Në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që mbahet në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” u shfaq filmi “French Blood” (Gjaku francez). Me skenar dhe regji nga Diasteme, filmi tregon historinë e një francezi, të lindur në vitin 1965, në periferi të Parisit. Historia e një kokërruari, që urren arabët, hebrenjtë, zezakët, komunistët dhe homoseksualët. Një zemërim që do t’i marrë tridhjetë vjet për t’u zhdukur. Një maskara, të cilit do t’i duhen tridhjetë vjet për t'u bërë dikush tjetër. Ky projeksion francez në 97 minuta jep përgjigje përmes një fictioni përse ka aq shumë racizëm për emigrantët. Një film, i cili ka sjellë shumë diskutime dhe për ta prezantuar në Tiranë ishte dhe vetë regjisori francez Diasteme. Për herë të parë në Shqipëri me filmin e tij, regjisori tregon se ka qenë shumë e vështirë premiera kur u shfaq në Paris, duke treguar se pati dhe policë në shfaqjen e filmit. Në intervistën e tij regjisori e quan rast unik këtë film, dhe tregon se e kishte zgjedhur këtë tematikë, sepse dy vite më parë ishte një nga tematikat më të rëndësishme për tu shpalosur në kinema. Por për këtë film, ai tregon se në aktivitetin e tij ka mësuar shumë në punën e tij, sepse realizimi i “French Blood” ka qenë i vështirë. Në lidhje me projektet e reja në fushën e kinematografisë regjisori tregon se ndryshe nga filmi që prezanton në Tiranë, projekti që para dy muajsh ka prezantuar në Francë ka qenë një film komedi, duke shtuar se në vijim ka në vëmendje një film për historinë e poetëve të shekullit të 19.
Jeni në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe merrni pjesë për herë të parë në këtë festival. Filmi juaj “French Blood” është shfaqur më herët dhe në vende të tjera të botës. Çfarë mund të na thoni me prezantimin e këtij filmi me skenar dhe regji nga ju, në disa shtete të botës?
Për mua është hera e parë që marr pjesë në këtë festival, por edhe hera e parë që vij në Shqipëri. Filmi im “French Blood” u përzgjodh nga festivali për të qenë pjesëmarrës në ditët e zhvillimit të tij. Deri më tani filmi “French Blood” është shfaqur në disa shtete të botës. Unë po merrem dhe me një film tjetër, dhe nuk mund të isha në të gjitha vendet njëkohësisht ku shfaqej filmi. Por filmi është shfaqur në disa shtete, dhe megjithatë unë kam zgjedhur që ta dërgoj vetë filmin në vende si Kanada, Portugali, Brazil, Turqi, etj, dhe jam dhe në Shqipëri me filmin tim.
Edhe më herët është diskutuar për temën e filmit tuaj, urrejtja racore. Por duke qenë se prek një temë të tillë tabu, si është pritur filmi juaj në Paris. Si regjisor, çfarë mund të na thoni për këtë, pse zgjodhët për t’u marrë me një film kontraversial?
Mund t’ju them se ka qenë shumë e vështirë shfaqja e filmit. Frikë nga e djathta ekstreme. Kur filmi u shfaq në kinema pata frikë jo vetëm për vete, por dhe për aktorët pjesëmarrës në film, kur u shfaq filmi. Gjatë premierës së filmit në Paris pati dhe policë, por fatmirësisht nuk pati asnjë incident. Nuk e zgjodha tematikën, sepse ishte kontraversial. E zgjodha këtë tematikë sepse mendova se dy vite më parë ishte një nga tematikat më të rëndësishme për tu shpalosur në kinema. Kjo sepse gjatë kësaj kohe pashë njerëz në rrugë, që ishin mbledhur kundër martesave homoseksuale. E mendoja që vendi im normalisht ishte një vend i hapur, kur të gjithë mund të jetojnë në paqe sëbashku, por kjo nuk ndodhi. Ndaj për mua ishte e rëndësishme që të trajtoja historinë e një djali që heq dorë nga urrejtja e tij, në një kohë kur urrejtja është gjithandej.
Në qendër të filmit vjen historia e një francezi, që urren arabët, hebrenjtë, zezakët, komunistët dhe homoseksualët. Një zemërim që do t’i marrë tridhjetë vjet për t’u zhdukur. Çfarë mund të na thoni për zgjedhjen e personazhit nga ju, a përfaqëson ai rininë franceze?
