2016-09-29

Ylli Pepo: Prodhimi artistik në vend problematik në cilësi dhe sasi, drama shqipe ka vdekur...



Filmin e parë “Edhe ne jemi ushtari” regjisori Ylli Pepo e realizoi 48 vjet më parë. Kur po bëhen gati pesë dekada nga ajo kohë regjisori i njohur Ylli Pepo tregon se jeta e tij ka qenë gjithmonë me filmin. Në intervistën e tij regjisori, i cili është i njohur dhe në seriale televizive apo dhe në filmin dokumentar, mes të tjerave flet për punën që është bërë për filmin. Por si një kineast i njohur ai shpreh dhe keqardhjen për problemet që shikon sot në kinematografinë shqiptare. Sipas tij, vazhdojnë të jenë probleme që kanë lidhje me financimet e pakta në film. Për regjisorin duhet të ketë më shumë vëmendje për kinemanë shqiptare, pasi talentet nuk mungojnë. Tjetër problem për regjisorin si njeri i artit është dhe zhvillimi i jetës artistike në institucione të ndryshme. Sipas tij, nuk është e drejtë që dramaturgjia shqipe mungon në skenën e teatrit, duke theksuar se duhet punuar më shumë që ajo të jetë në skenë. Problem për regjisorin është dhe mosvëmendja e Ministrisë së Kulturës që sipas tij nuk po dëgjon sa duhet kur artistët flasin për vështirësitë e jetës artistike.
Ju gjejmë me miqtë tuaj dhe kolegët, vëmendje te projektet. Si ka nisur vjeshta për regjisorin Ylli Pepo?
Unë në muajin gusht mbusha 48 vjet nga realizimi i filmit tim të parë, “Edhe ne jemi ushtari” lidhur me studentët e 1968, kur ata u thirrën të shërbenin ushtarakisht në kohën kur ne dolëm nga Traktati i Varshavës. Ajo ka qenë një ngjarje e madhe historike, sepse ne u shkëputëm nga ai traktat. Unë atëherë student bëra një film, i cili dhe sot është në arkiv, së bashku me regjisoren mjaft të njohur të filmit dokumentar Marianthi Xhako. 48 vjet nuk janë pak, gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë me prodhime filmash dhe më shumë kam jetë brenda filmit se sa jashtë tij. Pyetja juaj se me merrem, gjithmonë merrem me filmin. Të merresh me film është si puna e motit. Shpesh me diell, e shpesh me shi. Më duket se këtë periudhë që po më bëni këtë pyetje unë jam në motin me shi. Vetë klima, vetë ato çka po ndodhin nuk të japin dorë për të realizuar projektet, jo vetëm unë, por dhe kolegët e mi kanë probleme.
Çfarë mungon sot për ju në film?
Mungon paraja. Kjo është e para. Jo se ne kërkojmë shumë para, madje ka kolegë të mi që e bëjnë me shumë pak lekë filmin. Mungojnë fondet. Tani Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka më tepër vëmendje edhe ndaj të rinjve. Shumë regjisorë të rinj kanë marrë pjesë dhe në festivale, por të ndihmuar nga QKK. Shqipëria përfaqësohet vazhdimisht këto vite në Oscar me prodhime të filmit të viteve të fundit dhe këto nuk janë arritje të vogla. Por në këto arritje, mungon cilësia, e cila për mua nuk vjen nga mungesa e talentit dhe kërkesës që kanë regjisorët, por më duket se vjen dhe nga ngushtësia e madhe e mundësive financiare për të bërë një film. Pra ti nuk ke atë kujdes dhe atë mbështetje që ta çosh punën tënde, të realizosh atë që ke menduar për filmin e ardhshëm. Kjo i ndodh shumë kineastëve. Ju e keni vënë re që para ’90 filmat qenë mbushur me skena masive, atëherë kishte një organizim tjetër, sot i thuaj një regjisori të xhirojë një skenë me 100 veta, e bën dot apo jo? Ndaj ne shikojmë filma me dyer të mbyllura. Filma larg temës kombëtare, të cilat i sheh dhe nga një autor tjetër i huaj. Kjo besoj se është një zgjidhje e gabuar për rrugën e ardhshme të kinematografisë shqiptare. Kinemaja është art me shpenzime të mëdha. Këtë duhet ta kemi në mendje. Ndaj ose të bëhen filma ose të mos bëhen fare. Por të mos bëhen filma do të thotë të kapitullojë memoria kombëtare. Pra ti të lesh një nga gjinitë dhe zhanret më popullore, më interesante pa lëvruar dhe akoma më shumë bie në sy kjo kur dikur prodhoje 14 filma. Të ideologjizuar apo jo, ky është tjetër problem. Por ti shikon që edhe sot e kësaj dite, që ata filma shfaqen përveç atyre që janë tematikë. Në këtë kuptim them që secili nga ne duhet të bëjë pyetjen, sa do ti rrojë vepra? A do të jetë një vepër që do të ketë vlera për të ardhmen, apo është një vepër që flet për të sotmen, por nuk i flet së nesërmes. Këto janë probleme në filmin shqiptar sot. Kjo sepse tema kombëtare është mbyllur. Ne nuk jemi keq nga kineastët në trajtimin dhe përpjekjen për ti hapur vend kombëtares, por më keq është teatri.
