
Prof.Dr.Enver Hasani ,Ph.D
Ata që kanë nisur pazaret me territorin e vendit, deklaratën e Kuintit të para dy ditëve duhet ta kenë parë, dhe e shohin me siguri, si një konfirmim të përkrahjes së idesë së tyre për copëtim të Kosovës, kurse të tjerët, me sa duket, këtë deklaratë po e shohin si shenjë të qëndrimit të shumëpritur unik të perëndimorëve, deri dje të përçarë karshi nesh, qëndrim që dikur dhe në një kohë kishte sjellë pavarësinë e Kosovës. E vërteta është, ndërkaq, se as grupimi i parë e as i dyti nuk e kanë sa duhet të qartë mesazhin thelbësor të deklaratës së Kuintit dhe, për pasojë, qartësisht vërehet se krerët kryesorë të politikës kosovare do të vazhdojnë me avazin e vjetër të “qitjes së petullave në ujë”, siç do të thoshte Fishta, Homeri shqiptar. Krejt pasaktësia rreth mesazhit kyç të deklaratës, gjykuar sipas asaj që po dëgjoj në medie që na thonë liderët dhe satelitët e tyre respektivë, përmblidhet tek halli i zgjedhjeve nacionale në pritje. “Frika” te aktorët në Kosovë është se do të na hidhërohen miqtë sepse nuk mund të veprohet shpejt, ngaqë mbajtja e zgjedhjeve pritet të jetë diku në muajin tetor, nëse vërtet ndodh, me bindje se ato pasohen me formimin e institucioneve të reja qendrore diku në nëntor, nëse nuk ka ndonjë ngërç të ri krejt për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese (sic!). Kjo “frikë” përbën arsyen dhe “hallin” kryesor të autorëve të deklaratës së Kuintit, në fakt vetë esencën e mesazhit të saj për Kosovën dhe liderët e saj aktualë.
Halli i Kuintit
“Arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme, ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse” përftohet si fjalia që ngërthen mesazhin kryesor të deklaratës. Në këtë formulim lakonik, në dukje ndërmarrje e pamundur dhe iluzore, marrë parasysh mosmarrëveshjet që Kosova ka me vetveten dhe me Serbinë, gjenden procedura dhe substanca e marrëveshjes së ardhshme me fqinjin tonë verior. Procedura këtu fort rëndësi nuk ka, t’i kthehemi substancës. Ajo përbën enigmën më të madhe ndër shqiptarët dhe serbët: si të arrihet një marrëveshje, e cila të jetë ligjërisht e obligueshme dhe të ketë qëndrueshmëri? Këtu spikatin dy aspekte, një politik dhe tjetri juridik.
Në aspektin politik, lloji i tillë i marrëveshjes nënkupton, në rend të parë, pasjen e legjitimitetit të plotë nga ana e atyre që do të flasin dhe nënshkruajnë në emër të Kosovës. Kjo nënkupton, në anën tjetër, që brenda Kosovës duhet të ekzistojë një që quhet “konsensus i mjaftueshëm” (i përdorur nga studiuesit shoqërorë dhe politologët në kontekstin e paqes në Afrikën e Jugut pas Aparteidit; sot përbën një standard të pranuar gjerësisht), me të cilin nënkuptohet pranimi nga pjesa më e madhe e faktorëve kryesorë politikë të substancës së politikave të propozuara. Kjo nënkupton, thënë me fjalë të tjera, që sfida më e madhe për politikëbërjen tonë kundrejt Serbisë është gjetja e një propozimi politik rreth të cilit mund të arrihet një konsensus i mjaftueshëm lidhur me vetë substancën e propozimit të tillë politik. Kjo çon në përvetësimin e një qasjeje strategjike në vendimmarrje që mishëron ushtrimin konstant të vlerësimit të substancës së propozimit politik dhe pranimit të tij nga faktorët kyç politikë. Kjo gjë, ky ”konsensus i mjaftueshëm”, për momentin mungon në Kosovë: forcat kryesore politike kanë rezerva pafund sa i përket idesë së copëtimit, e cila, përtej çdo dyshimi, përbën thelbin e “koncesionit të dhimbshëm” me të cilin pajtohet pala serbe.
