Qazim Berisha u lind më 1953 në Drenofc të Prishtinës.
Filloren e kreu në Barilevë, normalen në Prishtinë dhe Mitrovicë, ndërsa Fakultetin e Filologjisë Dega: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë.
Me shkrime filloi të merret herët që në bankat e fillores. Filloi si publicist, duke bashkëpunuar me gazetat dhe revistat më të njohura, në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
Botoi librin ”Lot Gjaku” për 105 dëshmorët dhe martirët e Kosovës (1981-1991), libri i parë i botuar për dëshmorë në Kosovë.
Autor i fejtonit të gjatë për ushtarët e vrarë në Armatën Jugosllave (1981-1991), botuar në ”Fjala jonë” dhe ”Gazeta shqiptare” 1997- 1998.
Shkroi: “Arsimtarët martirë dhe dëshmorë” të rënë në Luftën e Kosovës, botuar në “Feniksi” 2005, dhe transmetim në Radion “Kosova e lirë”.
“25 martirët e rënë në pranverën 1989”, botuar në “Epoka e re” 2015.
Botimet:
-“Lot Gjaku” poezi, 1995.
-“Në zemrën time banon dhembja” - poezi, 2005.
-“Nënëlokja” - monografi, 2011.
-“Kronikë pas lufte” - publicistikë, (1999-2013).
-“Aglirie” – vëllim poetik, 2015.
Aktualisht punon profesor i gjuhës dhe letërsisë shqiptare.
MALLI I DHEMBJES KRENARE
(Vëlla Selimit, dëshmorit të kombit)
Seç më vjen një mall nga shpirti
Për të bukuren Shqipëri
Me dulbi kur shikonim nga Ohri
Me vëlla timin tash në përjetësi.
Malli i vëllait malli Shqipërisë
Në ato kohëra me re mbi ne
Endërrat tona të përtritura
Sytë lotonin për Shqipëri.
Kur më kujtohen vitet e 70-ta
Në liqen të Ohrit kur freskuam sytë
Doren e drejtoje nga Pogradeci
Dashuri i falje atdheut.
Vëlla Selim sot kam shumë mall
Lotet me mashtrojnë si fëmijë
Ike në atë botë me shpirt të zhuritur
Pa e puthë tokën e Nënë Shqipërisë.
Fli i qetë vëlla në altar të lirisë
Se Shqipëria do të bëhet Një
Do ta gëzojnë nipër e mbesa
Ribashkimin- gjakimin tënd.
ME ATDHE NUK TREGTOHET
Me atdhe
nuk tregtohet
as një pëllëmbë
as një t'thore.
......................
Zogollët
toptanët
le të marrin
fund
le të nisen
për në thyeqafje
rrudhje
nuk bënë
të ketë më.
......................
Zogollët
toptanët
e rinj
hise
të babës
nuk i kanë
kreshtat
e maleve.
.....................
LLAHTARI ERËRASH
Malet po firohen
lisat e harlisur
po i godet rrufeja
nuk është shenjë e mirë
mbase do të vjen
edhe cunami.
................................................
Erërat e çmendura
dhe njerëzit e streseve
janë bërë bashkë
krojet po shterrohen
dikush po e humbë shpirtin
brezit të kreshtave
po ua fut thikën.
...................................
Sa tmerr
sa llahtari e madhe
dikush grusht të fortë
po i jep atdheut...
POETIT TË DRITËS
(poemë)
........................................................................................
/Jam kosovar/ pra jam shqiptar;/Zot e e krenar/
Zot e bujar/ mbi këtë dhe/q'e e kam si fe/
-Mitrush Kuteli
...................................................................................
Do të doja ta di
cili yll po shndritë
lart në qiell
cilat vargje
të kuqrremta
të premeteut
po lëshohen
mbi atdhe
për të larguar
errësiren e derdhur
e për të lë lëshuar
dritën burimore
në zemrat e uritura
që kërkonin
dritë e liri.
............................
Cili shpirt poeti
futet në galerinë
e dhembjeve fisnike
që Më aq besnikëri
i radhitë dhembjet tona
me gjëmën e madhe
që shkundë krahërorin
e dhembjeve u jep valë.
....................................
O cila zemër poeti
bëhet fanarë drite
rrugën për të ndriçuar
drejt horizonteve
të vuajtjeve tona
që shekujt e përmbysur
ranë mbi ne
në tokën tonë
në hisen e diellit
në plangun tonë
të trashëguar
nga etërit tanë.
...........................
Mitrush
dritëshpirti i kohës
si të përplasën
valët e kohës
e të shkaktuan plagë
naçallnikët
xhandarët
me petk të ri
pse u vërsulen
mbi Ty
për ta ndalur këngën
vetëm pse ti
për vëllezër
kërkoje drejtësi.
