’ia kushtojmë pa ngurim Benjaminit të poetëve tanë: Lasgush Poradecit (1899), poet serioz dhe filozof merite. Vargjet e tij të përpunuara , nuk meritojnë asnjë qortim për sa i përket formës. Me prejardhje nga shtresat e thjeshta të popullit , ai ka ditur të ngrihet përmbi rasat e kësaj jete dhe të jetë artist me tërë kuptimin e fjalës, duke bërë në një farë mënyre ’’art për art’’, dhe duke shprehur në poemat e tij një botë ndjenjash ashtu edhe mendimesh. Ai s’do t’ja dijë nga kufijtë tanë si rrjedhim , inspirimin e tij poetik, ai shkon ta kërkojë jo vetëm në poezinë popullore shqiptare, por edhe në poezinë popullore në përgjithësi. Dhe aty e gjen heroin e romanit poetik të tij, në të cilin dashnori dhe dashnorja s’janë më veçse personifikimi i fuqisë fizike dhe i bukurisë morale.

I riu ynë i ndan veprat e tij në cikle. Le të shënojmë vetëm se poezitë erotike kanë gjetur vendin e tyre në ciklin e katërt. Midis gjithë atyre motiveve që e bëjnë të këndojë kalemin e tij le të shënojmë nostalgjinë e ikjes,’’të ikësh , është të vdesësh ca pak ’’, që poeti ynë e ka ndjerë më shumë se cilido tjetër.
Tre tituj tërheqin vëmendjen tonë në mënyrë të posaçme:’’Gjëmim i anijes’’, ‘’Lundra dhe Flamuri’’dhe ‘’Vdekja e Nositit’’ që përbëjnë kësisoj një trilogji të vërtetë, të cilën do ta përmblidhte lufta e përjetëshme për jetën dhe ku emrat na dalin si simbole:’’barka’’ose’’gjemia’’ është njeriu,’’Flamuri’’ është ideali dhe fundi,’’Lufta’’është ajo e Lirisë. Vija dominuese në Golgothanë e tij do të ishte një aksion i thellë dhe njëkohësisht optimist.

Po le ta themi me plot sinqeritet, në qoftë se Poradeci ngul këmbë për të ndjekur vijën idealiste në të cilin është futur, larg origjinës së tij , frymëzimi i tij s’do të vonojë të shtirret, dhe faji do të jetë i kësaj mosnjohje vullnetare dhe sistematike të realiteteve.

Në qoftë se ekzistojnë boshllëqe tek poetët tanë, të cilët të gjithë pak a shumë, kanë qëndruar larg jetës reale, le ta themi se këto boshllëqe janë mbushur prej prozatorëve tanë, në krye të të cilëve duhet të vëmë Imzot Fan Nolin.
Fan Noli është lindur (1880) përjashta atdheut ku edhe ka jetuar pothuajse gjithmonë. Po kjo nuk e ka penguar që të marrë pjesë të rëndësishme në fatkeqësitë e fatbardhësitë e popullit të tij, me të cilin ai ka mbetur në bashkërendim të afërt. Në stilin e tij poetik, të stolisur ngandonjëherë me humor, por që shpesh ia arrin shkëlqimit dhe patetikut, ai u bë përfaqësuesi i ndjenjave dhe i aspiratave të vëllezërve të tij nga raca. Vepra e tij kryesore ’’Histori e Skënderbeut’’, ashtu edhe përkthimet e tjera që u ka bërë veprave të Cervantesit, të Shakespeare-it, të Ibsenit dhe sidomos i veprës gjeniale të Poes’’Korbi’’, dhe i ‘’Rubairave’’të Omar Kajamit, i provuan Shqipërisë dhe botës letrare se gjuha jonë ka mundësi dhe është e aftë, kur dimë ta përdorim , të shprehë gjithë ndjenjat njerëzore.

Në fund sot një plejadë e tërë të rinjsh po ecën në gjurmët e Mjeshtërve të vet. Kostë Çekrezi, Gj.Bubani, S.Malëshova, Z.Fundo, ia kanë hapur rrugën zhurnalizmit.Tajar Zavalani, me një gjuhë popullore, zgjoi te populli shqiptar bukuritë e letërsisë ruse, me përkthimet nga Tolstoi, Çehovi e Gorki. Ernest Koliqi përkthyes i disa klasikëve italianë, në ‘’Novelat’’ e tij të punuara me një stil mjaft të këndshëm, pasqyron qëndrimin e vet ‘’borgjez’’.

Midis shkrimtarëve që s’janë ende veçse në periudhën e shkrimeve fillestare, disa duan të marrin pjesë në Gostinë e perëndive,ndërsa disa të tjerë, jo aq ambiciozë, kënaqen vetëm duke ngjyer bukën e tyre në çanakun modest të bariut, të fshatarit dhe të punëtorit.

(Lusim moderuesit dhe shfrytëzuesit e shumtë që mos ti vjedhin shkrimet e mija duke e larguar emrin tim si autor dhe duke i përvehtësuar tekstet e mija që janë botuar në Floripress,
Twitter,Facebok dhe libër)

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...