Unë përulem me respekt para vuajtjeve të tija


Të dy jeni të mirë; Ti i madhi im PAPI(Përparim Hysi) dhe ti miku im FLORI(Flori Bruqi) sepse kujtoni, nderoni dhe kërkoni për të tjerët dhe asnjëherë për veten tuaj. Veti fisnike.

S'e kam njohur Ibish Kelmendin por Papi ma solli sot pranë dhe unë përulem me respekt para vuajtjeve të tija dhe kërkoj (zëri im është i vdekur nëse nuk më bashkohen mijra të tjerë) që të dekorohet dhe ti kërkohet falje për vuajtjet!

Nisni një peticion për IBISH KELMENDIN tek QEVERIU.

Respekte, Agim Bacelli



"Dekorata" që mori mësuesi IBISH KELMENDI?!!! *


Nga Përparim Hysi

Këtë shkrim e bëj enkas për gazetën "DITA". Dhe ja, përse?
Si pensionist që jam, ora gjashtë e mëngjessit më zë në klub. Më është bërë zakon që,nëse më pëlqen kafeja( e bënbanakierja mir, LORI, nga Përmeti) dhe shërbimi, klubin nuk e ndërroj. Por kam dhe një arsye tjetër që klubin nuk e ndërroj. Pronari i klubit "ADORO", YLLI ZIU, ( klubi gjendet pas poliklinikës 9, tek "21 dhjetori), jo vetëm kafenë e mirë e ka me çmim të lirë, por në dispozicion të klientëve vë tri gazeta: "DITA", "Panorama" dhe "SPORTI". Unë filloj të marrë atë "drogën" (a nuk është bërë aq e përditshnme kjo fjala ime në thonjëza?) e përditshme me "DITA". Me "Ditën" se atje gjej shkrime aq racionale, sa, pothuaj, jam "dashuruar" me pena gazetarësh, si: BEDRI ISLAMI, XHEVDET SHEHU apo i rralli, po më racionali: VIKTOR MALAJ. Po, si me të vërtetë, nuk mund të "dashurohesh" me "DITA" ku, çdo ditë, ngopesh me vargjet e LIRIKUT TË PAPËRSËRITSHËM, ARBEN DUKA. ARBEN DUKA është sa lirik aq dhe satirik. Nëse nuk lexoj qoftë dhe një ditë vargje nga ARBEN DUKA, më duket se diçka më mungon dhe jam si bosh.

* * *
Sot në "DITA" lexova një shkrim të një ushtaraku për mësuesin e tij të dikurshëm. Mësuesi i tij i dikurshëm ka qenë IBISH KELMENDI nga KOSOVA. Ish-ushtaraku, dikur nxënës i këtij mësuesi të mirë, e mbyll shkrimin me një pyetje retorike:- Vallë, a i kanë dhënë ndonjë medalje mësuesit tim të mirë, IBISH KELMENDI? Kësaj pyetjeje, po i jap përgjigje me anë të këtij shkrimi:
I nderuari Sefer Pasha, pyetjes suaj, në mungesë të Ibish Kelmendit, po i përgjigjem unë, Përparim Hysi nga Fieri që jo vetëm e kam njohur ish-mësuesin tënd të mirë, por e kam patur dhe shok, pothuaj, intim. Pa u zgjatur shumë, po ju them:-Ish-mësuesi yt aq i mirë u "dekorua", por "dekorata" e tij qe pak "speciale": për shkaqe fare banale u dënua me 17 vjet burg, të cilat i bëri kokërr për kokërr, dhe, kur doli (gati kur po përmbysej regjimi) që transformuar i tëri: ai mësuesi yt i bukur nga si grur halëzi mbi kokë i kish mbirë "tërshëra". Ia shkatërruan familjen ( sapo qe bërë me një çupë nga martesa e dytë) dhe, nga si lis kur të jepte mësim ty dhe sa brezave të tjerë, qe bërë si një shelg vajtues. Kur doli përsëri nuk i afrohej njeri se të "ngjiste kolerën". Një ditë përpara se ta arrestonin sapo kishim bërë nga një "parti shahu" me të dhe nuk isha vetëm unë: në"partin" e shahut ishin dhe dy mësues të tjerë: të ndjerët DRAGO RASHOVIQ dhe NIKOLLA MARGILAJ. Tek loznim dhe xhëku e kalonim atë "vijën e demarkacionit" të kohës dhe, të nesërmen, kur IBISHIN e arrestuan, secilit prej nesh e zuri cërma. Por IBISHI e tregoi veten jo vetëm burrë, por një fisnik i vërtetë. Duket e vuri"kryqin" mbi shpinë dhe gjithë "fajin" e pafajësisë e mbajti mbi vete.
Dhe a e di, more zotëri, pse e burgosën? Se në atë kohë, i erdhi për vizitë i vëllai nga KOSOVA dhe ia mbushi shtëpinë plot. Aq mall pruri për të vëllanë, sa Ibishi zuri dhe të shiste ndonjë orë "Darvil" apo ndonjë çerte, kur në dyqanet tona edhe miu thyente kokën. E futën brenda dhe të gjithë atyre që kishin blerë çdo suvenir, ua konfiskuan xhaba. Mandej stisën "komisione" dhe i "blenë" po vet si mallra të zhvleftësuara.
Kur doli nga burgu, nuk qëndroi shumë në Fier dhe frymën e mbajti në Belgjikë. Atje ka rrojtur kohët e fundit dhe tanimë nuk e di se ç'bëhet.
Sidoqoftë, mendoj se dhe me kaq, i kam dhnë përgjigje pyetjes suaj, i nderuari SEFER PASHA.
Unë mbi dyzet vjet kam punuar në arsim dhe në këtë fushë i kam provuat të gjitha: mësues, drejtor shkolle, formator dhe deri inspektor në Drejtorinë Arsimore të Fierit. Nga përvoja që kam, kam të drejtë që të shtoj dhe diçka: mësuesët vërtet që vlerësojnë nxënësit me notë, por nota e mësuesit për nxënësit, ndodh, që të jetë dhe emocioanle apo subjektive, kurse nota e nxënësve për mësuesin është aq reale sa nuk e luan topi. Kështu, ore mik i panjohur, medalja që i ke varur mësuesit tënd, IBISH KELMENDI, është më e vlefshmja dhe më e bukura. E sa për mikun tim,IBISH KELMENDI, uroj që të jetë mirë e ta ketë jetën e gjatë.

Tiranë, 23 shtator 2016

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)