Pas luftës në Kosovë, që nga qershori i vitit 1999 e deri më sot, kanë ndodhur 1020 vetëvrasje
Për dallim nga koha e paraluftës, nga viti 1945 deri në vitin 1998, numri i vetëvrasjeve të raportuara është shumë i ulët në krahasim me sot.
“Nga viti 1945 e deri në vitin 1998, në Kosovë zyrtarisht në organet e sigurimit nuk janë shënuar më shumë se dhjetë vetëvrasje. Ishin të rralla, sepse kishte mistere. Familjet patriarkale i deklaronin vdekje të natyrshme”, shkruan gazetari Bajram Mjeku.
Ai shton se as në periudhat mizore të tiranëve serbë,Aleksandër Rankoviq e Sllobodan Millosheviq nuk kishte vetëvrasje, pasi shqiptarët e konsideronin akt i ulët.
Se vetëvrasjet në Kosovë janë dukuri në rritje, këtë e vërtetojnë edhe shifrat zyrtare. Raportet e policisë tregojnë se që nga pas lufta e deri në vitin 2012, janë evidentuar 768 raste të vetëvrasjeve dhe 2494 tentim-vetëvrasje.
Sipas burimeve, deri tash janë 44 ish-ushtarë të UÇK-së që kanë kryer këtë akt fatal.
Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se vetëm në dy muajt e vitit 2012 kanë ndodhur tri vetëvrasje dhe 36 tentime për vetëvrasje. Në vitin 2011, 52 persona janë vetëvrarë dhe 306 persona kanë tentuar të vetëvriten.
Sipas të dhënave ekzistuese gjinia mashkullore prin me vetëvrasje, ndërsa për tentim-vetëvrasje është më e prira gjinia femërore.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2001 deri në vitin 2012, në Kosovë 731 persona kanë bërë vetëvrasje dhe 2485 persona të tjerë kanë bërë tentim-vetëvrasje. Njohësit e kësaj dukurie shpjegojnë se përveç çrregullimeve të ndryshme, një nga shkaktarët e vetëvrasjeve në Kosovë mund të konsiderohet edhe zhgënjimi dhe humbja e shpresës për një jetë më të mirëSipas Policisë së Kosovës, numri më i madh i vetëvrasjeve është kryer në rajonin e Prishtinës, duke përfshirë këtu edhe komunat si Podujeva, Fushë Kosova, Obiliqi, Lipjani, Drenasi, mirëpo nuk përjashtohen edhe rajonet e tjera.
Shqetësuese është fakti që mosha mesatare e këtyre personave është 18-40 vjeçare, ndërkaq shkaqet dhe motivet e këtyre akteve mbeten të ndryshme. Sa i përket gjinisë së personave, meshkujt janë në numër më të madh të vetëvrasjeve, ndërsa tentim-vetëvrasje janë personat e gjinisë femërore, shkruan ”Lajm”. Psikologu Aliriza Arenliu konsideron se fenomeni i vetëvrasjes është një nga fenomenet më komplekse për t’u studiuar dhe se shkaktarët ndryshojnë nga individi në individ dhe nga një kulturë në tjetrën.
Mirëpo, sipas tij shkaktarët ndahen në tre faktorë: social, psikologjik dhe biologjik. “Është një trend i përgjithshëm që ky fenomen pason rritje në çdo shoqëri që del nga luftërat kjo është vërejtur edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe në disa vende të regjionit pas luftërave}duket se transformimet sociale shkaktojnë ndryshime të mëdha edhe në mënyrën e jetesës dhe të konstalacioneve të vjetra sociale të cilat shpërbëhen dhe personat që kanë një cenueshmëri më të lartë për çrregullime të ndryshme (shto këtu edhe pasojat e luftës) mbesin pa një përkrahje të duhur posaçërisht në vendin tonë ku shërbimet e shëndetit mendor janë ende të stigmatizuar dhe jashtëzakonisht të dobëta me kapacitet për të ofruar shërbime për shkak të numrit të vogël të psikiatërve dhe psikologëve në institucionet publike”, shprehet Arenliu.
Sipas tij, në vendin tonë nevojiten studime të thella për këtë dukuri negative, ndërsa citon se institucionet përkatëse kanë bërë pak në këtë drejtim. “Para dy viteve zyra për qeverisje të mirë ka iniciuar një grup punues për hartimin e një planprogrami të parandalimit të vetëvrasjeve në Kosovë. Ky grup ka rezultuar me një propozim, i cili nuk e di se ku ka mbetur, por e di se ka mbetur i parealizuar”, shprehet krejt në fund Arenliu.
Lexoni :
http://floripress.blogspot.com/2012/03/mrsciflori-bruqi-vetvrasjet-ne-kosove.html