Një vepër pa kufizime gjeografike dhe kohore të letrave tona Flori Bruqi, kundër paragjykimeve të kritikëve letrarë




Një vepër pa kufizime gjeografike dhe kohore të letrave tona Flori Bruqi, kundër paragjykimeve të kritikëve letrarë


Një vepër pa kufizime gjeografike dhe kohore të letrave tona Flori Bruqi, kundër paragjykimeve të kritikëve letrarë

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ


Botoi Shtëpia Botuese "Mirgeeralb", Tiranë

Autori Flori Bruqi para lexuesit shqiptar paraqitet me librin e tij më të ri "Diademë letrare II", në të cilën vepër autori bën një studim shkencor lidhur me zanafillën e kritikës botërore e kryesisht asaj shqiptare, si dhe evoluimin e saj deri në ditët e sotme. Nihilizmi i Teki Dervishit Tanimë është e kuptueshme për secilin që merret me letërsi se kritika është studim, diskutim, vlerësim dhe interpretim i literaturës, e që autori Flori Bruqi përmes veprës së tij këto i zgjeron, duke hulumtuar në vepra të autorët klasikë e deri të kritikët bashkëkohorë, që të gjejë definicionin e saktë të kritikës, si dhe të kritikut letrar. 



Një kritikë letrare gjithnjë është e varur nga një kritik letrar dhe më të drejt autori Flori Bruqi librin e tij e hap me një thënie të shkrimtarit tonë tanimë të ndjerë, Teki Dervishit, kur thotë: "Nuk ekziston kritika e mirëfilltë letrare për arsye se nuk ekziston as letërsia e mirë- filltë", (f. 11, "Diademë letrare II". Kjo fjali e Teki Dervisht do ta shqetësojë Flori Bruqin, i cili do përpiqet me çdo kusht që të gjejë mesin e art, ngase nëse nuk ekziston kritika e mirëfilltë nuk ekzistuaka as letërsia e mirëfilltë dhe krijuesit do të pyesin vetën pse të shkruajnë romane kur nuk ekzistuaka roman i mirëfilltë. Edhe pse autori Flori Bruqi nuk pajtohet më thënien e Teki Dervishit, në nëntekstin e veprës së tij mund të vërehet se pjesërisht pajtohet më të kur ka parasysh kritikat që shkruhen në parathënie të librave, recensionet në gazetat tona të përditshme... ku vlerësimet e kritikëve nuk janë objektive, nuk janë profesionale e madje disa prej tyre janë mediokre, klanore dhe të paguara, me ç'rast shkruan: "Shumica e shtëpive botuese përbëhen vetëm nga pronari i saj e në të shumtën e rasteve nga një staf redaktorësh që vallëzojnë sipas xhepit të pronarit e jo sipas kritereve të vlerësimit profesional" (f. 38 "Diademë letrare II").


KRITIKA MBI KRITIKËN

Të analizosh një vepër që ekskluzivisht ka të bëjë me kritikë letrare, është puna më e vështirë, sepse para vetes ke një autor që ka bërë hulumtime të shumta rreth kësaj teme, ke një vepër tërësisht e mbushur me kritikë dhe vlerësime për autorë të ndryshëm, të cilat vepra duhet t'i kesh lexuar, në të kundërtën nuk ke bërë asgjë. Janë dy autorë për të cilët kam hezituar të shkruaj: Flori Bruqi dhe Prend Buzhala. I pari sqaron teorinë e kritikës letrare, gjykon për disa kritikë letrarë, duke i ngritur në piedestal si Rexhep Qosjen që i pari kishte thyer kritikën realizmit socialist në trevat shqiptare, duke e themeluar "kritikën shqiptare" e deri te Ibrahim Rugova si themelues i Hermeneutikës e strukturalizmit, pastaj merret me vlerësimin e autorëve të njohur botëror dhe atyre shqiptarë, ndërsa i dyti i ka botuar recensionet e tij, parathëniet për librat të autorëve vendorë me vlerësime për veprat e zgjedhura. Flori Bruqi nuk ngurron aspak t'i kritikojë ashpër disa vepra dhe disa autorë, ndërsa Prend Buzhala në shkrimet e tij ka vetëm vlerësime pozitive për autorët dhe veprat të cilat i ka trajtuar. Andaj, duke i krahasuar këta dy autorë dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë dhe disa specialistë botërorë në fushës së kritikës, përsëri mund t'i kthehemi qëndrimit nihilist të Teki Dervishit, por që unë do ta formuloja më lehtë duke thënë se nuk ekziston kritikë krejtësisht objektive. Bazuar në studiues të njohur të kritikës letrare e njëri prej tyre Jean Starobinsku thotë:" ... kritika është kulmi që zhvillohet si një njohuri, e specializuar dhe e denjë: të figurojë në rangun e disiplinave shkencore: e vepra kritike do shndërrohet në diskurs shkencor mbi atë objekt të veçantë që quhet literaturë".

