2016-09-22

Cikël poetik nga Shefqet Dinaj




Shefqet Dinaj u lind në Skivjan afër Gjakovës, më 16.09.1969 dhe rrjedh nga një familje tradicionale dhe patriotike. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike në Gjakovë. Po në Gjakovë mbaroi SHLP, dega gjuhë dhe letërsi shqipe, histori gjeografi dhe mësim klasor, me sukses të dalluar. Pastaj u regjistrua në Fakultetin filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe kreu studimet në Letërsi dhe gjuhë shqipe, si dhe në Fakultetin filozofik ku mbaroi studimet në histori.
Në Universitetin e Prishtinës vazhdoi edhe studimet postdiplomike në letërsi dhe mori titullin Ma sci. për shkencat filologjike dhe në histori ku mori titullin Ma sci për shkencat historike. Aktualisht vazhdon studimet e doktoraturës në Shkencat historike në Q.S.A. Tiranë.
Një kohë ishte arsimtar në Shkollën fillore “Ukshin Miftari” në vendlindje, në Skivjan dhe në Shkollën fillore “Fan Noli” në Dujakë afër Gjakovës. Gjatë kohës së luftës, në vitin 1999, ishte njëri ndër themeluesit, mësimdhënës si dhe drejtor i Gjimnazit “Ylberi” në Shijak të Shqipërisë. Më vonë, në vitet shkollore 2004-2008, ka punuar profesor në Gjimnazin “Hajdar Dushi”në Gjakovë dhe Rogovë të Hasit, pastaj nga viti 2009 në Shkollën e mesme profesionale “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë dhe në Shkollën e mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë. Aktualisht është profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë si dhe ligjërues në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” në Fakultetin e Filologjik si dhe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti Filologjik po ashtu në Gjakovë.
Shefqet Dinaj merret edhe me aktivitete të ndryshme kulturore, artistike e letrare si dhe skulpturë. Është anëtar i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, sekretar i përgjithshëm QKPSHA “Gjakova” në Gjakovë, kryetar i “Pegasi Albania’’ (Dega në Gjakovë), Sekretar i përgjithshëmi LSHPA “Pegasi Kosova” dhe kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” (Dega në Gjakovë). Me shkrime letrare është marrë si nxënës, por u dallua në kohën kur ishte student sepse botoi shumë shkrime, studime dhe punime të tjera me rëndësi në shtypin e kohës.
Artikujt e tij zgjuan interesim tek lexuesit dhe u dalluan për tematikën e trajtuar. Shkrimet e ndryshme nga lëmi i letërsisë, historisë së letërsisë dhe nga historia e historiografia e jonë kanë një nivel të duhur dhe janë interesante për mënyrën dhe aktualitetin e trajtimeve. Po ashtu deri tash ka marrë pjesë me skulpturat e tij në tri ekspozita kolektive në Gjakovë, një në Tiranë dhe një në Prishtinë me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Shefqet Dinaj është edhe poet dhe poezia e tij është një qelizë e suksesshme, e cila e plotëson dhe vë në funksionim trungun e tij prej krijuesi. Duhet potencuar se disa shkrime të këtij krijuesi janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Edhe poezia është e përkthyer po ashtu në gjuhën angleze, italiane, franceze, gjermane, rumune etj...

Deri tani ka botuar këto vepra:

“Vështrime historiografike shekulli XIX – XX” (botoi Lidhja e Historianëve të Kosovës, “Ali Hadri”, Prishtinë, 2009); “Skivjani – historiku dhe trashëgimia kulturore” (Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Prishtinë, 2010); “Tematika, diskursi, personazhet dhe modeli i shkrimit në vepër letrare” (Shoqata e intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, 2011); “Aksioni i mbledhjes së armëve në Dukagjin, 1955/56”, koautor me Napulon Zeqiri (Shtëpia botuese LULU, SHBA, 2011); “Lotët e ashtit” (shqip-anglisht-italisht, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2013); ’’Enigma’’ (shqip-gjermanisht-frangjisht, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2014); Foleja e shpirtit (shqip-rumanisht, Bukuresht 2015) është libri i tij i shtatë.

