2016-09-21

Haxhi Balliu : Rreth librit “Librazhdi dhe monumentet” të autorit Rrahman Gjorga

Një guidë për vendlindjen
Thonë se në Librazhd, jeta nis me luginën e Shkumbinit.

Por në se do t’i referohemi librit të fundit të Mësuesit të merituar, Rrahman Gjorga, do të shohim se e gjithë treva e Librazhdit ka një trashëgimi kulturore historike të pazëvendësueshme.

Si në çdo qytetërim të lashtë edhe në trevat e Librazhdit është e vërtetë se jeta ka filluar me luginën e lumit Shkumbin.

Natyra është treguar bujare më Librazhdin, duke i dhënë një terren të larmishëm dhe ekzotik në tërësinë e vet. Luginat e lumenjëve, Shkumbin e Rrapun pllajat në lartësi e brendësi të maleve, ujërat nëntokësore, burimet e lakmueshëm, pyjet e shumëllojshëm e gurët e dobishëm janë vetëm një pjesë e bujarisë së natyrës së këtij vendi.

Libri i ri i këtij autori, me titull “Librazhdi dhe monumentet” është para së gjithash si një “guidë” për vendlindjen.

Mjafton të bësh një shfletim të këtij libri dhe menjëherë do të ndjesh sikur ky libër të fton të vizitosh këtë perlë të natyrës, ku gjenden këto monumente natyrore në trevën e Librazhdit.

Profesor Gjorga, ka udhëtuar kudo në këto zona, për të sjellë me gjuhën e fotos dëshmitë e pranisë së një natyre të mrekullueshme dhe si njeri I pasionuar pas historisë dhe gjeografisë, si njohës i mirë i saj e di se këto imazhe do të grishin jo vetëm dëshirën për t’i vizituar këto vende, por edhe dëshpërimin tek ata njerëz, pjesë e kësaj toke, që prej vitesh nuk janë më pjesë e saj dhe nuk kanë asgjë në dorë për ta mbrojtur këtë trashëgimi natyrore nga dëmtimet.

Profesor Gjorga, vjen gjithashtu me këtë botim jo vetëm si një historian e gjeograf, me një hulumtim të saktë të historisë së kësaj hapësire, por edhe si një personazh që ka dashur të japë diçka tjetër përtej fjalëve nëpërmjet fotove, duke treguar atë pafundësi monumentesh natyrore e kulturore që mbart kjo zonë.

Jo vetëm lugina e bukur e Shkumbinit, por edhe Fushë-Studna, Stebleva, Polisi, Sopoti, Qarrishta, Shebeniku, Rrajca, dallohen për larminë e resurseve turistike, të cilat janë unikale në llojin e tyre.

Kjo zonë është një zonë e pasur edhe për vlerat e trashëgimisë kulturore që nis me Vrimën e Dardhës së Ariut, vrimën e stërqokave, në lartësinë 1640 metra, apo Shpella eremite e Koshorishtit, Sofra e Skënderbeut, Shkëmbi i Skënderbeut në Rrajcë, Ura e Kamares dhe ajo e Golikut, Orakulli i Qafë-Thanës, apo Kulla e Tomajve në Orenjë etj. të cilat në këtë libër vijnë si një dëshmi e vërtetë e një historie që ende nuk ka përfunduar.

Gjithsesi libri në fjalë edhe pse është konceptuar si një guidë natyrore, duket sikur mban në fshehtësi zakonet e mira, këngët, vallet dhe kostumet e bukura të stolisura me mjeshtëri. Ato flasin për një kulturë etnografike të pasur të trevës së Librazhdit, sikurse është edhe maketi i shtëpizë me teliz në Çermenikë, thekoret e Polisit, rozetat e bukura të tavaneve, konaku i miqve i shtruar bukur me pajisje përkatëse, deri te ai gorriku për të pjekur bukën. Por në këtë natyrë të bukur nuk mungon as burimi I ujit sikurse janë shtatë çezmat tek Rrapi shekullor i Bërzeshtës etj.

Në këtë kuadër edhe përpjekjet e Administratës së Zonave të Mbrojtura të Elbasanit, për ta kthyer Parkun Kombëtar Shebenik-jabllanicë në një atraksion të vërtetë turistik, janë të dukshme. Ata informojnë vazhdimisht qytetarët dhe të apasionuarit e lëvizjeve në natyrë, turistët e vëzhgimit dhe të aventurës që të vizitojnë këtë mrekulli natyrore. Sepse në këtë Park shtrihen edhe një pjesë e këtyre monumenteve natyrore.

Gjithsesi, ky botim mbart vlera të padiskutueshme edhe për nxënësit e shkollave dhe mësuesit, i cili fare mirë mund të shfrytëzohet edhe në orët e lira që zhvillohen në shkollë.

No comments:

Post a Comment

Kush është Dejona Mihali dhe pse është kaq e rëndësishme në LVV

Kërko brenda në imazh Para 2 vitesh  ish Deputeti i LVV, Haki Abazi, i cili  u largua nga 2 komisione parlamentare, kishte  disa akuza të rë...