E zgjodha këtë personazh, sepse e njoh këtë karakter. Kemi një moshë të njëjtë dhe jemi rritur bashkë. Prezantojmë gjatë kësaj kohe vetëm një pjesë të vogël të rinisë. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve fatkeqësisht urrejtja ndaj minoriteteve siç janë komuniteti homoseksual, etj, njerëz të margjinalizuar, sa vjen e zmadhohet, është gjithmonë dhe më e madhe.
Pse po ndodh kjo gjë në shoqërinë franceze. Ju jeni i shqetësuar për këtë situatë?
Nëse nuk do të isha i shqetësuar nuk do ta kisha bërë këtë film. Të urresh njerëzit është një gjë e tmerrshme. Urrejtja ndaj njerëzve vetëm pse janë të ndryshëm është e tmerrshme.
Si i prezanton kinemaja apo kultura franceze këto zhvillime politike, apo ju jeni një rast?
Nuk ka pasur film tjetër më parë që është bërë për të djathtën ekstreme në Francë dhe kjo është hera e parë, ndaj e quaj veten një rast specifik. Nuk mund të flas dot për kolegët e mi dhe nuk di pse ata nuk e kanë bërë një film të tillë më përpara, tematika të ngjashme. Ndoshta kanë pasur frikë, ndoshta kanë pasur arsye të tjera, por nuk mund të flas për ta.
Ju merrni pjesë për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që këtë vit në edicionin e tij të 11 ka në vëmendje temën e migracionit, që është një shqetësim i madh në Europë. Për ju si duhet të sillen shoqëritë, konkretisht shoqëria franceze?
E di që festivali i filmit këtë vit në zhvillimin e tij ka temën e migracionit. Franca është një vend i vjetër. Normalisht që i pranon të gjithë njerëzit. Në fakt kemi thënë që do të pranonim mbi 40 mijë emigrantë. Vetëm stadiumi në Francë merr 40 mijë njerëz, dhe mendoj se Franca është e pasur mjaftueshëm për ti mirëpritur vetëm në stadium, duke qenë se ka këtë kapacitet.
Duke qenë se jeni një regjisor i njohur, sipas jush ku qëndrojnë problemet në industrinë e kinemasë franceze?
Në Francë çdo vit bëhen rreth 300 filma, ndaj dhe ne e kemi mundësinë që ti bëjmë gjithë këta filma. Kjo është e veçantë. Është gjithmonë Amerika dhe India. Për një kohë të gjatë kemi pasur filma komercialë dhe filma autor njëkohësisht. Tani është e vështirë të bëhen filma autor. Është e vështirë për të gjetur mundësitë për të bërë filma që ndoshta nuk do të kënaqin miliona njerëz, por për një grup të vogël njerëzish. Bërja e artit në filma është e vështirë.
Me filmin tuaj “French Blood” keni pasur jo pak vëmendje, ashtu si ju pohuat është shfaqur në disa shtete të botës ku dhe ju vetë e keni prezantuar, sikurse jeni dhe në Tiranë me këtë film. Si ka ndikuar ky film në karrierën tuaj si regjisor?
Me realizimin e këtij filmi unë kam mësuar shumë me punën time. Kjo sepse ka qenë një film shumë i vështirë për tu xhiruar. Përmes këtij filmi thjesht desha të tregoja një histori, dhe tani që ai ka përfunduar së realizuari unë jam shumë krenar për filmin, që ta nxirrja jashtë këtë histori sepse ishte shumë e vështirë. Por tani kur e shikoj çështjen, tani jam shumë krenar kur shikoj që ka pasur efekt edhe pse me gjithë këtë frikë që e rrethon filmin. Por unë do të vazhdoj të punoj me të njëjtën mënyrë me filmat e mi. Nuk jam politikan, por jam një regjisor, jam autor dhe bëj filma.
Çfarë mund të na zbuloni për projekte tuaja në vijim me filmin. Puna juaj si regjisor, ku do të jetë e fokusuar?
Para dy muajsh unë prezantova një tjetër film i realizuar nga unë. Por ndryshe nga ky ai ishte një film komedi, një film për familjen, historia e dy motrave me pushime. Ndërsa tani po punoj për një tjetër film, që zhvillohet në shekullin e 19. Në këtë film do të tregoj historinë e poetëve të shekullit të 19, për rrethin letrar dhe për çmimet që merrnin në atë kohë.