Shefqet M. Dinaj jeton në vendlindje dhe deri tani ka marrë pjesë me punimet e tij shkencore në shumë konferenca te nivelit kombëtar dhe ndërkombëtarë si në Tiranë, Shkup, Prishtinë etj. Është fitues i titullit prestigjioz Anëtar nderi i LNPSHA “Pegasi Albania” për vitin 2011. Akademia alternative e LNPSHA “Pegasi” Albania e shpall fitues i titullit te lartë “Historian i vitit 2012 i LNPSHA “Pegasi” Kosova, “Pegasi” Albania.
Po ashtu është fitues i titullit të lartë: “Poet i vitit 2013 për Kosovë” i LNPSHA “Pegasi Albania”. Fitues i titullit të lartë: ” Vëllimi poetik lirik për Kosovë” i LNPSHA “Pegasi Albania-Kosova”. Fitues i “Çmimit të parë për poezinë më të mirë” në manifestimin letrar “Në rrugëtim me Yllka Domin” dhënë nga QKPSHA “Gjakova”, Gjakovë 2015. Është përfaqësuar edhe në librin me kritika: “Lexime të poezisë”, botuar nga Ndërmarrja shërbyese “Jeta e re” , Prishtinë, 2013 të Halil Haxhosajt; në librin “Në rrugëtim me Yllka Domin”, botuar nga QKPSHA-Gjakova, Gjakovë, 2013; në librin “ Rrugëtimi i përjetësimit të Ali Ibër Nezaj në bronz”, botuar nga Shoqata e Intelektualeve “Jakova”, Gjakovë,2013 të Halit Nezajt,në antologjinë poetike “Korsi e hapur 3” (LNPSHA Pegasi-Albania,Tiranë, 2014); në antologjinë poetike “Altari I Pegasit” (LNPSHA Pegasi-Albania, Tiranë, 2014); në Enicklopedia e Shkrimtarëve Shqiptarë (Akademia Alternative Pegasiane, në botim); në antologjinë poetike “Muzgu”, Tiranë, 2014, në antologjitë poetike kushtuar dëshmorëve Ilaz Kodra dhe Antigona Fazliu, Prishtinë 2015: në antologjinë poetike kushtuar dëshmorit Sejdi Kralani, Prishtinë 2015, Në antologjitë “Malli poetik”, Prishtinë 2014, 2015 dhe 2016 et





BOTË E VOGËL PËR SHPIRTIN TËND

Akordova telat e harpës
pranë burimit të Drinit të Bardhë.
Cila je vashë që flirton
me buzëqeshjen tënde flakë?!

O botë e vogël në shpirtin tënd të madh,
theu, bëhu copë e grimë,
në grimcën tënde kristalore
të ngjizet gjaku dhe loti im!

Hapat e tu të lehtë vajzëror
trokasin, vrasin zemrën time,
harlisur në fushat e gjelbëra
Ti o melodi e ëndërrimit të ri.

Përse më buzëqesh?
Pse sillesh vërdallë?
Bota sa e vogël
për dashurinë tonë të parë!

Dua të të kem pranë
çdo sekondë të shoh,
bota është e vogël
për folenë e shpirtit tonë!


DERI KUR?

Deri kur?
T’i lutem Ujëvarës
të freskojë
shpirtin tim të ndezur.

Deri kur?
Të kërkoj nga Ujëvara,
Të më ledhatojë
me ujë flokët e saj.

Deri kur?
Ti Ujëvarë lozonjare,
shtegton madhështore
drejt detit kaltërosh.

Deri kur?
I vetmuar pres
të freskohem
në gjolin tënd.

Deri kur?
Do më lagësh
me ujëlotët e shkumëzuar
të kroit tënd Ujëvarë ...


BUZË LIQERIT

Freski drithëruese në muzg të parë
dy engjëj vështronin
vallëzimin e lehtë
të liqenit kaltërosh.

Në kupën qiellore
vezullonte një yll,
lakmonte dehjen
e dy shpirtrave të lumtur.

Melankoli zërash,
romancë rinore,
puthje afshore
atje buzë liqenit.


NËN LISIN QARR

Binte shi mbi tokën e etur
rrëshqasin currilët si djersët në ballë,
nën Qarrin e vjetër rënduar nga motet
dy shpirtra luanin mallin dashuror.

Në degën e varur të Lisit plak
këndonte hareshëm një Kanarinë,
melodi e saj përzier flakë
rënkime, ofshamë, lutje, përqafim’.