VLERËSIMI KRIJUESVE TË MARGJINALIZUAR

Flori Bruqi në "Diademë letrare II" kapituj të veçantë di t'u kushtojë krijuesve tanë tanimë të afirmuar, siç janë Isamil Kadare, Aleksandër Xhuvani, Mehmet Kajtazi, Ramiz Kelmendi, Sterjo Sapse, Haki Stërmilli, Jusuf Gërvalla, si dhe të autorëve më pak të njohur për opinionin tonë. Specifika e veprës "Diademë letrare II" është se autori vë theks të veçantë krijimtarisë letrare të Jusuf Gërvallës për të cilin shumë pak kritikë tanë kanë shkruar dhe kur disa kanë shkruar e kanë trajtuar vetëm si dëshmor, si aktivist i çështjes kombëtare dhe i cili u vra padrejtësisht nga shërbimi sekret i Jugosllavisë duke e lënë pas krijimtarinë artistike të tij. Flori Bruqin jo vetëm që do e lartësojë aktivitetin patriotik të Jusuf Gërvallës, por para se gjithash shpreh revoltën e tij se si është e mundur që Jusuf Gërvallës t'i harrohet vlerësimi për veprën letrare, andaj thotë: "Opinioni e respekton dhe e adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetët", (faqe 141 "Diademë letrare II"). Ata që e kanë njohur Jusuf Gërvallën e dinë se ai para se t'i rrezikohej jeta nga sistemi i asaj kohës dhe të ikte në Gjermani, ishte artist, këngëtar, poet, kritik dhe publicist, gjë që "elita" letrare e pasluftës ende ka frikë t'ia përmendë emrin dhe veprat e Jusuf Gërvallës. Ekziston mundësia që bashkëkohorët e tij nga frika se Jusuf Gërvalla mos të radhitet në piedestal të letërsisë dëshirojnë që ta lartësojnë në aspektin kombëtar për t'ia zbehur aspektin artistikoletrar, për ç'gjë e lartëson Isamil Kadare, Sabri Hamiti dhe Myrvete Dreshaj-Baliu e ndonjë tjetër. Autori i veprës "Diademë letrare II" do t'u kushtojë rëndësi të veçantë jo vetëm analizave të poezive të Jusuf Gërvallës, por edhe në aspekte të tjera si: Jusuf Gërvalla këngëtar, Jusuf Gërvalla dramaturg, Jusuf Gërvalla shkrimtar... Në pjesën ku shtjellohet Jusuf Gërvalla si këngëtar, autori shkruan më simpatinë më të madhe që ndjen për Jusufin dhe këngët e tij. Madje autori rrëfen se si gjatë sistemit të okupimit bashkë më Fatime Llugiqin, Skender Tafaj dhe Shyqeri Galicën kishin dëgjuar dhe mbajtur kasetën me këngë të interpretuar nga Jusuf Gërvalla. Ndaj nuk ishte aspak e rastësishme kur një pjesë e repertuarit të këngëve të Jusufit u gjetën në arkivin e aktores Fatime Llugiqi e që u bënë të njohura për publikun tonë, sepse në arkivin e Televizion të Kosovës ato këngë ende nuk gjenden. Jusuf Gërvalla si shkrimtar, në "Diademë letrare II", të autorit Flori Bruqi, trajtohet romani "Rrotull" që u botua pas vrasjes së tij, ndërsa si dramaturg merret drama "Procesi" po ashtu e botuar postmortum. Në anën tjetër, autori Flori Bruqi nuk do ta injorojë krijimtarinë e Mehmet Kajtazit, siç ka shumë tendenca që ky autor të mos përmendet, sepse Mehmet Kajtazi jo vetëm që shquhej si krijues i denjë, por ai ishte edhe aktivist i Lëvizjes ilegale dhe kishte kontribuar shumë në aspektin kombëtar. Në fakt qe nga paslufta e deri sot ekziston një rrymë e " elitës" letrare që t'i zhvlerësojë, t'i injorojë, dhe t'i shuajë të gjithë krijuesit që paralelisht kontributit në letërsi, kontribuuan në çlirimin e Kosovës. Flori Bruqi është i vetëdijshëm se veprimtaria letrare e Mehmet Kajtazit nuk mund të injorohet e as të zhvlerë- sohet si "Nata në gur", "Shote Galica", "Minatorët" "Një diell tjetër", "Shqiptarët në Goli Otok" ..., ku në qendër të veprave të këtij autori janë: luftërat, varrtarët, nënat shamizeza, heronjtë, gjëmimet e rrufeve, zinë e riteve mortore..