..........................
Ah, të futen
në dhe për të gjallë
djajtë e kuq
djajtë e zi
se ti doje
ndryshe një Shqipëri
jo të ndarë
as të katandisur
por Zonjë
në harten e botës
ashtu siç dije ti.
............................
Mitrush
sa shumë dhembje
pate për Kosovën
e lënë nën shkja
nga dora e fortë
nga dora e zgjatur
mallkuar qoftë
kush punoi me tradhti.
............................
Mitrush
poet i zjarrit
prushi yt
që të digjte
në shpirtë
le të mbetet
kurorë fitoreje
se Kosova tani
frymon në liri.
......................
Sot
bashkë
me Shqipërinë
me gjakimin tënd
janë nisur
në rrugën
e bashkimit
në rrugën
e nderit
që padrejtësisht
na vënë kufi
këta satan të zi.
................................
Faleminderit
Mitrush Kuteli
qe zjarrin e mbajte
në gjokës
për Kosovë
e për Shqipëri!
MENDJA MA THOTË
...mendja ma thotë:
nuk ka zog
qe nuk i këndon
pranverës
nuk ka lule
qe nuk qel për të
nuk ka zemër
që nuk i gëzohet
lirisë
nuk ka varg
qe nuk i kushtohet
atdheut.
........................
zemra dhe vargu rrin tok
ia dëgjojnë këngën zogut
për pranverën e dhembjeve
akoma derdhin lot....
NË SHTËPINË KU FLE SKAMJA
Në një dhomë
Me pak dritë
shtrirë një rrogoz
prej xunkthi
flejnë shtatë shpirta
me shpresë nga qielli.
.............................
Migjeni sikur
kundron
nga lart
po kthehemi
te "bukuria që vret"
në shtëpinë e nxirë
të luftëtarit të lirisë..
..............................
Në këtë shtëpi
flejnë kujtimet
e maleve qëndrestare
prap predha
drithërim shpirti
në derë
troket skamja
një plagë
akoma kullon
çlirimtari merr vetën
nuk ofshan
nuk loton
mallkon ata
në fron
timonin po e drejtojnë
drejt greminës.
...............................
Çlirimtari numron plagët
në shtëpinë me skamje
me pak dritë
e me dhembje shumë.
MOS NA KUSHTËZONI
kokëdhembje kam
aritmi zemre posepo
pulësi rrah ngadal
kushtëzime na dalin
në rrugëtimin tonë
qe hapin nuk e zëmë
as dje e as sot
..........................
miqtë po lozin me ne
në shtëpinë tonë
po luajnë ping-pong
e ne qeshemi nga marrëzia
.................................
kushtëzime dhe standarde
të dyfishta mbi supet tona
rëndojnë në krahërorin tonë
histori e mërzitshme e vizave
tash e neverishme për ne
...........................................
i mjeri i ligu
sa i fortë që është
ka thënë një plak urtak.
IMPERATIV I KOHËS
...të gjithë
për një qëllim
për një ideal
ëndërren
shekullore
për bashkim
ta bëjmë
realitet
....................
nuk është
as fillimi
as fundi
i botës
por është
imperativ
i kohës
......................
nëse vërtet
na kanë miq
le të na duan
me këtë synim
për bashkim
pa kushte hiq
KËTO VITET E MIA
Më thanë:
43 vjet shërbim
ndejte burrë
ato 20 të tjera
i ri ishe.
Shpesh ua ke ngre
veshin nxënësve
tash ua ledhaton kaçurrelet
thuaju: Ju jeni të bukur si dielli
të shëndetshëm si molla
arsimtari juve iu ka xhan
po deshët dilni te tabela
por s'pari t'i fikni ajfonat.
Zgjidhni ju vet
a do flasim sot
për folje e diateza
po deshët flasim
për lirikun
Lasgush Poradecin
si të doni ju do ia bëjmë
përveç mesazhe dhe selfie
në orë mësimi mos të bëjmë.
Kaluan vite e dekada
e ne mbetëm ata që ishim...
në komunizëm druanim
se do t'na burgosnin
nën Serbi frikoheshim
me nxënës do t'na vritnin
e tani në liri...
Do isha shumë i lumtur
po ta mbyllja karierën time
në këtë kohë pa kohë
me erë amullie.
ME ATO DUAR TË ARTA
("Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë" N. Frashëri)
Është në dorën tënde
miku im
po deshe ngrihu
me agun e mëngjesit
kur dielli do të puthë në ballë
bashkë me forcën e krahëve
në punë dhe vetëm me punë
kështu atdheun nderon
e veten e lartëson.