A mund të arrihet ky konsensus në Kosovë duke iu përmbajtur në mënyrë të rreptë dispozitave të Kushtetutës së vitit 2008 që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe përfaqësimin e vox popolii? Dizajni kushtetues i Kosovës lë pak hapësirë për projektim të vullnetit të pakontrolluar të shumicës. Në të vërtetë, vetë thelbi i demokracisë kushtetuese kosovare dhe i sistemit të saj zgjedhor ekziston pikërisht për të realizuar të kundërtën, përkatësisht për të shprishur deri në fund çdo projektim të vullnetit të shumicës që majorizon pjesëtarët e komuniteteve pakicë. Mbi këtë bazë dhe mbi këtë logjikë funksion edhe infrastruktura institucionale kosovare, si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal. Në Serbi gjendja është më ndryshe. Ndërkohë që atje respektimi i Kushtetutës has vetëm në një pengesë formale, largimi i emrit Kosovë nga aty, pjesa tjetër e ndërtimit të legjitimitetit negocues është shumë më lehtë dhe ka të bëjë me natyrën e institucioneve shpirtërore nacionale serbe: Kisha Serbe ka pak gjasë të kundërshtojë një pazar copëtimi të Kosovës nëse shteti serb afrohet deri te lumi Ibër, nisur nga fakti që nga aty tanimë ekzistojnë korridoret e lëvizjes së lirë drejt enklavave serbe në brendi të Kosovës, si në perëndim ashtu edhe në juglindje të Ibrit.
Kjo gjendje shtron nevojën e të kuptuarit se në Kosovë zgjedhjet nuk duhet të priten që të prodhojnë një konsensus lidhur me negocimin tonë me Serinë dhe, për pasojë, nuk duhet pritur ndërtimi i institucioneve të reja të Kosovës që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve nacionale në pritje. Në dialogun me Serbinë duhet të ndërtohet një konsensus i mjaftueshëm përtej dhe me gjithë dispozitat ekzistuese kushtetuese, të cilat objektivisht nuk mandatojnë ata që deri sot kanë folur dhe bërë pazare për copëtim të Kosovës kuluareve të pallateve perëndimore në të dyja anët e Atlantikut. Ndërtimin e këtij konsensusi të mjaftueshëm e kërkon deklarata e Kuintit, jo respektimin e dispozitave kushtetuese ekzistuese, autorësinë e të cilave e mbajnë vetë vendet anëtare të tij.
Sa i përket anës juridike, sipas asaj që deri sot dihet nga marrëveshjet për paqe që janë arritur në katër anët e botës, mbi gjashtëqind sosh, gjithnjë bëhet fjalë për kohën pas rënies së komunizmit, ekzistojnë tri teknika që prodhojnë tri modalitete për mbajtjen dhe ushtrimin e pushtetit, të cilat e presin Kosovën në fund të krejt këtij procesi. Asnjëri prej këtyre teknikave dhe modaliteteve nuk ravijëzohet për momentin në rreshtat e deklaratës së Kuintit. Kjo është e natyrshme, sepse bëhet fjalë për fazën e paranegociimit, ku çdo gjë është politike dhe e paqartë për palët (jo edhe për ndërmjetësuesit dhe ata që kanë bërë pazare deri dje në emër të Kosovës). Këtyre vendeve për momentin nuk iu intereson asnjëra prej teknikave kah do të dërgohet Kosova: tash për tash, si urgjente paraqitet kërkesa për nisjen e negociatave me qëllim të arritjes së marrëveshjes, modalitetet e së cilës prodhohen vetvetiu me kalimin e kohës. Kjo rinisje e dialogut duhet të bëhet menjëherë: nuk kanë fort rëndësi zgjedhjet dhe rezultati i tyre, jo pse nënvlerësohet vota e popullit kosovar, por sepse ajo votë ka të bëjë me qeverisjen, jo me negocimin me Serbinë dhe për shkak se rezultati i asaj vote dihet që tani ngaqë i paracaktuar është nga vetë sistemi zgjedhor kosovar, kurdo që të mbahen ato.
