2016-09-22

Cikël poetik nga Nexhat Çoçaj



Nexhat Çoçaj lindi më 02 02. 1964 në Gjonaj të Hasit, ku nisi shkollimin fillor, ndërsa e përfundoi në Ferizaj, ku kreu edhe arsimin e mesëm në Ferizaj. Në vitin 1991 kreu Fakultetin Filologjik në Prishtinë, ndërsa nga viti 1994 ndoqi studimet pasuniversitare. Gjatë kohës së studimeve, nisi punën si gazetar, më pas punoi edhe si mësues në shkollën tetëvjeçare dhe në shkollën e mesmen vendlindje.
Gjatë luftës së UÇK-së, nga marsi i vitit 1998 u inkuadrua në UÇK deri në përfundim të luftës. Për disa vite më pas ishte sekretar i OVL , dega në Has. Që nga viti 2008 punon në Drejtorinë Arsimore në Prizren, ndërsa nga viti 2011 është drejtor i këtij institucioni. Përveç gazetarisë, që nga koha e studimeve merret edhe me krijimtari letrare dhe studime në fushën e etnologjisë.
Rrugën e krijimtarisë letrare si poet e nisi që në vitet e shkollës fillore, sa ishte nxënës në Ferizaj, ku botoi poezitë e para në vitin 1978/79, ndërsa në vitin 1983, u prezantua në përmbledhjen poetike për fëmijë me titull “U këndojmë dëshmorëve”, për të vazhduar më pas edhe me prozë dhe punime shkencore.
Më 19 dhjetor 2014, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, mbrojti titullin e “Doktorit të Shkencave” me temën “Zonat e ndërmjetme etnografike në Kosovë”.

Deri më sot ka botuar këta libra:

- “Kloni” (roman), 1997;
- “Nuipsi” (roman), 1999;
- “Bartësit e lirisë” (biografi për Dëshmorin e Kombit, Haxhi Hoti), 2000;
- “Shpresa” (roman), 2002;
- Shtigjeve të lirisë (kuis për dëshmorët, katër ribotime, 2004, 2007, 2009 dhe 2011);
- “Kukurimi” (roman), 2008;
- “Rrugëtimi” (poezi), 2009;
- “Lindjet e pavdekshme” (poemë), 2009;
- “Gjeneralpampersa” (roman), 2010;
- “Kam takim me vdekjen” (roman), 2010;
- “Piknik në Pashtrik” (drama për fëmijë), 2011;
- “Jeta” (roman), 2011;
- “Lufta për të mbetur njeri” (roman) 2015;
- “Petriti i shkrepave” (monografi për Heroin e Kombit, Remzi Ademaj), 2011;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. VI, 2011;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. V, 2012;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. IV, 2012;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. III, 2013;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. II, 2014;






ËSHTË TERR APO DRITË?!

Zgjohem në mëngjes
Mbështillem me terrin e ditës
Përpiqem të vjell
Gjellën helm të servuar në shtyp.

Në vend të kafesë
Pi një apaurin
Që të mos verbohem
Që të mos shurdhohem
Që të bëhem imun
Ndaj atyre që do t’i takoj
Me gojën e stërmbushur
Me sharje
Për ata që lindën për ne
Për ata që u flijuan për ne.

Por, terri është terr
Dhe me te do të shkojnë në ferr
Të gjithë ata që vjellin helm
Për gjakun
Për bajrakun
Është terr apo dritë
Këtë do të na tregojnë fëmijët
Sot apo një tjetër ditë.



VOTA

Kush është për?
Faleminderit!
Kush është kundër?
Faleminderit!
Kush abstenon?
Faleminderit!

Merrni tash shamitë
Dhe vajtoni me lot
Për këtë që votuat!



SHTIGJEVE TE PASHTRIKUT

Shtigjet e Pashtrikut
Hekurosin rrudhat e padrejtësive
Jetës për t’i dhënë ngjyrë

Shtigjet e Pashtrikut
Vullkan i trazuar
Mbështjellë me eshtra
Që pikojnë gjak
Nëpër stinët e ferrit

Shtigjet e Pashtrikut
Gurët e djegur
Dëshmitarë të betejave
Ku u shurdhuan
Ninullat e foshnjave në djep
Ku u verbuan krushqit
Në prag të shtëpisë
Dhe mbetën të pagojë

Shtigjet e Pashtrikut
Me prush të ndezur flakë
Hekurosin rrudhat e padrejtësisë
Me plagë të prushta
E eshtra që kullojnë ende gjak
Nëpër të cilët po piqet liria.



BARTËSVE TË ZJARRIT

Kur e thanë - bartësve të zjarrit
Pse po bartin zjarrin në shpinë
Ata njësoj si Prometheun thanë:
Për ta filluar jetën njerëzimi

Kur u thanë – bartësve të zjarrit
Se mund të digjen në flakë,
Ata thanë :
Ari merr shkëlqimin vetëm në zjarr

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Zjarri mund t’i lë pa sy,
Ata thanë:
Zjarri i shkrinë kufijtë

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Se zjarri ua servon arratinë
Ata thanë:
Zjarri e përflakë lirinë lirin.

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Të pendohen për përhapjen e flakës
Ata thanë:
“Jo” edhe sikur të digjeshim në të.