Po flisni për teatrin, i cili këto kohë është diskutuar jo pak për mungesën e dramës shqipe. Në gjykimin tuaj çfarë po ndodh?
Dramës shqipe i është mbyllur porta. Nuk po merrem me justifikimet e njërit apo tjetrit, por qëndron fakti që është shumë domethënës. Drama shqipe ka vdekur. Midis shumë dramave ka dhe drama me cilësi, ka regjisorë që kanë dhe një afeksion për të vënë dramën shqipe në skenë. Kjo sepse ka drama të mira, zhvillohen konkurse, i kemi dhe në Kosovë këto konkurse. Në krahasim me këtë ne kineastët duhet të jemi të lumtur, sepse ka mundësi që të bëhen disa filma.
Meqë po flisni për jetën artistike, një regjisor si ju si i shikon institucionet e artit në Tiranë?
Me aq sa shikoj, them që ka një paqartësi të madhe lidhur me institucionet dhe vijimësinë e tyre. Flitet për projekte të reja, për ndërtesa të reja, flitet për TOB, etj, dhe kemi dëgjuar shumë. Por thelbi është që këto vijnë më shumë nga paqartësitë që kanë institucionet për të shpjeguar vijueshmërinë e tyre, për të shpjeguar se çdo të bëjnë jo vetëm me planet konkrete për shfaqjet siç janë ato të teatrit, ku dua të them që ishte shumë e mirë që drejtori i Teatrit Kombëtar prezantoi kalendarin. Pra mirë ose keq, ne e shikojmë kalendarin e teatrit. Por ne nuk kemi një informacion se sa filma janë prodhuar këtë vit, dhe sa janë shfaqur, etj. Mungon një bilanc. Duhet të kemi një strategji për të ardhmen se në çfarë raporti të rendë filmi artistik, dokumentar, ai i animuar, etj. Ndaj them se kjo është një e metë e punës institucionale.
Jeni pjesë e jetës artistike, diskutoni jo pak mbi probleme të artit dhe kulturës. Për ju, sa dëgjohen njerëzit e artit nga Ministria e Kulturës?
Mendoj se nuk i dëgjon fare artistët, njerëzit e artit. Kjo sepse ne nuk dëgjojmë ndonjëherë reagime për atë që kërkojnë artistët, ata të cilët institucionalisht varen nga Ministria e Kulturës. Më shumë ka heshtje. Në këto vite, që nga koha kur erdhi kjo ministri dhe i fliste për projektet, etj, disa gjëra janë bërë mirë e disa keq. Disa gjëra janë harruar, e disa janë harruar me qëllim. Kurse ato të cilat janë bërë mirë janë më shumë profile, që kanë të bëjnë me përkthimin e veprave që nuk është keq, por shumë e mirë, kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, por pothuajse është lënë në harresë zhvillimi aktual i prodhimit artistik në vend. Është mbrapa shumë prodhimi artistik në vend edhe si cilësi dhe si sasi.
Në fillim të kësaj bisede me ju, thatë se janë bërë 48 vite nga realizimi i filmit të parë. Çfarë ju ka falur filmi?
Është gati gjysmë shekulli nga ajo kohë. Të them më ka falur kënaqësi është një përgjigje skematike. Filmi më ka falur gjithë botën, më ka falur marrëdhënie të shkëlqyera me njerëzit, një hapësirë të pamat shpirtërore për të hyrë në botën e njerëzve dhe për tu përpjekur që të tregoj atë në ekran. Por ama edhe pas këtyre 48 viteve ndjehem borxhli.
Pse borxhli në film?
Mund ti kisha dhënë dhe shumë më tepër filmit. Më duket se pengesat nuk kanë qenë brenda meje, por më shumë kanë qenë pengesa të jashtme të të gjitha natyrave, që nga ambicia, xhelozia e deri tek institucionet.
Intervistoi: Julia Vrapi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...