Mos thuaj se duart
i kam të lodhura
me vullnet jepu fuqi
do vjen një ditë
vërtet do t'i kesh të lodhura
të tjerëve në punë
do t'ua kesh lakmi.
Mos rri lexo miku im
me dije
asnjëherë nuk abuzon
se një ditë pamja
do të mashtrojë
poezi të bukura
vështirë do të na dhurosh.
Puno sa e ke shëndetin
Zoti ty kështu të do!
MA THUAJ ATË EMËR
Ma thuaj atë emër
që etërit tanë
shkuan me shpirt
të zhuritur
pa e parë
e pa e gëzuar
për të gjallë.
Ma thuaj atë emër
kur babai
në lutjet e mbrëmjes
lutej e lutej
të vi krejt e bardhë.
Ma thuaj atë emër
qe ishte
gjakim ndër shekuj
për ëndërrimtarë
të rinj dhe te vjetër .
Ma thuaj atë emër
që në vete
ngërthen
shumë dashuri
për të shtrenjtën
për të çmuarën
L I R I !
DUKE PRITUR
Nata lozë me mua
Yjet shpesh m'i fsheh
Hënës ia merr dritën
Më lë duke pritë.
Natë e gjatë më bëhet
Pikat e shiut në dritare kur bien
Një lumë dredharak vetëtime
Qiriut tim dritën ia shton.
Ngrysem që në ag
Atëherë kur dua
Të jam i zgjuar
Më merrni rreze dielli
Që aq shumë për Ju
Kam ëndërruar.
Më prit të lutem pak
Ta di rrezet kush po i ndalë!
BALADË DHEMBJEJE
(Atyre djemve dhe vajzave qe po ia mbyllin jetën vetes)
Jeta ime është
Unë bëj çfarë të dua
Po desha do ta mbyllja
Po desha do ta lë me lulëzuar.
Nuk është vetëm jeta jote o trim
Në jetën tënde jetojnë edhe të tjerë
Nënë baba motër e vëlla
Mos ia mbyll jetën vetës
Gjëmë të madhe pas vete mos lë.
Kush po u shtynë o trima
Të merrni hapa të trishtë
O kush po u nxitë në drejtim të krimit
Rrugët e jetës kush po ua mbyll.
A e dini se nëna u lindi
T'i gëzohet rritës së juaj
Motra mbeti pagjumë
Duke pritur dasmën tuaj.
Zoti ua fali bukurinë diellore
Për ta shijuar nektarin jetë
Mos ia vë lakun vetës
Se jeta është e bukur
Edhe kur jeton në krizë.
Zoti nuk t'i mbylli shtigjet e jetës
Ai hapur t'i lë
Për të shtegtuar në të mirat e kësaj bote
Prandaj jetoje jetën
Zemrat mos i helmo.
Me zemër poeti
Te rinia një lutje kam
Mos ia mbyllni jetën vetës
Por jepni shkëlqim!!!
RINISË SË ATDHEUT DIELLOR
Mos e ndalni hapin
Në sytë e juaj pikëllim të mos ketë
Ecni në drejtim të rrezeve të diellit
Me aureolen e bukur në agim.
Mos i ndalni buzëqeshjet
Se edhe ato kanë shpërblim
Bëhuni notarë të mirë mbi valët e jetës
Kurrë mos të keni trishtim.
Jeni pëllumba të bardhë
Fluturoni në kaltërsi
Fati i bardhë e deshi
Ju të rriteni në liri!!!
PRIZRENIT HISTORIK
...eci kalldrëmit
në qytetin
e shpirtit tim
të lashtë
çdo gur i tij
ka histori
dhe bëri histori
në përballje
me stuhitë
e kohës
qe nuk kurseu
as rrapin shekullor
qe sot rri krenar.
Ndalem për një çast
te kroi i vjetër
freskoj ballin
aty ku trimat
ndalen hapin
pinë ujë
dhe shtrënguan dyfekun.
Nën gjëmim
të valëve të lumit
Shtëpia e Lidhjes
pret miq
Abdyli hedh shikimin
nga kalaja trimërore
Plaku Ymer drejtohet
me fjalë të urta
bashkë me Sylejmanin
Abdylin dhe Ibrën
me sy si shqiponja
Më duket se po i shoh
në Kuvend ata
burra të zotët
me sy krejt zjarr
të prerë në vendime
asnjë pëllëmbë toke
mikut e as armikut
nuk ia lëshojmë
se e kemi amanet
që ta ruajmë
dhe ta mbrojmë
me gjakun e trupit.
Mallkimi do të na ndjek pas
sot dhe nesër
nëse amanetin e tyre
nuk e çojmë në vend...