Shiu tërbohet mbi tokë të lagur
pajton Lisin e shkrehur në vaj,
currilët rrëshqasin mbi ballin e njomur
ëmbëlsisht përkëdhelur nga vajzëri’ e saj.

Papritur në qiell vezullon një yll
lakmon dehjen e shpirtërave nën Qarr,
oh, sa të lumtur ishim sot
shiu lagte trupin e saj... !


TUNDIMI

Fryma jote
tundonte valët e shpirtit tim
lodronim, putheshim
pasqyruar mbi valët e liqenit.

Sytë e mi
lexonin ndjenjën tënde,
thyenin heshtjen e kallur
atje buzë liqenit.

Melankoli shpirti,
zjarr i pashuar,
ledhatim fytyrash,
prekje buzësh ...

Me vite prita puthjen e atyre syve
shtangur në heshtjen e hijes tënde,
pritja e gjatë më ndezi buzën
tundimi rrëmbeu afshin tonë!


DËSHIROJ

Dëshiroj të ngjitemi
në “Kështjellën” e dashurisë,
të sodisim së bashku
valët e detit.
Në sytë e tu magjepsës
të shoh si lozin vallen
dielli dhe hëna!...
Të shtrihemi mbi bedena,
qiellin të kundrojmë
të ndiej aromën e shpirtit tënd
qarkulluar në damarët e mi.
Të arkitekturojmë
ujëvarën e Niagarës,
me lotët e tu
të freskojmë
afshin tim të ndezur.
Të të prek butësisht
buzën e përvëluar,
dëshmitarë të jenë
pëllumbat e bardhë...


NË SYTË E TU

Në sytë e tu
shikoj si lozin hareshëm
dielli dhe hëna
vallen e dashurisë hyjnore.

Në sytë e tu
dëgjoj këngën e pulëbardhës
që fluturon e lirë
mbi shkumëzimin e detit.

Në sytë e tu
mësoj mrekullitë e shpirtit
që puthen hareshëm
me valët e zemrës.

Në sytë e tu
ndiej zjarrin e tërbuar
që shkrin acarin
e frymës sime.

Në sytë e tu
prek dehjen epshore
të dy trupave të lakuriqësuar
lagur nga lot shiu!

Në sytë e tu...


MË MBYTI HESHTJA JOTE

I ngulfatur nga heshtja jote
vij vërdallë duke mërmëritur...
Pyes veten:
’’Vallë pse bota nuk shembet,
e unë të ndryhem
nën gërmadhat
e mërisë tënde ?!
Apo ndoshta kozmosi ka faj
që retë e zeza tërbohen,
mbështjellin dashurinë
që kishim dikur’’.
Ah dikur ... !
Ti vazhdon me zemrën kryeneçe,
unë gishtat thyej, s’kam ç’bëj.
E dashur, ende bota sillet e
heshtja jote në zemër më ther!


EJA!

Tik-taku i orës thyen heshtjen,
melodi njëtrajtëshe,
zymtësi,
pritje!...

Eja të lutem me erën e malit!

Kapërce kurorat e luleshtrydheve,
shkrije vesën e netëve me hënë
Kalëro meteorët e kështjellës së shpirtit.

Eja!

Të pres me puthjen e petaleve të luleve,
të avullojmë me epshet e mallit,
të ndërtojmë barkën e dashurisë,
të numërojmë yjet e varguar.

Eja!

Të ngjitemi në lartësitë e qiellit,
të shkrihemi në vullkanin e ndjenjave,
të puthim buzëqeshjet
nën pikëllimin e shiut të ujëvarës.

Eja!...


PRITJE NË PEIZAZHIN MAGJIK

Unë të pres,
ndjej trokitjen e zemrës
se si rreh
nga malli ynë dashuror.

Ti vonon,
ndjej frymëmarrjen
e ngulitur thellë
në damarët e mi.

Ti po vjen,
ta dëgjoj hapërimin
në peisazhin tim magjik
me puthje syri të prek!

Ti erdhe,
ta dëgjoj zërin
orkestruar hareshëm
me zhurmëvalët e detit!

No comments:

Post a Comment

Mediat dhe Politika: Pse ka kaq shumë manipulime dhe propagandë në mediat shqiptare?

  Kërko brenda në imazh Nga Gëzim Mekuli   Gëzim Mekuli lindi në Pejë (1966). Studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhën dhe letërsinë ang...