Tri modalitete që e presin Kosovën
Meqë u pa se zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe nuk prodhojnë “konsensusin e mjaftueshëm” për negocim me Serbinë, atëherë del se negociatat janë punë e kryer – ato duhet të rinisin sa më shpejt. I vetmi segment që zgjedhjet mund të priten me respekt nga vendet e Kuintit është formimi i qeverisë që ka vetëm një detyrë: heqjen e taksës së vënë nga Qeveria Haradinaj. Kaq! Me këtë përfundon roli i zgjedhjeve. Ai “konsensus i mjaftueshëm” që kërkohet për të ndërtuar një marrëveshje të qëndrueshme dhe ligjërisht të obligueshme nuk arrihet me zgjedhje, sepse vullneti politik që reflektohet përmes zgjedhjeve çdoherë do të jetë i atillë që ia mundëson shumicës shqiptare, e cila ideologjikisht është në të njëjtën kohë pakicë në raport me numrin e tërësishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të bllokojë çdo marrëveshje që kërkon shumicën e dy të tretave. Kur kësaj i shtohet edhe bllokimi i çdo iniciative për bisedime për çështjet nga neni 81 .1 i Kushtetutës, gjykuar sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë del qartë se zgjedhjet kanë qenë dhe janë të dobishme për Kosovën dhe demokracinë e saj të re me kusht që të mos ekzistojë fqinji ynë verior. Ai, megjithatë, ekziston dhe aty është e do të jetë: këtë e thotë deklarata e Kuintit, pra se me fqinjin tonë verior duhet të merremi vesh, pa marrë parasysh kufizimet respektive kushtetuese. Ajo marrje vesh nuk ka pos tri forma manifestimi, të realizuara përmes tri teknikave.
Teknika e parë është ridefinimi i shtetit, e dyta zbërthimi i pushtetit dhe, në fund, teknika e dislokimit të pushtetit. Tri këto teknika prodhojnë modalitete të marrëveshjeve paqësore dhe janë të ndërvarura. Ridefinimi i shtetit nënkupton që marrëdhënia në mes të shtetit dhe popullit duhet të ndryshojë, sepse sovraniteti nuk është diçka e dhënë dhe e garantuar, por, siç e thotë Paul Williams, ai është diçka që duhet fituar me meritë, duhet të meritohet për ta pasur. Ridefinimi i shtetit nënkupton, veç kësaj, ngritjen e legjitimitetit të tij në sytë dhe mendjen e atyre që nuk e ndiejnë shtetin si të tyrin. Arsyet pse Kosovën nuk e ndiejnë serbët si shtet të tyrin janë të ndryshme prej arsyeve që shqiptarët e kultivojnë një ndjenjë të tillë: në rastin serb, ato janë arsye metafizike që lidhen me tjetërsimin e tyre etnik, kurse në rastin e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera arsyet lidhen me atë se vendi shihet shtet i kapur dhe i dështuar ku lirshëm kalëron politika e kriminalizuar. Kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë përmes marrëveshjes paqësore me Serbinë: kuadri kushtetues dhe zgjedhjet nuk janë të mjaftueshme për një gjë të tillë.
Teknika e dytë, zbërthimi i pushtetit, ndodh në nivel institucional: marrëveshjet paqësore bëjnë zbërthimin e pushtetit ekzistues përmes rikonceptualizimit të qeverisjes dhe juridiksionit ekzistues me qëllim të akomodimit të kërkesave të grupit në pakicë dhe të pjesëmarrjes efektive. Në këtë kuptim, marrëveshjet zakonisht parashikojnë një mori rrugësh institucionale, siç janë, ta zëmë, nënndarjet territoriale të qeverisjes, qeverisja konsociacionale, mekanizmi i fortë i sigurimit dhe garantimit të të drejtave të njeriut, dhe kështu me radhë. Ndërkohë që ridefinimi i shtetit ka për qëllim ripërkufizimin e marrëdhënies së popullit me shtetin, zbërthimi i pushtetit synon rikonfigurimin e formacionit ekzistues institucional të shtetit. Dyja së bashku, ndërkaq, synojnë që të veshin shtetin problematik me një legjitimitet të ri, duke ua bërë me dije atyre që udhëheqin se sovraniteti nuk është statik dhe i dhënë, ai duhet të meritohet dhe të fitohet me përpjekje përmbajtjesore për akomodim të të pakënaqurve. Ky zbërthim i pushtetit ekzistues pritet të ndodhë në Kosovë përmes marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.
