"Si pasojë e humbjes së besimit te drejtësia vendore, dhe pamundësisë për të qenë të barabartë para ligjit, qytetarët kanë filluar të kërkojnë forma të tjera alternative të zgjidhjes së kontesteve të tyre, siç është ndërmjetësimi i njerëzve me kredibilitet, apo edhe sipas rregullave të vjetra kanunore", ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Florim Zeqa.
Praktika e instaluar që nga paslufta e deri më sot, e në veçanti ajo e rasteve të viteve të fundit kur kanë qenë të përfshira figura nga jeta politike, por edhe familjarë të tyre e kanë kaluar sipërfaqë- sisht dënimin në përballjet me organet e drejtësisë, derisa në anën tjetër, në rastet po të njëjta kanë qenë qytetarët e thjeshtë ata të cilët e kanë pësuar dukshëm më rëndë sesa pushtetarët dhe familjarët e tyre.
Kjo tregon se në vendin tonë vazhdon të mbretërojë një drejtësi selektive, duke qenë se njerëzit para drejtësisë nuk janë të barabartë, pasi ata që kanë lidhje me shtetin, pushtetin e politikën kalojnë dukshëm më lehtë në raport me ata që nuk kanë lidhje të ngjashme. Ndaj është shtruar edhe pyetja se deri kur do të vazhdojë një gjendje e tillë e trajtimit të rasteve në mënyra të ndryshme, varësisht prej intervencave, shantazheve apo parave?.
Analisti Shefqet Dibrani, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se drejtësia selektive është pjesë e dështimeve në këtë fushë, derisa, sipas tij, tashmë edhe shihet qartë se po i takove rrethit të oligarkëve politik që kanë pushtuar Kosovën, nuk ke pse merakosesh as për drejtësinë e aq më pak, siç tha, nëse ka apo nuk ka prokurori e siguri në Kosovë.
" Po ashtu, ne jemi dëshmitarë të skemave rrëqethëse se si sillen bijtë e oligarkëve me policinë dhe se çfarë jete luksoze kanë disa sish, dhe sigurisht se ata hiç më mirë nuk sillen as me Prokurorinë, por që kjo gjë ndodh larg kamerave dhe mundësisë për të mësuar për sjelljet e pasardhësve të oligarkëve politikë", ka thënë ai.
Sistemi i kontrolluar Sipas Dibranit, kjo ka ardhur si rezultat i drejtësisë selektive, i paaftësisë së Gjyqësorit për ta ushtruar detyrën në mënyrë profesionale.
"Derisa për të qenë ndikimi i oligarkëve mbi sistemin gjyqësor dikush vazhdimisht ka kujdestaruar për të krijuar një sistem të kontrolluar, i cili do të veprojë sipas urdhrave të politikës, vetëm sa për të simuluar se bëhet diçka në këtë drejtim, përkatësisht për të shtyrë agoninë qytetare për ditë të mira, të cilat nuk po vijnë, dhe me këtë ritëm, as pas dy dekadave nuk do ta kemi një drejtësi profesionale dhe të pavarur ashtu siç e do momenti dhe koha jonë", ka vijuar më tej ai.
"Sot në Kosovë janë bërë të pasur kryesisht një rreth i ngushtë, të cilët janë pasuruar në mënyrë marramendëse, ndërsa sistemi politik, ai shtetëror dhe i drejtësisë funksionojnë vetëm në letër dhe, siç tha, bëhen hapa veprues vetëm sa për të krijuar imazhe të rrejshme, ngase, sipas tij, edhe qytetari më i rëndomtë e ka kuptuar këtë 'marifetllëk', andaj edhe humbja e besimit te drejtësia në Kosovë është e dhembshme, sikurse dëshpërimi dhe zhgënjimi qytetar që i ka tejkaluar kufijtë e njerëzores", është shprehur Dibrani.
Qytetarët po i kthehen kanunit Analisti tjetër, Florim Zeqa thotë se dhënia e përparësisë për lëndët ku palë janë mafio-oligarkët, familjarët e tyre apo edhe njerëzit e afërt me grupet e interesit në Kosovë, ka ndikuar që reduktimi i lëndëve të vjetra të jetë i pamundur dhe në prag të dështimit.
Veç kësaj, sipas tij, ndërhyrjet e politikës në zgjidhjen e rasteve sipas prioritetit të interesave të tyre, vetëm sa e ka rënduar situatën akoma edhe më tepër në zgjidhjen e shumë lëndëve të vjetra gjyqësore mes palëve në konflikt, derisa, siç tha, në anën tjetër, si pasojë e prolongimit të zgjidhjes së kontesteve të ndryshme ligjore, jo rrallëherë, problemet me zgjidhje të lehta dhe të shpejta ligjore përfundojnë me fatalitet mes palëve.
Në këtë drejtim, Zeqa ka veçuar se një situatë e tillë ka bërë që drejtësia në Kosovë të jetë selektive dhe e njëanshme, por edhe shpeshherë, siç tha, ndodh që drejtësia të mbajë anën e parasë dhe atë të fuqisë politike, duke dëmtuar kësisoj edhe kauzat e drejta të palëve në konflikt.
"Si pasojë e humbjes së besimit te drejtësia vendore, dhe pamundësisë për të qenë të barabartë para ligjit, qytetarët kanë filluar të kërkojnë forma të tjera alternative të zgjidhjes së kontesteve të tyre, siç është ndërmjetësimi i njerëzve me kredibilitet, apo edhe sipas rregullave të vjetra kanunore", ka potencuar analisti Florim Zeqa.
Çlirimtarët "hajdutë" Njohësi i fushës së drejtësisë dhe i këtyre rrethanave, Jeton Kelmendi mendon se Kosova është një rast tepër specifik sa i përket lulëzimit të korrupsionit, por Kelmendi në këtë drejtim nuk mendon se ky fenomen është shndërruar në kulturë, por, siç tha, në standard definitivisht se po. " Ndërkaq, ajo se si erdhi deri te ky nivel i lartë i korrupsionit në Kosovë, kjo është një çështje shumë komplekse, por fakti se "ata" që e çliruan vendin e tani po e vjedhin lë të dyshosh edhe në rekrutimin e këtyre çlirimtarëve.
Pra, e kam fjalën për çlirimtarët 'hajdutë'. Kurse sa u përket gjykatave sërish kam rezerva, ngase duke i njohur këta zyrtarë të drejtësisë në Kosovë dhe lidhjet e tyre me strukturat politike të nëntokës dhe mbitokës, e kur kësaj i shtohet edhe fakti se po këto struktura i kanë zgjedhur në pozita të institucioneve të drejtësisë, andaj edhe shtrohet pyetja se si mund ta gjykojë e ta dënojë punëdhënësin?
Padyshim se një gjë e tillë nuk ndodh", ka thënë ai. Andaj, sipas tij, assesi nuk mund të bëhet fjalë për gjykata të pavarura, pasi, siç tha, shihet qartë se drejtësia në Kosovë është gjunjëzuar para korrupsionit dhe krimit të organizuar. " Vetëm rastet e aferës 'Pronto' dëshmojnë se në këtë vend gjykojnë të fortët e nëntokës, të cilët, për fat të keq, kanë gjetur lidhjet e tyre edhe te strukturat ndërkombëtare, qoftë të instaluara në Kosovë apo edhe jashtë saj, por që gjithnjë me shumë ndikim", ka potencuar Kelmendi.