NJË VEPËR PA KUFIZIME GJEOGRAFIKE DHE KOHORE TË LETRAVE TONA

Autori Flori Bruqi në "Diademë letrare II" nuk u ka vu pikë krijuesve, të cilët i ka trajtuar dhe mund t'i trajtojë, nuk ka vu pikë letërsisë shqiptare për ta kufizuar vetëm në një regjion, por atë e ka zgjeruar në tërë trojet shqiptare e madje edhe në diasporë, duke mos u kufizuar as në hapësirën kohore. Për letërsinë në diasporë, në "Diademë letrare II", vlerësimi i autorit është ky:"Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqipe duhet vështruar në një kontekst dhe më të gjerë gjeografik, d.m.th. dhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale. Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime edhe në diasporë" (f 207 "Diademë letrare II"). Zhvillimeve të letërsisë në diasporë Flori Bruqi do ta tërheqë një paralele qe nga gjeneratat e para të autorëve, të cilët krijuan në diasporë deri të gjeneratat e sotme, siç merren shembull: Elvira Dones, Ornella Vorpsi, Besa Myftiu, Anilda Ibrahimi etj. Autori Flori Bruqi e ankon fatin e krijuesve të cilët në vende të huaja janë bërë të njohur më romanet e tyre, kurse në atdheun e tyre injorohen krejtësisht. Fenomeni i injorimit dhe zhvlerësimeve të krijuesve dhe krijimtarisë se tyre madje të atyre që kanë arritur të botojnë edhe në shtëpitë më prestigjioze botërore si "Fayard", duhet të zhduket në viset shqiptare, shprehet në mënyrë indirekte Flori Bruqi. Vepra "Diademë letrare II" krijuesit e diasporës autori i ndan në dy kategori: në ata që të përkthyer nga shqipja në një gjuhë tjetër dhe ata që direkt shkruajnë në gjuhë të huaj. Si e para edhe e dyta ata janë krijues shqiptarë, e të cilët duhet të gëzojnë statusin e barabartë me krijuesit që jetojnë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni Mirëpo, afirmimi i tyre edhe në vendin e origjinës shkakton xhelozi tek krijuesit e dobët të cilët i pengojnë të afirmuarit jashtë trojeve shqiptare, ngase fama e rrejshme e tyre do të zbehet në opinion e brendshëm. Këta krijues të dobët që kanë arritur të krijojnë një opinion brenda atdheut, janë kundër atyre që gëzojnë famë ndërkombëtare si Besa Myftiu e të tjerët. Në këtë mes të shkrimtarëve jashtë atdheut, vetëm Isamil Kadaresë nuk mundë t'ia mbyllin dyert, sepse të injorosh Kadarenë ke injoruar vetën dhe tërë popullin shqiptar. Libri "Diademë letrare II", është një vepër e cila duhet të lexohet nga të gjithë krijuesit shqiptarë, sepse mund të mësohen shumë jo vetëm për kritikën letrare, por edhe për disa personalitete shqiptare të cilët lanë gjurmë në kulturë, siç janë: Isamil Kadare, Bekim Fehmi, Rexho Mulliqi, Haki Stërmilli...

(Kosova Sot)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)