PJETËR BOGDANIT

Në kishëza të Hasit
M’u bë se e pashë Bogdanin
“Të veshur me diell
Të mbathur me hënë”
Duke i kërkuar hasjanët
E përflakur nëpër botë
Me gunë të gjatë krahëve
Shtrëngonte hartën e gurit
Kur u bind se kot lexonte
Vendet s’i gjente
Ashtu si ia donte zemra
Filloi të villte vrer të zi futë
Dhe ashtu i sëmurë
U nis për në Prishtinë
Me hartën e gurit
Mbështjellë nën gu(r)në
Tash pas treqind vite
Të dëshmojë për çelbjen
E gurit të megjës në Pashtrik



HASI

flaka
në zemër të Prushnikut
që s’mungoi mbi kokë
ta shaloi guximin
ta shndërroi terrin në dritë

jetëvdekja
roje në shtigjet e përgjakura
kaliti gatimet e barutit
e përhapi kushtrimin

djersa e botës
derdhej shpatijeve tua
për të gjetur shtegun
e plagëve për shërim

Has i thatë
të quan ata që s’ta panë
thikën në kurrizin tënd
të larë me gjak
gjatë gjithë kohës
sa ishte roje flake
e bjeshkëve të Dukagjinit



PLAGA

Kur e fola fjalën e parë
e thash të plagosur
dhe i plagosur u rrita

Kur i mësova shkronjat
i lexova të plagosura
dhe për plagë shkrova

Kur u rrita
e mësova diagnozën e plagëve
dhe me plagë u ushqeva

Kur flas për plagën
ajo merr ndëshkim
dhe zbehet para syve të mi
e jo si në mote-si në fëmijëri
ajo sot kurohet me dinjitet
më nuk është plagë
se tani është shtet



LAKIMI I EMRAVE

Nëpër shpatijet e Pashtrikut
Lakohen emrat e bartësve të lirisë

Sa herë që zbresin maleve
Të ngarkuar me zjarr
E ruajnë të paprekshme
Mbaresën - tarë

Pas kushtrimit
Emri kurbet(ç)arë
U shndërrua në luftëtarë
Nga qytetarë në atdhetarë
Nga luftëtarë në çlirimtarë

Nën tingujt e krismave
Lakimi i emrave i thyen rregullat
Dhe na jep emra të rinj
Me kuptim pavdekësie
Nga emrat dashuri (për) atdhe
Del emri dëshmor
Nga emri robëri
Lind emri liri
Që për ta lakuar edhe më tej
Duhet përgjegjësi!~



MALLKIMI

Ai që flet kundër gjakut të vet
Dhe mohon sakrificën e të rënëve
Ju thaftë goja e foltë veç me gishta
Dhe ata mos i bëfshin punë

Ai që e sheh ardhmërinë
Të ngritur me shpifje
Ju shterrtë syri i djathtë e me të majtin
Mos e paftë kurrë pjellën e vet

Ai që i shton jatak të pabesit
Që ia zë pritën gjakut të vet
Mos i leftë as djalë as çikë në vatër
E ju mbushtë oborri me thera

Ai që nënshkruan marrëveshje
Me sunduesin e gjakut të vet
Ju thaftë ajo dorë
E tjetra mos i bëftë punë as ujë me pi

Ai që hedhë valle me djallin
Për ta ushqyer unin e injorancës
Mos e bëftë asnjë hap për gëzime
Veç për kob marrtë udhë



KRUMA

Si në legjenda tingëlloi historia jote
Para se të lidhej për guri
Lundra e ëndrrave të Kosovës

Prefektura e Kosovës –djep i trimërisë
Për konviktorët e përndjekur
Për planet e përhapjes së dritës
Për shoqërinë “Shkëlzeni”
Që dhembjet dhe plagët shëroheshin
Me tinguj të melodive malësorçe
Për Dërrasat e teatrit të Krumës
Që Kosova nisi marshutën në ty

Për pesë vite prefekturë
Ti Krumë Kosovës sa i shërbeve
Në secilën ditë
Vetëm fitoret i numërove

Pas 77 vitesh jetë me gur në shpinë
Vaji i Kosovës sërish
Ta gjeti derën Kërmë
Dhe ta mbushi shtëpinë
Dhe ti as pas kaq shumë kohe
Nuk kishe ndryshuar
Bujarinë dhe mikpritjen

Trashëgim nga Prefektuar
Prapë u sakrifikove
Baraz me Kosovës
Dhe ti u bombardove
Dhe arat tua u mboll me mina
Dhe varret tua u mbushën me trima

Para 77 vitesh ti Kosovën e përfaqësove
Në çdo skaj të Shqipërisë
Tash në fund të shekullit
jatak i Shtabit të UÇK-së

Ti Krumë e trimave
Që e shoqërove Kosovën
Në çdo hapërim
Ti do të mbetesh për mua
Prefektuara e parë e vendit tim

No comments:

Post a Comment

Mediat dhe Politika: Pse ka kaq shumë manipulime dhe propagandë në mediat shqiptare?

  Kërko brenda në imazh Nga Gëzim Mekuli   Gëzim Mekuli lindi në Pejë (1966). Studioi në Universitetin e Prishtinës gjuhën dhe letërsinë ang...