Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri,guidë turistike e kanabisit



Nga Armand Shkullaku


Ekskursionet e organizuara të ministrit të Brendshëm, nëpër fusha e male me kanabis mbuluar, kanë shënuar kulmin e absurdit këtë të enjte, kur pjesë e tyre u bënë edhe deputetët e majtë të komisionit parlamentar të rendit dhe sigurisë. Disa burra, mes tyre edhe në moshë të thyer, u shfaqën para shqiptarëve të ngazëllyer si adoleshentë duke bërë selfie, foto e video mes parcelave mbushur me të gjelbërtën magjike. Njerëzit e përzgjedhur si përgjegjës për rendin dhe sigurinë në Shqipëri, dukeshin si ata dy të rinjtë hollandezë që nuk u besonin syve ndërsa shihnin dikur bimët e shëndetshme të Lazaratit.
Pozat e deputetëve, herë nga afër e herë nga larg, dhe pamjet entuziaste gjatë turit turistik nëpër arat me kanabis, u bënë publike nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në faqen e tij në facebook. Tahiri, ose vërtet nuk e kupton idiotësinë e kësaj propagande ose “virusi Veliaj” e ka prekur aq rëndë sa po e kthen në një personazh komik, ndërsa merr poza mes fushave të mbjella me drogë.
Ndërsa Veliaj mund të duket fallco, imitues apo hipokrit në ato sajesat e tij populiste, entusiazmi gati naiv që lexohet në fytyrën e Saimir Tahirit, kur nis e merr poza, shton dyshimin se ai vërtet nuk e kupton peshën e veprimeve që po bën.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që një ministër i Brendshëm, rreshton forcat speciale me antiplumb e kallashnikovë, për të dalë në fotografi me një gazetar të huaj, të cilit i tregon se si vendi i tij është kthyer në një parajsë marihuane, ku policia po realizon një fushatë korrjesh propagandistike. Nuk ka si shpjegohet gjithashtu inisiativa e vetë ministrit për t’u treguar gazetarëve shqiptarë, në një tjetër ekskursion me helikopter, se si policia do të shkulë disa mijëra bimë mes miliona të tjerave që i ka lejuar po vetë të kultivohen.

Dhe kulmi i kulmeve, ministri mbledh deputetët e komisionit të sigurisë, të cilët në vend ta thërrasin në interpelancë urgjentisht për përmasat katastrofike që ka marrë kultivimi i drogës, bëjnë selfie përpara bimëve të harlisura si përpara ndonjë objekti turistik. E nga qejfi i madh i ekskursionit, i postojnë ato në facebook, tamam si ata turistët që duan t’u tregojnë të tjerëve se ku kanë qenë dhe sa shumë janë kënaqur.

Mirëpo, përhapja në këtë shkallë e kultivimit, trafikimit dhe konsumimit të drogës në Shqipëri, nuk mund të trajtohet si një kuriozitet turistik: shikoni sa shumë rrënjë janë mbjellë dhe bëni nga një foto. Ministri Tahiri nuk është zgjedhur të bëjë guidën turistike të gazetarëve apo kureshtarëve, por që të parandalojë dhe ndëshkojë trafikun dhe trafikantët e drogës.

Ai nuk përgjigjet për fotot, videot dhe postimet e tyre në facebook, por duhet të marrë përgjegjësi se përse është lejuar që vendi të kthehet në hambar të marihuanës. Ministri nuk është skenarist që mban të lidhur katër fakirë derisa të vinë t’i filmojnë gazetarët, por duhet të japë llogari (edhe përpara deputetëve që i merr në ekskursion) se përse nuk kapen krerët e trafikut dhe përse nuk ndiqen penalisht oficerët e policisë që e kanë toleruar këtë situatë.

Duke bërë turizëm me marihuanën, ministri Tahiri përpiqet të mbulojë përfshirjen e zyrtarëve të policisë në këtë industri ilegale, të zhvlerësojë akuzat e opozitës dhe të propagandojë si sukses të tij një operacion selektiv dhe të vonuar. Vetë fakti se ministri ka disa ditë që ka lënë zyrën dhe shoqëron kamerat dhe grupet me gazetarë e deputetë, dëshmon se më me rëndësi është propagandimi se sa lufta e vërtetë dhe serioze kundër trafikut të drogës.
Pikërisht serioziteti është elementi i parë që është goditur nga spektakli kanabist i ministrit Tahiri.

Vetë gazetarët ranë në kurthin e propagandës së gëzuar të Tahirit, ku në vend të nxjerrjes së përgjegjësisë për përhapjen e frikshme të këtij fenomeni, u futën në konkursin “kush bën poza më të bukura” nga fushat e kanabisit. Dhe pas tyre, deputetët, që nga të kritikueshme, e shndërruan në qesharake guidën turistike të agjensisë “ministria e Brendshme e Shqipërisë”. Situata ka degraduar deri na të pikë, sa askush nuk do të habitej nëse video- selfie e ministrit me deputetët e komisionit të sigurisë do të shoqërohej nga kënga e Mozzikit, “edhe ni spllif...”.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)