Ndërkohë që dy teknikat si më sipër kanë të bëjnë me rregullimin e sovranitetit të brendshëm, teknika e dislokimit të pushtetit i referohet zbutjes së sovranitetit të jashtëm të shtetit ekzistues, duke i futur përmes marrëveshjes së paqes si hisedarë të rinj të shtetit kombin apo kombet e tjera ose duke ua dhënë faktorëve ndërkombëtarë një rol vendimtar: mbajtjen dhe ushtrimin e sovranitetit shtetëror. Në kuadër të vënies së të tjerëve si hisedarë hyjnë mekanizmat si vijon: qeverisja e përbashkët në rajonet kufitare, bartja e kompetencave shtetërore sovrane tek entitetet lokale/rajonale (taksat, arsimi, planifikimi hapësinor, politikat e jashtme që prek interesat e entiteteve, siç janë investimet e jashtme në ato zona dhe kështu me radhë), shtetësia e dyfishtë, parashikimi i mundësive për referendume lokale të komuniteteve pakicë ashtu që shteti i ridefinuar tani e tutje kërkon konsensus të vazhdueshëm etj. Esenca e dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare për paqe që përmbajnë kësi dispozitash, e që nuk janë të rralla, konsiston në akomodimin e identiteteve nacionale brenda dhe përgjatë kufijve ekzistues në mes të shteteve.
Sa i përket rolit të faktorëve ndërkombëtarë në këtë mes, ai është mjaft i madh dhe reflektohet në pjesën dërrmuese të marrëveshjeve të paqes të arritura pas mbarimit të Luftës dhe Ftohtë: ky rol ka për qëllim kryesor zbutjen e sovranitetit të jashtëm përmes monitorimit dhe ndihmës shtetit që ka nisur ridefinimin, zbërthimin dhe dislokimin e pushtetit ashtu që ai shtet mos të bazohet më verbërisht në unitetin e brendshëm kushtetues dhe sovranitetin e jashtëm, por të synojë me çdo kusht vënien në jetë të qeverisjes jopartizane dhe gjithëpërfshirëse në aspektin territorial dhe të popullsisë që jeton në të.
Për një konsensus të mjaftueshëm, jo për qeveri të “guximshme”
Si të rinisë dialogu sa më shpejt, me ose pa u mbajtur zgjedhjet, dhe pa kushtëzime, kjo është esenca e deklaratës, kurse përmbajtja e marrëveshjes që del nga ky negocim me serbët nuk mund të jetë veçse në njërën prej modaliteteve si më sipër. Në fakt, zgjedhjet mund të prodhojnë një qeveri të “guximshme” që e anulon taksën, siç ka prodhuar një të tillë që menjëherë votoi demarkacionin me Malin e Zi. Kosovës dhe përballjes së saj me Serbinë nuk i duhet një qeveri e tillë, aq më pak një qeverisje, por një tjetër që shkon përtej hapave “sot për nesër”, duke prodhuar një strategji vendimmarrjeje që bazohet në politika që kanë për objekt gjërat rreth të cilave mund të arrihet një konsensus i mjaftueshëm. Ato politika që prodhojnë një konsensus të tillë mund të kenë për objekt secilën nga modalitetet e përshkruara si më sipër, përveç copëtimit të vendit: çdo zbutje e sovranitetit të jashtëm dhe të brendshëm të Kosovës në afat të gjatë vetëm sa e forcon më shumë shtetësinë dhe perspektivën e saj euroatlantike. Duhet provuar akomodimin e diversitetit etnik, fetar, gjuhësor dhe tjetër të atyre që janë pakicë në Kosovë përmes teknikave shtesë që nuk i ka parashikuar Plani Ahtisari, me kusht që copëtimi i vendit nuk del asnjëherë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.
(Autori është ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe Profesor doktor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.)
No comments:
Post a Comment